ASPEKTI EDUKATIV NË KRIJIMTARINË POETIKE TË SHKRIMTARIT PËR FËMIJË ODHISE K. GRILLO. / Nga Adem ABDULLAHU

11054406_10205996645788847_1148379864321643168_n
ASPEKTI EDUKATIV NË KRIJIMTARINË POETIKE TË SHKRIMTARIT PËR FËMIJË ODHISE K. GRILLO.

( Pjesë nga një punim më i gjatë! )

 

 

Adem ABDULLAHU

Nga Adem ABDULLAHU

 

 

Shpirti i fëmjës është tabula rasa. Çfarë do të shkruash mbi të, atë dhe do ta lexosh. Me çfarë instrumentesh, ne, të rriturit, kemi të bëjmë dhe lëmë gjurmë në përpjekjen tonë që ti edukojmë fëmijët? A i gjejmë mjetet shprehëse më të sakta dhe më të shkëlqyera – më vezulluese për ndikim, kur formojmë cilësitë e personalitet – individit dhe modelet e sjelljes tek ata që rriten?
Odhise Grillo është mjeshtër më i madh i gjetjes dhe përdorimit të mjeteve shprehëse të qëlluara e vezulluese, që ndikojnë në botën mendore të fëmijës dhe që e frymëzojnë për vepra të mira e fisnike, për punë të devotshme e të mbara, për punë të menduara konkrete e praktike. Krijimet e Odhisesë janë mbresëlënëse dhe lënë gjurmë të thella në mendjen dhe zemrën e fëmijës, kështu që lexuesit e vegjël mishrohen me jetën dhe botën e personazhëve pozitivë të poezisë a poemës dhe herë – herë identifikohen me heroin pozitiv të saj.
Për krijimtarinë artistike të shkrimtarit e poetit Odhise K. Grillo mendimin e tij e ka dhënë edhe shkrimtari me përmasa ndërkombëtare, Ismail Kadare, në promovimin e librit “Valbona blenë ylberin”, botuar në vitin 1981, ku përfshihen njëmbëdhjetë poemtha, kryesisht me bazë humoristike, thotë:“Shkrimtari Odhise Grillo kohët e fundit ka botuar një libër shumë të mirë për fëmijë, për të cilin unë nuk kam asnjë vërejtje. Odhise Grillo është një nga autorët që i jep rëndësi të veçantë përpunimit të vargut. Një karakteristikë tjetër e këtij libri të këndshëm është humori i shëndoshë që përshkon poemthat, që është tepër i dëshirueshëm për fëmijët”. Në këtë përmbledhje “Valbona blenë ylberin” , autori poemthin e dytë e ka titulluar “Tri “L-të” ç’janë?” Si gjithnjë, ky pedagog e psikolog i mirëfilltë, pjesën përgatitore të ligjerimit e fillon me shumë përkushtim, si një mësues i shkëlqyeshëm, duke parashtruar pyetje që në titull. Të parashtruarit e pyetjes është dije. Përmes të pyeturit mësojmë dhe i mësojmë të tjerët. Andaj Odhiseja të shumtën e rasteve titujt e vjershave të tij i titullon me pyetje, ku thotë:

“Fëmijët pyesin,
fëmijët thonë;
– Tri “L-të” ç’janë?
Se s’i kuptojmë.
Se ç’janë ato,
vesh do ta marrim,
po ndoqëm pas
xhaxhi shkrimtarin…”.

Gjyshi i Letës merr një copëz druri dhe duke gdhendur e lëmuar, si dhe duke punuar me biçak e me gjilpërë një ditë të tërë, më në fund e bën një lugë të mirë, të bukur si bri të kthyer me lule plot të gravuara. Për të vazhduar:

“Nuk ka në botë
lugë si kjo,
ndaj Letë e vogël
kaq shumë e do.
Me të ha drekën,
me të mëngjesin,
me të ha supën,
me të përsheshin…”.

