Shpesh më pëlqen të zhytem prapa në kohë, ashtu si polumbarët që kërkojnë perlat e humbura në fund të detit ( Intervistë me shkrimtarin shqiptaro-kanadez Përparim I. Kapllani. ) / Intervistoi: Jeta Vojkollari

44449_10200827362076917_510032204_n

Përparim I. Kapllani

 

Shpesh më pëlqen të zhytem prapa në kohë, ashtu si polumbarët që kërkojnë perlat e humbura në fund të detit

( Intervistë me shkrimtarin shqiptaro-kanadez Përparim I. Kapllani. ) 

 

 

jeta Vojkollari

Intervistoi: Jeta Vojkollari

www.JetaVojkollari.com

https://www.facebook.com/jeta.vojkollari

 

Sapo mbarrova se lexuari romanin tuaj Amaneti i Fundit (The Last Will). Ngjarja ne roman rrjedh shpejt e me te papritura te njepasnjeshme. Libri te mberthen, do te mesosh cfare ndodh me pas dhe te ben ta lexosh me nje fryme. Nje pershtypje te jashtezakonshme me ka bere gjetja juaj renqethese “Gruaja po kerkonte per djalin e saj, nderkohe qe mbante ne duar koken e tij”.

Ku dhe kur ndodh kjo ngjarje makaber?

 

Ashtu siç thuhet edhe në parathënien e romanit, “The Last Will” është trillim artistik, por i mbështetur në elemente reale të marra nga tragjedia Çame. Në vitin 2007 z. Hilmi Saqe kontaktoi z. Enver Kushi, të cilit i dorëzoi disa lista origjinale me emrat e të masakruarve të Çamërisë. Këto lista tashmë ndodhen në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Në njërën nga këto lista, ajo e 64 fëmijëve të vrarë gjatë viteve 1944-1945, numri 42 është 13-vjeçari Nail Gjinika i pjekur në furrë. Në rrëfimin “Dëshmia” të shkrimtarit Shefki Hysa, flitet për një detaj tjetër: Komisioni Ndërkombëtar po mblidhte dëshmi nga të mbijetuarit. Nënë Fatija ka një provë shumë të fortë: skalpin e kokës së të birit, të cilin e mbante me vete në gji. Mbi 600 çamë janë varrosur, sipas z. Sali Bollati, në një varrezë masive në Paramithi. Sipër kësaj varreze është ndërtuar një fushë basketbolli. Këto janë vetëm disa  thërrmija të ajsbergut Çam prej 7000 të vrarësh dhe afro 250 mijë të gjallësh që nuk lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre. Fakti, që një muaj pas botimit, Ministria e Diasporës Greke doli me komunikatë shtypi, tregon se Greqisë i “dogji” thellë ky libër në anglisht për këtë pjesë martire të kombit shqiptar.

 

A mund ta permblidhni romanin tuaj “Amaneti i Fundit” ne nje fjali te vetme?

 

Në faqen 215, fjalimi i lamtumirës i Zenel Kosturit para varrit të Muharremit: “Do të vijë koha që me vullnetin e Zotit të kthehemi të gjithë një ditë në shtëpi.”

 

A eshte kjo nje histori e vertete, nje histori e mbeshtetur pjeserisht ne ngjarje te verteta po nje krijim i juaji?

 

