HISTORIA E VJETËR ËSHTË HISTORI KALORSIE * / Esse nga : Mark SIMONI

HISTORIA E VJETËR  ËSHTË HISTORI KALORSIE *

 

 

Mark simoni - 1

Esse nga :  Mark SIMONI 

 

1.

Përherë kam menduar se qeniet e para që kanë banuar fantazinë e fëmijëve janë kuajt, të ardhur prej përrallash e legjendash, historish mistike, librash e ndodhish. E aq më tepër atëherë kur mbi kuaj ikin kalorës të çmendur, fantazia e fëmijëve harliset, merr trajta të çuditshme, skutat e fshehta të kokës së të vegjëlve mbushen me ngjarje të habitshme, njerëz që bëjnë çudira, emra të frikshme kalashë, stema e flamuj, që me figurat e tmerrshme mbi to të kallin frikën dhe fantazinë. 

Imazhet e kuajve janë sëmundja e fantazisë fëmijnore. Kuaj përrallash e legjendash, kuaj historikë, madje dhe kuaj të çuditshëm katundesh të largët e të humbur, sillen kujtimeve të mugëta brenda kokave të vogla. Vërtetë kur mbi këto kuaj ka udhëtarë të luajtur mendsh, kalorës të krisur e të çuditshëm që përherë janë nisur për diku që vetëm ato e dinë dhe askush tjetër, atëherë ndodh mrekullia. Bota e fëmijëve bëhet më e madhe, mbushet me vringëllima armësh e gjak, pabesi dhe udhëtime të largëta për në vende të pashkelura, lugje e bjeshkë të panjohura, heronj fitimtarë apo të vrarë në njëmijë mënyra, kuaj të verbër, luftëra të shenjta e urdhra mistikë, lajmëtarë mortesh e gjëmash, lahutarë që shkojnë të këndojnë heroizmat e të vdekurve, (ai që mund të quhet teli i lahutës nuk është gjë tjetër veçse jele kuajsh të egjër), kuaj që kthehen prej Jutbine përrojeve me gjak, kalorës të dalë mendsh të hipur mbi kuaj imagjinar por kuaj s’ka askund, kavalierë legjendash që kanë dalë prej andej dhe shëtisin xhadeve moderne të botës, kali i çuditshëm i Kostandinit që s’është gjë tjetër veç se pllakë varri, rrëmbime robinash hipur mbi vithe të kuajve. Fantazia e fëmijës shëtit pafund mazgallave të fshehta nëpër oborrin e botës. Ajo gjallërohet si asnjë herë tjetër, hidhet mbi të e rend, kalëron hipur mbi fantazinë më të çmendur. Më vonë, në skutat e fshehta të kokës së fëmijëve hyjnë kujtime, personazhe e fantazi të tjera. Dhe ato, rrinë aty gjatë, për aq kohë sa njeriu është i vogël. Vetëm atëherë kur njeriu nis e rritet, shumë prej ndodhive, imazheve, ngjarjeve fëmijnore dalin nga bujtina e kokës, ikin e harrohen përgjithnjë. Të vetmit që nuk e braktisin asnjëherë, kurrë, kujtesën e njeriut janë pikërisht imazhet e kuajve të famshëm dhe kalorësve në zë. Njeriu duke u rritur në një farë mënyre çlirohet prej fantazisë fëmijnore, vegimeve të dikurshme, letohet përditë nga fëmijëria e vet, nga ndodhitë e saj, nga rrëfimet tronditëse. Megjithatë është diçka që e mbanë akoma peng atë, përherë lidhur me atë kohë të fëmijërisë. Është pra, gracka e imazheve të kuajve të çartallosur dhe bëmat e çuditshme të kalorësve të çmendur. Kështu që në një farë mënyre kalorësia mbetet përralla më jetëgjatë e njeriut. Aventura e saj arkaike vetëm sa tenton të bëhet ndonjëherë moderne, dhe nganjëherë vetëm sa ndërron modul, por si shije mbetet po ashtu zanafillore, e dikurshme, po me atë shkëlqim, po aq magjepsëse dhe tunduese si dikur, në kohërat e fëmijërisë së hershme. Pikërisht sjellja si kavalierë i të rriturve, është padyshim jehonë e kujtimeve të vogëlisë, ku vazhdojnë të rrinë akoma e përditë kalorësit e dikurshëm fisnikë, që rendin hipur mbi kuajt e tyre. Secili nga ne e ka kalorësiakun brenda vetes, përderisa ka dëshirën për të shkuar drejt aventurës, drejt vendeve të pashkelur e të çuditshme, drejt rrisqeve.