Këto vargje sjellin ambientin e familjes dhe harmoninë e mrekullinë në familje. Ambientin ku fëmija ushqehet, rritet dhe kultivohet me dashurinë dhe mirëkuptimin maksimal familjar. Komponentë kjo e cila zë vend të pamohueshëm në bazën e zhvillimit të ardhshëm të fëmijës.

Kaluan muaj e shumë ditë, kur një kushërirë vjen në vizitë te Leta. E priti ajo kushërirën, Lindën me shumë gaz e shumë hare. Linda dhe Leta janë si dy motra, të cilat kanë moshën aty diku katërvjeçare. Këto të dyja duhen aq shumë sa “Shpirt e ka njëra dhe zemër tjetra“. Linda në drekë ia vë syrin dhe vështron se si Leta hante me lugë druri, dhe kur lugën e pa thirri me zë të lartë:

“Me këtë lugë
vetë do të ha.
Lugën si bri
ma jep, o Letë!
Leta sa s’qau
me lot të nxehtë”.

Përshkruhet egoja e fëmijës së moshës së caktuar, ku gjithçka që është e bukur dëshiron ta ketë dhe ta përdorë. Tregohet vrulli dhe mospërmbajtja ndaj gjërave që dashuron, pa llogaritur se kushërira e saj do të preket e shqetësohet nga ky reagim. Dhe kështu për lugën gati sa nuk u zunë:

“-Pse të hash ti,
do të ha unë!
– Nuk është jotja,
po është imja! ”

Me grindje e zemërime vazhduan deri në mbrëmje, deri kur iku Linda dhe s’kishte më “jotja” e s’kishte “imja”. Leta mbeti vetëm dhe pa kushërirën, Lindën u mërzit shumë, më pas i tha mamasë:

“- Sa jam penduar!
MeLindën kot jam zemëruar.
Ç’e dua lugën,
kur Lindën s’kam,
të vijë prap se e kam xhan! ”.

Pendimi si cilësi njerëzore, si pranim i gabimit, apo si dëshirë për mos përsëritjen e gabimit vjen në shprehje në krijimtarinë e O Grillos, ndaj edhe në këtë rast, Linda erdhi përsëri dhe nisën lojërat aty ku ngelën, të dyja shkojnë si motra, duhen aq shumë:

“Ç’i thotë Lindës,
mbani vesh Letën:
– Ta fala lugën
për gjithë jetën!
Ja ku na erdhi
fundi tani,
pra, le të bëjmë
pak llogari:
Leta dhe Linda,
luga si bri,
sa “L” na bëjnë?
Më duket … tri!”.

Në këtë poemth Odhise Grillo gërsheton e ndërlidh shumë situata dhe ngjarje në mes dy shoqeve – bartëseve të ngjarjes kryesore, por edhe mamasë si pjesëmarrëse indirekte e ngjarjes, e cila si duket ka luajtur rolin kryesor në zgjidhjen e konfliktit mes Letës dhe Lindës, edhe pse autori këtë e lë të nënkuptohet. Këtu përveç qëllimit edukativ, përmes shembujve konkret, praktikë dhe pragmatikë autori ka vënë në funksion, ndoshta si qëllim të dytë të këtij ligjerimi – njohjen apo dijen, dhënien e diturisë, të treguarit se: Çka janë tri L-të? Dhe del rezultati se: L(eta) + L(inda) + L(uga si bri), duket se bëjnë tri! Tani parashtrohet pyetja tjetër logjike, se: Çka janë ato tri L? Dy shoqe dhe një lugë? Apo TRI L-ë? Tri shkronjat e para të dy shoqeve dhe lugës? Apo shkronjat e para të Letës, Lindës, Lugës? Këto parashtrime të pyetjeve çojnë drejt zhvillimit të të menduarit logjik, me një fjalë e nxisin procesin e të menduarit te fëmija.

