Poezi nga Lida Lazaj

lida portret

Poezi nga Lida Lazaj

 

 

Diç doja të thoja

 

Diçka, që ti ende nuk e di
diçka që duhet të t`a mësojë koha.

Por koha, nuk ka ndërmed të ndalë trenin
ku udhëtojnë Vronski me sivëllëzërit e tij
lëkurëzeshkët e lëkurëbardhë
me spaleta, adjutant e kalë
me biletë të klasit të parë
dhe simotrat e Anës lëkurëbardha e lëkurëzeshkëta
me biletë të klasit të tretë
ku shërbehet vetëm çaj i hidhur
dhe shinat e trenit vegojnë në ëndërra
si shpata që zgjidh nyjen e lotëve në fyt.

Nuk është e drejtë, miku, shoku, vëllai im
të kërkoj prej teje diçka që nuk e di
diçka që duhet të t`a mësojë koha
sikundër është e padrejtë
që, kur e gjithë bota fle e ëndërron
Virginia Wolf të më dëbojë gjumin
e në kokën ime të kërkojë një dhomë për vete e Silvia Plath
e ta nxjerrë në peron mendimin tim
ku treni i kohës duhet të ndalë
për të marrë pasagjerë të rinj.

Megjithatë
diç doja të thoja…

 

 

 

Moshohem

 

S`më duhen syze për miopinë
si drita përshkon gotën me ujë të freskët,
nga tinguj, ngjyra dhe të vërteta
që s`janë për sy e veshë,
përshkohem

Tek njëri vesh oshëtin deti
ketrat e pyllit thyejnë lajthi tek tjetri.

Ditë pas dite i afrohem tokës
kërrusem, rrumbullakosem, rëndohem
dhe jam e lehtë, sa gjumin e bëj në petalen e lulemollës.

Moshohem ,njëtrajtësohem
kurmi im: qyteti me rrugë që vrapojnë e kryqëzohen
kurmi im: shkrep mali ku vetëtimat shkarkohen

Shprehjet i nis me gërmë të vogël
dhe nuk përdor habinë,as pikë e as pikëpyetje.

Moshohem
pak e nga pak njëtrajtësohem.

Kur trupin tokës t`ia lë
do jetë sikur të mos ketë ndodhur asgjë.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s