Poezi nga Nehat Jahiu / Marrë nga libri “ Të pret malli që na treti”, botuar më vitin 1993

portreti  1 i Nehatit

Poezi nga Nehat Jahiu 

( Marrë nga libri “ Të pret malli që na treti”, botuar më vitin 1993)

 

 

 

KU PO SHKOJMË….

 

…e ku po e lëmë fushën e malin,
dashurinë e mallin,
e ku, ku jemi nisë, ku po shkojmë?
Qyh mund të rrojmë ?!

…e ku po e lëmë nënëloken
dhe tokën,
e ku jemi nisë, ku po shkojmë
A mund të rrojmë?

… e ku po e lëmë dielin
dhe hënën tonë,
në duar kujt po ia lëshojmë…
A mund të ia besojmë ?!

…e ku po e lëmë buzëqeshjen
dhe etjen
për dashurinë tonë,
e ku, ku jemi nisë, ku po shkojmë
A mund të durojmë ?!
Me vete po marrim
veç mallin
dhe emrin tonë e shtrëngojmë fort
të mos na e prishin, të mos na e marrin…
atje ku shkojmë…

 

 

 

MË DJEG MALLI…

 

Më djeg malli për fusha e male
për lulet harlisur nëpër livadhe,
për dheun në maje të Kulishtes,
për ujin e kulluar të Orizishtes.

Më djeg malli për arat te Lisi i Dalipit,
për rrafshinën e bukur të Baçiritit,
për atë malin plak
që pleqtë i thonin Gulak.

Më djeg malli për arat e gjata,
që në fund të katundit i ka livazja,
për ata lisa, lajthi, thanë e krezë,
që qielën përqafojnë në Maje të Zezë.
Më djeg malli për tufën e bortë,
për hijen e ahut prani Kroit të Ftohtë,
për atë vend të bukur te Ara e Shehit,
për lisat e gjatë te Argaçi i Begit.

Më djeg malli për Gurin e Shqipes,
për ujin e kulluar në Kroin e Dipës,
për shelgun në mezhde të Arës së Gjatë,
për atë vend të dashur pranë Rekës së Thatë.

Më djeg malli e zemrën gjithnjë na kalë,
çdo ditë në trup më shtohet nga një plagë
për trojet që ditë e natë më presin
në krahë na mbajnë edhe mbasi të vdesin…

 

 

 

VITET RRJEDHIN…

 

Mallin në zemër sa kohë e mbajmë
për vendin tonë me lot qajmë.
Dhembja na i shpon sytë e ballit
se nënë e babë u ndanë prej djalit.

Vitet po rrjedhin si ujëvarë
larg vendit tonë përjetë ndarë.
Në dhe të huaj jemi tretur
me sy të tharë kemi mbetur…

 

 

 

DO TË VIJË…

 

Do të vijë një orë kur trndafilat do të gëzojnë
në dorën tonë dhe zogjtë mbi supe do të këndojnë
dhe kopshti do të mbushet me flutura të bardha,
lulëkuqet do të na përshëndesin trumba- trumba
nëpër ara.

Do të vijë një orë kur ta puthim këtë tokë
e nga gëzimi do të dehemi e do të derdhim lot,
do të vijë një ditë, një ditë e bardhë,
një pranverë e madhe kur të jemi të gjkithë bashkë.

 

 

 

 

MË NDRROHEN NATA ME DITËN

 
Jam lodhur e mërzitur
sa më ndrrohen nata me ditën…
për besë, vëlla, nuk mund të rri,
do të kthej të të rroj me ty.

Buza më dridhet, zemra më djeg,
kur e shqiptoj fjalën “ kurbet”,
më dhemb Gëzimi se është rritë
e si thekson mirë fjalët shqip.

Jam lodhur e mërzitur,
sa më ndrrohen nata me ditën…

 

 

 

DJERSË E GJAK DHE ESHTRA IA FALË…

 

I dashur është vendi i lindjes,
kur prej pragut sheh rrezet e dritës.

E ëmbël është çdo gjë në vendin tënd,
edhe hidhërimi më i vogël është…

Vetëm në vendin tënd i qetë je dhe krenar,
ku djersë e gjak dhe eshtrat ia falë…

 

 

 

MË MERRNI NË KRAHË, DALLËNDYSHE!

 

Dëshiroj të shkoj të prek çdogjënë,
të shoh a është plakur e mira nënë.

Dëshiroj pranë vatrës të pushoj
plagët e shpirtit ti shëroj.

Dëshiroj përgjithmonë atje të pushoj,
gjersa dheu i tokës të më mbulojë.

Më merrni në krahë, dallëndyshe.
ju, të urta, që ktheheni në vendlindje !

 

 

 

KOLONË, KOLONË E GJATË...

