Poezi nga Myrteza Mara

myrteza

Poezi nga Myrteza Mara

 

 

 

GËNJESHTËR E BUKUR

 

Tek varri i nënës
shkoj përherë
me lule të freskëta,
mbledhur në kopshtin
e dashurisë së përjetëshme.
Buza më dridhet nga malli,
lotët i gëlltisë që larg.
Nuk dua të më shoh nëna
fashat e plagëve të jetës
ndaj shtirem si i lumtur.

Më fal, nënë,
për këtë gënjeshtër të bukur!

 

 

 

NË PYLLIN E ËNDRRËS

 

Ti më erdhe si një magji në oborrin e poezisë,
Vargut tim i vure flakën në kufijt’e marrëzisë!
Si kometë qenka kjo jetë, le një gjurmë edhe fiket,
Kush ka rrojtur di të vdes nuk ia di emrin frikës!

Zemrën kam pikë të dobët, siç pati thembrën Akili,
Atë ditë s’di nga dole, përmbi buzë më zbriti ylli
Ylli-dritë i syrit tënd më flladiti shpresë e jetë,
Shenjtëria e qiririt që për dritë shpirtin e tretë…

Diell shpirti, yje zemre, çiltërsinë kam gjymtyrë,
Eci shtruar, nuk ngutem, si gamile në shkretëtirë.
Nuk ruhem nga drit’e diellit, as nga zjarri i një buze.
Shihni harkun e ylberit, e ka lindur veç një puthje!

Nëpër pyllin tim të ëndrrës erdhe ti si xixëllonjë
Nuk e di se ç’pati zemra, ja, dëgjoje!… S’e dëgjon?!
Vire dorën pak këtu!… A e ndjen si zien vullkan?
S’e kuptoj, ç’ndodh kështu, apo unë s’jam i gjallë?

Gazi, helmi janë në udhë, njëlloj vrasin që të dy
Qoft dhe lodër nëpër shpuzë më mjaftojnë ata dy sy!
Si i çmendur do të dehem, ashtu siç dehen poetët
Veç nuk di të rrëfehem, më pëlqen “pus’i sekretit”.

Këto vargje vetëm Ti, askush tjetër në këtë botë
Ose digji dhe bëji hì, ose, … lule përmbi lotë.
Lule loti, nga ata lotë, që t’i pi si musht vere,
Po më bëre një çast Zot do të fal një jetë pranvere!

 

 

 

VETËM NATËN

 

Natën, kur hëna harrohet
nëpër koridoret sekrete,
të mbuloj yjet që kanë ftohtë,
unë zgjat dorën e mallit
të përkdhel yllin tim,
pagëzuar me emrin Jetë.

Është xheloze hëna,
rojtarja besnike e qiellit,
yjet i do të gjithë për vete,
por dashuria gjen përherë një shteg,
ajo nuk njeh kufi,
as shtete, as planete.

 

 

 

TË KAM KRIJUAR VETË

 

Sa herë më puthte nëna në sy
Qeshte me shpirt krejt e lumturuar.
Në njërin shihte veten, në tjetrin ty,
Ti ende pa lindur, unë i dashuruar.

Ma dha bekimin, siç e japin nënat
Me lotë gëzimi dhe gazin e shpresës
Më shihte kur vizatoja dy zemrat,
Bashkuar nga tehu i mprehtë i shijgjetës.

Që kur fillova të shijoja ëndrrat
Të vizatoja shpesh, vetëm tre vija
Në një zemër i fusja të dy zemrat
Ti-krijesa e lumturive të mia.

Të thurja e shthurja në tezgjahun e muzës,
Me ty ndërtoja ujëvara e ylbere
Në sytë e diellit ishe fjal’e parë e diellit
Nëpër kalendarë stina e pranverës.

Flokët t’i mblidhja në kopshtin e erës
Sytë-nga bajamja që kisha në kopësht
Buzët t’i lyeja me gjak të manaferrës
Dy mollë të arrira t’i vija në gjoks.

Të kam krijuar vetë, ashtu siç të dua
Të linda nga shpirti dhe dashuria
Ti zbrite nga qielli vetëm për mua
Të mori për dore vetë perëndia.

Sa herë më puthte nëna në sy
Qeshte me shpirt krejt e lumturuar.
Në njërin shihte veten, në tjetrin ty
Ti ende pa lindur, unë i dashuruar.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s