Metamorfoza e artit te Haxhi Kallucit (Shënime për poezinë e Haxhi Kallucit në librin “Kollare akulli”) / Nga Fatmir Minguli

 

img_2792-kollare-akulli

 

Metamorfoza e artit te Haxhi Kallucit

(Shënime për poezinë e Haxhi Kallucit në librin “Kollare akulli”)

 

 

Fatmir-Minguli

Nga Fatmir Minguli



Kur  lexon librin e dytë me poezi “Kollare akulli” të skulptorit Haxhi Kalluci dhe pasi je njohur mirë e bukur me librin e tij të parë poetik, mendja të shkon në një pyetje. Ç’profesion ka Haxhi Kalluci?
Që t’i përgjigjesh kësaj pyetje duhet të mësosh se ai lëviz midis skulpturës, mësuesit, poetit, këngëtarit të apasionuar, udhëtarit të pa skaj,puthësit të duarve të prindërve, motrave e vellezërve të tij, atij që i këndoi si asnjë tjetër jetës së një lofate, tek rri e qetë aty në buzë të rrugës.
Vetëm  tani mund t’i përgjigjesh pyetjes së mësipërme. Dhe përgjigja është se ai zotëron profesionin e optimistit.
Edhe libri i dytë i Haxhi Kallucit, është pjellë e talentit të tij prej artisti por dhe optimizmit që ujdis artin e tij të gjithanshëm.
Pas uverturave të Moikom Zeqos, Xhevahir Spahiut dhe Petrit Nikës, lexuesi do ndjekë me kërshëri pjesët koncertale të një mozaiku  të gjallë të botës shqiptare, në kapituj kuptimplotë me emra si “ hingëllima, trokëllima”, “Trungfiliza”, “Shpirti i instrumentit”, “Kollare akulli”, “Tirr moj merimangë”, “Terr mbi Tomorr”.
Kudo ai ndërhyn me instrumentin magjik të shpirtit të artistit. Ka ndërtuar një arkitekturë të poezisë, një arkitekturë që bazohet në autorrëfimin shpirtëror jo vetëm poetik.
Prandaj nëpërmjet akrostikave dhe onomatopetesë strukturon mendimin poetik ku vargjet janë katet e shpirtit të vetë poetit. Shpirti i poetit është lëngu lidhës i godinave poetike te paraqitura në” Kollaren prej akulli”. Edhe pse i quan shumë poezi akrostike dhe onomatopeike, ai ngren njëgodinë të re me lartësinë e iktusit.
Godinat-poezi, gjithsesi nuk janë ashtu të ngurta por të lëvizshme , që ndryshojnë vëllim por jo ngjyrë, që zmadhohen përkohësisht e për tu rikthyer të mbushura me ajrin e fushave të Myzeqesë, kujtimet e Skraparit dhe imazhet e Baba Tomorrit hyjnor.
Po të përdor pak vargje të Haxhi Kallucit do thoja se poezitë e tij janë vello gjithfarëshe, që veshin skulpturat e tij të bukura. Nuk janë vetëm vellot e breshërit por janë dhe tiset e mjegullta tëardhura nga fushat e pamata të asaj krahine, janë dhe vellot e reve që vinë që prej Tomorri, janë dhe vellot fonike të këngëve që këndon Haxhiu me shumë shokë e miq.

Poezia e librit “ Kollare akulli” është një ngritje vertikale dhe një hapje horizonatale. Ka ndërtuar ngjitjen vertikale duke konstruktuar obeliskun e stilit të tij poetik të personalizuar. Ka bërë hapje horizonatle duke i tejkaluar kufijtë e truallit të vet, duke prekur skaj më skaj tokën e tij dhe duke  ularguar   edhe deri në Lindjen e Largme.

Janë këto dy veti të poezisë së Haxhi Kallucit që bëjnë të kuptosh lojën e tij të kryqëzimeve të ideve e stileve ku subjekti i bën karshillëk formës dhe e kundërta. Në se me librin e parë Haxhi Kalluci erdhi me poezinë gati lineare , në këtë libër të dytë ndihen shpërthimet e aromave të fushave e kodrave të Myzeqesë, aroma që ndërthuren ashtu si papritmas me imazhet hyjnore të Tomorrit e të misterit të  gjurmëve të Abaz Aliut.

