Shtëpia Botuese “ADA ” publikon librin “Oazi që mund shkretinat… Kundraromani 3 “ të autorit Ton Zmali dhe me vetëpërcjellje ( Trinia e kundraromanit )

11539723_10205643220672516_8516704468423531162_n

Shtëpia Botuese “ADA ” publikon librin  “Oazi që mund shkretinat… Kundraromani 3 “  të autorit  Ton Zmali dhe me vetëpërcjellje  ( Trinia e kundraromanit ).

 

Autor: Ton Zmali
Titulli i origjinalit: Oazi që mund shkretinat…
Kundraromani 3
Korrektor: Roland Lushi

Art grafik: Ada
Copyright -Ton Zmali j-2015

Botim i parë, 2015
Tirazhi: 200 kopje
ISBN: 978-9928-193-81-0

 

roland

Roland Lushi

 

Shtëpia Botuese “ADA”
Rruga: Nasi Pavllo Nr.20
E-mail: rlushi@yahoo.it
Cel: +3554 68 221 9016
Tiranë, qershor 2015

 

 

 

Nga del fjala, del edhe shpirti !?…

 

 

Ton Zmaili

Ton Zmali

 

Vetpërcjellje : 

( Trinia e kundraromanit )

 

Në hymje të kësaj vetpërcjellje të thjeshtë e modeste do doja tu lutesha me respekt epror të gjithë atyne që lexojnë, komentojnë, hulemtojnë, diskutojnë, kundërshtojnë, shkruajnë, simpatizojnë e duan të flasin për letërsinë time, sot a nesër, të mos shprehen asnjiherë pa e shfletue, njohur dhe pa i kuptue thelbsisht e në detaje mesazhet artistike, metaforike, simbolike e misionare të saj. Arti i vertetë asht diamanti i jetës që edhe sikur i prerë shtrembër asht fort ma i vlefshëm sesa çdo gur i zakonshëm i premë në format ma të përsosuna. Kundraromani si gjini e re e artit të ri të fjalës u përket tansisht shkëlqimeve dritzuese, shndritse e ndriçuese të diamanteve ideale të shpirtrave njerzor, ku realja e irealja janë harmonike, dis-harmonike e unike në bashkëjetesë si cilësi të veçanta të mishrueme e të pandara mes artit dhe jetës. Ato kan kenë e do të mbeten gjithnji ylber i ri si nji kundërshtar i shprehjes e fjalisë së drejpërdrejtë dhe përdorimeve të tyne si dogma realiste, duke synue gjithnji rrugëhapjen e shprehjës e fjalisë tabllo, imazh e skenografi. Nji njeri i letrave në statusin e tij në fb thoshte nji shprehje për tu kujtue e mbajt mend… ” Nëse shkruan si të tjerët do të quajnë imitues në rastin ma të keq plagjiat… Po ke guxim e shkruan ndryshe do të etiketojnë si devijues i normave… duke mos u kursye edhe nga akuza si rebel, pa patur guximin të thonë se rebelizmi në art asht shkallë e lartë…” Mendtaria popullore e ka shpreh këtë risi të virtytit krijues me mesazhin e nji proverbi të lashtë e kuptimplotë kur thotë, ”Në këtë jetë kush i merr punët e vlefshme lehtë bahet e zeza e vet, se shuhet, zhduket, vdes, tretet e harrohet shpejt si gjethet që bijen në vjeshtë… e bahen pleh…” Këtë porosi hyjnore ia them vetes e të tjerve, me bindjen e thellë e të plotë se nji nga vlerat trasheguese ma të çmuara të rracës njerzore ka kenë, asht e do të mbetet për gjithmonë arti i fjalës mendtare. Përzgjedhja e përkthimi në gjuhen greke i librit tim poetik “Dashuri të pashijuara” nga përkthyesi Qirjako Ikonomidhi me titullin, ’’ Αποthιμενεσ Aγaπεσ’’, shkaktoj tek unë emocione të veçanta dhe të vërteta me cilësitë e vlerat e punës së tij të përkthimit admirues. Arti e letërsia janë nji çlirim nga absurdi i mikrobotës që të rrethon e të tkurr jetën… ”Ndamja e shpisë krijuese nga dhunat e imponimi monist proletar qysh prej viteve 1990, dhe me të ashtuquajtunin rrenalizmi socialist me mbeturinat e kalbsinave tij e vetçliroj artin e krijimtarinë tonë në tansi nga katallajt fallco pa koka, fryma e dogmave të