ëndrrat vdesin (Sekuenca e III ) / Nga (Hamdi) Erjon Muça

Sekuenca e III

 

ëndrrat vdesin

 

 

Erjon Muça

Nga (Hamdi) Erjon Muça

 

 

Nuk e ndoqa Orestin gjatë zbarkimit nga trageti. Nuk ishte me aq interes të shihnim se si njerëzit, që deri jo më shumë se një orë të shkuar qëndronin ulur në një qetësi totale, nisin e shtyhen si të mos jenë më njerëz.
Nuk e ndoqa Orestin as në rrugëtimin e shkurtër me makinë nga porti deri tek shtëpia e tij: megjithëse në mbikalimin e shinave të trenit tek ura e dajlanit pati, shkëndijën e parë të kujtimeve. Nuk e ndoqa pasi është tepër e lodhshme të përshkruash katrahurën e rrugëve shqiptare. Pesë vite më parë kur qe larguar nga Durrësi, auto veturat sa patën nisur të futeshin, kurse tani dukej sikur nuk kish më njerëz, por vetëm makina. Nuk e ndoqa pasi ishte sfilitëse të shihje se si njerëzit nuk respektonin asgjë, madje as rregullat më themeltare të qytetarisë.
E ç’ qytetari zeza, e gjithë ajo katrahurë, ku të gjithë përpiqeshin si e si të shkelnin rregullat dhe të tregoheshin më të fortë se të tjerët, vetëm qytetari nuk mund të quhej. Durrësi nuk të jepte përshtypjen e një qyteti, por të një xhungle, pa rregulla kafshërore.
E arrita Orestin tek hyrja e pallatit ku banonte pasi aty ai pati shkarkesën më të madhe emocionale. Ju duk sikur nuk qe larguar kurrë nga aty. Jo sikur kishin kaluar pesë vite të gjatë por ndoshta jo më shumë se një javë, apo maksimumi një muaj. Gjithçka kish ndryshuar rreth e qark, por ai ishte tepër i ngazëllyer për ta vënë re. Nuk e kuptoi se si i kaloi koha gjatë atij mëngjesi rikthimi dhe rreth orës tetëmbëdhjetë doli për të takuar dy miqtë e vet, tek bari i preferuar. Në pranverën e 1995, ai ishte nga të parët bare tek shëtitorja e rezistencës dhe ata e kishin kthyer në pikën e takimit të tyren. Nuk ishte një lokal me mure, por një barakë prej llamarine por i mirë ndërtuar. Ai e shpejtoi hapin, a thua se miqtë e tij, duke mos e parë të shkonte në kohë, do largoheshin. Kur hyri në fillim të shëtitores, ndjeu zhgënjimin e parë. Aty, tashmë nuk ishin vetëm pesë bare si pesë vite të shkuara, lokalet në shëtitore qenë shumëfishuar me pese herë për çdo vit të kaluar. Ishin thuajse të njëjtë, të gjithë lokalet. Tregtonin po të njëjtat pije, ëmbëlsira e akullore. Të vetmet aspekte që i bënin të dalloheshin nga njëri-tjetri, qenë vetëm emrat bombastikë, ngjyrat e karrigeve, tavolinave dhe çadrave bashkë me fytyrat e kamerierëve që ishin të veshur të gjithë njëlloj.
Miqtë e vet nuk i takoi tek bari i tyre, as atë ditë e as të nesërmen. Pas gati një jave takoi Ristanin dhe takimi i tyre, e përplasi me realitetin, dhunshëm pa asnjë lloj mëshire.
As që e kish menduar se kishi kaluar shumë kohë, nga ana tjetër nuk kish faj. Për rininë koha nuk ka asnjë lloj vlere dhe shpesh herë vitet as që llogariten. Gjithçka kish ndryshuar, madje vijonte të ndryshonte pashmangshmërisht shpejt. Në sytë e Ristanit ai pa kufomat e ëndrrave të adoleshencës. Ato ishin akoma aty, veçse nuk jetonin më, thjeshtë ai akoma nuk i kish varrosur. Aty shiheshin mirë se si ëndrrat e reja shkelnin trupat e ëndrrave të vdekura pa asnjë lloj mëshire. Por nuk ishte për fajin e Ristanit, është mosha që na shtyn të lindim, rrisim dhe vrasim ëndrrat e tona pa asnjë lloj mëshire.
Ristani punonte disk xhokej në një nga diskotekat e shumta të Durrësit. Kurse Klajdi kish emigruar dy vjet pas Orestit: mesa duket edhe ai kish nisur një Italian Dreamer.
I gjithë ai ngazëllim që e pat përfshirë ditën që qe kthyer, tashmë ishte kthyer në hidhërim. Ai kish munguar gjatë, tepër gjatë dhe vetëm tani po e kuptonte.
U nda me mikun e vet dhe u rikthye në shtëpi. Dielli nuk kish perënduar akoma. Lidhi black Kiss-in në amplifikator dhe nisi të luante. Arpexhi ishte i thjeshtë kënga akoma edhe më, megjithëse ishte një nga himnet e muzikës rok. Nën zë nisi të këndonte cnackin on haven doors dhe ja kushtonte ëndrrave të veta. Tashmë edhe në sytë e Orestit shikoheshin disa kufoma ëndrrash, që endeshin pa u varrosur. Në ndryshim me ato të Ristanit, dukeshin qartë që sapo kishin vdekur.
Po të njëjtin vështrim ja shoh edhe tani Orestit, vetëm me disa ndryshime. I pari nuk ka të bëjë me të por me ambientin. Ai nuk ndodhet përballë diellit që perëndon nën ujërat e detit Adriatik: tashmë po sheh lindjen e tij, nga majat e Apenineve të zbardhura nga dëbora. Në vështrimin e Orestit nuk ka kufoma ëndrrash që enden, si atë buzëmbrëmje vere. Ai tani nuk është më adoleshent dhe ka mësuar ti varrosi ato. Ndoshta të gjitha ëndrrat rinore qenë varrosur me kohë. Tani i ka mbetur vetëm tymi i cigares që si një fantazmë ngjitet ngadalë, i hirtë, lart…..
Eh ëndrrat! Tashmë edhe black kiss, bashkë me Klerjon-in, një tjetër kitarë e Orestit, kishin mbetur mënjanë. Si relike të një kohe të shkuar të largët, thuajse të pavlera dhe rrallë, shumë rrallë, ai kujtohej për to. Tashmë ai kishte realitetin, e një peisazhi që çdo ditë e më shumë i dukej i huaj, i pavlerë….