 

11013352_1651901745038944_5539215490291488546_n

Historia dhe epopeja e kalorësisë

 

Kuajt edhe veçmas kalorësve kanë shenjtërinë e tyre, kanë po të njëjtën lavdi. Dhe ashtu të vetmuar kanë bërë që bota të ndjekë bëmat e tyre. Kali i Kaligulës, kali që tërheq karrocën me flakë dhe e zbret nga Olimpi, kali me flatra, dhe Pegaso të tjerë, e kanë dinjitetin në vetmimin e tyre, janë plot shkëlqim e mister, sa nuk kërkojnë e as duan sajdisje nga të tjerët. Vetëm kur bëhet fjala për heronjtë mbi ta, atëherë ndërron puna, kalorësit e marrin shpesh mbi vete dritën e famës, ryben e lavdisë, dhe rriskun e ndodhive po ashtu. Sa herë kemi dëgjuar që kuajt kthehen të përlotur, të rraskapitur e gërmuq nga sheshet e luftërave, mbasi kalorësi i tyre është vrarë, apo rrinë atje mbi kokën e të vrarit kur ai jep shpirt. Por ka dhe heronj që kanë po aq lavdi sa dhe kali i tyre. Këto të dalë nga fantazia e shkrimtarëve që janë marrë me histori fisnikësh e vepra kavalereske. Nuk ka aspak më shumë lavdi Don Kishoti nga Rosinanti i tij. Kali i Trojës, në fantazinë e fëmijës nuk ka shkëlqimin e të tjerëve. Ai është një kalë tjetër lloji, kalë me rreng. E veçanta e tij është tek tipi i kalorësve të fshehur në të, dhe tek gjithë ajo histori me rropamë që ndodhi më pas.

 

2.

 

