Të hash bukë të bardhë / Tregim për fëmijë nga Skënder Braka

Të hash bukë të bardhë

 

 

Skender Braka

Tregim për fëmijë nga Skënder Braka

 

Unë e mbaj mënd kënetën e dikurshme. E mbaj mënd sepse në dimër ujët e saj arrinte deri në pragun e shtëpis sime përdhese, ndërsa në verë, mbi zambakët e verdhë, që mbinin gjithandej, zukasnin mushkonjat, të cilat mbasditeve, ca puntorë me pompa dhe me maska përpara gojës dhe hundëve vinin e  spërkasnin gjithandej vëndbanimet e tyre. Në përfytyrimin tim këneta ishte syri i bukur i detit. Aty, buzë saj eci këmbadorazi dhe u rrit fëmijëria ime. Me të më lidhënin një mijë e një kujtime të bukura, që vështirë se mundet të më shuhen ndonjëherë nga kujtesa.

Mëngjeseve dilja nga shtëpia dhe vrapoj deri buzë ujit. Ngrija kokën dhe s’ngopesha duke vështruar kënetën e qetë dhe qiellin e pafund. më dukej sikur prej saj buronte gjithë jeta. Asaj kohe gjithandej rreth e rrotull kënetës mbizotëronte një qetësi e magjishme, një qetësi që vinte e prishej vetëm prej krikëllimave të pulëbardhave dhe zogjëve të tjerë të detit, që silleshin mbi të. Ngazëllehesha prej tyre dhe gjithçka aty më rrëmbente deri në përhumbje. Nuk kishte gjë më të magjishme se ato mijëra cicërima që tek përziheshin me fërshëllimën e lehtë e të pazëshme të erës, iknin dhe humbisnin tutje, duke u ndjekur aty këtu prej ndonjë krisme të shurdhët pushke të vjetëra të ndonjë gjahëtari. Mua më dridhej zëmra kur dëgjoja krisma mbi kënetë dhe, lutesha që asnjë zog apo rosë e egër të mos binte preh e shënjestrës së tyre.

Unë e doja kënetën time.E doja sepse atje kisha edhe miqtë e mi më të mirë dhe më të dashur, si lejlekët dhe pelikanët, që rrallë e tek m’i trëmbëte xha Ilmiu ngaqë kishte frikë se mos ia prishnin të mbjellat, që mezi arrinin të kalonin dyzetë centimetërshin për shkak të tokës së kripur.