Poezi nga Zyba Hasa

    Poezi nga Zyba Hasa       PËR NJË JASTËK, PËR NJË SHTRAT…   Përherë kam kërkuar jastëk për trurin, (Kokën e mbështes lehtas dhe mbi duar,) Një jastëk që kurrë t’mos i sjellë gjumin, Butësia e dijes… … Continue reading

KONCERT, NË DITËN KOMBËTARE TË JETIMËVE SHQIPTARË / Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

KONCERT, NË DITËN KOMBËTARE TË JETIMËVE SHQIPTARË

 

Nga: Prof. Murat Gecaj

          publicist e studiues

 

 

mr 1

 

Mbrëmë, me rastin e 20 Majit, Ditës Kombëtare të Jetimëve, Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë,  organizoi koncertin-homazh, “Një mesazh për ty”, në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit të kryeqytetit. Të pranishëm ishin fëmijë, edukatorë e mësues, punonjës të arsimit e kulturës, personalitete të jetës politike e shoqërore, përfaqësues të bashkësive fetare, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj.

Ishte i pranishëm në këtë shfaqje dr. Halim Kosova, i cili krijoi për fëmijët e braktisur, në Maternitetin e Tiranës, “Djepin e engjëjve”. Gjithashtu, ishin të ftuar nderi disa autorë dhe aktorë të filmave për fëmijë. Nga ata, ndodhej Petraq Qafëzezi, skenarist i filmit “Lulëkuqet mbi mure”,  i cili kishte ardhur posaçërisht nga Italia, ku jeton familjarisht

Idea dhe realizmi i shfaqjes ishin nga Ilir Çumani, me regjisor Bujar Kokonozin dhe drejtor artistik Zhani Cikon.

Pasi në ekran u shfaqën fjalët e Nënë Terezës: “Jetojmë në një botë që vuan nga uria. Jo vetëm nga uria për bukë, por nga uria për dashuri”, u dhanë montazhe nga jeta e jetimëve tanë, në institucione të ndryshme të Shqipërisë. Më tej, moderatorët Silvana Braçe e Herion Mustafaraj (aktor-fëmijë, në filmin “Beni ecën vetë”) nisën ta paraqesin programin e përgatitur, para të pranishmëve.

E para përshëndeti artistja e njohur Roza Anagnosti-Xhuxha. Në vazhdim, kënduan me radhë: Sidrit Bejleri, Juliana Pasha e Bashkim Alibali.

Pasi u dha në ekran një intervistë e vitit 2002, artistit të paharruar, Kadri Roshi, dolën para të pranishmëve në këtë shfaqje, këngëtarët:  Myfarete Laze, Gëzim Nika  e Manjola Nallbani. U duartrokit për paraqitjen e tij edhe grupi polifonik “Çipini”.

 

ùr 2

Luan Zhegu, duke kënduar…

 

Gjithashtu, u pëlqyen  recitimi i artistes Margarita Xhepa dhe interpretimet e Kozma Dushit e Luan Zhegut, i cili këndoi bashkë me fëmijët. U duatrokitën nxehtësisht vallja e shkathët e një grupi fëmijësh dhe artistë të tjerë, që morën pjesë në këtë koncert-homazh. Ai ishte në vazhdën e veprimtarive të përvitshme, që organizon  Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, i cili drejtohet me përkushtim, nga Ilir Çumani. Prandaj të pranishmit u larguan të kënaqur dhe morën me vete emocione e mbresa të bukura.

 

mr 3

Balerinët e vegjël, në skenë…

 

Përmbledhurazi, mesazhi i tërë kësaj shfaqjeje ishte, për institucionet shtetërore përgjegjëse dhe mbarë shoqërinë shqiptare: “Duajini, ndihmojini dhe mbrojini fëmijët tanë jetimë!”

Me këtë rast, duhen përshëndetur e përgëzuar edhe të gjithë sponsorët, të cilët u treguan të pakursyer e bashkëpunuan, si për organizimin dhe zhvillimin e tërë kësaj veprimtarie artistike.

 

(Fotot nga:M.Gecaj)

Tiranë, 21 maj 2015