Prof. Oliver Jens Schmitt për Kosovën / Nga Mehmet Kraja

shv

 

Prof. Oliver Jens Schmitt për Kosovën

 

 

Me propozim të Kryesisë së ASHAK-ut, Oliver Jens Schmitt, profesor për Historinë e Evropës Lindore në Fakultetin e Shkencave Historike të Universitetit të Vjenës, anëtar i rregullt i Akademisë Austriake të Shkencave, është kandiduar për anëtar të jashtëm të ASHAK-ut. Ai sot do të qëndrojë në Prishtinë, i ftuar nga Akademia jonë. Pikërisht për këtë shkak, ne po sjellim për ju një shkrim të para disa kohësh të akademik Mehmet Krajës për z. Schmitt. Në vazhdim shkrimi i plotë.

 

 

Paanësi e manipuluar

 

Vështrim për librin e Oliver Jens Schmitt-it “Kosova, histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”, përkthyer nga Enver Robelli, botimet “Koha”, Prishtinë 2012.

 

 

Nga Mehmet Kraja

 

 

Leximi. Lexuesi kosovar, me të marrë në dorë librin e Oliver Jens Schmitt-it “Kosova, histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”, mund të përballet me sfidën e leximit të sinqertë dhe pa paragjykime. Schmitt-i është autor i huaj, i cili tashmë është bërë pjesë e ambientit tonë kulturor; për të ekziston një njohje relative e opinionit të gjerë, por njihet më shumë, gjithsesi, nga lexuesit e kualifikuar të historisë.

Leximi me paragjykime i librit të Schmitt-it për Kosovën mund të shfaqet për tri arsye:

E para, duke qenë autor i një libri për Skënderbeun, i cili është përfolur në ambientin tonë kulturor deri në zhvlerësim, ky demonizim i autorit mund të jetë faktor pengues për një lexim mendjehapur dhe vlerësim të drejtë.

E dyta, mungesat e mëdha që ka shfaqur historiografia shqiptare, veçmas ajo e Kosovës, ka shkaktuar një ngopje dhe refuzim të lexuesit tanë ndaj autorëve vendorë dhe ndaj literaturës së historiografisë në përgjithësi, prandaj ikja prej këtyre autorëve mund ta çojë lexuesin e zakonshëm, por edhe atë të kualifikuar, te një lexim jo kritik të një autori të huaj.

E treta, lexuesi ynë që një kohë të gjatë gjendet nën trysninë e literaturës historike të njëanshme për Kosovën, serbe ose shqiptare qoftë ajo, prandaj me mendjelehtësi mund t’i dorëzohet literaturës historike që vjen nga provenienca europiane, duke e mbivlerësuar atë apriori.

Mund të ketë edhe faktorë të tjerë pengues për një lexim të paanshëm të librit të Schmitt-it.

 

Argumentimi. Libri i Schmitt-it për Kosovën nuk është libër shkencor i mirëfilltë, më shumë ngjan me publicistikë. Literatura e vendosur në fund të librit nuk shërben për argumentim, por synon ta bëjë librin të besueshëm në sytë e lexuesit. Autori nuk ka bërë hulumtime shkencore të pavarura, më shumë është marrë me interpretimin e një literature profesionale të proveniencës shkencore historiografike të arealit gjerman.

Duke i ofruar lexuesit pikëpamjet shkencore dhe joshkencore të shqiptarëve dhe serbëve, përmes një literature tashmë të njohur të njërës dhe palës tjetër dhe duke i ballafaquar pikëpamjet e tyre me një korpus veprash të autorëve perëndimorë, Schmitt-i synon që mbi argumentin shkencor të vendos pikëpamjen: pavarësisht se kush ka të drejtë, për perceptimin europian grindjet ballkanike janë bërë të bezdisshme dhe refuzuese, sepse asnjëra palë nuk e ka të drejtën e përjashtimit të palës tjetër; këtë të drejtë ekskluzive e kanë europerëndimorët, gjykimi i të cilëve, duke qenë mbi palët, vetvetiu është i paanshëm, i besueshëm dhe shkencor.

Natyrisht që kjo është pikëpamje, është bindje, në ndonjë rrethanë mund të jetë edhe politikë, por nuk është shkencë. Në të njëjtën mënyrë, Schmitt-i kërkon të sigurojë paanësinë edhe duke afishuar në krye të librit një përkushtim të balancuar për studentët serbë dhe shqiptarë. Ky eurocentrizëm tashmë është i njohur për ne dhe, në shumicën e rasteve, në rrafshin shkencor të historisë, përfundon me një paanësi të manipuluar: çështjen e Kosovës e kthen aty ku tashmë e kemi parë një herë – në parimin e pandryshuar europian mbi të drejtën historike të Serbisë mbi Kosovën.