 

Kolonë , kolonë e gjatë
nuk ndalet ditë e natë,
vërshon si lumi
i rrëmben ëndrrat nga gjumi…

Kolonë, kolonë e gjatë
çdo ditë shton plagë,
shton plagë e lë gjurmë
dje më pak e sot më shumë…

Kolonë, kolonë e gjatë
mbushur me refugjatë,
kapën botën në sy,
lanë nënat me duar në gji…

Kolonë, kolonë e gjatë…

 

 

 

MALLI DO TË MARRË…

 

Malli do të marrë për ditët që kaluam,
për ujin e ftohtë që pinim në krua,
do të marrë malli për luleshqerrën,
për barin e njomë, për pranverën.

Do të marrë malli për baltën e fshatit,
për delet e bardha majë shpatit,
do të marrë malli për shtëpinë e lashtë,
për dhembjen e dashur mbuluar me kashtë…

 

 

 

 

PËR TY VATRA IME…

 

Si gurrë në zemër më vlon dashuria,
para syve më rrin bukuria,
në damar gjaku gëzon për ty,
vendi im plot hijeshi.

Me zogjtë për ty kam kënduar,
çdo gjë tëndën kam dashuruar
prap do vij tek ti,
dheun ta puth, ta shtrëngoj në gji.

 

 

 

Ç, TË BËJ, NËNA IME ?…

 

Ç, të bëj, nëna ime, ç, të bëj
në dhe të huaj,
kur malli më tret
Eezemra më dhemb?
Ç, të bëj, nëna ime, ç, të bëj
në vend të largëtë
pa gjuhën time,
pa shokë e gëzime?
Ç, të bëj, nëna ime, ç, të bëj
në mërgim të zi
pa ty
Nënë e shtrenjtë, më trego,
a është jetë kjo ?!

 

 

 

JU SHKRUAJ JU…

 

Ju shkruaj në mërgim, vëllezër të gjakut tim
dhe nis një porosi-
vendlindjen ta keni thellë në gji.

Ju shkruaj ju që prej nesh jeni ndarë,
një amanet u nis nga larg-
fëmijët ktheni ku lexuan abetaren e parë.
Ju shkruaj në mërgim- vëllezër të gjakut tim,
amanet o bijtë e shqipes-
nga fëmijët tuaj gjuha e nënës të flitet !

 

 

 

DO T, MË NGJALLIN ZOGJTË E MALIT…

 

Dashurinë e mallin vetëm unë ta di
thellë në zemrën time më je ti.
Aty të mbaj, fort të shtrëngoj,
vdekja më merr, po ty nuk të lëshoj.

Dhe do të më ngjallin zogjtë e malit
që këndojnë në mal të Përzhalit,
do t, më ngjallin gurë e era që fryn
duke më kërkuar me ulurimë…

 

 

 

TË DUA E NUK TË HARROJ

 

Të dua e nga zemra nuk të largoj,
tërë jetën nuk të harroj,
ty vendlindja ime,
nënëdhembshura me thërrime.
Të dua dhe në zemër të mbaj
edhe pse larg teje jam,
nuk të harroj, e dashura fole,
më e bukura në botë më je.

Dhe nëse larg teje vdes,
për ty, për ty hapur do t, më mbesin sytë,
se tek ti nisin të gjitha dashuritë zvogëlohet në gjoksin
tënd.

 

 

 

A TË KUJTOHET, SHOKU IM, A TË KUJTOHET ?!…

 

A të kujtohet, shoku im, a të kujtohet
( ti tash je në mërgim)
kur ishim në klasë të parë
tridhjetë e dy u regjistruam në ditar.

A të kujtohet, shoku im, a të kujtohet,
zilja e shkollës kur na ftonte
vrap e turr duke vrapuar
mësuesi-, thonim- na ka ftuar.
A të kujtohet, shoku im, a të kujtohet
klasa e mbushur me djem e vajza
si një livadh me flutura të bardha,
të verdha, të kuqe e lara- lara…

A të kujtohet, shoku im, a të kujtohet
para tetë vjetësh ishim tridhjetë e dy…
oh, tash çfarë të them për ta, çfarë të them,
veç gjashtëmbëdhjetë kemi mbetë…

 

 

 

KUR U KTHEVA NJË DITË

 

Kur u ktheva një ditë në pranverë
i pash lulet, sa kishin çelë,
kishin çelë lulet me lloj- lloj ngjyra
s, kish lënë t, i thante bryma…

Kur u ktheva një ditë pranë dashurisë tënde
drithshëm të përkëthela me dhembje,
të dashurova si nëna foshnjen,
me bukë e kripë ma shtrove sofrën…

 

 

 

MOS HARRRO !

 

Gjuhën tënde mos harro, kudo që je,
se më t, ëmbël se ajo nuk ke.

Para saj mos i mbyll kurr sytë,
veç ajo të jep fuqi, të jep dritë.

Vetëm ajo të jep nder, të jep vlerë
në parajsë qofsh a në skëterrë.

