M’I KRYQËZOVE ËNDRRAT E MIA / Cikël poetik nga Dije LOHAJ

M’I KRYQËZOVE ËNDRRAT E MIA

 

 

Dije Lohaj

 

Cikël poetik nga  Dije LOHAJ

 

 

 

M’I KRYQËZOVE ËNDRRAT E MIA

 

Jam ëndërrimtare deri në shumëkatëshet dashurore

Dhe ndjej shpirtin tënd kryeneç që nuk jep koordinatat e jehonave,

Dhe nuk  ta lakoj shurdhërinë tënde si spirale zhgënjimi

Që ta shtrëngon shpirtin dhe shtrydhë si verdhësia

E gjuhën memece ta bën deri në përmasën e zhbërjes

 

Përball heshtjes sate e kufizoj vetveten dhe shtytjet tjera

M’i kryqëzove ëndrrat e mia këtej e andej dëshirave

E unë e raskapitur nga bredhjet po venitem

Mundohem ta përkëdhel veten time,

Sepse dua të jetoj ndryshe a nuk e kupton?!!

 

Ndryshe dua të jetoj…dua ta flakësh memecërinë

Ndryshe dua te krijoj hapësirë pjellore shpirti

Ah, kam mungesën tënde,  e di…?!

Kam mugesën e guximit tim,

Prandaj nuk guxoj ta zvogëloj distancën e mohuar

Sepse sonte kam cunamin që shpirtin don të ma gllabëroj

Kam pasionin e dielltë që më djeg

Tërë universin zjarrmor brenda krahërorit

Sepse shpirti im ndjen se iu binde lutjeve hyjnore

Për hirë të dashurisë e më shumë se sa matanë saj,

Dua të frymoj ndryshe,

Dua të të ndjej ndryshe

Qoftë edhe e gozhduar me nyjëzimin tënd të brishtë.

 

 

 

 

VDEKJA NUK DO TË  MË VDESË MUA

 

Nëpër të gjitha dritëhijet e shpirtit,

Jeta frymon si për mua edhe për ty

Përtej e këndej vdekjes,

Bekuar nga një fatlumësi siç është Dashuria

 

Dhe në përmasat e të çdo gjurme,

Hapat e përgjërimit matin udhët,

E harrimi i molisur bisqe të reja shtatëzon,

Ngulur në plasat e mallit

Në gurin e shpuar me lot zane,

 

Monologun e vështimit ligjëron

Lozonjarë si përherë e në çdo stinë  qielli,

Por dije si tani si dikur:

Kurdo që të vish e ngado të rishfaqesh,

Ndryshkun e mungesës tënde do ta heqësh

Që vdekja  të mos na vdesë,

Dhe çuditemi si paskemi qenë

Me këmbë të lidhura  prangosur ndjenjash

Me sy të zënë me pelerinë zezone,

Me dushkun e tharë të puthjeve,

Tretur në tejlargësitë e mallit,

Rënduar  nga  pesha e pasthirrmave të dhembjes,

Ku çdo pjesë e trupit pëshpërit:

Këngët e kënduara dikur,

Simfoni e përshpirtshme e mishërimit,

Një arie harqesh që mbajnë shtatin tënd,

Si tundimin që  mbajtën  urat e legjendave,

Nga kalon kolona e betimit:

Edhe për vdekjen që katandisë edhe epokat,

Edhe për jetën që ngjizuar kishim dhe rilindë shpresa

 

Vetë jam zot, dhe vdekja nuk do të vijë

Përjetë e mot.

 

 

 

 

NË KATEDRALEN E DASHURISË

 

Më pëlqen të jem në luhajën e shikimeve tua,

Kur më dashuron,

Kaq vite aty dhe nuk të molisë asnjë shkak fryme,

As gjembat e stisur nga rrethanorë tjerë në katedrale,

Si në  qeli kur kisha thurur

Vargje për gjergjef zemre,

Dhe ti më mërmërisje me heshtje,

Heshtje gjithë ato gjëra të ftohta si  remineshencë vrastare,

Që vorbullojnë në jetën time,

E ti vrapoje i heshtur me përfytyrim fluturor

Me ëndrra të trazuara,

Sa unë të mos të të arrija dot

Dhe tretur nata në gjysmëarrati

E ma  shkretonte rrugën disi vonesa jote

Për te katedralja e dashurisë

Dhe malli këmbëkryq ulej,

Më tundonte themeli i saj

E nëpër ato themele

Kryqëzoheshin dhe verboheshin

Sytë tanë.