Me shumë të drejtë Makarenko, vëren se “Personaliteti i heroit të veprës nuk ka rëndësi për fëmijën, sepse është i papërsëritshëm dhe i rrallë, por më tepër gjykohet prej tyre në bazë të veprimit, që kryen dhe si pjesëtar i ngjarjes. Sado interesante që të jetë figura e një tipi në veprën për fëmijë, lexuesi i vogël do ta çmojë atë në bazë të veprimit që kryen, pa marrë parasyshë asgjë tjetër ”. Kjo është normale dhe reale sepse qenia njerëzore gjithnjë dhe me kembëngulje dëshiron që t’u ngjajë më të mirëve. Kuptohet se gjithsecili do të kishte dashur të ishte si Leta, e cila kuptoi ku kishte gabuar dhe pa u vonuar shumë e përmirësoi atë gabim, duke sakrifikuar lugën e saj të gdhendur prej druri nga gjyshi i saj. Këtë lugë ia dhuroi Lindës në shenjë kujtimi sepse ajo kishte lëshuar shumë zemër, por edhe për ta pasur atë si shoqe se në të kundërtën ajo ndoshta nuk do t’i vinte për vizitë një kohë të gjatë.
Nga ky shembull dhe nga shumë shembuj e raste të tjera mund të vijmë në përfundimin se edhe individi më i paedukuar dhe më devijant në thellësinë e vullnetit të tij e ka si synim – mirësinë, qëndrimin pozitiv etj., por këtë nuk e arrinë dot jo pse nuk do, por për arsye se ka mangësi në pikëpamje të edukimit të shëndoshë që në kohët më të hershme, dhe se i mungon guximi dhe vullneti.
Shembull konkret ishte ky që trajtuam më lart, ku nëna me ndikimin e saj arriti që vajzat të afrohen, ta ruajnë shoqërinë e miqësinë mes veti, por edhe të jepen dhurata mes shoqeve, sepse dhuratat janë sende që i jepen dikujt pa asnjë shpërblim, prirja e dhënies dhuratë është veti e mirë, virtyt, është aftësi natyrore e një njeriu, ku personit që i dhurohet i jep kënaqësi të madhe, e gëzon shumë.
Dhuruesit – ata që japin dhurata janë njerëz që me veprimin e tyre – tjetrit i japin një kënaqësi të madhe, një gëzim të veçantë…!
Në të kundërtën gjithnjë në vetëdijen e tij (fëmijës) qëndron thënia se “unë nuk mundem”, dhe kështu vazhdon të qëndrojë e qarkullojë në mjedise të tilla ku ai ndjehet më i “sigurtë” dhe ku nuk i bëhen vërejte e kritika për sejlljen dhe veprimet e tij të mbrapshta, që bien ndesh me normat dhe sjelljen e një shoqërie të shëndoshë.
Pikërisht për këtë O. Grillo, në krijimtarinë e tij të bujshme poetike, përmes personazhëve të tij spikat dhe lartëson virtytet, sjelljen, karakterin e shëndoshë dhe punën, sepse vetëm në këtë mënyrë do të ngelin gjurmë dhe përmes këtyre shembujve – model, mund të mësohet se si duhet vepruar e si duhet sjellur ndaj punës, shoqërisë, mjedisit jetësor, ndaj kafshëve e të ngjashme.
Familja, shkolla, rruga… këta faktorë si pjesë e sociumit, ku fëmija – njeriu i ri ndërton botëkuptimin e tij dhe përjetimin për botën, padyshim janë determinues gjatë edukimit.
Përmes krijimeve poetike Odhise K. Grillo spikat personazhe nga bota e familjes ku fëmija kalon një pjesë bukur të madhe apo më të madhe në fillimin e jetës së tij dhe më vonë… “Valbona blenë ylberin” , – është një poemë humoristike e cila është e ndarë në dhjetë njësi të veçanta por që bëjnë një tërësi, ndarja bëhet me tituj të veçantë, kështu po spikatim ato vargje që mendojmë se në mënyrë më të dukshme e ilustrative e japin pasqyrën edukative në përgjithësi të kësaj vepre. “Blerta na harroi gërshetat” , Blerta e moshës 6 apo 7 vjeçare, kur gjendet në mesin e familjes, pranë nënës, babait dhe të tjerëve gjithnjë merret me ndonjë aktivitet që i bën kurreshtar ata. Kështu që gjatë vizatimit në bllokun e saj paraqet vizatime interesante dhe gjithnjë shtiret sikur ka harruar diçka të vizatojë:
“Blerta mbi fletore
rri edhe mendon…
Me kalem e bojëra
nis e vizaton:
Në fillim dy mollë
edhe dy qershi,
një kalem të hollë
edhe një kuti.
Vizaton pastaj
pastër, në fletore:
fluturën krahëshkruar,
bletën punëtore.”

