Cikël poetik nga Mite Tabaku

mite tabaku

Cikël poetik nga Mite Tabaku

 

 

Dashuri që pa ardhur, shkon…

 

Breshëri e florinjtë lotësh
ra nga qiell i syrit tënd,
Ku i derdhe, i braktise?
Në ç’det? Në ç’kohë? Në ç’ajër?
Oh! Sa dhëmb…

 

Trak e truk ky shi lotësh
dirigjonë një simfoni,
ushqen zemrën buzëplasur
me një dashuri që kurrë s’do të vi.

 

Shi e lotë kjo natë puth sonte
Pi me ty e pi me mua
Vallzojmë tangon tonë të fundit
me harrimin përqafuar…

 

Pluhur i padukshëm lotësh
ngecur brenda syve të mi
Dhembja sot të bën të çmendur
Lot, jo wisky, shpirt po pi
(lot veç lot, lotët e mi…)

 

Në shtretër lotësh ëndrra qanë
këngë që shpirtin ma trazon
Në timin lot do prehesh sonte
Dashuri që pa ardhur, shkon…

 

 

 

Shpirt pa jetë

 

Mesnatë.
Akrepa të orës po puthen,
Tek hapsirës së qiejve sundon terr i natës, pisë, qymyr i zi, në zi.
Fluturoj.
Fluturoj mbi shpinën e një ëngjëlli pa krahë
Në kët qiell pa hënë e yjesh t’shtrirë përdhe, t’ngordht e kockaleqër, të vdekur…
Unë,
Krijesë e cunguar që në ngjizje,
Frymë që përpëlitet në kët burg botësie
Sonte fluturoj mbi një aroplanë krahëthyer,
E shoh, e ndjej e prek trupë të kotësisë.
Gjithçka tashmë është e imja.
Unë jam mbret i kohës,
Zot i gjithësisë,
në këtë natë ku qeliza t’miat mëkatare,
qepall-mbyllur, dremisin nën syt e mi…
Qetësi mbytëse!
Por,
diku tej, jehonë e një ngërdheshjeje

m’prish kët çast sublim sundimi.
Oh! Ngërdheshje!
Ha ha ha aaa – hi hi hi iii – ho ho ho ooo
Prani nuk shof kurrkund, por s’ndalet.
M’i then kufijt e durimit ky zë i çjerr laraske
si kënga korbit mbi kufomë të djallit…
E brenda meje ndizet
Kafshëri e një lloji që s’ka njohur kush mbi dhè,
Ulërim neverie derdhet mbi bark të tokës,
Por prap s’ndalet.
Bie.
Prej shpatull të gjithësisë rrëshqet qëndrimi
e derdhem shpatit të një kodre kujtimesh.
Befas ngërdheshja zvanitet
E si kurorë mbi kokë vërtiten dhimbjet.
Lot meteoresh mbi shpinën e krrusur nga vitet vizatojnë moshën time.
Ç’kontrast!
Lulëze e njomë.
Por reflekton një shpirt të vyshkur,
rrudha e flokët t’thinjët,

ky imazh që lartësohet përball pasqyrës jetësore.
Përbuzje.
Në ç’ëndërr përpëlitet qënia ime
e nuk zgjohet dot?!
Ç’mankth është ky pushtim që s’njef kufi.
Dilemë.
Krak-hk-k-k-kh-k
U thye!
Ra mbi një gurë loti zemra dhe…
thërrmija-thërrmija u humb në asgjë-në e kësaj trajte jetësore (kafshërore).
Buçasin trumbetat e së shkuarës
rrëzë veshit të një të tashmeje të sfilitur
E si prej tërmetit trazohet frymë e t’gjallit,
Humb ekuilibrin,
Rrëshqet,
Si një ortek prej dëbore rrotullohet e përfshin krejt çka mundet
Molekulë e së keqes mbi trup të shpirtit tim.
Ah! Boshësi.
E ftohtë si akull, e zbazët si asgjëja, notoj në boshësi.
Këmbëzbathur,
Mbi shpinë krahët e thyer të ëngjëllit tim,
Ec,
Rrugicave me kalldrëm të kësaj hallke ekzistence