  Duke i hedhur vetëm një sy, sado shqitas, kalendarit të madh të ngjarjeve të historisë së vjetër, e kupton menjëherë se ajo periudhë e gjatë, një histori e tërë për shekuj e shekuj, nuk është gjë tjetër veçse histori kalorësish e kalorësie. Për rreth pesëmbëdhjetë shekuj, në oborrin e trazuar të botës, ngrihen e bien shtete e kombe, rendin kryqtar e marshojnë kryqëzata, themelohen Urdhëra nga më të çuditshmit, sillen pelegrinë, bëhen traktate, tregtarë e matrapazë të fshehtë i bien kryq e tërthorë Evropës, shfaqen emblema nga më misteriozet me elementë të frikshëm e mistikë, luhen varre të shenjtë.
Duke qenë se në prag të shekullit të pestë nis kalimi i ushtarëve nga tribu në kalorës, kjo mund të quhet dhe si periudha ku zë fill kalorësia dhe epoka e gjatë e saj. Tre mijë ushtarë kthehen në të krishterë. Kalendari na dëshmon ngjarje të vrullshme, kontinenti nuk gjen më rehatinë e mëparshme. Frankët fitojnë mbi Alamanët e Tolbiakut, tributë “Cimbre” shpallin luftë anglo-saksonëve, Emiri Tarik i arabëve pushton Spanjën, Aliu (dhëndri i Muhamedit) shpallet kalorësi i parë i Islamit, Kalifi Omar, merr Jerusalemin, gadishulli Iberik zaptohet i tëri nga arabët që aty themelojnë kalifatet e tyre, mbi malet e Asturias themelohet mbretëria e parë e Krishterë në Spanjë, mbreti i frangave Karl Marteli ndalon arabët.
Viti 800 është ndoshta pragu që e ndan biografinë e kalorësisë. Në atë kohë kalorësia del nga legjenda e miti dhe futet në disiplinën e historisë së dokumentuar. Panorama nuk është fare e çetë. Arabët pushtojnë Italinë e jugut, dhe pas një gjysmë shekulli e lëshojnë atë, skandinavët kthehen në të krishterë, tributë strehohen në Islandë, të krishterët e Spanjës themelojnë kontenë e Kastilias, turqit selçuk marrin Jerusalemin, Sidi legjendar çliron Valencian nga arabët, nis kryqëzata e Urbanit të Dytë deri në Azinë e vogël, kryqtarët marrin Jerusalemin, Gofredi i Bulionit fiton titullin “Avokat i Varrit të shenjtë”, krijohet vëllazëria për ndihmën e pelegrinëve që do të quhet “Urdhri spitalor i Shën Gjonit” e më vonë Kalorësit e Maltës.
Pas tërë këtyre ngjarjeve nis të reagojë dhe ajo që mund të quhet letërsi. Bash të kësaj kohe janë “Kënga e Orlandit”, “Kënga e Gulielmit” dhe “Pelegrinazhi i Karlit të madh”, këngë që mrekullojnë një kontinent të tërë, që i japin njerëzve një vetëdije tjetër nga ajo e mëparshmja, vezulluese dhe tronditëse njëkohësisht. Lavdia e kalorësve shkon deri në cepat më të largët, deri atje ku mundin të mbërrijnë këto këngë.
Në Spanjë del “Kënga e Sidit” (dokumenti i parë poetik që flet për luftën mes arabëve dhe të krishterëve në Gadishullin Iberik). Poeti më i madh i Mesjetës para Dantes, Kretien i Troyes shkruan romanet e ciklit Breton që i kushtohen heronjve të Urdhrit të “Tryezës së rrumbullakët”. Fillon dekadenca e poezisë trobadorike dhe e gjuhës me të cilën shkruhej ajo. Nga Franca e deri në Gjermani përhapet e këndohet e këndohen “Këngët e dashurisë sublime”.
Bota kalorësiake mbanë frymën, po vijnë në histori Tempullarët. “Urdhri spitalor” kushtëzohet ushtarakisht dhe frat Gjerardi është i pari Mjeshtër i Madh, kalorësit e Varrit të Shenjtë u nënshtrohen rregullave agustiniane. Tetë prej tyre themelojnë në Jerusalem “Urdhrin e Tempullit”.
Diku mes këtij nervoziteti luftrash e pushtimesh shkëlqen një dasmë. Eleonora e Gjermanisë martohet me mbretin Luigj të Francës. Krijohet në Spanjë “Urdhri i parë Femëror”. Eleonora bën martesën e dytë, tani me Henrikun e II. Del kronika e parë e mbretërve të Kastilias, në Egjipt vjen në pushtet Saladini, (periudhë e gjatë ku Saladini është protagonist me bëmat e tij).
Gjeografia e bëmave kalorësiake zmadhohet pa masë. Mbërrin në qosh të Azisë. Rreth shekullit të 12 nis në Japoni të zotrojnë shogun-ët dhe në këtë periudhë zhvillohet fenomeni i samurajëve. Xhinxhis Kani mbledh tributë mongole dhe tremb Europën. Më vonë do të shohim që tartarët e Batu Khan kërcënojnë kufijtë e Evropës.
Historia e kalorësve dhe e kuajve është histori në lëvizje, duke shtegtuar drejt vendeve të largët, drejt pusish të fshehta, drejt bëmash misterioze. Madje është pikërisht kjo shpejtësi që i ka dhënë atë energji, impuls, dinamikë e ritëm historisë së vjetër dhe periudhave të saj. Fati i asaj kohe ka qenë i lidhur kryekëput me fatin e kalorësve, urdhrave kalorësiake, bëmave të këtyre njerëzve që shëtisnin nga njëri cep i botës në tjetrin , hipur mbi kuaj që iknin revan. Pikërisht ngjarjet dhe bëmat e kalorësisë bënë që ajo kohë e trazuar të mos bjerë kurrë në gjumë.