Fletorja, mendimi, kalemi, ngjyra, pastërtia, sendet (objektet)…, janë fjalët bazë që e përbëjnë këtë krijim sa poetik po aq edhe edukativ, sepse këtu mundemi të përfshijmë më shumë elemente të edukatës.
Procesi i të menduarit si bazë për të realizuar çfarëdolloj pune qoftë, mjetet e punës (kalemi dhe fletorja) pa të cilat nuk realizohet dot asnjë lloj plani ideor sadoqoftë i mirë apo i rëndësishëm. Edukata estetike (pastërtia) në punë. Përveç anës praktike funksionale të cilit do lloj prodhimi, me rënëdsi shumë të madhe është pastërtia gjatë kryerjes së punës.
Meqë Blerta ndjehet shumë e lumtur dhe shumë e sigurtë në mjedisin e familjes, në atë ambient ku e duan të gjithë e kujdesen për të, ajo bën edhe ca llastime të vogla, të cilat e zbukurojnë atmosferën e familjes. Se është kështu duket, ngase prindërit për asnjë çast nuk qëndrojnë indiferent ndaj asaj që bën Blerta:

“Nëna dhe babai
na e pyesin:
– Blertë,
çfarë vizatove
përmbi atë fletë?
Vizatova veten,
a nuk e shikoni?
Ju jeni të rritur,
si nuk e kuptoni?”

Dhe vazhdojnë me pyetjet e tyre, duke i thënë se në vizatim ka ngatërruar bletën dhe qershinë, fluturën dhe lapsin, mollën dhe kutinë. Kurse Blerta prindërve u përgjigjet dhe thotë:

“- Jo asgjë, asgjë
nuk kam ngatërruar,
në fletore veten
unë kam vizatuar!”

Ndërsa prindërit habiten dhe i thonë ti nuk je kalem, nuk je as kuti, mollë as qershi ti nuk je moj Blertë, as flutur as bletë, ndërsa ajo me shumë kënaqësi e gjen përgjigjen dhe u thotë atyre:

“- Jua thotë gjyshja,
pritni kur të vijë … ”.

Sapo erdhi gjyshja dhe sapo e pa vizatimin, prindërve të Blertës u tha:

”- Kjo këtu është Blerta!
Se, kur afron mbrëmja
edhe do të flerë,
i këndoj një këngë,
që gjumi ta zerë.
Gjumi mbi qepalla
vete edhe vjen,
unë, një këngë, mbesës
nis edhe i them:
I ke faqet mollë,
sytë si qershi, hundën si kalem, gojën si kuti.
Pa i them: Je bletë,
pa i them: je flutur,
se është punëtore,
sepse është e bukur.
Pra, në vizatim
është vetë Blerta, veçse ka harruar
të bëjë… gërshetat!”.

Nga këto vargje mund të tërheqim shumë segmente edukative, mund të theksojmë rolin e prindërve, nënës, babait dhe të gjyshes. Nëna dhe babai përmes pyetjeve që i parashtrojnë bijës së tyre, Blertës, bëjnë korrigjimin dhe vërtetimin e njohurive që ajo shpreh, përmes lapsit në formë vizatimi.
Roli i poezisë në edukimin e fëmijës është indirekt në fëmijërinë e hershme, madje dhe i padiktueshëm. Ai vendos virtyte dhe damkos veset, duke krahasuar ekzistencën reale me ekzistencën në hapësirë tjetër – në hapësirën e mendimit të lirë njerëzor dhe imagjinatës.
Në poezinë “Shkojmë hipur mbi… raketë” , Odhise Grillo fëmijët i paraqet me gjithë imagjinatën dhe fantazinë e tyre dhe me mjeshtri të veçantë sjell inserte nga ajo që ata dëshirojnë:

“- Pse nuk kemi edhe ne
pendë e krah të fluturojmë
gjer në qiell, gjer në re,
gjer tek yjet që ndriçojnë?