 

 

 

VËLLA, MOS MA KTHE SHPINËN !…

 
Mos ma kthe shpinën, vëlla, shpinën,
se ma fike dritën, dritën,
që buron prej syrit të vendlindjes !

Mos ma kthe shpinën, vëlla shpinën,
se ma vret fëmijërinë, fëmijërinë,
që përkundet në djepin e vendlindjes!

Mos ma kthe shpinën, vëlla shpinën,
se ma pret gjuhën e Arbrit e Shqipes,
që mësojnë shkronjat në shkollën e vendlindjes !

Mos ma kthe shpinën, vëlla, shpinën,
se ma shëmtove Orizishten,
të ylltën, të shenjtën, të brishtën!

Vëlla,
mos ma kthe shpinën!

 

 

 

KUR TË KTHEHEMI NË VENDLINDJE…

 

Kur të kthehem në vendlindje
do ta puthi baltën e tokës sime,
do ta kërkoj atë shelgun e thatë
pranë mezhdes, te Ara e Gatë.

Kur të kthehem në vendlindje
do ta puthi pragun e derës sime,
do të ngjitem lart në Bllagun,
aty ku i desha krojert aq shumë.

Kur të kthehem në vendlindje
do t,i përqafoj male dhe brigje.
Anën e Gurit do ta kërkoj,
aty të ulem të pushoj.
Kur të kthehem në vendlindje
do ta kërkoj dashurinë time.
Do ta kërkoj në fusha e male
aty do të shëroj brenga dhe halle…

 

 

 

 

PRANË VATRËS SIME…

 
Pranë vatrës sime dua të jem
fusha e male para t, kem,
djerësa e ballit vatrës t, më pikojë
pikë-pikë tokës sime t, ia dhuroj..

Pranë vatrës sime dua të rroj,
dashurinë asaj t, ia dhuroj,
dashurinë e zemrës t, ia fali,
se u dogja krejt si qiri shandani.

Pranë vatrës sime dua të prehem
plagët e trupit t,i shëroj me verën,
atje, atje veç dua ta qetësoj shpirtin tim,
ku fle nënë e urtë dhe baba im.

 

 

 

LETËR NGA MËRGIMI

 

Një letër, vëlla, ta shkruaj prej së largu,
për vendlindjen më dogji malli
ferri, vëlla, ka emrin mërgimtar
me çdo gjë të dashur për së gjalli jemi ndarë.

Një letër, vëlla, nga vende të largëta,
ku dita dhe nata janë tepër të gjata,
zemra, vëlla, m,është djeg e përvluar,
për çdo gjë, vëlla, jam përmalluar.

Më trego, vëlla, koha si është atje,
në vendin tonë ku kemi le,
fëmijët në shkollë a po shkojnë,
mësimet a po i përcjellin në gjuhën tonë ?…

 

 

 

NË DHE TË HUAJ QYSH TË MBETEM ?!…

 

Ah, vëlla, s,di si të përgjigjem,
zemër e shpirt si qiri më digjen,
digjem, vëlla, e po tretem
në dhe të huaj qysh të mbetem ?!
Ah, vëlla, më lodhi jeta në mërgim,
larg diellit e hënës së vendit tim,
larg tokës së dashur që quhet mëmëdhe,
se dua të vdes atje ku kam le…

 

 

 

TË PRET MALLI QË NA TRETI…

 

Po thërret e pisket bjeshka,
të pret pranvera e vjeshta,
të kërkon dielli e hëna,
në krye të shkallëve loton nëna…

Po thërret e pisket deti,
të pret malli që na treti,
të kërkon fusha e mali,
në breg të detit mbeti djali.

Po thërret e pisket shtëpia,
të pret peng dashuria,
të kërkon guri e druri,
ngrirë ka shqipja te flamuri…

 

 

 

KUR TË VDES…

 

Jam gjallë e dua t,ua them ca fjalë,
dheu i huaj më mbushi me plagë-
Oooo, krejt trupin ma ka shkatërruar
dheu i huaj, dheu i huaj…

Mos më lini këtu t,i mbylli sytë,
Në këtë vend ku s, kam lindë as jam rritë!
mos më lini larg vendit tim,
Se edhe e vdekur do të ngritem, të vij.

Me dheun e tokës sime të mbulohem,
me diellin e vendit tim të ngrohem
dhe në varr atje në Gjakovë jam më mirë
pranë nënës e babait tim.

Lulet që aq shumë i desha le të më çelin mbi varr
e për çdo ditë erën e tyre të ua marrrë,
Aty të pushojnë zogjt -zogjt e malit,
e të ma këndojnë atë këngën time të mallit.

 

 

 

DALLËNDYSHE BESËN MOS E THENI

 

Një grusht dhe e morët në dorë
e shtrënguat fort, e futë në krahëror…

Bashkë me dallëndyshet fluturuat
dhe si dallëndyshet u larguat.

Bashkë me dallëndyshet do të ktheni,
ju lutem, dallëndyshe, besën mos e then i !

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s