Shtëpia Botuese “ADA ” publikon librin “ MALL E DASHURI “ të autorit Kadri Kadi dhe redaktim të Demir Gjergjit .

 

11393138_10205580822712606_8162122432303647555_n

Shtëpia Botuese “ADA ” publikon  librin   “ MALL E DASHURI “ të autorit Kadri Kadi  dhe redaktim të  Demir Gjergjit .

 

Titulli: MALL E DASHURI

Autor: Kadri Kadi

Redaktor: Demir Gjergji

Përgatiti për botim: Roland Lushi

Botim i parë, 2015
Tirazhi: 330 kopje
ISBN: 978-9928-193-78-0
© Të gjitha të drejtat janë të autorit

 

Roland-Lushi

Roland Lushi

 

Shtëpia Botuese “ADA”
Rr. “Nasi Pavllo” Nr.20
Tiranë, maj 2015

 

 

BRENDA DHE JASHTË NJERIUT…

 

 

demir

Nga Demir Gjergji

Sa më shumë të largohesh, aq më shumë zvogëlohen pamjet, aq më pak dëgjohen zhurmat, aq zbehtë dallohen ngjyrat… Por nuk ndodh kështu me jetën e njeriut, me njerëzit e tij, me vendlindjen.
Kadri Kadiu është nga ata shqiptarë, që e ka lënë Shqipërinë, atdheun e dashur në atë moshë, kur është e vështirë “të zësh rrënjë diku tjetër”. Pas një fëmijërie në Mançurishtin e zemrës së Devollit, pas jetës studentore të mbushur me ngjarje mbresëlënëse plot ngjyra e hove djalërie, pas ecejakeve nëpër Shqipëri si “kuadro i devotshëm” dhe përsëri pas jetës në kryeqytet dhe punës si pedagog apo edhe drejtues ekonomie, pas zhgënjimit të këtej nëntëdhjetës, kur ngrihej pa zbardhur për të zënë tregtizën e tij, ku shiste fruta e perime dhe, më pas, përsëri e përsëri në detyra të rëndësishme, deri në Kontrollin e Lartë të Shtetit, ku e zuri dhe pensioni. Dhe pikërisht në këtë moshë ai duhej të fillonte një jetë tjetër, krejt ndryshe nga e mëparshmja. Pikërisht në këtë moshë, iu desh që, së bashku me familjen, të bëhej me një tjetër atdhe që tashmë quhej Amerikë. E djeshmja mbeti larg në Devollin e tij, në Shqipërinë e tij, mbeti “prapa diellit”, siç kishte dëgjuar të mallkohej dikur. Por asgjë nuk u zvogëlua si pamjet, si zhurmat, si ngjyrat. Gjumi i tronditej me ëndrra fëmijërie, në çastet e qetësisë dhe të vetmisë i vinin pranë njerëzit e zemrës dhe shokët e jetës. Një “folder” i madh kujtimesh i zgjonin emocione deri në përlotje. Atje, në Devollin e tij, në Tiranën e tij, në Shqipërinë e tij, jeta vazhdonte të tronditej: zhgënjime, shpresa, mitingje protesta, kodoshë e mashtrues, hipokritë e tregtarë flamujsh vazhdonin ta shisnin ta copëtonin atë Shqipërizë të vuajtur, ta përdhosnin e ta vinin në kumar.
Kadriu, ky burrë që kishte besuar aq shumë te komunizmi, që kishte luftuar aq fort përtej interesave të veta e të familjes, që kishte punuar aq ndershmërisht, që ishte angazhuar me devotshmëri për një shoqëri, ku njeriu të ndjehej në lartësinë e dinjitetit të tij, vuante dhe i hidhej kraharori nga ngashërimet, tek dëgjonte lajme për fatin e bashkatdhetarëve.
Dhe në atë largësi të përtejoqeanit vëmendja dhe shqetësimet i dhjetëfishoheshin. Kujtimet i gjëmonin në vetëdijen e njeriut që nuk mund t’ia kthejë krahët vatrës së tij, burimit të gjakut të vet, zërit të të parëve. Me shqiptarët e tjerë të të njëjtit fat, mblidhet dhe kujton, bashkohet dhe flet, përgatitet e feston shqiptarisht edhe Pavarësinë, edhe Çlirimin, edhe ditëlindje e Skënderbeut, edhe… Mblidhen dhe ia thonë këngës shqiptarisht, atje në zemër të Amerikës së Madhe. Isoja devolliçe kapërcen dallgët e oqeanit dhe na vjen ne shpirt deri këtu në këtë mëngë Ballkanit. Përpiqen bashkë për të folur me zërin e Shqipërisë, e shqetësimet e saj, këndojnë me zërin e saj, me frymën e saj, siç janë përpjekur Noli e Konica, At Artur Liolin e Stefi Prifti, si devollinjtë e mëparshëm mërgimtarë. Në tryezat e darkve, në dasmat e martesave, në ditëlindje, në ceremoni të tjera, gjithçka është shqiptare: çdo zakon e rit, sepse në zemrat e tyre lëviz vrullshëm gjak shqiptar. Aq e dukshme është kjo, sa neve që jemi këtu “prapa diellit”, në Shqipërinë tonë, turpërohemi jo rrallë, që shpesh nuk flasim aq shqip si ata, që nuk kërcejmë si ata devolliçen, që nuk i bëjmë dasmat me aromë Shqipërie si ata.

* * *

Unë, që po përcjell këtë libër në duart tuaj, miq, kam pasur rastin ta njoh Kadriun që në rininë time. Fati ma solli, që tak kem kunat e të më bëjë dhëndër. Në shtëpinë e tyre jam ndjerë gjithnjë i lirshëm dhe njëherësh i habitur me atë kulturë njerëzore që kishin në familje. Xha Safeti, një njeri i ndershëm që nuk që jeta i kishte mësuar shumë gjëra, por që nuk e kishte mësuar dot të mallkonte, Aneja engjëllore, që harronte veten për të mirën e tjetrit dhe gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes e farefisit të prirë drejt së mirës m’u bënë shumë shpejt si prindër e si anëtarë të dytë familjeje. Tek secili prej tyre gjeja harmoninë njerëzore. Veç këtyre te Kadriu më kanë bërë përshtypje ndjeshmëria e tij ndaj gjithçkaje, humori në sofra miqsh e shokësh dhe sidomos përkushtimi i mahnitshëm ndaj punës që bënte, ndaj detyrave që i ngarkoheshin. Këtë e kam vënë re edhe në punët shkencore, por edhe në këto shënime që janë përfshirë brenda këtij libri. Gjatë leximit të tij, do t’ju sugjeroja që ta merrni gjithçka të vërtetë dhe ta besoni deri në fund. Kadriu beson shumë, prandaj duhet t’ia shpërblejmë me besim!
Sa më shumë të largohesh, aq më shumë zvogëlohen pamjet, aq më pak dëgjohen zhurmat, aq zbehtë dallohen ngjyrat… “Aq më fort të rëndon në shpirt vatani yt”, vazhdon të këmbëngulë autori i këtij libri, Kadri Kadiu.

Tiranë, prill, 2015

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s