ku më përplasi lindja.
Stonim dëshirash,
Krakëllitje ndjenjash,
Dërdëllitje shpresash
Në kët qeli ku fati desh të ish protagonist uni im!
Mallkim!
Vrerë mallkimesh zbrazë mbi ju, krijesa t’kobshme,
Ju që më hodhët sa këtej e flakët sa andej
Qorrsakut të kësaj shtaze kopile,
E mbi eshtra t’miat gdhendët
tjetërsimin tim ndaj botës,
huajësimin mes meje dhe vetes,
Metamorfizimin e grimcave të përbërjes time.

Këmb t’zemrës s’mbajnë më,
Zvarritje.
Sikurse krimb më shkuan ditët
Dhe sonte,
Kukumjajka vajtoi mbi trupin tim shpirtin e asfiksuar.
Sonte,
S’bëj rezistencë ndonëse përpëlitem si zog i detit kur kokë i pret dorë e njeriut,
Sonte dorëzohem,
I dorëzohem së njëjtës dorë që heq zverrk të brendisë time n’gjakftohtësi totale,
E krenarisht iki, venitem, zhdukem
Dal-nga-dal-ngadal- ngadal
me zi të kësaj nate vrastare
që duar t’gjakosura fshin mbi shpretkën e organizmit tim të dekompozuar.
Iki, teksa ditë e re, juaja, rilind!
Unë iki!…

 

 

 

Bised me unin tim

 

Më tundon dublante e unit tim,
Djallushe që brenda meje lartësohesh,
Më ndjek tinëzisht,
ditëve të vdekura dhe netëve pa hënë
shpateve të qiellit ku ëndrrat frymën lënë.
Si arrin aq me përpikmëri të imitosh
Mua dhe bëmat e mia groteske?

Si mundesh të hiqesh si unë në perfeksion?
Sa mirë qëne aktron,
çdo hap ma gjurmon,
Ti hija e unit tim.

Ç’po përpiqesh të arrish?
Ç’po do të më thuash vallë?
S’jemi veçse një grusht hi në kët pafundësi,
E di!

Unë bardhoshe,
Ti, skëterr, zi,
Por, ti je e lirë, mund t’i ikësh trishtimit të jetës sime mjerake,
Ndërsa unë fle e zgjohem mbi eshtrat e kësaj plake!
 

 

Ëndrrat e mia

 

Ëndrrat e mia,
Krisht i kryqëzuar mbi kryq të shpresës,
një pikë loti ku mbytet gjithësia,
thërrmija kockash në bark të kufomës jetë.

 

Ëndrrat e mia,
flen në gjoks të fatit,
si gërmëzimet mëshiruese të një lypsari,
e rilindin brenda një klithme.

 

Ah!
Ëndrrat e mia,
hi i një shpirti ëngjëllor
humbur hapësirës së asgjësë tokësore…

 

 

 

Vrasje

 

E vrava të mirën brenda meje,
humnerave të kësaj jete gri,
me morfinat e së keqes shtazarake.
Në gjallje gllabërohej prej ligësisë
duke më asfiksuar molekulat jetike të ekzistencës sime.
E vrava të mirën time naive,
pjesëzën më të virgjër të pafajësisë time.
Fituan instiket djallëzore në këtë botë-hije,
kamufluar plot frymarrje gënjeshtare.
Z-z-z-z-z-z-z …
I ndjeni?
Me murmuritje varresh vine e koluvaten në shilarësen e shpirtit tim
duke tronditur bindjet e brendësisë sime,
e unë bie viktimë në rrjetin e indoktrinimit mendor…
E vrava të mirën time engjëllore
dhe në pakufijtë e çmendurisë orvatem
këtij burgu hermetik-kockor për të çliruar idetë e mia të sëmura…
E vrava të mirën…
E vrava…

 

 

 

***

 

Mendime lakuriqe,
tinëzisht,
depërtojnë në dhomë të shpirtit tim,
bulëza djerse pushtojnë ballin
prej siklet të këtij akti guximtar,
teksa gishtërinjtë e fatit
gërvishin ëmbël shpinë të kujtesës,
e skutave të kësaj ndjenje tabu
i imi lot
thërrmohet gjokseve të jetës…

 

 

 

Hesht!

