FJALIM PËR PRESHEVËN / Nga Afrore Shaipi

FJALIM PËR PRESHEVËN

 

 

afrore shaipi

Nga Afrore Shaipi

 

 

I nderuar profesor!

 Të nderuar kolegë!

 

Dola sot këtu para jush, t’iu them ca fjalë për vendin nga vij unë. Dua t’iu rrëfej për Preshevën, për vendin për të cilin pak flitet, e shumë keqkuptohet. Vendosa t’iu flas për Preshevën, sepse gjatë këtyre muajve studimesh në këtë universitet, kam vërjetur se shumë prej jush keni një pasqyrë të mjegulltë për Preshevën dhe Luginën në përgjithësi. Bile ka edhe nga ata që nuk kishin dëgjuar fare për këtë vend. E çuditshme!

Para ca muajsh këtu, në fakultet, më ka rastisur të takoj kolegë dhe bashkëmoshatarë të mi dhe kur i kam thënë se unë jam nga Presheva, pyetja e parë që m’u shtrua ishte: “Ku i bjen Presheva?” Kjo ngjarje në fakt, sa më habiti, aq edhe më zhgënjeu. Më ktheu shumë  vite mbrapa, kur isha nxënëse e fillores. Mbaj mend se kishim shkuar në Shqipëri për gara dhe kur i treguam se ne vinim nga Presheva, ata na pyetën “A flisni shqip?”

Dhe unë sot ju them se po, unë flas shqip, sepse jam shqiptare njësoj sikur ju në Kosovë e njësoj sikur ata në Shqipëri; unë flas shqip sepse kam origjinë të pastërt shqiptare njësoj sikur shumica e bashkëvendasve të mij në Preshevë. E habitur se sa pak njohuri kanë të rinjtë shqiptarë për vendin tonë, unë megjithatë dua të besoj se ata janë të paktë; dua të besoj se prapëseprapë ka më shumë të rinjë shqiptarë në Kosovë, në Shqipëri e kudo tjetër, të cilët të paktën e dinë se ku i bjen Presheva dhe janë sadopak të informuar për problemet e shqiptarëve të Luginës.

Për t’iu dhënë një pasqyrë të qartë për Luginën, unë sot do t’iu rrëfej për situatën dhe problemet tona atje. Më besoni, janë probleme gati të ngjashme më ato të çdo shqiptari apo të çdo qytetari ballkanas. Edhe ne ballafaqohemi me papunësinë, varfërinë, korrupsionin, krimin, nepotizmin, zhgënjimin nga politikanët dhe emigrimin. Këto dukuri na bashkojnë të gjithëve. Ajo çka mund të na dallojë prej juve është se përveç këtyre, ne kemi një problem tjetër fundamental, që është DISKRIMINIMI. Diskriminimi në baza etnie. E ky është një gjenerator i pashterrshëm për të gjitha problemet e tjera që vijojnë.

 

Për të gjithë ju që s’keni patur rastin të shkoni ndonjëherënë Serbi, duhet ta dini se në kufirin jugor të saj, gjendet vendi që ne e quajmë Luginë e Preshevës. Ajo përfshin tri komuna: Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjën. Ka rreth 1200 km², 100000 banorë me rreth 70% të etnisë shqiptare. Nëse do të vinit ndonjëherë në atë vend, edhe pse me shumicë shqiptare, mos u çuditni nëse nuk shihni as edhe një simbol të vetëm kombëtar. E kemi të ndaluar! Megjithatë, kur të flisni me qytetarët e thjeshtë, do të mund të vëreni frymën shqiptare që e karakterizon atë trevë.

Nëse ecni rrugëve të Preshevës, mund t’iu presin rrugën tanket dhe kamionët e xhandarëve. Ata e kanë zakon të bëjnë defilime në pikë të ditës. I kemi kudo, nëpër male e nëpër rrugë. Na janë bërë si roje. Jemi mësuar me një pamje të tillë, të pahijshme.

Një prej ngjarjeve më të trishta që më vjen në mend saherë takoj pjestarë të asaj xhandarmërie, është 21 janari i 2013, dita kur e kishin hequr lapidarin e UÇPMB. E dini pse ai lapidar u shëndrrua në simbol të të gjithë shqiptarëve të Luginës? Sepse, arriti të na dhurojë vëmendjen e munguar tash e sa vite. Arriti të dëshmojë se çfarë do të thotë të jetosh në Preshevë, e të jesh shqiptar në Serbi.