ngurrta, nga kallepet e shabllonet ndimëse, lustruese e shërbyese të politikës moniste. Në larmitë kërkuese krijuese të lirisë së fjalës lindi edhe Kundraromani si nji mënyrë e re e paraqitjes së botës metaforike të realiteteve të reja, kohënave, traditave, folkut, frymës krijuese postmoderne, klasike e mitologjike të letërsisë me frymën antidogmatike në thelbin e tij universal. Kundraromani synon paraqitjen e nji arti të ri jashtstrukturave të vjetrueme, kundërskemave, kundër-recetave e kundëruniformiteteve, kundërbojatisjeve, lusterave, maskave ndryshk e makiazh të formave të ngrira molekula kallupesh. Arti i këtij profili nuk ka imponues e imitues as nga jashtë as nga brenda, nga lart e as nga poshtë, nga asnji drejtim. Nëse do ta përkufizonim me gjuhën popullore, Romanin e Kundraromanin sikur t’i shohim në rrjedhat e frymës rrëfyese të prozës, janë dy vllazën të nji nane por me baballar të ndryshëm, e thanë në urtsi popullore ‘’motra jemi…shoqe nuk jemi….’’ Ai nuk politizon e shëmton asgja, njerzit, shtresat as përiardhjet klasore, ekonomike e as shoqnore, ai asht kundër gjitha skllavrive të dukshme e të padukshme të fjalës e jetës si dhe vetkrijimit të botës së atyne sistemeve maska me mekanizma që e lindin, ushqejnë dhe e zhvillojnë skllavrinë dhe gjitha tumoret kanceroze të saj në forma e mënyra të ndryshme. I vështirë, i koduar e i komplikuar Kundraromani nuk asht ushqim i gatshëm, as gjysëm i gatshëm, sallata e fruta në tryezat e shtrueme të fjalës, ai vërtetë ka esenca bashkjetese të së veçantës me tansitë që epërsojnë energjitë e dukshme e padukshme të jetës me kodet enigma që përjetsojnë botët e reja të kryefantazive të reja ku fjala vetshndrrohet në impulse ndjenjash e energjish simbolike e ajsberguese të qiejve të jetesave e shpirtnave me andrrime hyjnizuese njerzore….
Shtysë për me hap këtë kuvend bashkbisedues me lexuesin tim u banë rastësisht dy fragmente të Kundraromaneve të mija të hedhura në rrjetin e internetit nga Petrit Zmali që punon e jeton prej kohësh në Angli. I pari nga kundraromani ‘’ Engjuj pa qiell’’ me titullin…Edhe ‘’SHPIJA E ZOTIT’’ ka nevoj për ajrosje… Kurse fragmenti tjetër nga kundraromani “Jeta e Vjellagjolasve” me nëntitullin alegorik, “Kutia e zezë e nji avioni tragjik”…. Diskutuesit e shumtë e në menyrë të veçantë komenti cilsor, befasues e kuptimplotë i lexuesit të pasionuar analistit Zef Ismaili që vërtetë me fjalët e tij më solli emocione të veçanta kur mes tjerave thoshte… ”Qëllimi madhor i librit është nxitja e lexuesit për të menduar dhe diskutuar, vetëm në këtë mënyrë qenja njerzore zhvillohet e përparon, e këtë e sigurojnë vetëm librat e shkruara qëllimisht në stil të ri. Për librat “tulla” kurr nuk diskutohet…”
– Duke mendue me vetveten për njerzit “tulla”, për prisat “tulla”, për demokracit ‘’tulla’’, për librat “tulla”, për vlerat “tulla”, për shkruesat e shkarrashkruesat “tulla”, për dogmatikët e demagogët “tulla”, etj, etj “ nantulla e mbitulla”, por edhe duke rikujtue shprehjen popullore ‘’tullë hyni e tullë doli, fjalët e tij mure betoni’’, më erdhi ideja e dëshira e kësaj vetpërcjellje të thjeshtë të Trinisë së Kundraromanit si nji rrymë e re e artit bashkohor të fjalës. Bashkësia e tri veprave artistike që përbajnë fillnajën e nji fryme të re letrare e datojnë me ditlindjen e të parit prej tyne në vitin dymijë e tre e që u përjetsuen me botimin e kundraromanit, “Engjuj pa