Cikël poetik nga Adem Zaplluzha / Shkëputur nga vëllimi poetik “Një shi prej bryme”

 

adem

Cikël poetik nga Adem Zaplluzha

 

(Shkëputur nga vëllimi poetik “Një shi prej bryme” )

 

 

 

NUK PUSHOJNË AS ETHET E VERËS

 

Si nëpër disa përralla të lashta

Zgjohen zërat në mua

Shiu i shurdhët i pranverës

Troket

Pandërprerë trokasin hijet

Nëpër muret e sëmura të kujtesës

 

Nuk pushojnë as ethet e verës

Gjelbërimi i zverdhur

Kafshon drurin mu në lulëzim

Një zi baritoni dëgjohet

Si zëri i lashtësisë

Hukat mbi gurtë e murrmë të atdheut

 

Nëpër fusha s’pushojnë

Krakëllimat e korbave

Një hije e zezë sterrë

Ra mbi çatitë e djegura

Flaka e verdhë

Çmendurisht lëpin ajrin e shkrumbuar

Të frymëmarrjes

 

 

 

ME UJIN E SHENJTË TË DARDANISË

 

Pikë uji s’paska mbetur këtu

Për mëllenjat e bardha

Po digjen fushat

Nga zëri i trishtuar i tokës

Oshtinë malet

 

Si zana e malit

Një vashë e bukur prej mëllenje

Me një shtambë deltine

Shuan etjen e përflakur të atdheut

Nën hijet e rrapeve

Digjen edhe gurtë e stralltë

 

Dielli i çmendur

Si një saç i zjarrtë

Rri mbi kokat e ushtarëve

Po kallen kallamishtet

Një zjarr i lig e ka marrë dheun

Si breshkat po piqen gurtë e plagosur

 

Vetëm një vashë sykaltër

Ajo e fushës së mëllenjave

Me ujin e shenjtë të Dardanisë

Shuan etjen

E plagëve që kullojnë trishtim

 

 

 

DËNESIN KUAJT E PLAGOSUR

 

Mbi flokët e shprishura të plagëve

Po bien shirat e një pranvere

Hingëllojnë edhe kuajt e sëmurë

Çadrat e bardha

Mbuluar e kanë fushën

 

Diku nga veriu

Depërton një duhmë e djegur

Piqet druri në rrënjë

Në Fushën e Mëllenjave

Dënesin kuajt e plagosur

 

Beteja e gjunjëzuar

Ngriti sytë kah qielli

Shikoi saçin e përskuqur mbi kokë

Përreth shelgjishteve

Po del flaka nga majat e plepave

 

Një zjarr i çmendur me qindra vjet

Kullon nga plagët e fushës së mëllenjave

Kullojnë edhe ëndrrat e trishtë

Të një populli që s’u ngop

Nga një uri e pangopshme njerëzore

 

 

 

SIVJET PO FRYN NJË FLLAD I RI

 

Brenda meje

Një fushë e errët

Si qukapikët mëllenjat e bardha trokasin

Në portat e mbyllura të ashtit

Rrufetë si kamxhikët e perëndive

Shkrepin xixa qiellit të vrarë

Nëpër foletë e braktisura

Disa zogj çelin vezë të ngjyrosura

 

Qyteti i lënë në harresë

I ushqen mëllenjat e fundit

Një shi i rreptë

Si gjarpri i zi lëshohet ullukëve

 

Nga malet e mira

Sivjet po fryn një fllad i ri

Nuk pushojnë as fluturimet e zogjve

Dielli sërish pas dymijë vjetëve

Po lind në një formë krejtësisht tjetër

 

 

 

ASNJË ZË NJERIU NUK DËGJOHEJ

 

Më kujtohet

Ishte një dimër i acartë

Stuhia i shkundte gjethet e ngrira

Nga shpirti i tërbuar i mjegullave

 

Në stele

Dëgjohej një kuisje e padëgjuar

Kuiste edhe fërfëlliza

 

Ne kishim dalë nga lëkura e erës

Dhe prisnim

Që ky dimër të shkundej

Dhe t’i shkundte ethet e zeza

 

Asnjë zë njeriu nuk dëgjohej

Vetëm hapat dhe rrapëllimat e dyerve

Tregonin se diçka po ngjan në qytet

 

Ne ishim në pamundësi

Të bëjmë diçka më shumë

Na kishte hyrë frika në shpirt

 

Me habi i shikonim

Me zogjtë e trembur

Vetëm ikjen e kishim parasysh

Dhe me shekuj nuk u pajtuam.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s