Mendoj se edhe ju keni mundur të dëgjoni për këtë lapidar, por më besoni, në Luginë ka edhe plot “lapidarë” të tjerë që hiqen kundër vullnetit tonë, në mënyrë arbitrare e pa dhënë shpjegime. Ka plot. Sepse, jeta në  Preshevë është e vështirë. Politika diskrimnuese vërehet kudo, në arsim, në shëndetësi, në kulturë e në ekonomi. Ajo nis prej nxënësve të fillores e përfundon me të diplomuarit. Nis me mungesën e teksteve shkollore e përfundon me mungesën e vendeve të punës.

Është e dhimbshme, sesi në shekullin 21, shkollave u mungojnë tekstet e teknologjitë më të fundit. Është për të ardhur keq sesi mundet që disa fëmijë të trajtohen më mirë e disa më keq. E përse? Për shkak të nacionalitetit të tyre. Sepse, në Serbi, duket sikur kombësia jote e përcakton arsimimin tënd. Çka do  të thotë kjo? Kjo do të thotë se nëse je hungarez e jeton në Serbi është gjithçka në rregull. Do të trajtohesh njejtë sikur të gjithë bashkëmoshatarët e tu serbë. Do të kesh edhe tekste në gjuhën tënde amtare. Po çfarë ndodh nëse je shqiptar? Atëherë, parimi i barazisë nuk vlen edhe për ty. Ti nuk do të kesh tekste në gjuhën tënde. Edhe ato që i ke, janë botime të para 30 viteve.Po të mundohesh t’i sjellësh tekstet nga Kosova, konsiderohet kontrabandë. Ashtu si ngjau vitin e kaluar, kur u konfiskuan rreth 5000 abetare në një shkollë fillore të një fshati të Preshevës. Njejtë sikur te lapidari, edhe këtu u desh të ndërhynte xhandarmëria për t’ia hequr abetaret nxënësve nga duart e nga çanta, në pikë të orës së mësimit.

Pra, me pak fjalë, në Preshevë sot ndodh ajo që ka ndodhur në Romë në shek. VII, kur ka ekzistuar i ashtuquajturi “damnatio memoriae” (ndalimi i kujtesës) -nëpërmjet shkatërrimit të përmendoreve, ndryshimit të emrit, ndryshimit të programeve shkollore e kështu popullit iu është hequr e drejta për të kujtuar.Ështe sikur duan te na heqin identitetin, të na zhdukin gjuhën, të na mohojnë kulturën e të fshijnë dëshmitë e popullit autokton…Qytetarët e ndjejnë këtë pasiguri ashtu siç i ndjejnë çdo ditë vështirësitë e çdo sfere të jetës.

Edhe ne si të gjithë qytetarët kudo në botë, kemi nevojë për një shëndetësi të mirë dhe kujdesje nga shteti. Për fatin tonë të keq, shëndetësinë e kemi nën nivelin e duhur. Imagjinoni nuk kemi as spital. Kemi thjeshtë një ambulantë, që s’i ka as kushtet, as mjetet e as ilaçet për të na dhënë ndihmë të mirëfilltë shëndetësore. Prandaj neve na mbetet ta kërkojmë atë ndihmë, 35 km larg, në spitalin e Vranjës. Dhe aty i kemi pastaj ato parandjenjat tona se nuk na presin mirë ngaqë jemi shqiptarë. Sa mund të jenë të vërteta nuk e di, por ajo që di me siguri është se edhe aty, si në çdo vend tjetër të Serbisë e të Ballkanit, po s’i dhe ca para mjekut zor se të jep kujdesin e duhur shëndetësor. E xhepat e preshevarëve nuk janë edhe aq plot, sa për t’i kënaqur këto kërkesa.

Kur nuk investohet në arsim, kur nuk investiohet në shëndetësi, nuk ka se si të investohet edhe në jetën kulturore të Preshevës. Për fat të keq, sot përditshmëria në Preshevë është shumë monotone, boshe dhe pasive. Të rinjtë enden kafiterive të qytetit sepse janë të përhumbur në këtë lëmsh politik e social, e nuk dinë as cili mund të jetë drejtimi i duhur për jetën e tyre. Ata rrinë në kafiteri sepse nuk kanë me se të merren tjetër në Preshevë. Mungojnë aktivitetet kulturore. Mungon gjallëria dhe energjia e artit.