Qiell”, dhe në vazhdim të tij prej kundraromanit të dytë, “Jeta e Vjellagjolasve”, e tash së fundi prej të tretit me titull ” Oazi që mund shkretinat…”, përbajnë edhe objektin kryesor të këtij shkrimi vetpërcjellës. Botimi i dy kundraromaneve të para u prit me nji hov interesimi të veçantë nga lexuesi cilsor, i avancuar dhe mendimi i përparuem letrar bashkëkohor. Mirnjohje pa kufi u takon së pari të gjithë atyne që ulën penën e tyne në letër e publikisht shkruan artikuj e ese, shprehën mendime e ide, dërguan mesazhe të ndryshme, diskutuan e zbërthyen risitë e vlerat, duke dëshmue vullnetin e mirë ndaj krijimtarisë sime në tansi në poezi e në prozë, si Diana Çuli, Astrit Hajdini, Adelina Balashi, Vasil Vasili, Primo Shllaku, Piro Loli, Hiqmet Meçaj, Zamira Matoshi, Iliaz Bobaj, Dalip Greca, Sherif Bali, Robert Goro, Dashnor Selimi, Fran Vukaj, Eglantina Cumraku, Besnik Sula, Fran Ukcamaj, Jaho Margjeka, Myslim Maska, Thanas Boçi, Agim Basha, Izet Duraku, Demir Gjergji, Nase Jani, Tahir Aliaj, Dashamir Sokoli, Zef Prendi, Nevruz Abileka, Petrit Zmali etj…etj… Kundraromani “ Oazi që mund shkretinat…”, si e gjithë krijimtaria ime frutlirie ka edhe fatin të botohet ngjitur me këtë vetpërcjellje si vepër e tret e këtij zhanri letrar e artistik në gjuhën shqipe duke plotsue masëmiri Trininë e duke përmbush gjithashtu ciklin e plotë, të saktë e unik të vizioneve të patjetërsueshëme të kësij zhanri të ri artistik të munguer në vakumet e letrave tona… Asht krejt normale që edhe Kundraromani në betejat e tij të natyrëshme për frymë hyjnore, horizonte, për qiell, tokë e jetë, në botën e letrave e fjalës së lirë të ketë me siguri nji mori sulmuesash e kundërshtarësh me në krye letëragjitë tullë, nantullë e mbitullë të gjoleve të pasosuna, me pjellat e shemtueme raketike e të molepsuna të llumpenit të tyne. Megjithse shkrimet e mija zanë fillë qyshkur isha pedagogjikas e më vonë mësues në Mertur me veprën e hupun në prozën e gjatë “Kulla e Peshqve’’ që i kushtohej lagjes Grall- Mertur ku kam jetue asokohe, tashma ai vend asht zhduk nan ujnat e liqenit të Komanit. Në qendër libri kishte të zotin e kullës së gdhendun që po bahej kala peshqish e nji ditë e nxorën plakun nga pullazi me rrasa guri polumbaret e liqenit kur ujët po ia mbulonte çatinë e katit tret të saj. Ai donte të vdiste bashkë me kullën e tij dhe nuk pranonte tua dorzonte peshqve. Pa kullën nuk e shikonte dot jetën. Ma vonë si student me vëllimin poetik të pabotuar ’’ Mushtzemre’’… Pa përmendun shumë pjesë teatrale, drama dhe dramatizime të transmetuara e të patransmetuara nga radio Tirana. Fillimi i mbarë i krijimtarisë time poetike përkon me lirinë, me kohën pasrënjes së diktaturës. I pari libër poetik, “Lulet e Ksenit”, u botue me 1997 duke u pasue shpejt e suksesshëm nga vëllimet poetike, “Dashuri të Pashijuara’’ e “ Honeve të Askundit”. Vazhdimi me kundraromanet i përket hymjes në hapat e parë të mivjeçarit të tret duke përjetue vizione të reja të frymës së re të postmodernizmit, metaforikave dhe simbolikave të dukshme e të padukshme, që jo krejt rastësisht në krijimtarinë time në poezi fillojnë me Lulekseni e Dashuri të pashijuara dhe ecin për në Hone e në askund… kurse në prozë u nisën me Engjuj pa qiell, e turrshëm bashkudhëtojnë me Vjellagjolas, e Trushurdh, me maja, gjurma e rrugë të dukshme e të padukshme të mitrave të ngrime të ajsbergve që shpresojnë brenda e jashtë vetes