Lind në Kostandinopojë “Urdhri Konstandinjan i shën Gjergjit” (urdhri më i vjetër që funksionon dhe sot e kësaj dite). Shfaqet Rikard Zemërluani. Vdes Saladini (personazhi mysliman më i nderuar në Mesjetë nga evropianët, ndër të tjerë dhe nga Dante Aligeri). Peshkopi Albert themelohet urdhri “Shpatëmbajtësi” që më vonë do të shkrihet me urdhrin “Teotonik”, në Kostantinopojë themelohet Perandoria Latine e Orientit, masakra e tmerrshme në Beziers, shfaqet fenomeni i mistershëm i kryqëzatës së ”Djelmënisë”, vjen Kryqëzata e 5, Shën Françesku është në Egjipt, polakët themelojnë urdhrin e “kalorësit e Dobrinit”, Veldemari i II i Danimarkës, Frederiku i II martohet me Izabelën e Brienës, princat gjermanë fitojnë dominimin e Balltikut, Kryqëzata e VI. Jarosllaviç mund danezo-suedezët e Nevit ndaj do të quhet Nevskij. Merret Mali i Sigurt, Jerusalemin e marrin përfundimisht myslimanët ndërsa në Spanjë bien kalifatet e Kordovës dhe Seviljes, zihet rob Luigji IX dhe pengu lirohet kundrejt 400 mijë dukatë të artë (paguar nga tempullarët), Toka e Shenjtë, bie fortesa Krak e kalorësve (fortesa më legjendare e të krishterëve), mamlukët plaçkitin Çiliçanë, frangët ikin nga lindja, Kastilianët çlirojnë Spanjën (veç Granadës). Vite të gjata persekutimi ndaj tempullarëve, kalorësit Teotonikë, Papa Klementi V ratifikon “me vulë” shkrirjen e “Urdhrit të Tempullit”, shkojnë në turrat e druve, digjen të gjallë kalorës të Tempullit bashkë me Mjeshtrin Zhak De Mole, Tempullarët e mbetur nën përkrahjen e Dionisit të Portugalisë themelojnë “Urdhrin e Milicisë së Krishtit”, në Suedi “Urdhri i Serafinëve” (ndryshe ”i Kerubinëve” ose “i Kordonit të Kaltër”), Eduarti i III në Angli, “Urdhri i Medaljonit”.
Ramon Llull mbështetur mbi legjendat shkruan librin e “Urdhrit të Kalorësisë”. Del poema “Meliador” e Frojssard-it (që na kujton traditën arturine), duke bërë bashkë histori të cikleve bretone dhe atyre karolinge. Në prag të shekullit të 14 mblidhen në librin “treqind novela” dëshmi të jetës kalorësiake. Shkrimtari dhe këngëtari i shesheve dhe rrugëve, Andrea Da Barberino, shkruan “Mbretërit e Francës”, me histori të ripërpunuara. Një prozë anonime rreth legjendës së Karlit të Madh, Bojardo shkruan “Orlandi i dashuruar”.
Mbreti Ladislavo i II i Polonisë, “Urdhri i shën Mikelit”, Perandori Sigismondo themelon “Urdhrin e Dragoit të Rrëzuar”, “Urdhri i Elefantit” i Kristianit të II të Danimarkës, del një libër satirik i Pulcit rreth sipërmarrjeve kalorësiake, botohet romani “Vdekja e Arturit” e Tomas Malory (autorësia e të cilit do të tregohet vetëm pas pesë shekujsh), ekzekutimi nga perandori Maksimilian i I i robërve mbas dorëzimit (që si akt do të quhet dhunim i çdo rregulli kalorësiak), Ariosto shkruan “Orlando i tërbuar”, përçahen kalorësit teotonikë dhe Mjeshtri i Madh Alberti lidhet me protestantizmin, spitalorët zënë vend përfundimisht në Maltë, krijohet një urdhër i hapur edhe ndaj kristianëve edhe ndaj myslimanëve (Urdhri i Tunizit dhe i Borgonjës), në Skoci hapet “Urdhëri i Shën Andresë”, vdes në rrethimin e Maltës nga turqit pirati i dhunshëm Dërgut Pasha, persekutohen në Francë kalorësit e urdhrit, Napolon Bonaparti pushton Maltën dhe konfiskon pasuritë e “Urdhrit …”
Torkuato Taso shkruan “Jeruzalemi i çliruar”, nisin të përhapen në Spanjë romanca nga repertori historik i kalorësisë, Servantesi shkruan “Don Kishotin” (që në një farë mënyre shpall fillimin e perëndimit të kalorësisë), publikohet një poemë heroiko-komike e Aleksandro Tasonit me sfond kalorsiak, publikohet një sagë tragjike me një temë të përdorur në letërsinë japoneze mbi shogun dhe samuraj, pastaj vjen Valter Skoti me “Ivan Hoe” roman me frymëzim kalorësiak, pas tij dhe një libër po kaq i suksesshëm sa dhe “Ivan Hoe” po i Valter Skotit, editoriali i d’Alezcios ku ideali kalorësiak bëhet pretekst patriotik, botohet “Beteja e Beneventos” i Françesko Guerraçit ku e shkuara trajtohet si në veprat e rilindjes, Lordi Alfred Tenison shkruan poemën tregimtare “Idilet e Mbretit” e mbështetur mbi legjendat për Mbretin Artur,
Themelohet urdhri i parë kolonial anglez “Ylli i Indisë”, Selia e shenjtë miraton normat e reja të urdhrit teotonik. Këtu bie perdja e kësaj skene të rëndë, marramendëse, të shkëlqyer e të zymtë njëkohësisht, plot lavdi e disfata, me heronj, robina, gjak, rrëmbime, luftra, stema dhe flamuj.


