PËRJETËSIMI POETIK I LIRISË ( Antologjia poetike “Lulëkuqet e lirisë- Çdo shesh një përmendore” e autorit Dibran Fylli ) / Nga: Abdyl KADOLLI

 

PËRJETËSIMI POETIK I LIRISË

 

 

 

1461143_607440819312101_373329807_n

Nga: Abdyl KADOLLI

 

Antologjia poetike “Lulëkuqet e lirisë- Çdo shesh një përmendore” e autorit Dibran Fylli  është botim i sivjetmë i  SHB “Meshari” të Prishtinës.

Është kjo një lirikë atdhedashurie , ku janë përfaqësuar 123 poetë nga Shqipëria etnike dhe diaspora . Antologjia përmban gjithsej 207 poezi të disa brezave letrarë që nga Dritëro Agolli deri te Monika Botoshani etj. Autori ka ndjekur rendin alfabetik të përfaqësimit të poetëve me nga 1-4 poezi.

 

12

Antologjia poetike “Lulëkuqet e lirisë- Çdo shesh një përmendore”

 

Në fillim të këtij projekti autori është motivuar për përjetësimin poetik të dëshmorëve të Luftës së fundit çlirimtare, por më pas është zgjeruar me të gjitha ato figura kombëtare që kanë krijuar kurorën e lirisë dhe të pavarësisë kombëtare.

Antologjia hapet me himnin  e Naim Frashërit për Shqipërinë dhe mbyllet me një përbetim të Lasgush Poradecit për bashkimin kombëtar. Ndërmjet këtij prologu e epilogu frymon poezia bashkëkohore për lirinë, dëshmorët, simbolet kombëtare dhe atdheun.

Antologjia është pagëzuar Lulëkuqet e lirisë, që simbolizon gjakun e dëshmorëve, flijimet sublime  dhe dritën e lirisë së atdheut. Poeti Agron Shele e quan  “Lule gjaku që pikon historinë “.

 

0

Dibran Fylli

 

Historikisht është dëshmuar se liria i ka rrënjët në gjak, ndërsa ne përjetuam edhe një herë se pa flijime të mëdha nuk ka liri kombëtare e dinjitet njerëzor.

Shumica e poezive në këtë antologji i kushtohen Kosovës, si lulëkuqe e trimërisë dhe vatër e qëndresës kombëtare nën pushtimin e gjatë sllav.

Bilal Xhaferri quan Kosovë gati gjysmën e atdheut të pushtuar:

“Me ndarje dhe nënndarje gjeografike

 Me ndarje dhe nënndarje historike.”( Kosova)

Në këtë polifoni poetike bashkëtingëllojnë zërat e klasikëve tanë modernë me zërat më të rinj të moshave e gjinive  të ndryshme, duke krijuar simfoninë e lirisë dhe hartën e atdheut.

Është kjo poezi e ndjesive lirike:dhembshurisë, trimërisë  e krenarisë.

Disa poezi kumbojnë  si himne e ode, monolog  e dialog me heronjtë,  disa si elegji, psalm, baladë e epigram, ndërsa disa si rapsodi popullore .

Kjo antologji është një sagë për vertikalen  e historisë sonë të re, martirizimet, Epopenë  e UÇK-së dhe fushëbetejat e saj të lavdishme . Ka shumë poezi për Komandantin legjendar e komandantët e tjerë dhe për dëshmorët e rënë në të gjithë cepat e atdheut.

Aty këndohen edhe  figurat e Rilindjes kombëtare, martirët e qëndresës dhe  lajmëtarët e lirisë. Ato janë këngë betimi, kushtrimi e testamenti të dëshmorëve të lirisë.

Poeti Pano Taçi e karakterizon kështu aktin e dëshmorit:

Flak gurin e Sizifit e dal në çetë,

 Të vdes i bukur .”(Të vdes i bukur)

Ndërsa poeti Hajdin Morina e krahason luftëtarin  “Si Dielli, si Liria, si Flamuri”(Mujë Krasniqi është Një).

Aty gjejmë mitin e atdheut  me simbolet e panteonet kombëtare, si altar,djep, kështjellë, krenari, lavdi, urti e shenjtëri.

Aty ndrit ideali i lirisë si muzë frymëzimi, ëndërr, dritë, diell, ylber, sy, lulëkuqe,   si mundje e  frikës dhe ngadhënjim mbi vdekjen:

Poeti Daut Gumeni këndon:

hyjnë vizitorët të shërohen

 Nga frika e vdekjes” (Prekaz 1999)

Liria çmohet  e shtrenjtë dhe e shenjtë: lot, djersë, gjak, therori,  blatim, baladë,  feniks.

Poetja Flora Brovina  e përjeton lirinë si fluturim zogu, zgjim mëngjesi, erë gruri, lojë fëmijësh, grua lehonë…

Ndërsa poeti Zeqir Gërvalla e identifikon  Lirinë  me Ilirinë.

Edhe mesazhi artistik i kësaj antologjie poetike është nderimi i këtij gjaku të shenjtë dhe përjetësimi i veprës sublime në kujtesën kombëtare, si një monument në kurorën e lirisë.

Janë këto këngë të lirisë për idealin që fluturon nga Mollë e Kuqe deri në Çamëri.

E veçanta e kësaj antologjie është se aty këndojnë edhe vetë poetët dëshmorë, që nga Fazli Greiçevci e Rexhep Elmazi deri te Jusuf Gërvalla, Bahri Fazliu, Havzi Nela, Agim Ramadani etj.

Antologjia është e pajisur edhe me pasthënie, me foto e vizatime të shumta.

Ajo është një monument poetik i lirisë dhe testament i idealit të shumë brezave.

Autori Dibran Fylli ka dhënë deri tash edhe  shumë sprova  letrare e dokumentare, si  luftëtar lirie, poet, prozator,  aktor, regjisor etj.

Antologjia “Lulëkuqet e lirisë” ishte një borxh nderimi i poetëve tanë për lirinë e shtenjtë  dhe ajo do të jetë një dhuratë e bukur për bibliotekat tona, për nxënësit e studentët tanë.

 

_______________

 

Prishtinë, 5 qershor 2015

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s