gjithnji me parandjenjat hyjnore të oazeve të shpirtrave që mundin shkretinat e jetës. Arti i të shkruarit si çdo art tjetër asht mbi të gjitha thelbi e esenca metaforike e sendeve e fenomeneve por ky thelb tash e tutje asht e do të jetë pafundsisht objekt primar edhe i gjinisë ma të re letrare të kundraromanit që shpaloset me shfaqjet reale të pranive të tij. Shpesh në hapat e para të rrugëve të reja kolegët e sinqertë të japin kurajo, shpresë, të stimulojnë e të entuziazmojnë, kjo më ndodhi edhe mue fillimisht me letrën dashamirse publike të shkrimtarit e poetit Astrit Hajdini për kundraromanin Engjuj pa Qiell, me titull…Përshëndetje e sinqertë prej kolegu, ku mes tjerave shkruhet, Në kundraromanin “Engjuj pa qiell” tradita e mjegullës nuk lejon asnjë reformim. Ajo shtyp e izolon pa mëshirë, turbullon vështrimin e mendimin, i shëndrron Engjujt në tokësa… zvarranikë…. Kundraromani si art i veçantë i fjalës ka prioritet të keqen, të shëmtuarën, e të përbindshmen në tansi ai asht nji kultesencë mendimesh e idesh që nuk mund ta kuptojnë vehten jashtë teorisë së Ajsbergut artistik të fjalës së lirë që si shtrirje e gjanë, me forcë horizontale dhe vertikale na len me kuptue përveç të tjerave faktin se universet e vlerave artistike nuk janë murana të ngurrta, relike të tymosuna, kacola pa vadë, tymënaja stine, berdhok llumi e shterpsish, as stoli të vdekuna… por gjithësi, universe e infinite të plota andrrimesh, ku natyrat e shpirtrat me sisteme të gjalla ndjenjash, gravitetesh, diejsh, yjesh, ylberesh e rruzullimesh të pafundme dritzojnë misteret hyjnore të fjalës. Njeriu e arti lindin bashkë si çdo energji, forcë, regres e progres, i mitrës së instinkteve e frymës jetike të geneve të pakushtzueshme. Letërsia e artet pa simbole, alegori, metafora, krahasime, teza, antiteza, ajsberg, kodfjalë, matanfjalë e mjete të tjera funksionale figurative e artistike nuk janë gja tjetër veçse artifice e zhargone të banaliteteve e randomtsive të jetës së përditshme. Ligjet universale të natyrës e jetës kanë dëshmue e vërtetue se çdo gja ka brenda saj të kundërten e vet, ngarkesat pozitive e negative që nga thermiat ma të imta, grimcat e padukshme e të pakapshme nga syni me protonet e neotronet ku vetë jeta me bashkekzistencat, ekuilibrat, gravitetet dhe seleksionimet mohuese, pohuese e mbijetuese nuk varen nga ne por neve mund t’i zbulojmë, t’ i njohim, t’ i zvoglojmë e t’i bajmë ma të dobishme efektet e tyne xhungëlore, grryese e shkatrruese për individin e shoqrinë njerzore në tansi. Veprat e mia nuk historizojnë rrfime të drejtpërdrejta banale salduese as nuk janë pasqyra kronologjike ngjarjesh, ndodhish, as dëshmi të modeleve të politizueme të nji stine, fushate a kohe, shabllone në rrethana të orientueme a të paracaktueme por thelbi dhe esencat e jetës që vetlulojnë brenda ngjizjes ajsbergale të ashensorëve individual e shoqnor me përmasat simbolike të fjalës. Kundraromani shpreh e parashtron jetën dhe historitë e saj me synin e alegorisë, metaforikës e simbologjisë. Arti nuk njeh kufij, madje i heq e i zhduk ata me neveri, pa mëshir si pengesa që i dalin në ecjet dhe fluturimet e tij universale. Qiejt e artit janë të pafund si qiejt e universit që gjithnji afrojnë të rejat dhe misteriet e veta të dukshme e të padukshme. Fuqia e artit të fjalës vetkrijon burime vlerash e horizontesh të frymës së pakufizueme e të pashueshme të humaniteteve ideale