– Gjer në qiellin e paanë,
gjer tek yjet,
gjer te retë
shkojmë ne me aeroplan,
ose hipur mbi … raketë!”

Të frymëzuar nga fuqia e padukshme, që shpreh nevojat shpirtërore dhe trajtën tjetër (mishërimin) e personave të talentuar, arti “grabit” (vjedh) zemrën dhe e udhëheq rrugëve të dashurisë, mirësisë, bukurisë, harmonisë…
Dëshira për të arritur lartësitë, të pamundshmen, fluturimin nga maja në majë, bën që te fëmija të zhvillohet imagjinata krijuese, si bazë për nxitje dhe hulumtime të ndryshme, krejt me qëllim që ta arrijnë qëllimin – të fluturojnë në lartësitë qiellore. Prej këtu mund të lindin dhe zhvillohen idetë dhe aspiratat për tu marrë me studimin e aerodinamikës dhe astronomisë në jetën e tyre të ardhshme.
Te vjersha “Hëna luan kukafshehthi…” , vazhdon autori me pyetjet filozofike, por përmes pyetjes:
“- Pse del hëna natën
edhe nuk del ditën?
Pse njëherë vjen
e njëherë ikën?
Pse njëherë e shohim
porsi kokëlakër,
një herë të ngrënë
si të ishte drapër?”

Pyetja kudo e nxit mendimin. Ndaj jo rastësisht autori parashtron pyetje. Duke u dhënë përgjigjet në pyetjet e caktuara fitohen informacione të caktuara, fitohet dituri në lëmi të ndryshme. Autori përgjigjet i jep, por jo drejt për së drejti, ai përgjigjet i lidh me jetën dhe shembujt konkretë të jetës së fëmijëve, si dhe u jep kuptim humoristik në të shumtën e rasteve:

“- Sepse natën hëna,
nga yjet rrethuar,
porsi ju fëmijët,
kukafshehthi luan!”.

Fjala, vallëzimi – kërcimi, piktura, poezia, muzika…të bashkuar në kohët e hershme dhe të individualizuar në drejtime të formave bashkëkohore kanë fuqinë magjike të gdhendin karaktere, të ndërtojnë kritere, të vulosin mbështetje të vlerave.
Autori përmes vargjeve paraqet anën edukative, gjegjësisht rolin e më të rriturve apo prindërve dhe anëtarëve të tjerë të familjes dhe anën gnoseologjike – njohëse të përshkuar me humor të lehtë, jep informcione për yjet, hënën, formën e hënës, herë si lakër e herë si drapër, për t’u përgjigjur po me humor e në formë loje, sepse edhe hëna luan kukafshehtas.
Këto informacione shkrimtari i dozon jo pa qëllim, ngase e di që fëmijët e kësaj moshe nuk janë në gjendje t’i kuptojnë fenomenet e ndryshme si: lëvizjen e planeteve, ndryshimin e formës së hënës, lëvizjet e yjeve. Kurreshtjen e tyre e shuan me përgjigje e me fjalor fëmijëror. Bazuar në këtë rend të mendimeve, aspektet pedagogjike – edukative të artit janë shumështresore dhe polifonike. Veçanërisht vezullimë të madhe dhe gjurmë në edukimin e fëmijës bën poezia.
Vjersha “Kur s’ia vë veshin mamasë” , mesazhin e jep në mënyrë shumë fine e të stërholluar, kjo kuptohet që nga titulli se kur nuk ia vë veshin fjalëve të mamasë përfundosh në grep.
Ja se si e ka shprehur autori:
”Ime bijë më pyet!
Peshku pse jeton në det,
pse ka gojë dhe nuk flet,
pse e kapim ne me grep?