Ajo çka mbizotëron në Preshevë është pesimizmi. Një pesimizëm i thellë që ka kapluar çdo qytetar të asaj zone, të rinj e pleq, gra e burra. Pesimizëm, që vjen natyrshëm kur sheh me dhjetëra të diplomuar që enden rrugëve; arkitektë, doktorë, juristë, mësues që dikur kishin plot ëndrra e energji, e sot kanë veç dëshpërim e pendesë. Pendesë se kaluan vite të tëra në studime, të përkushtuar për të marrë notat maksimale dhe në fund mbesin të papunë. I gjithë ai mund për të fituar diplomë dhe në fund konsiderohesh i pa diplomuar. Sepse diploma jote nuk vlen. Sepse shteti ku ti jeton e ku ti dëshiron të punosh nuk ta njeh diplomën. T’i çon dëm studimet e t’i hedh poshtë ëndrrat.

Të dashur kolegë, unë studioj drejtësinë bashkë me ju. Edhe unë njësoj sikur ju kam ëndrrat e mia për të ardhmen. Edhe unë njësoj si ju dua të kem një punë e një karrierë të suksesshme. E dini se një prej dilemave të mia dhe e të gjithë studentëve nga Presheva, është se pas mbarimit të studimeve: a ia vlen të kthehemi në vendlindje apo jo? Unë e di se pavarësisht vullnetit dhe dëshirës, mundësitë janë të vogla. Si mund të kthehemi në vendin tonë, kur e dimë se ai vend, sado i dashur për ne, nuk na ofron dot as punë, as mirëqenie, as të ardhme. Si mund të kthehem unë si juriste e ardhshme, kur e di që Presheva ime nuk ka as gjyq? Dikur e kishim. E sot, në demokraci, nuk e kemi. Na e hoqën para 5 vitesh. E hoqën e as që e kanë ndërmend ta kthejnë. Bile po flitet që edhe shumë institucione të tjera publike do t’i largojnë nga Presheva e do t’i çojnë në Bujanoc apo Vranjë. E atëherë nga Presheva s’do të mbetet asgjë, veç rrugëve e shtëpive të boshatisura.

As njerëz nuk do të ketë. Sepse duke u përballur çdo ditë me varfërinë, me mungesën e vendeve të punës, me korrupsionin e nepotizmin që ka pushtuar gati çdo sferë të të ashtuquajturës demokraci e sotme, njerëzit mendojnë se zgjidhja më e mirë është emigrimi. Me shpresën se Perëndimi do t’i ofrojë një jetë më të mirë, ata nisin një jetë të re larg familjes. E kështu Lugina zbrazet. Në heshtje. Pa u bërë shumë bujë.

Pra, Presheva ka shumë probleme. Probleme që duan zgjidhje. Zgjidhje që s’mund t’i arrijmë vetë pa ndihmën e Kosovës e të Shqipërisë. Mua më vjen keq kur dëgjoj disa nga Kosova dhe Shqipëria që thonë “ne kemi boll hallet tona, s’mund të merremi tash edhe me hallet e Preshevës”. Për mendimin tim kjo është një pikëpamje e papranueshme. Sepse është budallallëk i madh ta konsiderosh Preshevën si pengesë për zhvillimin e Kosovës, kur në fakt Presheva mund të bëhet një rrugë e mirë për të zgjidhur problemet e juaja këtu. Ne e dimë që Kosova është një shtet i brishtë e me shumë sfida. Gjithçka që ne presim nga ajo është të bëhemi pjesë e dialogut në Bruksel. Ne duam thjeshtë te kemi reciprocitet me serbët në Kosovë. Duke na ndihmuar neve për përmirësimin e gjendjes, Kosova në mënyrë indirekte do t’i ndihmojë vetvetes. Sepse duke krahasuar të drejtat tona me ato të serbëve në Kosovë, ajo do të tregojë avancimin e saj ne respektimin e të drejtave të minoriteteve.

Përveç të tjerash, Kosova ka edhe obligim moral ndaj Luginës. Sepse Presheva gjithmonë ka qenë pjesë e saj. Historikisht. Shqiptarët e Luginës gjithmonë i kanë ndihmuar Kosovës. Me aq sa kishin mundësi, me aq sa kishin forcë. Ka shumë prej tyre që kanë rënë në luftën e fundit të Kosovës; ka shumë prej tyre që sot nuk vijnë dot në Preshevë për të parë familjarët e tyre sepse e kanë të ndaluar, vetëm pse ishin anëtarë të UÇK-së; ka mjaft që kanë kontribuar në arsim e shkencë… Dhe sot, ata që ndikohen dhe e pësojnë më së shumti nga të gjitha marrëveshjet e mosmarrveshjet mes Kosovës e Serbisë, apo Shqipërisë dhe Serbisë janë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Kështu  e pësojmë edhe me mosnjohjen e diplomave të universiteteve të Kosovës.Kështu e pësuam edhe vendosjen e polisave kufitare në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë gjoja për reciprocitet. Por ky “reciprocitet” vlente vetëm për neve, shqiptarët, sepse serbët nuk u përmbaheshin kësaj procedure.