të botës njerzore. Magjitë e profetsitë e frymës hyjnore të këtij zhanri të ri artistik nuk alternojnë zhdukje, përmbysje as eleminime por duke zanë vendin që i takon në sofrën e fjalës si kundrshtar synon largimin e artit nga grafomania, dogmat, shabllonet, stampat, plagjiaturat e mediokritetet, parafabrikatet e formatet e ngrira kurrizpeshku si në esencë e në shfaqje, si në formë, thelb, në dukje e përmbajtje. Zgjimet e reja të besimeve tek roli psiqik, terapik e shërues i artit të fjalës në psikozat, ankthet e neurozat e reja që në forma të ndryshme krijojnë kudo ato frymëmarrje shpirtnore që lidhin qiellin andrrues individual e shprestar brenda shoqënisë me botën ideale e humane të përjetimeve njerzore. Historikisht kurdo njerzimi e ka çmue dhe vlersue mbi çdo gja fjalën e kodfjalën e rrallë të bukur e të lashtë sa vetë gjuha e folun dhe komunikimi njerzor kur thotë shprehjen, ”… Nga del fjala, del edhe shpirti”… Përdoruesit e gjuhëve vërtetë prodhojnë dhe e ruajnë gjuhën si mjet komunikimi e jetese por krijuesi përveç kësaj vlere edhe sharton, sheston e rikrijon kode e fjalë të reja duke rishfaqur botët e saja qiellore, hyjnore, komplekse e universale. Arti kurr nuk ka kenë as nuk di të jetë siç thonë disa produkt i ”mashtrimeve, rrenave. pseudobesimeve, maskave, demagogjive, fallciteteve e sikureve…” por shkalla siprore e ndjenjave të sinqerta, ku flenë e zgjohen papritur vullkanet e ndërgjegjsimeve e betimeve të thella bindse që gjithnji me frymën intujtive të mënyrave të veta udhtojnë e orjentojnë si busullat andej nga gjendën të vërtetat jetike dhe pavdeksitë e tyne. Ashtu si jeta me rrugët e pashkeluna edhe letërsia asht nji formë mbiqënsore eksperimentesh që kurr nuk duhet të na trembin nga dështimi eksperimental, pasi edhe ai vetkrijon vlerat e veta. Përsa i përket Kundraromanit që përmbush Trininë me titullin “ Oazi që mund shkretinat…”, asht nji simbolikë komplekse artistiko-filozofike me bashksi fantazish e reagimesh popullore ku gjallojnë, veprojnë e mbijetojnë ato bartje e vese njerzore mjerane që pranojnë maska e që bahen gjithnji viktimë dhe pjesë e verbrisë së rrugëveqorre ku e drejtojnë botën e zhvillimin njerzit trushurdh të kohëve të vetmolepsuna nga traditat e ndryshkuna të trashegimit të trushurdhsive. Padukshmëria e sendeve asht shpesh veti e gjanave të fshehta me kode sekrete kudo e kudoherë të rrezikëshme me mosdukjen e tyne. Për të krijue e jetue ferrin e vërtetë të territ të jetës mbi tokë nuk duhen djajtë as të bijtë e tyne, lugatët, lutsiferrët, shtrigat as vampirët por mjafton që botën tonë me ardhmënitë e saja tua besojmë trushurdhve, ndërtuesave të Xhunglave të reja e Ferreve të padukshme të shoqërive njerzore. Këto tri vepra unikale të kësaj gjinie të re dëshmojnë se ashtu si arkeologu që nga nji relike zbulon nji qytetnim, ashtu si anthropologu që nga nji falangë a gjymtyrë formson njeriun, epokën e zhvillimet e tyne, ashtu edhe shkrimtarit i mjafton pluhuri, fryma, gjurma e grimcave të nji gojdhane…të cilën edhe kur nuk ekziston vërtetë ai e vetkrijon të re….krejt ndryshe nga dy të parët të cilët vetëm zbulojnë me ligjësi natyre por nuk krijojnë asgja të re. Në këtë botë të shkurtë e të përkohëshme vetëm shkrimtarët e artistët, krijuesit e vërtetë të artit kan fatin e liçencës hyjnore që vetpërjetojnë e krijojnë misterien gojdhanore të “Kalimit të Ylberit” e magjikisht të vetshndrrimit fisnikërisht të mitrës e gjinisë natyrale të tyne duke vetlind vepra e vlera të reja me spermatozoidët e vetvetes!?