Po sikur ta kenë vjedhur babin? / Nga Bukurije Bushati

Po sikur ta kenë vjedhur babin?

 

 

Bukurije Bushati

Nga Bukurije Bushati

 

 

Ajo kalonte e kapur përdore në Hauptwache, në sheshin e të cilit, edhe pse gjithnjë kishte lëvizje, sot vizitorët ishin më të shumtë. Makinat e policisë kishin zënë vend pak larg sheshit dhe Giorgia e vogël, pyeste e hutuar, se pse ishin kaq shumë makina policie dhe pastaj hidhte sytë mbi rreshtat e policëve, të veshura me uniformat e zeza, që qëndronin pas disa barikadave prej metali, të vendosura në shesh. Mami i thoshte se ishte në demonstratë, por ajo nuk mundet ta kuptonte çfarë do të thonte demonstratë. Mblodhi një herë buzët dhe vazhdonte rrugën drejt Mein Zeil, ku dëshironte të hypte sipër në taracën e saj dhe të shihte Frankfurtin nga sipër. Mami i kishte thënë se Frankfurti nga sipër ishte i bukur, por asaj i kishte pëlqyer edhe Frankfurti i parë nga rrugët e bukura, mbushur me gjelbërim, ku ecte. Shtrëngonte fort edhe dorën e motrës, Amy, si për t’i thënë asaj se ishin gjithnjë bashkë. Kishin ardhur nga Italia, për të vizituar Frankfurtin, për herë të parë. Mbase do t’i pëlqente asaj të jetonte këtu, porse këtë gjuhë nuk e kuptote ajo dhe herë pas here kujtonte edhe miket e saja në Itali.
“Mami, të marr këtu një kartolinë dhe t’ua dërgoj mikeve të klasës?”, i tha Amy të ëmës, duke treguar një stendë, ku gjëndeshin kartolina me pamje nga Frankfurti.
“Po unë që jam akoma e vogël dhe nuk di të shkruaj?”, pyeti Giorgia dhe pastaj shtoi. “Mundem unë të lyej buzët me të kuqin tënd dhe pasi ta puth kartolinën t’ua nis atë gjysheve. Ato më duan shumë dhe më ka marrë malli.” Mami Alda, qeshi duke u përkulur mbi të dhe puthur në flokët e mbledhur tufë sipër kokës.
“Sigurisht, amore, mund ta shkruash në atë modën tënde. Gjyshet do të gëzohen. Edhe ato të duan shumë.” Mbasi zgjodhën kartolinat vazhduan rrugën.
“Mami, nesër më ke thënë se do të shkojmë nga lumi, apo jo?”, pyeti Giorgia, duke vështruar me vëmëndje një burrë të moshuar, ulur këmbëkryq në rrugën e këmësorëve me dy qenj të mëdhej pranë. Iu duk sikur atë burrë e kishte parë edhe në Shqipëri, ku shkonte tek kushërinjtë, veçse ai burri atje nuk kishte patur qena afër tij. Pastaj duke mbledhur buzët, tundi kokën. Sigurisht gabonte, ai burri do të ishte ndonjë tjetër që i ngjasonte, se po të ishte ai që kishte parë në Shqipëri dhe kërkonte lekë nga kalimtarët, nuk kishte si të vinte këtu, pa lekë.
Frankfurti nga sipër e mrekulloi dhe harroi atë burrin që qëndronte poshtë në rrugë. Gradaçielat i shihte nga afër, sa që i dukej sikur të ishte pak më e rritur, po të zgjaste duart, mund të kacavirej tek ato. I pëlqente të bënte fotografi, për t’ia treguar mikeve të saja në kopësht dhe gjyshërve. Mbase do të vinin përsëri në Frankfurt tek tezja që i donte shumë.
“Tani kujdes se njerëzit janë shtuar.” i tha tezja, kur kishin zbritur poshtë dhe e kapi përdore, për të kaluar në anën tjetër të sheshit, ku e kishin lënë të takoheshin me babin, që kishte ikur me nja dy shokë të tij, që banonin në Frankfurt. Ishin shtuar edhe policët. Në një podum dikush fliste me zë të lartë dhe ajo u tremb. Çfarë po ndodhte? Sytë e saj kërkonin të gjenin të atin, vetëm pranë tij ndjehej e sigurtë ajo.
“E kemi lënë të takohemi këtu.” tha mami Alda dhe u ul në stolin e madh të sheshit. Giorgia vazhdonte të shihte me frikë, ata që flisnin me zërin e forcuar nga atoporlantët. pastaj, befas pyeti.
“Sa është ora mami? Edhe sa kohë i duhet të vijë babi këtu?”
“Ja nga momenti në moment do të jetë këtu, amore.”
“Mami po sikur ta kenë vjedhur babi Ardin?” Në sytë e saj ndriti një perlë loti. Pastaj shihte e habitur tezen dhe mamin e saj së bashku me të motrën më të madhe, që qeshën fort.
“Asnjë nuk mundet ta vjedhë babin tënd, Giorgia.” i tha e ëma duke e ngritur në krahë. “Babi do të vijë së shpejti.Ja ku është!”, tregoi ajo me dorë babin e Giorgias që vinte i shoqëruar nga dy miqtë e tij. Giorgia iu shkëput nga krahët dhe duke thirrur, “Babi, Babi! “, iu drejtuar atij. E përqafoi fort duke e puthur në faqe. “Babi, unë kisha frikë se mos të vidhnin ty!” i tha duke hedhur sytë nga policët dhe njerëzit që kishin mbushur sheshin. Dëgjoi edhe të qeshurën me zë të lartë të atyre miqve të babit. Nuk e kuptoi pse të gjithë qeshnin, kur ajo tregonte frikën se mos ia vidhnin babin e saj. E si mundet të rrinte ajo pastaj pa babin? Ndjeu babin që e puthi në faqe dhe e shtrëngoi më fort pas vetes. E shtrëngoi edhe ajo fort e fort dhe shihte duke buzëqeshur, ato policët pranë, që buzëqeshnin edhe ata duke ndjekur këtë skenë. Mbase dinin ata italisht dhe qeshnin ashtu si babi me miqtë e tij, me fjalët e saja. Jo, tani nuk kishte më frikë. Njerëzit në shesh, në grup, si fëmijët kur dilnin nga shkolla, u nisën nëpër rrugët e Frankfurtit dhe ajo me babin përdore i përshëndeste ata, duke përshëndetur edhe policët që të qetë, i ndiqnin pas.
Herës tjetër kur të vinte në Frankfurt, nuk do ta bënte më këtë pyetje dhe nuk do të kishte frikë, kur babi të largohej me miqtë e tij, për të pirë kafe. Ajo kishte babin më të fortë dhe më të mirë në botë.
“Babi, sikur të hanin ndonjë akullore, tani?”, e pyeti duke buzëqeshur dhe hedhur sytë me ladhatim, nga e motra që e ndiqte pas. Sigurisht akullorja do të ishte mbyllja e bukur e kësaj pasditeje në Frankfurt dhe nesër, i priste, lumi Main.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s