Mund të ketë edhe arsye të tjera përse ndodh kështu, por kësaj paanësie të trilluar Schmitt-i nuk i shpëton dot.

 

Burimet. Në këtë libër, Schmitt-i i ka të pakta hulumtimet e pavarura. Megjithatë, së paku në dy raste, ai bën leximin e gabuar të dokumenteve, duke nxjerrë përfundime të paqëndrueshme për strukturën fetare dhe etnike të popullsisë së Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX. Duke mbivlerësuar dokumentet e proveniencës perëndimore rreth kësaj çështjeje, autori iu referohet pa asnjë rezervë dokumenteve të Arkivit të Shtëpisë Mbretërore të Habsburgëve, sipas të cilëve popullsia sllave në Kosovë më 1880 ka një përqindje të lartë bullgarësh, respektivisht sllavë që njohin administrimin fetar të kishës bullgare, madje, numerikisht, në sanxhaqet e Prishtinës dhe Prizrenit bullgarë ka më shumë se serbë.

Kjo situatë del e habitshme për autorin. Po sipas këtij burimi, më 1903 në sanxhakun e Prizrenit numri i bullgarëve del tepër i lartë. Po të mos e kishte prirjen e besimit gati të verbër të këtyre dokumenteve, Schmitt-i nuk do ta kishte të vështirë të gjente shpjegimet adekuate, sepse në fillim të librit ai vetë kishte pohuar se Kosova e sotme si nocion gjeografik-territorial nuk ishte as Kosova e mesjetës, as e periudhës osmane. Pra, prania e bullgarëve në Kosovën e kësaj periudhe lidhet me shtrirjen tjetër gjeografike dhe administrative që kishte Kosova, veçmas në drejtim të Serbisë jugore dhe të Maqedonisë së sotme. Ndërsa për strukturën e popullsisë, ta zëmë, të Prizrenit, po në këtë kohë, sikur të mos i nënvlerësonte burimet e proveniencës lokale, autori do të mund të nxirrte një përfundim më të pranueshëm dhe jo aq kontrovers për shkencën e historisë, sikur t’i referohej tashmë jo burimeve “të njëanshme” shqiptare, por, ta zëmë, udhë-përshkrimeve të Branisllav Nushiqit, po të kësaj kohe.

 

Cinizmi. Lexuesi shqiptar në përgjithësi dhe veçmas lexuesi i Kosovës, në këtë periudhë të shkurtër të emancipimit, u mësua shpejt të mos ndjehet i fyer nga trillimet dhe shpifjet më të shëmtuara, të cilat i janë adresuar në forma të ndryshme, qoftë si pamflete raciste, si traktate politike, apo si histori me veshje pseudoshkencore. Ky lexues tashmë është mësuar ta përballojë gënjeshtrën dhe cinizmin, fyerjen dhe përçmimin, madje ka arritur të mbahet disi i palënduar nga mësymjet e egra të shkrimtarisë së shovinizmit serb. Por nuk është mësuar, dhe do ta ketë të vështirë të mësohet edhe për një kohë të gjatë, me cinizmin e studiuesve të huaj, të cilët jo që nuk mund ta kuptojnë një realitet sado i ngatërruar të jetë ai, por me një mendjelehtësi anekdotike bien pre e konstruksioneve më fantastike.

Për fat të keq disa “kapituj të zinj” të këtij diskursi përbëjnë pjesën qendrore të librit të Schmitt-it,që janë bërthama e shkrimit të historisë së Kosovës,që janë shtyllat kryesore të objektit të tij të studimit. Ndonëse përpiqet t’i kalojë me një lehtësi disi të hareshme, sikur të bëhej fjalë për një piknik shkencor, vrojtimet dhe komentet e autorit për Lidhjen e Prizrenit, për lëvizjen kombëtare shqiptare deri më 1912 dhe pas saj, përfshirë këtu përkufizimin këmbëngulës identitar të kosovarëve si “myslimanë shqipfolës”, janë një torturë më vete për secilin lexues shqiptar. Cinizmi kap lartësi të paparë, me konstatimin e autorit se shqiptarët e Kosovës e arritën pjekurinë kombëtare vetëm me pushtimin e tyre nga Serbia më 1912.

Me një lehtësi lapidare autori synon të injorojë çdo element kombëtar, që mund të jetë shfaqur në Lidhjen e Prizrenit, në Lidhjen e Pejës dhe në kryengritjet e dhjetëvjetëshit të parë të shekullit XX. Atij nuk i mjafton të thotë se lëvizja kombëtare shqiptare në Kosovë ishte e dobët, se ndër kosovarët kishte një konfuzion të madh në këto rrethana. Shqiptarët e Kosovës, sipas Schmitt-it, mbronin interesat e Turqisë dhe rendin e vjetër.