3.

 

 Libri “Historia dhe epopeja e kalorësisë” është një volum që e kthen historinë dhe kalendarin e ngjarjeve kalorësiake në një disiplinë. Ka skedim skrupuloz të të gjithë kronologjisë, ngjarjeve kruqale, personazheve dhe traktateve, rregullave dhe Urdhërave, lavdisë dhe rrënimit të tyre, letërsisë që u mor me kalorësinë dhe tërë dinamikë që thamë. Me këtë libër krijojmë një ide të qartë mbi origjinën legjendare dhe origjinën historike që ka kalorësia. Trajtohen kryqëzatat që invaduan Tokën e Shenjtë dhe Europën. Në faqet e kësaj antologjie historike plot ngjarje informohemi mbi kalorësinë si institucion (Ritet e fillesës, “Kalorësi i fundit” dhe Urdhërat dinastikë). Njihemi me imitime dhe analogji me kalorësinë evropiane, (Dragojtë kinezë, Yjet e Afrikës, Perandorët e Amerikës, Kalorësia islame, rrënjët e integralizmit, Urdhëri i vrasësve, Modelet evropiane, Samurajt etj.). Një vend të rëndësishëm në këtë volum zënë edhe komentet e analizat rreth Letërsisë Kalorsiake (Këngë bëmash dhe romane fisnike, “Minesang”-u gjermane dhe “Favolelli” italiane, vepra të Ariosto, Tasso, Bojardo, Pulçi, periudhën nga Sidi deri tek Don Kishoti, heronjtë romantikë Ivanhoe dhe Fieramoska).
Lexuesi që del nga ky libër doracak nuk ka mësuar një grusht dijesh, por shumë më tepër se volumi i këtyre faqeve. Ka në vemendjen e tij tashmë panoramën energjike të plot 15 shekujve. Duke qenë se historia e kalorësisë, epopeja e saj, nuk është aspak më e ngushtë se historia e vjetër, por është vetë shkëlqimi dhe realiteti i saj, themi që duke qenë se kemi shfletuar “Historinë e Kalorësisë”, së bashku me të kemi tagrin e njohjes së vetë historisë së vjetër.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s