HAP SINKRONIK / Nga Xheladin. A Çitaku

HAP SINKRONIK

 

 

Xheladin

Nga Xheladin. A Çitaku

 

 

 

Bajram Bashota: “FRYMËZIME”

“ Dikush qan
Dikush qeshë
Dikush lind
Dikush vdes…” ( JETA)

 

– Përkufizimi në konturimet e tilla gjenerale kornizon tërësinë ekzistenciale brënda shtrirjes në kohë e hapësirë, që quhet jetë, rrjedha e së cilës ka pikëfillimin dhe pikëfundin, përmban kuptimësinë e fundamentit nëpër gjendje ekstreme qan-qeshë, lind-vdes, shprehur në formën e skicimit të përjetimit dhe emocionit si bazament i gjerësisë kuptimore dhe ndijuese. Në këtë kontekst shpërfaqja e ndjeshmërisë gjatë vazhdës jetësore, sajon strukturime të vargëzuara, të cilat shprehin të imtësuar shkallëzimin nëpër kohë, evidentimin e hapërimit duke vijëzuar gjurmët e percepcionit të realitetit. Transponimi i momenteve dhe karakteristikave (por edhe të karaktereve) derivon një realitet artistik përmes sinkronizimit të thjeshtësisë shprehëse dhe figurëzimit stilistik në të cilën shtrihet frymëzimi i motivuar. Kështu para lexuesit shfaqet tabloja, e cila përfaqëson një botë poetike, një origjinalitet krijues me veçoritë dhe veçantitë që e karakterizojnë. Hapi i hedhur shtegton nëpër shtegun e paracaktuar, të zgjedhur nga autori, si linjë komunikimi mes emocionit e imagjinatës, mes realitetit dhe sajimit, mes kohës dhe përjetimit, duke konfiguruar relievin e një kompleksiteti të ngjyruar, ku peneli i poetit ka vepruar lirshëm, harmonishëm në kombinatorikën e elementeve letrare për ndërtimin e një traseje të ravijëzimit të brendisë shpirtërore.
Përimtimi i lëndës nëpër titullëzime përbën shpërndarjen e interesimit në aspekte të veçuara për t`i përfaqësuar ngacmimet dhe shtytjet, për të pikturuar gjendjet dhe qëndrimet: mall-nostalgji, përkushtim, dashuri, sacrificë, dukuri a fenomene evidente në zhvillimet vrragëlënëse. Në këtë skemë rrjedh frymëzimi; si “lumë i dalldisur”, si “erë e shastisur”, si “fortunë deti”, si “dridhje tërmeti” dhe vërshon i strofëzuar në tërësinë e vllimit poetik. B. Bashota kap refleksionet e dukurive në ndikimet e përditshmërisë me një thjeshtësi dhe qetësi shquese ku dominon konciziteti në përshkrim:

“Në ata sy si shkëndijë
Flake digjet një dashuri
Dashuri që vlon në gji
Djeg e pjek si mall i ri…” ( ATA SY )

– Intonimi në mënyrën e transmisionit të tingëllimës së kombinuar, mes rimës dhe jorimës, në ritmin e përshkallëzuar, transmeton formën specifike të ngjyrimit tonik të vargut, të cilën lexuesi e ndijon në përçapjen e përvetësimit të brumit poetik:

“ O ju sinorë
Qofshi mallkuar,
Gjurmë
e kohëve perënduar
Aty veç djalli rri,
Mollë sherri
Vëllanë me vëlla
Për ta shuar…” ( MOLLË SHERRI )

– Duke përshkuar shumëdimensionalitetin, autori kategorizon dukuritë nën përfaqësimin e subjektit lirik të caktuar, kompozon reagimin emotive ndaj tyre dhe mban qëndrim në formën e mesazhit. Bartësit e rëndesës së këtij përfaqësimi portretizohen të profilizuar sipas këndvështrimit të pozicionuar, parë me dioptrinë e vëzhguesit të vëmendshëm dhe protagonistit të rrjedhave shoqërore e jetësore. Vënia në pah përmes fshikullimit ironistik zbulon raportet e konsumuara shoqërore në një ambient të brishtë, ku defilon paqëndrueshmëria e karaktereve pretencioze:

“Njëherë kish ndodhur një mrekulli
Ish zgjedhur drejtor një dai,
Një ndërmarrjeje për t`i prirë
Për t`i marrë bota lakmi,

————————————-
————————————-

Katërklasëshes n`fund s`i ra
Por fati buzëqeshë i ka.
————————————–
Kushtet e mira
Shkolla e çiftelisë,
Unë si bari
I kam rënë pipilisë…” ( DAIA )

– Hapërimi i sinkronizuar i Bajram Bashotës i sjell auditorit letrar një krijim të ri, që përshkruan në ecje e sipër vështrimet, përjetimet, refleksionet të sanksionuara në vargjet e vëllimit “Frymëzime”; sjell një zbërthim autentik të realitetit, perceptuar në mënyrën e tij, shpërfaqur në stilin e adoptuar konform përmbajtësisë dhe formës; gjegjësisht, një strukturë poetike kjo që përmban specifikat dalluese si mënyrë e të shprehurit spontan të ndjenjës nëpër një metrikë dhe ritmikë, poashtu specifike, me një gjuhë lehtësisht të kapshme për të gjitha shtresëzimet e lexuesit dhe të gjitha format e receptimit. Poeti ofron modelin e tij në arealin e poetikës sonë, duke investuar përkushtimin dhe talentin si ofertim intelektual me vlerë.
Duke i dëshiruar rrugëtim të mbarë autorit të përmbledhjes, them se zhvendosja e vullnetit nga konsumimi i artit poetik në publikimin e tij përbën trajtësimin e duhur të përvojës profesionale, ndaj së cilës do shprehur ndjenjën e konsideratës së mirëfilltë…

One thought on “HAP SINKRONIK / Nga Xheladin. A Çitaku

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s