… Letërsia i jep shpirtit të krijuesit krahë me fluturue në planetet e viset andërrimtare të hyjnive, ku vetmia, liria e ndjenjat janë të vetshpalluna perëndi e të prenueme prej tyne si të tilla. Ma hollsishtë për kundraromanin në tansi dhe zhanrin e tij të veçantë asht shkrue në esenë me titull, “Kundrat dhe Kundraromani…” botue në gazetën Tribuna në Athinë dy vjet pas daljës së kundraromanit “Engjuj pa qiell” dhe rifreskue pak ditë para botimit të kësaj vetpërcjellje. Aty asht spiegue edhe enigma e paramendueme e fenomenit artistik “Lipi” ose mungesa qëllimore ku autori fton lexuesit në plotsimin përjetues të veprës, fshehtësitë intujtive, simbologjitë, shumëkuptimet apo nënkupimet e ajsbergët metaforik të tyne. Vetë arti ka kenë e asht nji “Lipi” a nji mungesë gjithnji në plotsim e në përsosje të vetvetës. Sikur të shprehesha me nji postulatë të vetme për brenditë e tre kundraromaneve të mia do të thosha me sinqeritet të plotë se…”Në brenditë e këtyne veprave asgja nuk asht reale jetike, as e vërtetë praktike, por edhe asgja nuk asht mashtrim, saim rrenash, prrallë, maskë, demagogji, lustër as genjeshtër… Vetëm ”Syni i tret i krijuesit” që jeton e përjetson rruzullimin e dytë të nji bote tjetër, lind artin e magjitë e vlerave të vërteta të tij siç na mëson kryegjeniu i letrave At Gjergj Fishta kur flet “Mbi zejën e fjalës”. Ideja e disa lexuesve se në kundraromanin Engjuj pa Qiell, bijen në sy rryma të tensioneve të nalta, kontakte e djegie energjish rrufetare, llava vullkanesh e mbingarkesa cunamesh… mendoj se janë teza e enigma që duhen studiue… Letërsia përveç të tjerave duhet të ndikojnë vetvetiu në krijimin, zhvillimin e vaksinimin permanent të antikorpuseve pozitive, rrezistencave e imuniteteve ndaj të kqijave të jetës në tansi. Shndrrimi i fjalës në energji të brendshme dhe depërtimi në thelbet esenciale të qenjeve, sendeve e fenomeneve nuk mund të arrihet me dogma të thata shabllonesh duke prek, puthë, përkdhelur e ledhatue shtresat empirike, cipat, koret e membranat sipërfaqsore të shfaqjeve të jashtme por duke sondue thellë në zbulimin e ushqimit të rrajve embrionale të mekanizmave shkak-pasojë, të graviteteve e kundërshtive vepruese në traditat dhe botën ku fshihen esencat e energjive të padukshme e të dukshme me të gjitha bashkëveprimet e tyne universale… Çdo krijues kushdoqoftë në çdo vend apo kohë që nuk e përdorë mjaltin e fjalës dhe zeherin e saj, forcën, fuqinë, mjeshtrinë e magjinë e artit të tij për të kundërshtue me të gjitha mjetet, mënyrat, format e metodat më të keqën shoqnore dhe efektet e pasojat e saja ai nuk ban gja tjetër veçse penën e tij e ngjyen në haletë e veta dhe ”maskat e haleve” përpiqet t’ i shesin si hallvë morte… Asgja e askush në këtë botë nuk e zavendson, as nuk e kryen ma mirë e ma me natyrshmëri jetësore terapinë universale të shpresave mbijetuese sesa arti i vërtetë i shpirtit e mendjes së lirë… Biblioterapia dhe “Farmacia kulturore” rritin vlerat e panjohura të këtyne lloj terapive. Në këtë çast më thërret në mendje detyrimi për nji falnderim mirënjohje për studiuesen Zamira Matoshi jo vetëm për Engjujt e Guximshem që ajo kërkon të çajnë mjegullnajat e letërsisë, por sidomos për konstatimin e risisë së fenomenit artistik të “Morgut të Kujtesës” në shkrimin e saj, Ikja e Bletve, morg