Cikël poetik nga Vullnet Mato

vullnet

 

Cikël poetik nga Vullnet Mato

 

 

 

LETËR  NËNËS

(Mbetur pa botuar para 40 vjetësh, prej censurës)

 

Këtë letër për ty,

e shtrenjta Nëna ime,

e mbështolla me zarfin e ngrohtë

të një psherëtime

dhe po e nis nga thellësitë e pyjeve Lindorë,

ku më dhanë të drejtën për të punuar,

pasi mbeta rrugëve të qytetit Jugor,

ku të kam lënë si ëndërr të paharruar.

 

Po e nis gjethe pas gjethesh,

erë pas erërash,

mjegull pas mjegullash,

rrugë pas rrugësh,

brigje pas brigjesh,

largësi pas largësish.

Po e nis të lagur me rrëketë e çiltra të lotëve,

të qullur me pikat e gjakut të zemrës brishtore,

të zbutur me bulëzat e djersitjes pa gjumë,

të njomur me sekrecionet e artikulimit

të frazës kryesore:

“Oh, për ty, nënë, më ka marrë malli shumë !”…

 

Ta dërgoj bashkë me kujtimet e largëta,

tok me drithërimet e fëmijërisë,

tok me një gotë të mbushur me lot për ty,

dhe me urrejtje për ata që më ndanë nga ty

e nga trualli ku së pari më dhe sisë.

Po e nis për aty,

te rëra e deteve,

te gurët e zalleve,

te lulet e pranverës,

te buzëqeshjet e njerëzve,

te puthjet e vëllezërve,

te dhimbjet e të mjerëve.

 

E dashura nëna ime,

ta dish mirë, se nga malli për ty

shumë herë kam vdekur,

dhe kur kam kujtuar dashurinë tënde,

shumë herë jam ringjallur përsëri…

Pres me padurim të kthehem,

më ka marrë etja

për pak tinguj nga zëri yt,

për pak dallgë nga Joni,

për pak ujë nga Bistrica,

për pak rërë nga Limjoni.

Në valët e kripura të zhvishem,

në gjoksin tënd të ëmbël të kridhem.

Plagët e zemrës t’i shëroj,

të gris një pëlhurë të zezë

që dekada me radhë

na ndau nga njëri-tjetri me urrejtje

dhe t’ju përqafoj të gjithëve marrëzisht,

kështu siç jam i përmalluar për vdekje…

 

 

 

 

PËR TË ARDHUR TEK TI

(Në moshën e dashurisë)

 

U ngjita në majën e malit, lart mbi shpate

dhe mora shkëlqimin e purpurt të agimit,

që t’i gjegjem sa më gazmor buzëqeshjes sate.

 

Vrapova gjithë ditën pas erës së prillit

dhe mora duart ledhatare të flladeve,

që ta prek dorën tënde me petale trëndafili.

 

Renda gjithë javën brigjeve me ahishte pyllëzuar

dhe mora gjithë zërat këngëzonjës të bilbilave,

që të ta them ty, sa më ëmbël fjalën “Të dua !”…

 

Brodha gjithë muajin parqeve të lulëzuar

dhe mora aromën dehëse të luleblirëve,

që ta bëj erëkëndshme puthjen në buzët e tua.

 

U vërtita gjithë vitin rreth çifteve të dashuruar

dhe mora te secili nga pak respekt e përkujdesje,

të të dua përtej vetes, të jem i denjë për ndjenjat e tua.

 

 

 

 

DIANA NË ZEMRËN E PYLLIT

 

Sot në mesditë, në zemrën e pyllit

zogjtë dhe gjethet i këndonin diellit.

Bukën diellore në miliona thërrime,

çukitnin zogjtë, çukiste dhe zemra ime.

Diku mes degësh, thellë në blerim,

dreri me sorkadhen bënin çiftëzim,

merrnin e jepnin te njëri-tjetri puthje,

lëkura u shpërthente gjethe, këmbët lule.

 

Zoti e di se nga doli Diana me hark shigjetari,

dhe drerin mori shenjë ta vriste të parin.

Mos perëndeshë, e bukura e pyjeve të dherit,

mos e fluturo shigjetën te zemra e drerit!

Nuk vritet dashuria në asnjë pyll të botës.

Vramë mua, moj e bukura shigjetare e Tokës!

Shënjoje harkun në mesin e gjoksit tim,

të vdes, kur këto krijesat bëjnë çiftëzim!

Që jeta të shtohet gjithandej me bukuri të reja,

të pllenohen lulet, të bëhen femrat pëlleja…

Ajo ma ktheu me gaz:

“Orgazma është energjia që shkarkon Zoti nga lart,

Ai më shpërbën, po t’i prek gjallesat në atë çast.”

Pastaj Diana qeshi fort, sa jehuan drurët në pishnajë,

dhe vuri shigjetën në trastën e harkores së saj.

Më dha një të puthur në mes të lules së ballit

dhe u shndërrua re e bardhë në majën e malit.

Sot në mesditë, perëndesha Diana e pyllit,

më puthi me buzët e saj prej rrezeve të diellit…

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s