Himn për duart / Nga Vjollca Koni

Himn për duart

 

 

vjollca koni

Nga Vjollca Koni

 

Të flasësh për duart e sidomos të shkruash për to, nuk të mjaftojnë faqe të tëra, në mos edhe më shumë, sepse kur veprimet e duarve gërshetohen me ato të mendjes, dalin mrekulli të vërteta.
Por tani dua të merrem vetëm me shtrëngimin e duarve, që, në kontinentin tonë e kanë zakon dy popuj – ne dhe francezët. Edhe gjetiu haset, por thjesht si dhënie dore, jo si shtrëngim. Ndryshimi është thelbësor: dhënia e dorës është përshëndetje ose ngushëllim, ndërsa shtrëngimi është premtim, fjalë, besë. Dora jepet më shumë se një herë në ditë, jo vetëm për të mirë, gëzime, urime, por edhe në fatkeqësi.
Por ka të dhënë e të dhënë të duarve. Këtu do të ndalem pak. Mendimin tim mund ta pranoni ose ta kundërshtoni. Edhe në këtë pikë secili ka kokën e vet. Jo rrallë dëgjojmë të thuhet se, “kur takova filanin apo filanen, mezi ma dha dorën, madje vetëm gishtat”. Ose: “ai (ajo) më parë e tërhoqi dorën, se sa ma zgjati. Sikur do t’ia haja!”
Në raste të tjera, veshi na ze shprehje të tilla: “Desh ma këputi dorën… nuk po ma lëshonte, gati-gati sa s’ma mori me vete… ma mbajti dorën gjatë në të vetën…”.
Ka edhe kuptimin e ndihmës në situata të vështira: “I dha dorën” ( E nxori nga halli).
Le të kalojmë nga dhënia, në shtrëngimin e duarve. Përditë nga ekranet, radiot e gazetat na kumtohet se aksh politikanë shtrënguan fort duart. Për mua, në shumicën e rasteve të tilla jemi larg shtrëngimit zanafillor, që, siç e thashë qysh në fillim, e kemi ne dhe francezët. Ah, po! Edhe shtrëngimi i duarve midis atyre që janë në gjak është i barabartë me: “Fjala një, Zoti një!” Megjithse, siç kanë ardhur kohërat, edhe aty duhet t’i bëjnë sytë katër, se mund të shtojnë rreshtat e kronikave të zeza.
Dashur pa dashur më duket se u futa pak në politikë. “Fajin” e kanë duart, se këtë fushë nuk para ma ka ënda. A, po qe se ndodh që nga një shtrëngim duarsh te lindë një dashuri, ndryshon puna! Përderisa është vërtetuar që njerëzit mund të bien në dashuri me shikim të parë, pse të mos ndodhë kjo edhe pas një takimi duarsh? Natyrisht nuk bëhet fjalë për çdo lloj qeniesh, por për ato me duar të ndjeshme, elektrizuese.
Por ndodhka të të zerë qymyri edhe me dikë që nuk e ke parë apo takuar asnjëherë. Këto raste, që unë i përfytyroj tejet të rralla, janë shumë të bukura sepse ushqehen aq shumë me ndjenja, saqë kur të dashuruarit shihen, edhe po të jetë njëri vampir e tjetra shtrigë, nuk do t’u bëjë përshtypje fare. E para gjë e shumëpritur që do të bëjnë është shpalosja e ndjenjave dhe, në ekstazë e sipër, do t’u duket vetja mister e miss bota! Kjo sa për humor!
E, pra, nuk paska rëndësi si merr fill dashuria, por si ta mbash gjallë sa më gjatë këtë ndjenjë të fisme dhe njëherazi fisnikëruese. Kjo bëhet më e besueshme nëqoftëse ekziston ndonjë Zhulietë. Do të pyesni ju: “A ka edhe Romeo?” Edhe mund të ketë, por kam përshtypjen që ka më shumë Zhulieta, meqënëse janë më të brishta e më të ndjeshme.
Nejse, desha s’desha i futa “hundët” edhe në këtë fushë “të minuar”, paçka se nuk e mbaj veten për eksperte. Por edhe këtu duart më çuan se janë pikërisht ato dhe vetëm ato që përkëdhelin e që shkruajnë gjëra të bukura.
Po kur thonë “ai, ajo i ka duart flori”, apo “ç’i shohin sytë, ia bëjnë duart”? Por ndodh edhe që ai (ajo) ka dy duar të majta. Kjo merret në dy kuptime, se nuk duhet harruar që ka edhe nga ata me duar të majta që bëjnë mrekulli!
Unë e jap dorën në mënyrën që ndiej, se tani kanë ndryshuar gjërat. Më parë nuset e reja kur martoheshin do të bënin temena, siç thuhej, – mbase kjo ka mbetur ende ndokund si traditë, – dhe donin s’donin do t’ua puthnin dorën të tjerëve.
Njeriu ka shumë mënyra se si ta shpalosë mirënjohjen e tij. Ca më shumë dashurinë, edhepse mund ta paragjykojnë. Unë jap shumë dhe po aq shumë marr. Nga marr, do të doni të dini ju. Unë marr shumë dashuri nga ata njerëz që koha duart e tyre aq të bukura dikur i ka shpërbërë në duar të dobta dhe damarët e tyre duken sikur kanë zënë vend mbi lëkurën e duarve të venitura e që duken, si nuk po e them dot se ndjej dhimbje. M’i puthin duart aq herë në ditë sa detyrohem ta mbush xhepin e përparëses së punës me doreza për t’u lënë vend që të m’i puthin duart e t’i ve prapë. I dua e mendoj që ndoshta të nesërmen nuk i gjej më ose nuk shkoj më. Duke mos harruar që të gjithë do ta bëjmë atë rrugë, duhet të tregojmë shumë kujdes për atë moshë, që është më delikatja.
Pra, më e rëndësishmja nga të gjitha është që dora të jepet në mënyrë që të transmetojë emocion, dashuri, ndjenjë, besim, optimizëm, guxim…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s