simbolik i nji lloj të veçantë ku autori siç thotë ajo, kishte futur për të ruajtur “Diellin, lulet, pranverën…” Morgkujtesë nga ku dolën shumë shkrime, poezi, krijime e vlera të tjera të ndjeshme, e sidomos Morgrfjalët e Mbijetueme… që do të përmblidhen e do të dalin në dritën e botimit në nji libër simbolik më vehte… Veprat e mia fatlume në prozën e gjatë të kundraromanit duke shqyer errsinat e ferexhetë e kohnave mortale të jetës afirmojnë embrijone të reja të botës në progres, siç thotë krijuesja e mirënjohun Adelina Balashi në studimin e saj… Shkrimtarët – gjeneralët e veprave të tyne, ku zbulon veç tjerave efektet e frazës simbol, tabllo, mozaik e pejsazh ndryshe nga ajo klasike e shkurtë e drejtpërdrejtë e cungimit standart kryefjalë, kallzues e kundrinë. Theksi i saj se Tiranitë e diktaturat të çdo lloj qofshin gjithnji kan synue e synojnë shndrrimin e njeriut në qenje, në frymor, në kafshë, e pastaj e përdorin si të duan për interesat e tyne. Ky fenomen jetik bahet prototip artistik te Engjuj pa qiell, dhe përcaktim i sakët i saj më duket se përban nji risi… kur flet në mënyrë paralajmëruese për fenomenin simbolik të maskuar të ’’mjegullës sheqerosur’’ që rrezikon në çdo çast shoqëritë njerzore e ardhmërit e tyne. Kujtoj gjithnji me konsideratë të lartë eprore ESENË e Vasil Vasilit me titullin… ‘’Kundraroman në mekanizmin e legjendës’’, ku spikatë analiza e thellë e kundraromanit si stil, formë, estetikë, strukturë e gjini e re letrare e artistike. Po kështu shkrimet e analizat e plota të Iliaz Bobajt, Njerzit e nënmjegullës. Zamira Matoshit, Mjegulla në letërsinë shqipe duhet çarë nga engjuj të guximshëm. Thanas Boçit, Në kërkim të veçantës etj…etj… Nuk mund të la pa përmend dedikimin e veçantë me titullin, Dy pllëmb qiell je larg nga Zoti, të poetit Nikoll Ulndreaj i hedhun në internet në vend të nji komenti për poezinë time,- Ku je ti moj Lulebore… Po kështu dhe studimet e P. Lolit e A. Bashës me titujt, Vargmalet e dhimbjes dhe Motive estetike në poezinë e Ton Zmalit… Duke fillue botimin në prozë krejt rastësisht në hymje të mijëvjeçarit të tretë, nën klimën e përshtatëshme të lulzimit të lirive e të nji fryme të re të rymave të postmodernizmit ku ajsbergu i fjalës e simbolikat moderne ralizojnë, jetsojnë e dëshmojnë ruajtjët, përsosjet e zhvillimet metaforike të energjive e thelbeve të brendshëme të esencave, vitaminave, majave të traditave siprore gjithëkohore të zhvillimeve të patjetërsueshme. Në vetvete “Trinia e kundraromanit’’ i thyen klishet, pasqyrat, modelet e kornizat, ai asht nji udhtim i ri i lirive të fjalës nëpër galaktika e tunele andrrimesh za panjohuna kundër të gjitha vegimeve dogmatizuese, politizuese, mediokre, folklorizuese, etnizuese, historizuese e moralizuese… etj. Më duket interesant, i gjetun e me shumë vend nji përcaktim i poetit Besnik Sula se në Trininë e këtyne veprave të kundraromanit lëviz esencialisht i plotë e i natyrshëm trinomi rebel e kompleks Njeri, Shoqni, Ideal…. Shkrimtari duhet ta thotë fjalën e shpirtit të lirë, edhe pse veshët e mendjet shpesh janë shurdhe, le ta ndigjojnë tullat…muri…toka…guri… dhe pse kokat e mjera shpesh në tru kan kocka, populli nuk thotë kot… kur fjala zemër e dashni ka, edhe malet i çon hava, edhe diell e detë brenda i mba, edhe gurët i ban kala e mbikala… edhe sytë e shpirtrat i ban me qesh e me qa… Janë poetët, shkrimtarët, artistat me misjonet