Metamorfozat që pëson arti i Haxhi Kallucit janë të bukura sepse ato kombinohen në mënyrë automative, sikur bëhen pakuptuar, por që janë të lidhura me fijet e një talenti të lindur. Të kombinosh  artin e skulpturës me atë të poezisë dhe me artin e të kënduarit vendshe, nuk duhet të jesh patjetër mag. Arti i Haxhiut është në metamorfozë të pandërprerë, një zinxhir ndryshimesh, hamëndjesh, kapje çastesh e meditime pa fund. Vetë poezitë e shkurtra e  me vargje të shkurtër e me fjalë të thjeshta janë një model i këtij transformimi të pandërprerë.

Poezitë  janë plot vrull, kryeneçe dhe herë herë të”paturpshme”. Janë të shkurtra, a thua se kërkojnë të thonë se janë kompozime të çastit e poeti nuk ka patur kohë të stërgjatet e të stërgjatet, janë fragmente muzikorë të një meditimi sa poetik aq dhe shpesh të thjeshta fare. Ka të drejtë që shkruan kështu sepse lofatat që i rriti me shumë mundim në librin e parë tashmë janë rritur dhe janë të qeta aty  buzë rrugës. Gjithsesi nuk i harron dhe ja  ka kushtuar edhe një poezi të re.

I inspiruar nga arti i skulpturës, poeti bën ngjizjen e frymëzimit në lojën e tij   ngri – shkri me objektet e poezive, i quan ato skulptura dhe bën të pakuptueshmen, duke i dhënë poezisë së tij një lloj misticizmi që ky poet e parapëlqen. Kur i lexon me vëmendje poezitë e Haxhiut të vjen në mendje një përgjigje që një murg i hershëm dha  kur e pyetën se ç’është poezia. Ai u përgjegj: “ Eshtë një mister i pashprehur!”

Duket sikur shtëpia e Leon  Reit, aty në majë të kodrës, përshkruar me frymëzim intelektual nga Kalluci, është një makinë e kthimit në kohë  me të cilën udhëtohet dhe shikon jetën e shqiptarëve përmes mjegullave të shekujve.

Në mënyrë të papritur autori na thotë në poezinë “Kur s’je inferior” :

 

unë,

jam një kryefshatar

ndonëse s’di të vjel,

e s’di të bëj ugarë…

por zotëroj ca sekrete…

 

Nuk është gjë tjetër veçse një autoportret i Haxhi Kallucit.

 

Në faqet e librit “Kollare akulli”, frymon Myzeqeja dhe krahinat rreth e qark, shfaqen muzgjet magjikë që vinë që nga brigjet e Adriatikut, ngjiten kodrave e trokëllimat e kuajve mitikë zhurmojnë e prodhojnë jehona. Kësisoj poezia e Haxhi Kallucit ngërthehet me një romantizëm elegant shoqëruar me një lloj stili të  rrymës minimaliste.

Në kapitullin “Kollare akulli” nga ku buron dhe titulli i librit, Haxhi Kalluci shprehet krejt shpotitës, me një buzëqeshje të butë, pa  egërsi e patetizëm. Tallet me të këqiat që kanë pushtuar shpirtrat e ndryshëm, kushdo qofshin. Ndonëse e kalon lirshëm këtë shpotitje, kjo është më e rëndë se sharja e rëndë apo e bërtitura. Edhe këtu ai nuk ndahet nga profesioni i tij i skulptorit. Kollaren prej akulli ai e çon te burokratët e zyrave si një skulpturë, por duke qenë prej akulli, ajo shpejt kthehet në ujë. Alegoria është e fuqishme dhe e shumë anëshme.

Por në librin e Kallucit ka dhe një dukuri tjetër. Në kapitullin  “Tirr moj merimangë”    ka futur disa poezi nga libri i tij i parë”Në gjumë zura poetët”. Ka përdorur majanë për të ardhur brumi i librit të dytë.

Aspak nuk është një profeci apo sekret i Haxhiut. Ai  e respekton poezinë e tij dhe nuk e lavdëron atë. Vlerësimet e dhëna nga doktor Moikom Zeqo janë tregues kuptimplotë për poezinë origjinale të Haxhi Kallucit.

Midis gjithë atyre arteve që përdor autori i librit, kur ne e dimë se ai ka sekrete në artin e tij, unë them me plot gojën se ai nuk ka thënë  një faktor të rëndësishëm  për një  poet , atë të  sinqeritetit si  instrumentin e tij më të fuqishëm dhe të begatë.

Me këtë libër Haxhi Kalluci ka shënuar një eveniment për poezinë shqipe.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s