Kërkesat për shkolla shqipe, për administratë në gjuhën shqipe, sipas tij nuk dëshmojnë asgjë.

 

Protoshqiptarët. Sipas Schmitt-it, shqiptarët e Kosovës dalin të kenë qenë një popullsi shumë e çuditshme, të cilët për njëzet shekuj paskan jetuar në fazën pararendëse të bërjes si popull apo si komb, që do të mund të identifikohej si i tillë. Në fillim të librin, në Kosovën e sotme, ata shfaqën si përzierje popujsh, si fise nomade të romanizuara, nuk del shumë e qartë se kur arrijnë të bëhen si protoshqiptarë, por kurdo që të ketë ndodhur kjo, zhvillimi i tyre i mëvonshëm është një konstantë e pandryshuar e të qëndruarit të gjatë në paradhomën e historisë.

Gjatë mesjetës prania e tyre në Kosovë është gati e papërfillshme, kurse përgjatë pesë shekujve të sundimit osman ata pandryshueshëm vazhdojnë të jenë “myslimanë shqipfolës”. As vetë Schmitt-i nuk e ka shumë i qartë kur përfundon kjo fazë në historinë e shqiptarëve të Kosovës, kur shqipfolësit dhe protoshqiptarët arrijnë të bëhen shqiptarë, më 1912 apo më 1945, por kurdo që të jetë, kjo duhet të ketë ndodhur në kohën e njërës nga dy ish-Jugosllavitë, pushtimi i së cilës, ndonëse i shoqëruar me dhunë sistematike (sipas autorit – të dyanshme), del se ka pasur karakter emancipues për shqiptarët.

Më anë tjetër, Schmitt-i nuk ka dilema rreth asaj se shqiptarët e populluan Kosovën, duke ardhur nga Shqipëria Veriore dhe e Mesme, por, për ndryshim nga historianët serbë, ardhja e tyre në Kosovë është njëlloj kthimi, pasi që ishin dëbuar një herë. As te Schmitt-i nuk del e qartë, si ndodhi që viset malore të Shqipërisë së Veriut, me një hapësirë aq të kufizuar dhe me një strukturë reliefore gati të pamundshme për jetë, të jetë furnizuese e vazhdueshme e Kosovës me popullsi shqiptare. Serbia, ndërkaq, bën të ditur Shcmitt-i, nuk ka pasur nevojë të bëjë sllavizmin apo serbizimin e Kosovës, qoftë edhe përmes ndërrimit administrativ të toponimeve, siç pretendojnë historianët shqiptarë, sepse Kosova ka qenë e tillë që nga mesjeta e hershme.

Duke synuar që këtë tezë ta çojë deri në fund, Schmitt-i nuk bën as dallime të nështresimeve kohore të toponimisë serbe në Kosovë. Më anë tjetër, duke dashur t’i mbetet besnik tezës së ndërmjetme, se shqiptarët e Kosovës nuk janë tamam shqiptarë, siç thotë historiografia nacionaliste shqiptare (madje as kur dëbohen nga sanxhaku i Nishit, as kur vriten në masë disa herë radhazi, pas vitit 1912), por as turq, siç thonë disa historianë dhe kronistë nacionalistë serbë, Schmitt-i nxjerr konstatimin se ata janë diçka tjetër, diçka e ndërmjetme, pra myslimanë shqipfolës.

Ky qëndrim cinik i autorit do t’i limitojë të gjitha observimet e tij historike për Kosovën.

 

Strukturimi. Është krejt normale që pikëpamjet e autorit të ketë pasur ndikim edhe në strukturimin e lëndës së librit, por skema e perceptimit të Kosovës si hapësirë dhe vend i dyzuar, që luhatet ndërmjet “të drejtës historike” dhe “parimit etnik” e çon autorin jo vetëm te një ndarje zi-bardh të krejt lëndës, por edhe te dy mënyra të ndryshme të observimit.

Pjesa e parë e librit është histori, e cila lë të pandryshuar të drejtën historike të Serbisë mbi Kosovën, madje kjo bëhet me një insistim të tillë, që jo vetëm margjinalizon, por gati që e përjashton tërësisht faktorin shqiptar nga kjo hapësirë. Kufiri ndarës është vendosur në vitin 1912. Që këtu e prapa e drejta historike zë të shpërbëhet dhe të zhvlerësohet përpara faktorit etnik, i cili tani jo vetëm që sundon me situatën, por e orienton autorin drejt një vrojtimi krejt ndryshe të zhvillimeve: kosovarët, nga myslimanë shqipfolës, bëhen shqiptarë, përkatësia etnike tani lidhet me vetëdijen e tyre,

Serbia vë në veprim shtetin për t’i zhbërë, e drejta e saj historike mbi Kosovën është e memorizuar, por në realizimin e kësaj të drejte ajo i tejkalon limitet civilizuese.

