Cikël poetik nga Sarë Gjergji

sare gjergji

Cikël poetik nga Sarë Gjergji

 

 

 

TERSA

 

Ja, zëri i saj po vjen!
Rrënues!
Si mos të ishte Tersa ime!

Engjëllit mbrojtës i bindem…

Nga varri do ngrihem,
do ta kërkoj në çdo pikë uji e grimcë rëre,
edhe në erëra pemoresh e stuhi diellore.
Naforë e shpirtit tim është.
Do ta kërkoj
në çdo shkronjë, fjalë, rrëfenjë e tehe thikash
tokën ku këmbë e saj shkeli, do puth.

Di që zemra e saj shkëlqim dritë është
dhe nuk do dhimbjen time
mirrë rigojnë sytë e saj
sytë e mi mirrë rigojnë
Ajo,
dje,
sot,
nesër,
për amshim,
Tersa ime është – eva ime.

 

 

 

 

SHENJA

 

Nuk ishin të trëndafilta si rëndom.
Atëherë, marramendja dhe asfiksimi i të gjitha shqisave përdhe më shtrinë
– Portë e varrit u hap.

Pushoi puthja jote!
Për aq ditë e net
krimbat dekompozuan trupin tim në varr shtrirë

Gjersa ti nuk vjen sërish
veç të Premten e Madhe do festoj

Ti, Pashka ime!

 

 

 

 

URATË

 

syve të së dielës sërish rigon ti

e diellit n’ buzë t’mia që merr zjarr

ia shton etjen

 

bëhu rrënja,

përforcomë thellë në tokën e zemrës sate – aty më fshih

me ujërat tua ushqe kërcellin e ëndrrave të mia, me kripërat tua

edhe atëherë kur erërat copë-copë të shqyejnë çdo qelizë timen,

sërish të mbijë nga ti

 

amshimi është i yni…

 

 

 

 

 

MEDITIM PËR DASHURINË

 

n’çastin kur mungon ti

shpirti im në grimca rëre degdiset

në shkretëtirë shndërrohet

 

as tokë e qiell

as det e diell

s’më thonë gjë për Ligjin e Gravitetit

 

ringjalljes t’i besoj

m’bën veç prania jote

amshimi im,Ti.

 

 

 

 

UNË DHE HESHTJA TË REBELUAR

 

Heshtja më tërheq zvarrë

çdo asht timin shkërmoq,çdo qelizë

e zjarri për këngën tënde  mjellmë

shtatë diej në mua ndez

 

unë  s’bëj dot pakt me heshtjen

dhe n’grahmën e fundit me t’ përmend  kam

mjellmë

mjellmë

mjellmë

 

 

 

 

ZOG SHTEGTAR

 

Ti, zëëmbël
a nuk më sjell pranverën
me ato cicërima drite?

dhe ti zog ujor,
me dallgën e detit në sy,
a nuk m’ trazon gjakun prush?

dallëndyshe, Ti hyjnore
zëri i qyqes vret,
një mal shkreton

mjellmë, hap krahët
dallgë do më përpijë

dhe le t’më përpijë

fjalë në fyt më prehet
dreqi ta hajë…

 

 

 

 

VALS ZEMRE

 

toka jam dhe sot

njësoj si dje

përderisa brenda meje frymon ti

ta dish

toka do jem

 

do jem dhe deti

sa herë që kupën mornica mbushur

e zbraz me fund

me një gllënjkë larg agonisë më shpie

ta dish

dhe unë

mbështjellë me dritë

edhe qielli do jem

përderisa brenda meje frymon ti

 

mos harro:

jam toka,

deti jam,

dhe qielli

 

ta dish

Ti, Hyjlindëse

 

 

 

 

DIELLË…

 

Në ikësh ti

do pushojë këngë e zogut

në kopshtin tim veç kuakje bretkosash do dëgjohen

 

Mbushma kupën.

Mbushma edhe një.

Edhe një tjetër mbushma,

dëshirash që syve tanë rrjedhin

të dehet dhe qielli

 

Sa dua,

oh!, sa shumë,

tokës sate qelizash ndezur

t‘fundosem,

t’bulëzojë!

 

 

 

 

E DIEL NDRYSHE

 

Sot qielli është i vranët

dhe e diela  ndryshe nga hera të tjera

as dëgjohen kambanat

as para altarit jemi ne

me ëndrrën e bardhë

 

s’ka  cicërima zogjsh

n’kopshtin nën qepalla ngushtë të zënë

këtë të diel

nuk / as këndohen psalme si rëndom

edhe kënga e këngëve mungon

 

këtë të diel i vranët është qielli

shpirti im i përmalluar

kujtimeve bredh,

kungatës  n’mungesë

 

 

 

 

E HËNË KREJT NDRYSHE

 

Kripa n’sytë tanë dënes

e shira prej rëre gjymtyrët tona shkërmoqin

 

këtë të hënë Ti mungon

 

prushi n’harresë dergjet

shenjtorë me plisa

të heshtur përdhe bien

të shqyer copë e grimë

 

kokëvarur  shikoj ankthin tim

vetminë time

për fajin tim

për fajin tim

për më të madhin fajin tim…

 

oshtimë e vdekjes është jeta këtu, Zotynë!

 

 

 

 

 

ZË SHKRETËTIRE

 

Ai iku nga lëkura e vet

nuk di në kishte ndonjë kockë në trup

meqë s’u dëgjua zë

 

ca ditë më vonë ishte një me rërën

duke shtuar shkretëtirën

 

me mallin për virgjërat shkoi

re e zezë

pa shijuar ujin

 

 

 

 

 

VALS  PYLLI

 

Askush  s’e ndjen si unë

në erë të shndërruar në ajër

me aromë rrënjash n’eshtra murosur

me ëndrrën e pyllit

me ëndrrën e detit

 

n’gjysmë të rrugës ishte

kur zemra ime u trand

 

qielli kurrë më i kthjelltë

kur m’goditi rrufeja

lumë gjaku n’mua vërshoi

 

 

që nga ai çast

etja… më mbyt

Meduzë.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s