Ikim për ty riktyer ( Sekuenca IV ) / Nga (Hamdi) Erjon Muça

 

Ikim për ty riktyer

 

Sekuenca IV

 

 

Erjon Muça

Nga (Hamdi) Erjon Muça

 

 

Ai muaj Gusht, ne Durrësin e tij, pas më shumë se pesë vjetësh mungesë, kaloi shpejt, pa u ndjerë. Dhe darka e nisjes erdhi si papritur, megjithëse biletat i patën blerë vajtje-ardhje. Ishte e lodhshme për mua ta ndiqja në kalvarin e imbarkimit, që qe edhe më i lodhshëm se ai i sbarkimit. E takova sërish mbi kuvertën e tragetit tek vështronte dritat e Durrësit. Kish vështrimin e përhumbur të atij që ka gjetur, atë që kish humbur dhe që po e humbte sërish. Nuk kish dëshirë të shtrihej për të fjetur, megjithëse e dinte shumë mirë se të nesërmen do i duhej të ngiste makinën për më shumë se tetëqind kilometra. Priti si i ngrirë, me vështrimin tek dritat e qytetit të përgjumur, nisjen e tragetit dhe ajo lëvizje ritmike, e lehtë, në atë mbrëmje gushti, i kujtoi ikjen me skaf në atë natë Marsi të pesë viteve të shkuara.
– Juhu!- Ulëriu skafisti teksa i jepte shpejtësi skafit.- Do shkojmë të takojmë Zydiun.- Zydiu ishte një tjetër skafist që kish më shumë se një vit që qe zhdukur pa lënë nam e nishan. Oresti ishte i lumtur, më në fund po bëhej realitet ëndrra e tij e madhe dhe as që e kish mendjen tek supersticioni i skafistit. Deti rrëshqiste poshtë tyre me shpejtësi, njëlloj si mendimet e Orestit. Ai tashmë qe shkëputur nga realiteti e i dukej sikur arrinte të shihte dritat e bregut tjetër, megjithëse ishin tepër larg. Ishte i lumtur, gati i eksituar nga ato lëkundje të lehta të skafit mbi tallazin e detit. Oresti po mendonte për mundësitë e mëdha që do i hapeshin si me magji sapo të shkelte rërën e bregut të vendit të ëndrrave.
Atij vendi që pasuronte njerëzit.
Të gjithë ata që vinin nga andej kishin makina, rroba të mira dhe e shpenzonin paranë pa e vrarë mendjen, a thua se ato të shkreta në Itali gjendeshin në rrugë. Ai po mendonte për kitarën e tij dhe për kthimin madhështor që do bënte në Durrës pas një ose e shumta dy vjetësh. Do kish veshur një palë pantallona lëkure si ato të Jim Morrison-it. Deri atëherë, flokët do qenë zgjatur sa të Jan Gilan-it dhe hipur mbi atë kabriolenë alla amerikane, do të dukej si ata djemtë e vidioklipeve që shihte të MTV. Teksa ëndërronte me sy hapur, i përgjumur nga valët e detit, pa dritat e Brindizit dhe ju kujtua ajo thirrja e pasagjerëve të transoqeanikëve të shumë viteve të shkuara, teksa shihnin të shfaqej nga hiçi, statuja e lirisë.
Oresti pyeti skafistin se si do zbarkonin dhe ai i tha se aty ku do zbrisnin nuk mund të kish më shume se njëzet centimetra ujë. Me të dëgjuar këtë, Oresti hoqi atletet dhe çorapët, ngriti pantallonat deri tek gjuri dhe priti. Deti nuk ishte i qetë si në Durrës, dallgë pak a shumë të mëdha përplaseshin në brigjet që nuk dukeshin në atë errësirë të plotë.
– Hidhuni shpejt!- Ulëriu skafisti dhe të njëzet njerëzit që ishin aty ndoqën hedhjen e Orestit. Oresti mbante këpucët në duar, përkatësisht të majtën në dorën e majtë e të djathtën në të djathtën. Ai u hodh i vendosur, i bindur se uji i detit nuk do i lagte as gjunjët. Uji i deti u ngjit me shpejtësi duke i arritur deri në grykë dhe ftohtësia e tij i kontraktoi muskujt dora e majtë, nuk ju përgjigj urdhrit të trurit dhe e lëshoi këpucën në thellësinë e ujit të ftoftë. Ai e harroi të ftohtin e nisi të kërkonte këpucën në errësirën që fshihte gjithçka. Nuk donte ti lageshin këpucët që të mos kishte të ftohtë nga këmbët dhe ja tani ishte i zhytur në det deri në gjoks.
Këpucën nuk e gjeti, madje ndihmoi të shtynte edhe skafin që kish ngecur në rërë dhe mori rrugëtimin për të realizuar ëndrrat e veta me një këpucë.
I ati e largoi nga kujtimet duke i thënë të vishte xhakoventën, pasi mund të merrte ndonjë të ftohtë nga puhiza e freskët që frynte në det. Ai po shihte dritat e Durrësit, që largoheshin… Por nuk kishte më vështrimin e asaj nate marsi. Kishte të njëjtin vështrim të cilin ja shoh edhe në këtë mëngjes të ftohtë dimri. Të përhumbur mes të shkuarës e të tashmes. Mes ëndrrës dhe reales. Surreales për të qenë më i saktë. Pasi vetë ambienti në të cilin e shoh është gati surreal. Ai qëndron si i ngrirë, duke parë, diku, diçka dhe tymi i cigares ngjitet lart, lehtë, ngadalë, duke u bashkuar me avujt e ujit termal që derdhet në përroin që kalon përpara banesës së tij. Durrësi tashmë është tetëqind kilometra larg dhe ëndrrat e asaj nate pranvere!
Eh! Ato janë të paarritshme, duke u endur në parajsën e ëndrrave adoleshenciale.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s