Shtysa është marrë nga një vizitë e z. Sali Bollati para disa vitesh në tokën e të parëve. Në fëmijërinë time në Elbasan kisha fqinjë një familje çame. Më bënte shumë përshtypje dialekti krejtësisht i veçantë, historia e tyre e jashtëzakonshme. Edhe sot pas gati dyzet vitesh nuk mundem t’i harroj emrat e Zelihasë dhe Enverit, miqve të mi të fëmijërisë. E kisha si një detyrim moral dhe shpirtëror që të shkruaja diçka jo vetëm për miqtë e mi të fëmijërisë, por edhe për Damin Zenelajn, që e kishte ëndërr të bëhej qytetar amerikan e të kërkonte shtëpinë e të parëve. Nuk mund të lë pa përmendur zotin Peter këtu në Toronto, që sa herë që vjen tek “Albany Pizza” dhe sheh flamurin shqiptar, më thërret me të madhe në gjuhë të pastër shqipe: “O Shqiptar!”. Peter është nga Kastoria e më pohon se “kohë më parë të gjithë pa përjashtim flisnin shqip.”Muharrem Shahini personifikon të gjithë ata prindër çamë që vërtet ndërrojnë jetë, por përçojnë tek bijtë amanetin e tyre të pavdekshëm: tapitë e fshehura duhet të paraqiten në Gjyq Ndërkombëtar e pronarët e ligjshëm çamë të mos ndalohen në mënyrë kolektive, por të kenë as më shumë e as më pak të njëjtat të drejta si grekët e Shqipërisë.

 

Ne roman ka nje ngjarje kryesore qe ka ne qender nje personazh shqiptar dhe nje ngjarje tjeter  paralele me te, qe ka si personazh nje grek. Kete menyre te shkruari me dy ngjarje paralele e kam ndeshur ne librat e shkrimtares se njohur amerikane  Jodi Picoult. Une personalisht mendoj qe ky stil e ben  romanin me te thelle dhe  mesazhin qe ai percjell me te fuqishem. Pse keni perdorur kete stil dhe cili eshte mesazhi qe percjell romani?

 

Historia e marrëdhënieve shqiptaro-greke ka ngjyrimet e veta. Shpesh më pëlqen të zhytem prapa në kohë, ashtu si polumbarët që kërkojnë perlat e humbura në fund të detit. Një ditë hasa në një detaj interesant nga Lufta Italo-Greke. Një ushtar grek u lutej barinjve shqiptarë që ta vrisnin, pasi ishte plagosur dhe nuk duronte dot dhimbjet. Barinjtë jo vetëm që nuk e vranë, por e mbajtën në shtëpinë e tyre, gjersa u shërua dhe ai u kthye më pas në Greqi. Ky fakt nga jeta u shfrytëzua për të krijuar personazhin e Stavros Baltiotis, shoferit të kamionit. Mesazhi i romanit  është ky: “Në fund të fundit, të gjithë  njerëzit janë njësoj dhe nuk ka rëndësi kombësia apo feja.” Në faqen 163, kur shoferi grek Stavros gjen trupin e Zylyftarit të hedhur në rrugë nga policia, ai thotë: “Ky mund të jetë në të njëjtën moshë me djalin tim Harillan!” Kur e shikon të veshur aq mirë dhe të pashëm, Stavros kujton se ka të bëjë me ndonjë zyrtar që punon në Athinë.

 

Ju keni biznesin tuaj ne Kanada dhe beni nje jete te mire. Cfare ju shtyn te shkruani e te beni (nese mund ta quaj keshtu)  nje pune te dyte? 

 

Të krijuarit, më shumë se një punë të dytë, do ta quaja një nevojë shpirtërore për mbijetesë. Pa krijimtarinë artistike, veten do ta quaja një makinë më shumë në mjedisin ku punoj. Im atë, ndjesë pastë, më recitonte poezi gjer në orët e vona të natës.

Albany Pizza u krijua për herë të parë në letër afro dhjetë vjet më parë. Eshtë një punë titanike që më merr shumë orë në ditë, të shtatë ditët e javës. Një paragraf sot, një paragraf nesër…dhe pas dy -tre vitesh e shikoj veten me një roman të përfunduar. Kjo kënaqësi intelektuale ka zëvendësuar fjala vjen lojën e futbollit.. Por edhe sikur të isha disi më i lirë, nuk besoj se do të kisha ndonjë pasion tjetër.

 

Cili eshte kontributi qe nje shqiptar i diaspores i ben vendit te tij? A eshte kjo arsyeja qe romanin e keni shkruar ne Anglisht?