Parashtrimi i pyetjeve sjell njohje dhe zhvillimin e procesit të të menduarit. Por në rastin tonë konkret nuk është vetëm kaq, është edhe pytje edhe informacion edhe edukatë! Normalisht që pason përgjigja, por pasi fëmija të ketë pasur mundësi që të mendojë e gjykojë dhe pasi të ketë menduar për rolin edukativ të pyetjeve të parashtruara që më parë:
– Se në tokë dot s’noton,
si memec nuk mund të flasë,
dhe te grepi përfundon
kur s’ia vë veshin … mamasë!“.

Si kudo, e sikurse në secilën poezi të autorit Odhise Grillo dalin më shumë qëllime. Aty e kemi edhe qëllimin edukative, që nënkuptohet se gjithnjë fjalët e mamasë duhet dëgjuar e ndjekur me shumë kujdes e vëmendje, për të mos pësuar, por edhe atë se peshku nuk mund të jetojë në tokë sepse nuk din të flasë. Përgjigigje a kamufluar??, por e pranueshme dhe logjike për moshën e fëmijëve.
Pra për të jetuar, si e para është komunikimi dhe pastaj ambienti…
Në të kundërtën përfundohet në grep. Qëllimi i pedagogjisë është studimi dhe përparimi i edukatës, si pjesë përbërëse e realitetit shoqëror . Këtij qëllimi i ka shërbyer pa asnjë dyshim shkrimtari Odhise Grillo. Këtë e ka arritur përmes formës së tij shprehëse me shumë maturi dhe me shumë informacion. Pra parimi i maturisë dhe parimi i njohjes janë këto dy parime të cilat Grillo i ka vënë në funksion dhe ka arritur që përmes krijimeve të tij të edukojë gjenaratat e reja dhe t’u sjell informata të reja dhe funksionale – të dobishme.
Fjala, porosia deri te fëmija arrinë natyrishëm, pa imponime qysh me vargjet e para për nënën, për natyrën, për atdheun…
Vjersha “Kush i pjek frutat” , mund të llogaritet si krijim më shumë me karakter njohës, por meqë çdo njohje apo nxënie me vete bart edhe aspektin edukativ të asaj njohje lirisht mund të themi se edukon.
Që nga titulli pyetës pritet se diçka do të fitohet nga kjo pyetje:

“ – Pse nuk i marrin mollët e qershitë
t’i pjekin në shporet porsi byrekun,
kush rri e pret të vijë ajo ditë
kur vetë pemët kanë për t’i pjekur?”

Këtë pyetje e parashtron vogëlushi Emis, i cili gjërat i kupton në formën direkte, jo në rrjedhë normale natyrore, kurse përgjigjia është:

“- Emis, ti ende je i vogël sot,
të fshehtat do t’i dish kur të jesh burrë,
kjo soba jonë frutat s’i pjek dot,
ato i pjek veç dielli në furrë!”.

Kjo përgjigje vogëlushin Emis e parapërgatit për një moshë të cilën ai do ta arrijë më vonë, moshë kur do të jetë në gjendie t’i kuptojë këto fenomene natyrore shumë të rëndësishme jetësore.
Autori, apo rrëfyesi, nuk lejon dhe nuk lë hapësirë për ndonjë keqkuptim, përmes formës direkte të të rrëfyerit jep gjithë informacionin apo diturinë. E përcjell përmes dialogut dhe me shumë hollësi e takt.
Ja siç duket Odhise Grillo të shumtën e rasteve kur fëmijëve dëshiron t’ju sqarojë gjëra interesante e me vlerë që në titull parashtron pyetjen PSE…? ËSHTË…? A ËSHTË…! “Është pulë a është esh… ”. Edhe këtu kjo vjershë ka të njëjtën strukturë pyetëse, njohëse dhe konstatuese:

“Pse bën qengji be, be, be
edhe keci me, me, me?
Pse bën viçi mu, mu, mu
edhe ujku u, u, u?
Pse bën pula ka, ka, ka
edhe pata ga, ga, ga?
Pse nuk bëjnë gjithë be,
ka, ka, ka, o me, me, me?
Po të bënin gjithë ga,
s’do të merrej fare vesh
është kec a është ka,
është pulë a është esh…”.

