Serena / Nga Flutra Kuqani Malo

Serena

 

 

flutra-Malo

 

Nga Flutra Kuqani Malo

 

 

Atë darkë të acartë, po ktheja nga shoqja ime, Viola. Gjithë mbasdreken e kisha kaluar tek ajo, duke dëgjuar në një kasetofon muzike amerikane. Po shpejtoja
Hapin, mbështjellë me një pallto ngjyrë kafe të sapo qepur. Një model shumë të bukur, zgjedhur enkas për mua, nga mjeshtri Faik Kalaja. Përpara kish pullat, si botona bezhë, që binin në sy nga larg e sfidonin errësirën e rrugëvë dhe me shallin e madh blu, të punuar me shtiza, që ma kish dhuruar Zonjush Ida, mësuesja ime. Po ecja pikërisht tek peskatëshet dhe tek trotuari i kafe “Rinia”-s, takoj axhën Pjerin, një mik të shtrënjtë të familjes.
-Ku po vrapon me atë hap të shpejtë?-
-Mirëmbrama- ju përgjigja…- po shkoj në shtëpi axhë, se jam ba vonë.-
Ishte ora tetë e darkës, për vajzat e asaj kohe ishte orë jo normale të shikohej në rrugë. Tabutë e mos daljes në atë orë të “vonë” ishin shumë të forta.
-Ndalu pak, do më pelqente të tregoj një diçka të bukur-
Në Jugosllavi, si u quante atëherë, (e nga ku ai kishte origjinën, nga nëna e tij) jetonte një vajzë e një familjeje të varfër, diku afër Splitit, në Kroaci. Atë mëngjez ajo kishte veshur një fustan të bardhë me pika të kaltra, flokët e verdha me një fjongo dhe sandale të thjeshta të bardha. E shkujdesur, ajo po ecte buzë detit, mbuluar plot me guraleca të bardhë. Ajo ishte një bukuri e rrallë, sapo kish mbushur shtatëmbëdhjetë pranvera. Duke ecur buzë ujit, një mëngjez, aty në plazh vështron një djalë. Ai po vinte drejt saj dhe me një shikim të ëmbël, por hetues e pyeti:
“Çfarë bën një vajzë e bukur përditë këtu, pranë detit?- ajo e shikoi qetësisht dhe natyrshëm, ju përgjigj:
– Unë, e dashuroj marrëzisht këtë copë det!-
Që atë minutë, ata u bënë të pandarë. Çdo ditë takoheshin dhe shpërtheu si gonxhet e asaj pranverë dashuria e tyre. Për disa muaj takoheshin mbasdrekeve e shijonin bashkë perëndimin e diellit të kuq, ulur përballë detit të mrekullueshëm të Splitit e kështu, muajt kalonin…Në të hyrë të vjeshtës, në fillim të tetorit, djali nuk erdhi më dhe ajo çdo ditë shkonte tek bregu…Hypte mbi një shkëmb dhe priste, deri sa perëndonte dielli. Kthehej në shtëpi dhe përsëri të nesërmën, mes gjetheve të verdha, që shpërndaheshin këtu atje, përshkonte mendueshëm vjeshten e rrugën për të shkuar tek shkambi saj.
Kaluan muaj e arriti dhe pranvera. Djali s’bëhej më i gjallë dhe ajo çdo ditë e priste, e priste…Në portretin e saj ishte ravijëzuar një trishtim i thellë, që i kish dhënë një nur melankonik, e një bukuri magjepsëse. Fshehtas, ajo qante në heshtje, buzë detit e sikur fliste me valët.
Një mëngjez, peshkatarët e fshatit e panë që u zvesh, hoqi pallton, e la buzë shkëmbit ku takoheshin të dy dhe u fut në ujë, me fustanin e bardhe me pika…Peshkatarët dhe njerëzit nga kafeneja buzë detit, shikonin me kërshëri e padurim, si ajo shkonte drejt thellësisë, pa e fshehur ankthin, kur ajo do të merrte kthesën, për t’u rikthyer sërish në breg. Por vajza shkonte larg e më larg, derisa u bë një pikë në horizont. Me ditë e kërkuan trupin e saj peshkatarët, por deti çuditërisht nuk e dha. Për ditë të tëra e pritën, por ajo nuk u kthye më…
Që nga ajo ditë, në atë fshat bregdetar e quajtën “Vajza, që u martua me detin”…Sirenë, po e quaj unë.
Kur axha Pjerin mbaroj tregimin, ai më tregoi, që për këtë histori kish edhe një tekst kënge, që në vendin fqinj kish fituar dhe një çmim. E kur pau sytë e mi plot me lot dhe më degjoi të emocionuar, më mori nën krah dhe më tha: “Eh bijë, kjo është jeta…”
Edhe sot e kujtoj atë darkë, gjyslykët e tij të errta, shkopin ku u mbështeste ai gjigand, që fshihte në fjalët e tij misticitetin dhe aftësinë, ta kthente atë natë të acartë, në një magji…
Sonte dëshirova për një çast të dëgjoja zërin e tij burrnor e të ngrohtë, të mbështesja si dikur kokën në shpatullën e tij e, të më tregonte një histori tjetër…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s