IKJA E REZART PALLUQIT NGA KAFAZI I REALSOCIALIZMIT… / Nga : Gjergj Jozef Kola

 

IKJA E REZART PALLUQIT NGA KAFAZI I REALSOCIALIZMIT…

 

 

Nga : Gjergj Jozef Kola

 

 

Ky roman duhet lexuar nëpër sheshe dhe duhet të filmohet patjetër që të hyjë në çdo familje shqiptare.

Nëse letërsia shqipe postkomuniste vazhdon të presë, Da Vinçin, Picason, Rembrantin e saj, Rezart Palluqi e ka sjellur van Goghun e tij, duke e vendosur ATË në mes të ekspozitës së letrave shqipe.”Atdheu është një kafaz dhe poetët e mjerë u thurin vargje me dashuri të sëmurë cicërimave të zogjve…Poetët dhe shkrimtarët duhet t’u mësojnë njerëzve të braktisin të 193 kafazët ku janë mbyllur e të cicërojnë të lirë në qiell” – është ky një prej mesazheve të Autorit.

 

rezart-241x200

 

Tashmë, mbasi mbarova romanin “193 kafazet” po vendos pa ndrojë kurorën danteske mbi Autorin: Padyshim, autori Rezart Palluqi është një NDER për qytetin e Elbasanit dhe një fatmirësi për letrat postdiktatoriale shqipe! Stili i shpejtë, rrëmbyes i romanit të merr me vete përgjatë të tërë rrugës. Dialogu e mbush romanin që nga fillimi e deri në fund, e herë herë të duket vetja sikur je në një teatër dhe po e ndjek nga afër skenën.Ky roman është një përzierje e re, nji simbiozë e romanit kriminal, me atë psikanalitik dhe kjo e ka nxjerrë në dritë autorin duke e shpëtuar atë prej grackës ku bien të gjithë autorët e rinj të varur nga STILI I REALSOCIALISTËVE. Zhaneta, protagonistja e romanit është e bija e shefit të sigurimit, e llastuar, djallëzore, sado-mazohiste, duke sjellur në mënyrë të shkëlqyer në letrat shqipe tipiken e bijve të diktaturës: njeriun e ri dhe vazhdimin e tij.Ylli është edhe ai tipiku i njeriut të përndjekur nga diktatura, me një neurozë të veçantë që autori preferon ta quajë “kompleks”, atë të rritjes si jetim me babanë e vrarë nga sigurimi i shtetit komunist. Ai nuk mund t’ikë klisheve të emigrantit shqiptar në Perëndim, i cili të gjitha bjondet i merr si mendjelehta që vijnë menjëherë në shtrat, megjithëse vetë nuk e ka këtë fat, e kjo të kujton fabulën e Ezopit me dhelprën dhe rrushin.

 

Treshen e kësaj drame sa aktuale aq edhe të mprehtë e plotëson i ati i vajzës, drejtuesi i ISH sigurimit të shtetit, për të cilin Autori ka përzgjedhur në mënyrë simbolike emrin latin VIKTOR, ( në një kohë kur të gjithë drejtuesit e organit të sigurimit të shtetit komunist kishin emra turq: si Mehmet Shehu, Feqor Shehu, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, Shefqet Peçi etj) e ka zgjedhur këtë emër për të kallëzuar se në Shqiperi ka fituar Diktatura dhe pinjojtë e saj. Bashkëjetesa në mes të Yllit dhe Zhanetës është e mbështjellë me të tërë pështirosjen që po jeton shoqëria shqiptare sot, ku pseudodemokracia ka bërë kompromise të neveritshme me bijtë e diktaturës dhe vazhdojnë të shtypin, bijtë e të shtypurve, e të çojnë vendin në greminë, ashtu si me familjen në romanin e Palluqit.

Vrasja e Shefqetit prej Zhanetës kallëzon se fëmijët e diktaturës janë bijtë e denjë të prindërve të tyre, nuk kanë asnjë ideal dhe as nuk skrupullosen. Megjithëse romani është shkruar para dy – tre vjetësh, ngjashmëria me realitetin politik sot në Shqipni është befasuese. Futja në roman e gruas, komshijes marokene, e cila gëzon të tërë simpatinë e heroit tonë, kallëzon se ajo është si shoqëria shqiptare, e mbuluar përjashta, porse brenda ka një shpirt të paeksploduar dhe miku i tij maroken, ndonëse njeri i mire, e kallëzon dyfytyrësinë e shumë emigrantëve, që janë mosmirënjohës ndaj sistemeve sociale në Perëndim dhe shohin se si t’i shfrytëzojnë ato sa ma mirë.