progresive universale të tyne që ngjasojnë plotsisht me oazet e pikërisht me ato oaze që mundin shkretinat… Pozicioni kërkimtar prej Kolombi, Magelani, Miçurini, prej kozmonauti e mikrobiologu ka randësi të jetë gjithnji moto e çdo krijuesi pavarsisht se zbulon Amerikën apo Indinë, Ishullin e andrrave apo Planetin e të dashuruarve. Përzgjedhja nga vetë evulimi e seleksiomi natyral i vlerave krijuese gjithnji afron mbivlerat e vërteta mbijetuese e jo kurrsesi mjegullat errsuese të fallcitetit byk, myk e llum me shabllone e mediokritete, imitime, kopjime, imponime, plastifikime, maskime, dogma të sajuara apo gjurmime fotokopje e shaptilografike të trashëgimit formal… Nuk due të largohem nga kjo përcjellje shpirtnore e Trinisë së Kundraromanit pa falnderue mbi të gjitha të madhin Zot dhe frymën energjike të natyrës së tij universale kristjane, që më dha liri, jetë dhe mundsi dalje nga morgu i fjalës ndaluar e botimin e tri kullave unikale, binjake e paralele të fjalës poetike; “Lulet e Ksenit”, “Dashuri të pashijuara”, “Honeve të Askundit”, si dhe në prozën e gjatë Trininë rrokaqiej të kundraromaneve, “Engjuj pa qiell”, “Jeta e Vjellagjolasve”, dhe “Oazi që mund shkretinat…”. Kundraromani që mbyll tani për tani Trininë e kësaj gjinie letrare i jepet në dorë pa asnji koment sqarues, gjykatës hyjnore të lexuesve në vazhdim të kësaj vetpërcjellje modeste… Jam i vetdishëm e i ndergjegjshëm për nji mungesë (a boshllek të thjeshtë nëse mund të quhet i tillë), që do kishin këta rreshta në mbyllje pa shprehjen e shkëputun nga parashikimi i rrallë intuitiv, spontan e largpamës i studimit të parathanjës së librit poetik “ Honeve të askundit’’, Primo Shllakut me titullin “Hymje në shpinë poetike të Ton Zmalit”, ku mes të tjerave profetikisht thuhet shprehja…
-Të gjitha rrugët të çojnë në tamth…. Vërtetë gjitha autopsitë, biopsitë, sintezat, analizat, skandrat e simptomat e helmeve pa fre të plasjes së zorrësqorre dhe çarjet e llahtarshme të tamthit të jetës kan ndodh natyrshëm e dhimbshëm në korpusin poetik dhe në Trininë e kundraromaneve. Eja lexuesi im i dashtun së bashku të ecim nëpër shtigjet, monopatet dhe autostradat e dashurive e dhimbjeve të thella të kësaj bote jetike, artistike, njerzore e absurde ku sytë e shpirtrat si skelete mumje ciklopësh me stalaktide të vjetra e të reja loti bashkudhtojnë për atje ku gjithnji, “Të gjitha rrugët të çojnë në tamth”… Atje ku gjithnji, “Të gjitha rrugët të çojnë në Kundraroman…” Atje ku gjitha rrugët sado të kamufluara qofshin, nan oqeanet e mjerimit e mizeries përsëri brenda tyne në çdo pikë ujë, atom e qelizë mbijetese lundrojnë të duksheme e të paduksheme oksigjenet e jetës me Oazet që mundin shkretinat, si brendsi ajsbergale të fateve, shanceve, shpresave e andrrave të pavdekësive të shpirtnave njerzor… Për mbylljen e kësaj vetpërcjellje të thjeshtë, simbolike e mirënjohse nuk di pse mu kujtue thania e bukur e Italo Calvinos që më ngjason tamam si nji kapak hermetik florini, “ Në universin e pafund të letërsisë gjithmonë hapen rrugë, shumë të reja ose shumë të vjetra, për të zbulue stile dhe forma, që mund të ndryshojnë imazhin tonë për botën…’’

Autori i Trinisë së Kundraromanit shqiptar
(Kundraromani 1 – Engjuj pa qiell,
Kundraromani 2 – Jeta e Vjellagjolasve,
Kundraromani 3 – Oazi që mund shkretinat… )

Poeti, Shkrimtari e Studiuesi
TON ZMALI

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s