 

Hesht!
Mos hidh gurë mbi shpinën

ku plagët gulcojnë e djegin hor prej shekujsh.
Sonte hesht paç Perëndi!
Më dhembin sytë të shoh si transformohesh

kur vjell mbi mua helmin që të vlon në gji.
Moooos. Të lutem hesht.
Ja po të gjunjëzohem n’përulje eshtrat për t’i puthur,

veç gramafon t’urrejtjes ulja zërin mor mik.

Më bie në zemër si plumb i armikut

kënga që merr hov n’tëndin shpirt. Mos e qit!
Ohhh! Hesht!
Në paç ndopak ndjesi njerëzore,

mos pështy më mbi ndjenjat e mia,
Këmbgjakosur, gjithë jetën, u zvarrita

folen e shpresës mbi sup t’zhgënjimeve me e ngritur.

Hesht-t-t, mos bë zë o shpirt i lebetitur.
Hesht!
Le t’puthi buzë e vdekjes qaf t’jetës time

e unë t’ik me mendimin më t’mirë për qënien tënde,
me shijen më t’ëmbël të prekjeve të pa dhëna,
Le t’dehem krejt në ledhet gënjeshtare

e t’fle në krevat të ëndrrave përgjys’ lëna.
Hesht!
Veç sonte mbylle rubinet të djallzisë tënde,

kët pakëz mirësi në mua mos e vra.
Mos nxirr zë,
Lërmë me gjak yjesh sonte të dehem
E nesër të rizgjohem sikurse një ndër ta!!!

 

 

 

Gjerdan lotësh

 

E zezë nata pis,
Më i zi shpirti im,
Shi që pandalur bie,
E zgjon sot mallin tim.

 

Kët natë unë qaj për ty,
Qiell lot’ bashkë me mua,
Gjerdan mbi shpirtin tim
Në daç ti japi hua.

 

Qanë kjo zemra ime
E lot syri yt,
Stuhi shiu, kujtimesh,
Mbidozë që më mbyt.

 

Kët natë unë qaj për ty,
Qiell lot bashkë me mua,
Gjerdan mbi shpirtin tim
Në daç ti japi hua.

 

Lot ai syri yt
E mbytet zemra ime,
Dashuri e mallkuar
Fli, fli, në harrime.

 

 

 

-Mos-


Mos!

Mos e tund t’amël të ndjenjave t’tua
Me sjell n’jetë një t’lyn vet-helmues.
Mos!
Oh!
Mos e zin brumë të shpresës
Për me shtru n’sofër t’zemrës bukë pa shijë.
Mos!
Ahhh!
Mos i vi gurë mbi gurë ëndrrat
Për me ngrit një kështjell që t’nesërmen ka me t’zën mren
Mos!
Mos vrapo me ndjek ato gjurmë pa bazamentë të një qenie aventuriere,
Ke me u pengu e m’i thy kryt keq.
Mos.
Rriji larg tundimeve të djallit lozonjar që vërtitet qelizave t’trurit tënd
E t’i ndez instiktet kafshërore për më pas me t’pi gjakun,
At gjakë që ka me t’rrjedh curril syve prej frakturimeve t’do gjymtyrve t’kalbta.
Ohhh! Joooo.
Mos, të lutem shpirti jem
Mos bjerë preh e asaj ndjesie vrasëtare,
Mos, ty, ty po të t’them!

 

 

 

Nën lëkurë

 

Nën lëkurë
një qytet bosh,
mijëra qeliza të ngordhura,
organe pa jetë.

 

Nën lëkurë
një dhomë plot vjetërsira,
rroba të rreckosura,
qindra pleshta paranojak.