Prej asaj kohe të largët më ka mbetur në mëndje një vegim të cilin nuk kam për ta harruar kurrë.Kështu ditë pas dite nisa edhe unë të shkoja gjithnjë e më thellë kënetës derisa një ditë, pas një kaçubeje zbulova papritmas folenë e një pelikani. Ai nuk u trëmb kur iu afrova, madje as nuk lëvizi nga vëndi, vetëm zgjati qafën e tij të gjatë e të hollë dhe hapi dy a tri here atë sqepin e tij ngjyrë rozë, si të donte të më uronte mirëseardhjen. Që prej asaj dite unë shkoja gjithnjë e më shpesh tek miku im. Një mëngjes kur po nxitoja për tek ai me një copë mishi në dorë, që e kisha ruajtur nga gjella e darkës, porsa më pa, lëvizi nga vëndi dhe më tregoi vezët e tij. Ishin dy vezë të mëdha të mbushura me pika të gjelbërta. Mezi prisja që ato të çelnin e të bëheshin zogj të mëdhenjë. Ne e mësuam shpejtë gjuhën e njëri- tjetrit dhe ta donim shumë njëri-tjetrin. Shpresoja që ndonjë ditë ai të më merrte mbi krahtë e tij dhe atyre çasteve ëndërroja sikur vërtetë me të fluturoja kaltërsive të pafundëme. E quajta Shkozi me emrin e lagjes sime. Peshkatarët vinin shpesh atyre anëve, por asnjëri prej tyre nuk e ngacmoi Shkozin tim të bukur. Unë e doja kënetën po aq sa edhe lejlekun. Më dukej sikur ajo ishte e lidhur me qënien e ti dhe me mua që nuk mund të rrija dot pa të.Por miqësia ime me lejlekun nuk zgjati shumë sepse një ditë në rrugën automobilistike e cila kishte pak muaj që ishte hapur dhe ndërtuar, që të vjetërit e pagëzuan me emrin”Rruga e Tiranës” u dëgjua një zhurmë e fuqishme. Plepat zunë të shkundënin prej degëve gjethet e tyre të zverdhura. Zhurma sa vinte e shtohej.,Mua më mbërtheu një frikë e cila sa vinte e më bëhej gjithnjë e më e madhe. Vrapova pas shokëve, ashtu siç isha i zbathur, me pantallona të shkurtëra e me kërthizën e barkut përjashta. Doja të shihja edhe unë si gjithë të tjerët se ç’ishte gjithë ai hekur i madh, e i gjallë, që po e bënte tokën të dridhej. Kur ai u bë më i dalluesh dhe ne iu afruan pranë, ndjeva të më pushtonte tmerri. Dikush pas krahve të mi tha se ai kishte ardhur për të tharë kënetën. Ujiin e saj do ta përpinte deti dhe se pas kësaj do të hapej një tokë e pafundë e tok me ujin dhe kaçubet do të zhdukeshin edhe zogjtë e shumtë që muajve të nxehtë bëheshin mysafir të saj. Fërkova sytë dhe doja që kjo që kisha dëgjuar të mos ishte veçse një gënjeshtër.Por jo, ajo kafshë gati si parahistorike, me hundë të madhe, në majë të së cilës kolovitej një kovë e madhe me dhëmbë të mprehtë, si të ndonjë egërsireje vazhdonte të afrohej gjithnjë edhe më tepër bregut të kënetës. Ashtu i lebetitur vrapova drejt folesë se lejlekut tim. Prej nxitimit u rëzova dy a tri herë në llucën kënetore dhe kur arrita tek foleja gati sa nuk më rat ë fikët. Lejleku im nuk ishte aty. As zogjtë që kishin çelur dhe porsa kishin filluar të mësonin fluturimin nuk ishin. Trupi mu drodh e zemra nisi të më rrihte me forcë. E thirra me sa fuqi që kisha por edhe pse qielli ishte mbushur me zogj që kishin nisur ta braktisnin, asnjëri prej tyre nuk më ktheu përgjgje. E thirra derisa u ngjira, pastaj u ktheva duke qarë në shtëpi gjithë duke qarë e mallkuar ata që kishin sjell aty atë përbindëshin prej hekuri. Ashtu të mbytur prej lotëve dhe prej ngashërimit më gjeti babi që porsa ishte kthyer nga reparti. Çuditërisht edhe ai ishte i gëzuar që do të thahej këneta jonë.Isha bërë një grusht njeri. Babai më mori në duar. Mundohej të më qetësonte. Eh, babai im i mirë. “Eja!, Eja të dalim bashk!, më tha. Unë mundohesha t’i shqitesha nga krahërori, ku më mbante të mbështjell për të më larguar frikën. Mundohesha t’i largohesha atij kraharori që për mua kishte qënë aq i ngrohtëe, por që atij çasti po më dukej aq i akullt. Ndërsa ai qeshte me një keqardhje dhe më thoshte përsëri se asgjë e frikshme nuk kishte në atë makinë të madhe që vinte për të tharë kënetën. Në atë makinë të madhe që do të hapte një kanal të gjëra sa të lundronte në të një anije. “Përse ke frikë”, më tha. “Nuk më ke thënë se do të bëhesh trim? Ai është një eskavator…Përse të kesh frikë nga një eskavator? Pas tharjes së kënetës, në tokat që do të hapen, do të mbillet grur. Grur që ti të mos hash më krunde, por bukë të bardhë.Të hash bukë të bardhë bir” Me gjithë lutjet e tij dhe fjalët e ëmbëla, unë vazhdoja të qaja. “Nuk dua bukë të bardhë babi, jo.. dua lejlekun tim.Dua lejlekun tim”.

Nuk dua që të thahet këneta.” Nuk doja të iknin një herë e përgjithmonë miqt e mi të ngushtë, lejletët dhe pëlikanët dhe kënetën ta mbyste kripa. Asaj dite i lava me lot faqet e tij me atë lëkurë të butë. Do të ngrihen edhe uzina, tha babai, që mundohej të më qetësonte duke më thënë se lejlekët do të kthehen përsëri edhe pse e dintë që po më gënjente.Që prej asaj dite unë nuk I pash më lejlektët e bukur të ktheheshin tek ne….

 

 

11113902_1025813244103087_5339943027623141085_n

“Nuk dua bukë të bardhë babi, jo.. dua lejlekun tim.Dua lejlekun tim”.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s