Poezi nga Xhevahir Spahiu

spahiu

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Sonte



Jetoj brenda syve te tu,
në sytë e mi ti ke shtëpinë.
S’jemi vetvete,
secili është tjetri.
Vera ime ka dy skaje:
njëri në pranverë, tjetri në vjeshtën tënde.
Ti hyn në të djeshmen time,
humb rrugën si ai që ka humbur kujtesën.
Unë hyj në të ardhmen tënde,
humb rrugën si ai që në pyll s’ka kaluar
asnjëherë.
Sa do të doje të kishe në duar të djeshmen time!
Sa do të doja të kisha në duar të ardhmen tënde!
Kë të pyes? Cilin yll? Cilën kohë?

Për të djeshmen time ti mund të pyesësh
një lumë,
do lisa, një dem,
edhe varrin,
varrin e nënës.

Krejt e kotë.
T’i lemë pyetjet. Pyetjet le të marrin një sy gjumë.
Sonte jemi vetëm e sotme.

 

Fantazi

U rrëzua një yll.

Në ç’humnerë?
Në ç’pyll?

Mendja me thotë:
u gëlltit nga një gojë leopardi.

Kur ta vrasë e
t’i çajë barkun gjahtari,
ë’do të gjejë brenda tij:
një perlë
a një gur o -gur-zi ?

 

 

 

Eja te vdesim e dashur

 

Eja të vdesim, e dashur,
shpenzimet e varrimit i merr përsipër shteti,
a s’e dëgjove në TV si kryelajm?
Eja të vdesim, e dashur,
s’ka rëndësi në rron si rob a zot,
arkivoli është gati,
dy metra vend gjithashtu,
makinë e funeralit,
kurora me lule artificiale: të kuqe, të bardha, blu.
Eja të vdesim, e dashur,
ç’na duhet kjo jetë,
e rëndësishme është të vdesësh si zotni;
mbylle TV-në,
të vdesim qysh tani.

 

 

 

 

Fjala

 

I thanë fjalës: tani je e lirë,

Por fjala s’kish fuqi të thosh: nuk më duhet,

E ç’më duhet, kur s’u thashë atëherë kur duhej?

Kam mbetur pa krahë,

Kam mbetur pa qiell,

Jam jetë pa ëndërr,

Jam ëndërr pa jetë…

I thashë fjalës: je e lirë.

Vështirë, tha fjala, sa vështirë

Të besosh se je e lirë,

Pasi ke ngrenë rrokjet e tua,

Pasi ke mbetur cung

Dhe liria bëhet burg…

I thanë fjalës: liria jeton.

Fjala ua ktheu: s’jam si Kostandini,

që pas vdekjes udhëton…

I thanë fjalës: ti je liria,

Për ta kuptuar këtë duhet fare pak.

Ajo besoi,

Ajo hapi gojën,

Por në vend të tingujve

Prej saj doli gjak.

 

 

 

 

Udhëtimet e mia

 

Do ta shaloj renë
të shkoj mbi malet e mia,
po deshën shi, t’u derdh pika lotësh.

Do ta shaloj kalin
të ndiej shijen e erës
kur dashuria më pret.

Do ta shaloj lumin
të më çojë në det,
të mbaj mbi vete anijet.

Do ta shaloj pemën
mos pikëllohet pa zogjtë,
rrënjët t’i ngulen më thellë në tokë.

Do ta shaloj ëndrrën
pa yzengji dhe pa fre,
të më çojë tek e nesërmja.

Do ta shaloj këngën,
zot i saj, rob i saj, – t’i këndoj
lëvizjes dhe nga pika e vdekur.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s