Bota shtazore paraqitet në tërë lloj – llojshmërinë e saj dhe sjelljen e saj, apo akustikën e saj komunikuese. Blegërimën, ulurimën, meullimën, bulurimën etj.

Sa bukur e sa me urtësi na del porosia apo mesazhi edukativ përmes veprimeve të kafshëve. Pra edhe në botën e kafshëve Zoti ka krijuar një rend dhe secilës kafshë ia ka dhënë cilësitë dhe karakteristikat e veta. Secila ka zërin e vet të veçantë dhe kuptohet se cila është e cila bën zë. Sepse po të kishin të gjitha kafshët apo të gjitha shpezët zë të njëjtë, nuk do të kishte as hijeshi e as laryshi zërash e shprehjesh, përkundrazi do të kishte një rrëmujë dhe një monotoni pakuptimësie. Ndaj secila kafshë ka identitetin e vet dhe përmes vetvetes shfaqet e shprehet.
Çështje e shijeve është ajo tjetra, se cilin zë e cilën kafshë do të duam e pëlqejmë ne! Pra përmes kafshëve autori na jep porosinë se edhe në mesin tonë secili prej nesh dallohet, qoftë me zërin e tij, qoftë me pamjen e jashtme, por kap edhe një aspekt tjetër shumë të rëndësishëm, atë të rendit dhe vendit, ku secili ka vendin e vet kur duhet të flasë si dhe rendin kur i vjen radha të flasë apo të shprehet, sepse po të kishin folur të gjithë menjëherë dhe me një zë, do të kishim vetëm zhurmë dhe asjnjë kuptim.
Kjo vë themelet, duke u takuar për herë të parë fëmija me heronj të ndryshëm dhe shfaqjet e tyre, manifestimet e tyre të vlefshme, pa bërë moralizime, pa favorizuar raste, parashtron pyetje, e kjo nuk ka se si të mos e frymëzojë lexuesin e ri (fëmijën) të kërkojë përgjigje.
Vjersha “Ti s’ke krah” , që në titull është provokative dhe nxitëse, ku dhelpra për ta mashtruar gjelin bën çka? mos, por përgjigja e gjelit është negative dhe tallëse.

“I thoshte dhelpra këndezit pendëartë:
– Pse vazhdimisht rri përmbi tra?
– E di pse rri gjithmonë lart?
Se ti, e dashur, nuk ke krah! ”.

