Cikël poetik nga Adem Zaplluzha / Shkëputur nga Vëllimi poetik ” Një shi prej bryme “

 

adem

 Cikël poetik nga Adem Zaplluzha

 

Shkëputur nga Vëllimi poetik ” Një shi prej bryme ” 

 

 

 

 TË THASH SE SONTE NUK KA VDEKJE

 

Sërish po të them

Se sonte nuk ka vdekje

Mes këtyre pemëve të njoma

Ne do të ecim deri në fund

Do t’i ndjekim itineraret e yjeve

 

Të thash se sonte nuk ka vdekje

S’kemi kurrfarë nevoje

Të blejmë ndonjë arkivol të përdorur

Në tregun e gjësendeve

Era ishte aq e fortë mbrëmë

Sa që i shkundi pemët në kopsht

 

Ti nuk më besove asnjëherë

Edhe sot s’po më beson

Kur them se nuk ka vdekje

Mani i kuq u zgjua herët në mëngjes

Dhe hyri në grevë urie

Tok me manin e bardhë

 

Ti edhe sot më dukesh më e ngarkuar

Me inatet e tua të vogla

Dhe nuk më beson kur them se

Se sonte nuk ka vdekje

Pemët marrin frymë normalisht si njerëzit.

 

 

 

 

MBI GËRSHETAT E TUA TË THINJURA

 

Sonte asgjë nuk më mungon

Në këtë dhomë të madhe

Të gjitha zbrazëtit e jetës sime

I plotësoi prania e jote

 

Me askënd nuk dua ta ndaj këtë natë

Le të jetë vetëm e jona

Si ajo natë e një shtatori të largët

Kur buzëqeshte dashuria

Mbi një çati të mbuluar me kashtë thekre

 

Aspak s’ke ndryshuar

Po ai ballë shndrin

Si ai i hënës pa asnjë vragë

Shtrihet nën qerpikët e zinj

Ku mrizojnë

Dy kroje të ngrohta dhe të pashtershme

 

Sonte asgjë nuk më mungon

Ah të isha i ri

Si atë natë shtatori

Do i zbrisja të gjitha yjet e qiellit

Mbi gërshetat e tua të thinjura.

 

 

 

 

I SHIKON MAJAT E MALEVE

 

Me dryna të ndryshkura

Rrinë të mbyllura dyert e haneve

S’ka njeri që mund t’i hap

Ato porta të drunjta

Koha i ka ngrënë trarët e tymosur

Çatitë janë lëshuar në gjysmë shtize

Dhe heshtin si gurtë

 

Oxhaqet ka kohë që nuk pleqërojnë

Një tym i bardhë

Me ca vija dredharake

I shikon majat e maleve

As vorba me pastërma dhe fasule

Nuk zihet pasditeve të vona

Një tjetër kohë

Ka marr udhë këtyre maleve

 

Asnjë udhëtarë i vonuar

Më nuk kalon këndej pari

Ose ata që bredhin maleve

Pa miq dhe dorëzanë

Vetëm ndonjë lahutarë i vetmuar

Kur e zë nata

Po s’patë se ku të strehohet

Nën çatinë e rrënuar të ndonjë hani

E pret mëngjesin të zgjohet me këndesat.

 

 

 

 

ASGJË NUK MË DUHET SONTE

 

Nuk jam i uritur

Asgjë nuk dua në këto çaste

Kaluan kohërat

Kur i kafshoja mollët nëpër degë

Mund të ma jepni vetëm një gotë ujë

Nga burimi i pikës së vesës

Ta shuaj etjen e rinisë

 

Ju thash edhe më parë

Asgjë nuk dua

Mos ju kanë lënë veshët si mua

Unë nuk kam uri

Me të gjitha të ligat e ditëve të sotme

Më ngopi jeta

Çfarë mund të pres sot në këtë moshë

 

Shikoni këtë pemë të verdhë

Asnjë flutur e kaltër

Nuk paska mbetur këtu

Kanë ikur edhe merimangat e vjeshtës

Edhe këto fryte të papjekura

Mund të m’i thyejnë protezat

S’jam i uritur

Asgjë nuk më duhet sonte.

 

 

 

 

NJË SHI PREJ BRYME

 

Pemët e zhveshura

Kanë rënë në dy gjunjë dhe i luten erës

Kopshti i ngufatur

Nga mjegullat e mëngjesit

I shëron plagët e bardhe të shirave

Vjeshta po i fsheh duart e ngrira të stinës

Rrapet më nuk këndojnë serenata

 

Plakat i kanë mbuluar kokat

Me shamia të zeza

Dhe si të turpëruara kashaisin

Trungjet e djegura të pemëve

Shirat nuk duken askund

Edhe sivjet bari i fishkur

Po vuan nga zjarrmia

 

Gështenjën e vjetër

Po e ngacmon kolla e keqe

Edhe pemët e tjera

Nuk janë në gjendje më të mirë

Një shi prej bryme e kalli gjelbërimin

Sa që sot gjethet e zverdhura

Po vuajnë nga lemza.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s