 

Shkryqëzoheshin dhe shikonin deri në pafundësi

Netëve pa yje e hënë,

Universi  lëvizte deri në shpirtërat tonë

Makthëm mbi kokat tona,

Edhe pse kjo katedrale e dashurisë

Ishte ndërtuar vetëm për ne.

 

Ishe pjesë e të gjithave dashurive me bekimin e madh.

 

 

 

 

URATË NGA MESHA IME

 

Kujtimin për gjethin që lëkundej pa pushuar,

Do të kërkosh me mote

Pajën e freskisë që të kam dhuruar.

 

Qepallat që ëmbëlsisht përkdhelin ata sy që të shihnin,

Sa të kanë bekuar në çdo naforë e shelbim

 

Uratë nga mesha ime i bekuari i erëblirit tim

Matur me tiktaket e zemrës,

Që fjala nuk arrinte dot t’i thoshte.

 

Duart e mia aq larg,

Drejt teje rrinë shtrirë si hedhje përgjërimi,

Sot gjithkah pergamenave të tua ringjallet,

Kambana po bie më të gdhirë.

 

Sot drejt teje është nisur tërë përmasa ime cfilitur

Shpirti im i etur sa vetë tejzjarrmia,

Duart i shkojnë prapa dëshirës,

Sikur mallëngjimi që brof zemra e tretur.

 

Të të gjej kudo që të jesh

E të marrin në meshën time të rrallë,

Qoftë vetëm edhe një herë

Të belbëzosh muzgjeve atë magji të rrallë.

 

Të shoh në çastin e lumturimit,

Lëkundjet e hënës të dredhura në pikun e dielltë dite,

Thellë nga vorbulla e shtegtimit të fus në gji

Të gjithë yjet e qiellit.

 

Të takoj vetë edhe një herë,

Jo nuk do të jetë vonë,

Pastaj me ata gishtërinj zjarri e malli

Të shpupurisim hirin ende të prushtë në piktakim.

 

Në vatrën legjendë ku predikimi merr aureolën tonë

Dhe molla e dashurisë piqet nga dashuria,

Me dëshirat engjëllore si aurorë e verës,

Me bekimin tonë e të Perëndisë.

 

 

 

 

FLUTURA ZJARRI

 

Mbështjellur me flakërima përgjërimi

 

Ngjizur me një rikujtim si përhitje muze

 

Një puthje të fundit të kërkova,

Tej harrimit që e mbaj për dore si nostalgjinë

 

Heshtjet të  mos e mallkojnë dashurinë tonë më

Flakë e prush sa e sa numërova,

Oh, çfarë t’i bëj mallit që vegimthi më fton andej ?

 

Mbi luleblinajat e dëshirave

 

Flutura zjarri vals shkëndijojnë me copëza dashurishë

 

Nyjëzuar si pjalmim e hedhje në pritjet që i dua

 

Me imazhin lozonjar që fluron

 

Pastaj, medet, shuhen dalëngadalë,

 

Flutura zjarri që risjellin puhinë

Bashkë  me  mallin e prushtë të  më djeg

E të rinisim një tjerër  paralojë më të rrallë

Pësëri, ti fluturon,fluturon dhe ik tutje,

 

Që hapin tënd mos të ta ndjek dot

Deri te loja kur aty kryqëzojmë shikimet

 

Buzëqeshjet  dhe buzëshkrumet

 

Dhe i jepemi me ritual atij çasti

Jam mirë më thua, mos më kërko kot?