Në pjesën e dytë të librit, autori është i qartë, përdor faktografi të mjaftueshme dhe përpiqet të ofrojë një këndvështrim realist mbi Kosovën e shekullit XX. Në këtë pjesë të librit, në disa vende, mund të bëhen vërejtje për interpretimin, jo aq për faktografinë, siç është, ta zëmë, mbivlerësimi faktorit jugosllav në emancipimin social-kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve të Kosovës etj., apo insistimi i vazhdueshëm i autorit se Serbia, deri më 1999, jo vetëm që ka ushtruar ndikim, por edhe e “ka orientuar identitetin e shqiptarëve të Kosovës”, sikundër edhe afishimi i përsëritur se shqiptarët e Kosovës kanë një “traditë kaotike”, se Skënderbeu në Kosovë është “mit i importuar” etj.

 

Shënime. Në margjina të librit të Schmitt-it kam vënë edhe këto shënime: Interpretim i gabuar i ngjarjeve të vitit 1981 në Kosovë (f.20); keqpërdorim i referencës historike, duke vendosur paralelizëm ndërmjet Mitrovicës së sotme dhe kufirit serbo-bizantin të shekullit XI (f.38); prani e pahetueshme e shqiptarëve në Kosovë përgjatë shumë shekujve, pastaj shfaqja e tyre e papritur si pjesëmarrës në rrethimin e dytë të Vjenës më 1683 (f.51);

Schmitt-i nuk ua njeh shqiptarëve as traditën e jetës fisnore, thotë se më parë atë e kanë pasur serbët (f.74); Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk ishin gjë tjetër pos “aleanca të përkohshme të fisnikëve myslimanë, të cilat rëndom udhëhiqeshin nga Qeveria osmane” (f.78); Romët, kur islamizohen, bëhen shqiptarë, por shqiptarët vetë, kur dëbohen nga sanxhaku i Nishit, nuk janë shqiptarë, por myslimanë (f.117); Janjeva është argument i pamjaftueshëm që Schmitt-i t’i përmend aq shpesh “katolikët sllavishtfolës” (f.118).

Dhe një shënim tjetër në vazhdim: Sipas Schmitt-it, lidhjet e Kosovës me Shqipërinë dhe të shqiptarëve të Kosovës me pjesën tjetër të popullit shqiptar, gjatë historisë, kanë qenë krejtësisht periferike, pa asnjë domethënie etj.

 

Përkthimi. “Kosova…” e Schmitt-it nuk duket të jetë libër që përkthehet me vështirësi, e para, për shkak se vetë autori ka synuar një qartësi maksimale, për një lexim sa më popullor; dhe, e dyta, për shkak se shkenca e historisë në shqip tashmë e ka të stabilizuar terminologjinë themelore historike, përfshirë edhe një numër nocionesh nga kjo fushë, të cilët në gjuhën shqipe lehtësisht mund të gjejnë ekuivalencën e tyre kuptimore. Megjithatë, në rastet kur autori ndërton ndonjë frazë pak më abstrakte, përkthyesi, Enver Robelli, duket sikur e humb toruan dhe në shqip nxjerr fraza të mjegullta, të cilat nuk arrijnë të bartin mesazhin themelor të autorit. Duke mos qenë historian dhe duke mos qenë ndonjë lexues i pasionuar i historisë, së paku jo në shqip, përkthyesi dështon të bartë në këtë përkthim kulturën gjuhësore tashmë të stabilizuar të historiografisë shqiptare. Edhe në doracakët e historisë mund të gjendet emërtimi i saktë për “Patriarkatin e Konstantinopojës”, “Ligën e Shenjtë”,“krizën e madhe orientale” ose “Krizën e Madhe të Orientit” (Kriza e Madhe Lindore ose Krizën e Madhe e Lindjes), për “kodrën e shenjtë të murgjve, Atosin” (Mali i Shenjtë…), xhamia “e Rrotulla Emin Pashës”, “fuqitë e Ententes” (për Antantën), “Trupat e Bardha” ruse (për bellogardistët), ngatërrimi i toponimeve Fushë-Kosovë dhe Fusha e Kosovës etj. Historia në shqip ka një kulturë shkrimi, ajo mund të mos jetë më e mira, por kurrsesi nuk bën shkarje të kësaj natyre.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s