 

Nën lëkurë
s’kam asgjë
pasi shpirti im ka vdekur…

 

 

 

-Nia –

 

Endem nëpër rrugica qorre,
Aty ku heshtja s’fle asnjëherë,
E mendja me pagjumësi rebelohet përgjumur…

 

Mbush ditët me disfata lozonjare
Në përpjekje për të lehtësuar ndopak pritjen time,
Teksa pareshtur ujis lule të dashurisë Nia ime
Lëndinës së pamatë të këtij malli që më djeg në gji!

 

Oh!
Zvarritem nëpër këto rrugica qorre,
Shpinë kërrusur nga dështimet,
E në pritje të një parajse gënjeshtare
Mplaket shpresa ime e thinjur,

 

E unë,
Unë mbetem po këtu
Në këtë dhomë të errët të jetës,
Asfiksuar nga mendime të turbullta mbi asgjënë
Numërojë orët në gjoks,
Tek buzëqeshja muroset buzëve të mia
Prej mungesës tëndë Nia!

 

Burgosur në cepin më inperfekt të vetes,
I lodhur prej ëndrrave të shpërndara hapësirës së pafund,
Njomur prej shiut të syrit të zemrës
Capitem unë, endacaku më i përbindshëm i kësaj bote
Në përpjekje për të rrokur një copëz të shpirtit tënd
Përtej hekurave të kësaj distance të urryer…

 

Shpresat kanë marrë rrugën e mërgimit,
Në ndjekje të një trajektoreje pa destinacion
Bashkë me ëndrrat e gjakosura…

 

Pa ty cdo ditë është boshe Nia,
Pa ty s’ekziston lumturia,
Pa ty vdesin qelizat e mia,
Nia,
Nia,
Nia.

 

 

 

T’a kam thënë

 

T’a kam thënë o jet, zemër’ mos ma mërzit
Se ndodh qiell të zemërohet
E furtunë t’mllëfit t’a përplas në shpirt.

 

T’a kam thënë o ëndërr mos fjalë me mua
Ja ndodh që përlotet qiell
E ti mbytesh në timin krua…

 

T’a kam thënë, por s’më dëgjon,
Perënditë mos i zemëro,
Kur keqas të vërshoj qiell sonte,
Gjinjve t’mi të strukesh mos gabo!

 

 

 

Qënie në miniature

 

Njerëz mediokër
Mendje mbushur plot asgjë,
Shpirtra të ndyrosur,
Ekzistenca që s’vlejnë asnjë kacidhe, asnjë.
Fjalë në erë,
Premtime boshe,
Betime që shkëlqejnë neveri,
Shikim-prekje gënjeshtare,
Imazhi jot lartsohet përmbi.
E hesht,
Ti s’mundesh zë të nxjerrësh,
Të ulërish a ke fuqi?
Unë shpirtin e kam shtrat të pastër
Po zemra jote sa ka kaluar përmbi?
E qaj,
Ti s’mund të qeshësh,
Ngërdheshja perfekte sonte s’të vjen,
Çapkën që krenar hargalisesh,
Kënd tjetër veç vetes jo nuk gënjen.
Mbijeto,
Meqë s’ke guxim të vdesësh,
Kalo në zi ditët që kurrë s’do vinë,
Ti besimtar i moraleve kalbëta,
Ti i devotshëm martuar me tradhtinë!

 

 

 

Dashuri e imja mëkatare

 

Përqaputhur shpresat tona
Këtij shtratit mëkatar,
Sy përlotur dashuria
Mbi buzë të ëndrrës së marr’.

 

Puthen lotët pa u ndalur
Në ktë hon ndjenjash zjarr,
Luan dhembja melodinë
Shpirtit tonë djegur në mall.

 

Luan fati lojra pareshtur
Ngriva-shkriva me dashurinë,
Skutave të zemres tënde
Digjet sonte shpirti im.

 

Fli jet’ fli në jastëkë malli,
Puthmë në ëndrra gënjeshtare,
Fli ti fli në lotin tim,
Dashuri e imja mëkatare…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s