Dhelpra si dinake që është i vuri në funksion të gjitha mjeshtritë e saj prej dhelpre, por kot, këndezi iu përgjigj shkurtë dhe e la pa tekst. Porosia edukative e vjershës është që këndezi e ka kuptuar rrezikun që i kanoset dhe ka marrë masa mbrojtëse, rrin e qëndron përmbi tra, atje ku dhelpra qasje nuk ka.
Asgjë më shumë – krijimtaria poetike është botë e botës: me rimat e veta melodike, me shprehjet e porositë metaforike, me lojën artistike të shfaqjes, duke zbuluar shumfytyrshmërinë e jetës, formon normat e nevojshme estetike për njeriun dhe MASËN në sjellje.
Odhise Grillo në të gjitha krijimet e tij rëndësi të veçantë i kushton aspektit njohës – gnosologjik, dhënies së edukatës dhe nxënies së diturisë, por gjithnjë duke pasur parasyshë moshën e fëmijës, aftësitë e tij pranuese dhe ambientin prej nga vjen. Autori – pedagogu e psikologu dhe njohësi i mirë i botës shpirtërore të fëmijës, konsideron se çdo individ ka mundësitë dhe aftësitë e veta, të trashëguar apo të lindura, ndaj edhe ligjërimin poetik e përshtat nga pak për të gjithë, me mundësi që ata që janë të aftë të shohin diçka më shumë e më larg nga ajo që është thënë në tekst, domethënë arti i Odisesë e ka edhe nëntekstin e lehtë.
Të theksojmë disa thënie për diturinë e që mund të ndërlidhen edhe me rastin tonë konkret:
“Ai që nuk di dhe nuk di pse nuk di – është i marrë; largohu prej tij.
Odhise Grillo nuk dëshiron që në klasat e shkollave tona të takojë të marrë dhe të largohet e të ikë prej tyre, përkundrazi ai nuk dorëzohet para tyre, me shumë mund e me shumë dëshirë dëshiron që të kontribuojë në krijimin e tyre, në ndryshimin e mendimit qoftë për jetën apo për fenomenet jetësore.
Ai që nuk di dhe e di se nuk di, është fëmijë, mësoje; nëse ti di, e nuk e mëson ke bërë gabim.
Kurse për atë që nuk di dhe e di që nuk di – për fëmijët bën të pamundshmen, i mëson i udhëzon, u jep shembuj të shumtë, këshilla të vlefshme, gjithnjë përmes artit të tij qoftë në poezi apo në prozë. Këtë e bën sepse di dhe ka obligim që t’i mësojë të tjerët, në të kundërtën do të kishte bërë gabim po të kishte heshtur.

Ai që di dhe nuk e di që di, është i fjetur, mos e lë të flejë, por zgjoje – nëse nuk e zgjon ke bërë mëkat.
Odhiseja i zgjon edhe ata që dijnë, por janë të fjetur, sepse zgjuarja e të diturve të fjetur do të ishte një fitim i çmuar për të marrë nga ata më të mirën që kanë – diturinë.

Ai që di dhe e di se di është i mençur; andaj shko pas tij, nëse shkon pas tij, do të kesh udhën e ndriçuar”
Odhise Grillo i ka njohur edhe ata që dijnë dhe e kanë ditur që dinë, ndaj ka shkuar rrugës së tyre, prandaj e ka udhën të ndriçuar. Këtë e ka bërë qoftë në krijimtarinë poetike, qoftë me përshtatjet e rikrijimet e autorëve të njohur si Naimi, Fishta etj.
Nisur nga këto thënie të urta e me shumë domethënie, mund të konstatojmë se Odhise K. Grillo tërë jetën e tij dhe tërë energjinë mendore e intelektuale ia ka kushtuar krijimtarisë për fëmijë e të rinj, lirisht mund të thuhet se i donte fëmijët pa masë, nuk kishte ndonjë njësi matëse që mund ta vënte në peshojë këtë dashuri të përjetshme…

Kështu në një intervistë që i është bërë në revistën “Lulebora”, në njërën nga pyetjet si kjo: “-Në këtë moshë që jeni bërë gjysh dhe shkrimtar i shquar i letërsisë për fëmijë, e kujtoni fëmijërinë?”.
Odhiseja është përgjigjur: “A ka njeri në botë që nuk e kujton fëmijërinë?… Si të mos kujtoj ato vite të lumtura që kalova në vendlindje, në Vuno të Himarës, një nga fshatrat më piktoresk të Bregdetit, që po të kishte pasur fatin ta kishte selitur njeriu, do të ishte nga më të rrallët në Botë. …Dhe jo vetëm kaq, po unë i kam kënduar me shpirt fëmijërisë së Vunoit dhe ndofta “Balada e burrave të Vunoit” (poemë) është krijimi im më i mirë në fushën e poezisë. Më besoni, sa herë kujtoj fëmijërinë e Vunonë më mbushet zemra me gëzim e mall e sytë me lot. Aty e kam zemrën time, aty dua të ngrys ditët e fundit e të prehem në gjirin e bashkëfshatarëve përjetë. Kjo është ëndrra ime dhe dëshira ime e zjarrtë. E kam lënë amanet”.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s