 

Të shkruarit në gjuhën angleze është një luftë e vazhdueshme që shkon gërmë për gërmë. Të hysh në botën e tregut, patjetër që duhet të provosh të shkruash vetë në anglisht. Këtë mundim duhet ta marrë dikush që e ka mësuar anglishten që në shkollë të mesme. Shkolla “Skënderbej” dhe Akademia Ushtarake ishin dy nga shkollat ku anglishtja mësohej në mënyrën më moderne të mundshme, por kaq nuk mjaftonte. Duhej të jetoja në një ambient anglishtfolës dhe të vazhdoja të lexoja pa pushim. Jetoj që prej 17 vjetësh këtej, përtej Atlantikut, por gjuha nuk ka fund. Përditë gjej fjalë të reja, të cilat përpiqem t’i fus në fjalorin tim.  Më pas punimin e shikojnë redaktorët anglishtfolës. Procesi i botimit është shumë i gjatë dhe i vështirë. Një roman për Ҫamërinë në anglisht është vetëm fillimi. Ky minoritet tragjik i Greqisë nuk i përket historisë, por të ardhmes së marrëdhënieve mes dy popujve.

Një shqiptar i diasporës mund të japë kontributin e tij për atdheun në një mijë mënyra të ndryshme, thjesht duke u sjellur mirë dhe duke respektuar ligjet e atij shteti dhe të asaj shoqërie, në të cilën ka vendosur të bëhet pjesë. Kjo energji pozitive e kombit mund të shprehet edhe pa krijuar fare, në mënyrën e komunikimit, në edukatën qytetare, në mbajtjen gjallë të traditës dhe kujdesin për famlijen.

 

A mund te na thoni me pak fjale cfare eshte  Kanadaja per ju?

 

 

Kanadaja është sfida ime fizike dhe intelektuale. Megjithëse kam mbaruar dy universitete, asnjëra nga diplomat nuk pinte ujë. Në këtë shoqëri të re, vendosa në mënyrë të heshtur ta sfidoj pa filluar ndonjë universitet të tretë.  Kanadaja ishte lufta ime e pashpallur, të cilën më në fund arrita ta fitoj, duke kapërcyer barrierat burokratike, që ky shtet ka vendosur ndaj intelektualëve që vijnë nga vende të ndryshme të botës. Në mënyrë personale dhe punë autodidakte, desha t’i tregoj sistemit këtu, se shkolla e atjeshme nuk bie më poshtë se shkolla e këtushme. Kjo sfidë vazhdon në mënyra të tjera, megjithëse jam autor i tre librave në anglisht dhe qytetar i këtij vendi. Atdheu im i parë dhe i fundit mbetet Shqipëriza e vogël që lamë pas. Ky dyzim shpirtëror dhe fizik tashmë u bë mënyrë jetese.

 

Amaneti i Fundit nuk eshte libri juaj i pare. Cfare keni shkruar tjeter?

 

Nga librat në gjuhën shqipe do të veçoja “Babai në shishe”, një vëllim me tregime botuar në Tiranë në vitin 2005, nga Albin. Drama “Teuta” u përzgjodh nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë në një konkurs mbarëkombëtar në vitin 2002. Në anglishte do të përmendja “Beyond the edge” dhe natyrisht “The Last Will”. Nga tregimet “Spitali i kuajve” i botuar në antologjinë “Courtney Park Connection”. Novela “The Hunter” u përzgjodh nga Quattro Books, si një ndër gjashtë novelat më të mira të Kanadasë për vitin 2015 ndër qindra dorëshkrime.

 

Cfare  po shkruani aktualisht ?

 

”The Wild Boars”, një roman për kriminelët e luftës në Kosovë, si dhe një përkthim nga shqipja në anglishte të dramaturgut Bashkim Kozeli, “Balkan’s love”.

 

Ku mund ti gjejne lexuesit librat tuaj?

 

www.kapllani.com,  Amazon, apo www.inourwords.ca.

Ju faleminderit!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s