Cikel poetik nga Lida Lazaj / Shkëputur nga Vëllimi poetik “Gishti i dheut te dhembshur”

 

lida portret

Cikel poetik nga Lida Lazaj

Shkëputur nga Vëllimi poetik  “Gishti i dheut te dhembshur” 

 

 

 

Nga përshtypjet e një dite

 

Pas një mbrëmje çaji në Kioto
këndellur në ujrat e kaltra të syve
dhe frushullimat e stinëve
në palat e kimonos së një gejshe
aromat entusiazte të shpirtit
treten si fjollë e hollë oksigjeni
në ajrinë e pa shpjegueshëm të qytetit

Në rrugën e vitrinave llamburitëse
qarkohem nga gjymtyrë
e kurme hollake manekinësh
njohës të mirë të luhatjes së bursës,
temperaturës së dëshirave
dhe hollimit deri në shpuarje
të astarit të xhepit,
luajnë me shpejtësinë e dritës ofertat
‘Skonto, këste, paguaj një e merr dy”
e gati më mbushin mendjen
se mizuage* s`është veç mani bestsellerësh
por dhe tendencë veshjeje.

Bishti i dragoit të verdhë
mbret i mjerimit të kuletës
si obi* më shtrëngon fytin
dhe m`a bën të pamundur
një regëtim dëshire
për një veshje të virgjër.

Nën vështrimin ironik
të flokëve dhe qerpikëve sensitivë të manekinëve
largohem me kokën plot dilema
“Vlej a s`vlej sa një gur karfice
Në kokën e një gejshe?”

*Mizuage-japonisht-virgjëri
*obi-aksesor i veshjes së gejshave

 

 

 

Metamorfoza e Semelies*

 

Ka dalë nga misteri i kështjellës së drithërimave
lakuriq konkurron
në ankandin e përditshëm
të vogëlsirave, të një çasti të mjerë.

Fusha e ndjenjave po i ngjan
mbjellë me shkurre e hieroglife
gjeografia e kurmit: male e brigje
rrugën për në shtëpi s`e gjen asnjeherë.
*Semelia-hynesha e drithërimave të zemrës.

 

 

 

Pavdekësia

 

Sikur të mundte i gjithë kopshti i mollëve
do fluturonte përtej malit
për t`i shpëtuar dhëmbëve të acartë të brymës
që sulmon natën tinëzisht

Mundën veç kokrat
të ëmbla, të buta
të heshtura, të urta
si vajza të përkora
rreshtuar në kofina qetësisht

Ditë e net`
Ëndërronin pavdekësinë…
…kur një mëngjes mbi faqen e kuqe
të më të bukurës mollë
përdhridhej një krimb sa një gisht.

 

 

 

Tersi dhe miqtë

 

Me esencë trëndafilash
më dehu, më vuri në gjumë
si uji nën rrogoz më hyri në zemër
ma shterri lëngun, kockën m`a griu

Tashmë jam shëruar
por trishtohem për miqtë
prarimi i diellit në ballin tim i ka verbuar
me krizantema në duar
rropaten fytyrës sime,
të s`gjejnë fosile tersi.

 

 

 

 

Kurorëzimi

 

Kur trajektoret e dy kokrrizave humane u takuan
një kohë prej njëqind vjetësh u desh
për të qëmtuar çdo milimetër të rrugës së tjetrit
çdo fije bari
çdo gllënjkë e gëlltitur çaji
me nënnjësinë e mililitrit
u peshua lëngu i trurit të paraardhësit

Mandej
në një thes(ar) mbledhur
thëngjijt e fikur, viruset, eshtrat
kurorëzuar për rrugën e mbetur.

 

 

 

 

Miqësia

 

Godinë fjalësh ndërtuam ne të dy
Gur dlirësie unë, llaç të sinqertë ti.

Një orë bla-bla-bla e ngritëm në hava
Të bukur mbresëlënëse, të fortë si kala.

Kur do shtrëngonim duart “të rrojë miqësia”
The “prit, të hapim ca brima hapësira”

“Kur fryma të na meket, të fryjë thëllim
I mbush un`një nga një me mall prej thesit tim”

Gur e llaç rrokopujë, u shemb e mira vepër
Ylber ish miqësia, si duhej ngjyrë tjetër.

 

 

 

 

Mure

 

Ulurima e ujkut të përrallës
nga dimrat e bardhë të fëmijërisë
na ndjek pas me vitet

Shurdhuar
se ndjejmë rënkimin e dheut
kur e masim me milimetra
dhe i ngulim sinoret.

As guflimin e lëngut klorofilik të kumbullës
që çel përtej gardhit
dhe petalet i shkund në kopshtin e fqinjit

Themelet e ndryshkura të mureve
dhe frikës prej ujkut të përrallës
ngulur në koka thellë
lëshojnë metastaza hekuri e betoni
sikur nga çasti në çast
do na mësyjë një hordhi jeniçerësh.

 

 

 

 

Miku i rremë

(Variant i ri i përrallës së vjetër)

 

Nën kreshtat me borë
Gurgullima ujrash
Virgjëri flladesh.

Në portën e gjelbër
Zëlëmuar si i miri mik
Troket një dorë.

Pëllumbi i bardhë
Shpirtin e paqtë
I shtron në sofër.

Në nofullat e pabesisë
Veten e sheh
Puplat e bardha të gjitha në shesh.

Në lugun e përgjakur
Mes përmes kraharorit
Zhgërryhet horri, tallet e qesh.

Fsheh thonjtë e krimit
Nën mantelin qytetar
“Mik orëvuar*”.

*Orëvuar-frengjisht.Mirupafshim!

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s