 

Tema fetare e heroit ateist është kapur me një mprehtësi dhë realizëm shembullor. Autori Rezart Palluqi ka aftësinë për ta zhveshur lakuriq shoqërinë ku ai gjallon, pa asnjë paragjykim dhe pa asnjë kompromis dhe kjo është një meritë e madhe e pendës së tij. Kuptohet se shumë këndvështrime të heroit Ylli ndaj realitetit hollandez, janë më shumë produkt i mendjes së tij të dëmtuar se sa të realitetit. Drama e këtij romani pasqyron në mënyrë besnike absurdin tragjik të shoqërisë shqiptare mbasdiktatoriale, me çmenduritë dhe krimet e bijve të saj. Prej simbiozës së bijës së vrasësve të kuq me fëmijën e viktimës, lind Shpëtimi i vogël….nëse ky Shpëtim do të jetë e ardhmja, Shpëtimi i Shqipërisë, këtë ka për ta dëshmuar koha…..Brezi që sundon sot në Shqipëri u rrit në vitet 80 me tallona dhe uri të përhershme por që ky brez fatkeqësisht ka kaluar sot në anën tjetër, në një pasurim të shfrenuar me çdo mjet e kusht, prandaj nuk i intereson të merret me hapjen e dosjeve dhe vendosjen në vend të drejtësisë.

 

Kështu shpjegohet edhe heshtja e qarqeve letrare në Shqipëri ndaj Kafazeve të Rezart Palluqit, nji heshtje prej eunukësh, ndërkohë që ky roman duhet lexuar nëpër sheshe dhe duhet të filmohet patjetër që të hyjë në çdo familje shqiptare. Ky roman paraqet në nji toskërishte të mrekullueshme tërë llumin që është mbledhur në nënvetëdijen e shqiptarit të postdikaturës. Nëse ka diçka që mund ta ndryshojë realitetin shqiptar, nënvetdijen e tij, këtë mund ta bëjë vetëm arti, sepse arti dhe letërsia janë të vetmit që nuk mund të manipulohen nga diktatura dhe pinjojtë e saj. Është misioni i një diaspore të shëndoshë, e cila megjithëse në kushte tejet të vështira, (ngaqë edhe shumica e atesheve kulturore janë pinjoj komunistë), me ju dhanë krahë veprave të tilla, duke i promovaur dhe përkthyer në gjuhët përkatëse. Edhe nëse bijtë e Diktaturës kanë bllokuar sot dosjet dhe të vërtetën, romane si ky i shkallmojnë digat dhe i afrohen të vërtetës mjaft afër.

 

 

rezart palluqi

Rezart Palluqi

 

Rezart Palluqi e ka kryer detyrën e tij para shoqërisë shqiptare duke i mbajtur asaj pasqyrën e kohës ku jeton dhe këtë mision mund ta merrte përsipër vetëm nji pendë e papërlyer me realsocializëm. Romani është shumë tronditës dhe absurd ashtu si realiteti aktual shqiptar ku krimi dhe korrupsioni po e mbysin vendin në çdo qelizë të tij. Përfundimin duhet ta lexoni vetë dhe unë ju siguroj se do të jeni në nji mendje me autorin. Edhe aty ku duket se rrjedha e rrëfimit të zhanrit të verdhë ia prish ekuilibrin thellësisë psikoanalitike, autori ka futur poezinë duke e vendosur drejtpeshimin…Nëse letërsia shqipe postkomuniste vazhdon të presë, Da Vinçin, Picason, Rembrantin e saj, Rezart Palluqi e ka sjellur van Goghun e tij, duke e vendosur atë në mes të ekspozitës së letrave shqipe.”Atdheu është një kafaz dhe poetët e mjerë u thurin vargje me dashuri të sëmurë cicërimave të zogjve…Poetët dhe shkrimtarët duhet t’u mësojnë njerëzve të braktisin të 193 kafazët ku janë mbyllur e të cicërojnë të lirë në qiell” – është ky një ndër mesazhet që na përcjell Autori.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s