 

Patjetër flutura zjarri vijnë te ti i dashur,

 

Ato janë te unë e vijnë edhe te ti

 

Hedhje kaq të bukura  i meritove

Merri bëri kurorë për timin shtat,

E di ti, psherëtima ime është përmallim përsëri

Përsëri flutura zjarri do të krijojmë për atë Dashuri…

 

 

 

 

PERGAMENAVE TË DASHURISË

 

Çdo kthim e ndonjë imazh me zërin e bilbilit,

 

Më vendosë diademë dashurie

Ëndërr e fuqishme në vegim,

Kur më shpiente drejt pergamenave të tua,

Me vello ylberore mbushur plot drithërimë

Në ato pak çaste takimesh në alete e yllësive.

 

Çdo çast, çuditërisht,  e bardha ishte pak  si rinisje,

Lodronte me zogjtë e malit dhe bëhej fluturim

Niste me vrap drejt teje dhe bëhej prush,

Shpëlante sytë në kroin e cemtë dhe bëhej bekim.

 

Shumë u desht që të kuptoja zemrën tënde,

Tiktaket e saj, gulçimin, fjalët, lotin,

Flakët ku digjte, hirin, zgjimin

Të bukurën dhe të shëmtuarën.

 

Edhe pse pergamenave të tua nuk jam mē,

Prore në zemër prapë më mbeti

Ëndërr në vegim, aroma me lëng molle parnasi,

Dhe ato pak çaste i bëmë pafundësisht frymore,

 

Në një ishull ku ligjëronim nga pergamena dashurishë.

 

 

 

 

ZGJOHET HIRI JETËS SIME

 

Për ta mësuar udhën e bërjes së lirisë.

 

I ftova  deri në rizgjim tërë shekujt

 

Që palosur ishin në sirtarë mijëvjeçarësh,

 

Doja aq shumë në këtë ballkon brengash ku jam

 

Jehonat e kumteve të më shoqëronin

 

U zgjua dhe hiri i jetës sime

 

Si polen mbushi tërë sfondet e  mbamendjes

 

Në bujtinat e shpirtit iu bëra vend betejave e lavdive

 

Përgatita edhe lapidarët dhe obeliskun e përnditjes

 

Erdhën edhe ata që i lamë pa varre,

Edhe ata të molisurit nga myshqet e përçmimit

 

Pa nje vend për prehje

Që të bulojnë lulëkuqet mbi kokë.

Erdhën që t’ i rehatojnë eshtrat në ëndrrat e tyre

 

Dhe në dedikimin tonë të stolisur.

 

Po zgjohen udhët nga kjo amulli e shpifur

 

Kur nga predikimi i shekujve dëgjon :

Shihni, o ju të çmendurit e kohës sime,

Ca kocka të thyra po prehen?!

Jo nuk po prehen,

Ata po rrënkojnë

Tek ëndrrat që shpirti ua mori lart,

Dhe gjëma e engjëjve si feniks i ringjallë të mirët

 

Eh, po zgjohen antetë e gjeografisë  sonë

 

Tej po shtegton  rrënkimi

Tek yllësitë e dhembjes

Do i ribëjnë gjysmat tona

Lënë shtatit të shekujve .

 

 

 

 

MUZA PREJ SMERALDI

 

Ti po bridhje duke mbjellë vargje,

Me shkronja si lulkuqet në pentagram krenarie

 

Në pritë nuk të del e habitshmja

 

Me fytyrë të mermertë,

 

Me një profil ngazëllues shembëlleje ëndshëm

Hedhur me një kostum smerladi në vargun tim,

Pushoje në lirikën e fundvjeshtave si qëndismë frymëzimi,

Pushon poshtë kopshtit të luleshpesave të mia,

Ti që më sjell muzën prej smeraldi,

Si gjeth afshror kur e valvitë puhia e dëshirave,

I dhuruar nga gjysmëgjethi im,

I të gjitha stinëve,

Por asnjë rrugë nuk është e gjatë,

 

As humbja me ty nuk është hapësirë e zbrazur

Nëse në fund të saj të pret diçka të dashur,

Si kënga ime me tingujt e timbrit tënd,

Për ta krijuar magjinë e orkestrinës së shpirtit.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s