Ne duam që Kosova dhe Shqipëria të kontribojnë në zhvillimin e Luginës, realisht dhe praktikisht. E jo të na përmendin vetëm për festa kombëtare apo përvjetorë pavarësie. Nuk duam të vazhdojmë të përdoremi për poena politikë, qoftë nga liderët shqiptarë, qoftë nga ata serbë. Nuk duam të vazhdojmë të bëhemi maskë për të gjithë politikanët që na përdorin saherë kanë nevojë për të shitur “patriotizmin” e tyre karshi popullit. Sepse patriotizmi dëshmohet me vepra, e jo me fjalë. Andaj ne duam investime konkrete. Nuk mjaftojnë nga 50 mijë euro për ndërtimin e maternitetit të Preshevës për të thënë se gjendja atje po përmirësohet. Ka vite prej sa ka nisur të flitet për atë maternitet dhe ende s’është finalizuar. Edhe pse ishte i nevojshëm, për mendimin tim s’ishte prioritar! Megjithatë këtu, nuk mund t’i fajësoj plotësisht qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, por udhëheqësinë e Preshevës që s’di t’i prioritizojë problemet dhe të bëjë kërkesat e duhura.

Prandaj, unë dua që para se t’ia lëmë fajin të tjerëve, të nisim e të gjejmë fajin dhe fajtorët brenda nesh. Tek vetja jonë. Tek politikanët tanë. Sepse unë besoj se Serbia ka faj për shumëçka, por absolutisht nuk mund t’ia lëmë fajin e plotë për gjithçka që i ndodh shoqërisë shqiptare sot.

Sepse Serbia nuk i pengon dot politikanët shqiptarë të Preshevës, Kosovës e Shqipërisë t’i luftojnë ndasitë e veta partiake; ta frenojnë etjen e paepur për pushtet; ta luftojnë korrupsionin dhe nepotizmin e brendshëm… E nëse Serbia nuk i pengon dot liderët shqiptarë në këtë aspekt, kush i pengon atëhere? Jua them unë. I pengon egoizmi i tyre. I pengon paaftësia e tyre. I pengon mungesa e vizionit të tyre. I pengon lufta e çmendur për pushtet dhe vetëm pushtet. I pengon përpjekja e tyre e pa rreshtur, e të gjitha formave ligjore e joligjore për të fituar një mandat. Se a do të jetojnë shqiptarët në fund të mandadit të tyre, atyre nuk u intereson. Me rëndesi është vetëm posti dhe asgjë tjetër. Dhe viktimat e kësaj politike të dobët jemi ne, qytetarët.

Pëkundër jetës së vështirë politike e sociale në Luginë, unë megjithatë ju ftoj të vini në Preshevë. Ejani dhe shihni infrastrukturën e dobët. Ejani dhe shihni varfërinë…Dhe nëse doni të njihni realitetin preshevar, mos u takoni me politikanët tanë, por takohuni me njerëzit e thjeshtë të Preshevës.

Njihuni me pleqtë shqiptarë të Preshevës dhe ata iu tregojnë ç’kanë hequr për të mbrojtur identitetin; njihuni me të rinjtë shqiptarë të Preshevës dhe ata iu tregojnë sesi është të shkollohesh në Serbi; njihuni me gratë dhe burrat që nuk e shohin të ardhmen e fëmijëve në shtëpitë e tyre…dhe kështu ju do të njiheni me vendin tonë të vogël, do të njiheni me jetën pasive dhe të varfër, do të njiheni me të rinj pesimistë dhe qytetarë të zhgënjyer, do të njiheni me banorë që jetojnë pa të drejta dhe ndihen të pasigurtë nga Shteti…

Përkundër tyre, ajo çka do të gjeni me siguri aty është bujaria dhe mikpritja. Mikpritje nga ato që dinë të dhurojnë shqiptarët. Sepse sado e diskriminuar të jetë, Presheva në vete ngërthen një shpirt shqiptarizmi. Edhe pse ai është një shpirt i lodhur, i rraskapitur, i shtypur…ai megjithatë vazhdon të frymojë në Preshevë. Dhe unë uroj me gjithë qenien time, të vazhdojë të frymojë përgjithmonë…!

 

        Ju falemnderit!”

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s