LITARI / Tregim nga Miltiadh Davidhi

 

LITARI

 

 

Miltiadh davidhi

Tregim nga Miltiadh Davidhi

 

 

Jeta mund të ketë formën e një deti të qetë e me valëza dashurie, formën e një lumi të rrjedhshëm e të kristaltë, formën e një lëndine të bukur e shumëngjyrëshe me aroma dehëse, por mund të ketë dhe formën e një litari, i cili mund të shëndrrohet në një lak të frikshëm për dashurinë, në një pengesë serioze për vazhdimin e mëtejshëm të ëndrrës. Dhe ti ndjehesh i befasuar nga e papritura e keqe që të del përpara, pikërisht atëherë, kur mendon se punët kanë filluar të marin për mirë dhe ndjehesh i lumtur. Këto po mendoja kur vendosa të shkruaja, këtë çka, do ju rrëfej në këtë tregim të vërtetë.
-Dëgjo bir,- më tha nëna një ditë, kur vajta për ta takuar në Tiranë, -unë i mbusha 84-tër vjeçe dhe më duket, se po më afrohet, ajo, e flamosura, qyqja, që me krahë nate më ndjek nga pas prej lindjes time e vdekjes së Krishtit, të shqyej lumenjtë e mi prej gjaku e limfe, e në pyjet e blerta të mushkërisë sime, të këndoj të mallkuarën, këngën e saj. Kam filluar ta shikoj se si më fluturon nga lart, mbi qiell të shpirtit, e po ia dëgjoj zërin e frikshëm. Po mua, aq më bën, se jetova goxha gjatë. Yt atë mbushi 21 vjet që ka vdekur. Tashmë është radha ime. Sivjet ndihem më e pafuqishme nga vjet, më dhëmbin më shumë kockat e i gjithë trupi, e sidomos prapa shpinës. Dhe me frymë me shumë vështirësi po mbushem. Po,po,e ndjej që po më afrohet çasti kur do të largohem nga kjo botë. Asnjë mjekim s’po më bën më efekt, ndaj, bir, si djalin e madh që të kam, dua të tregoja për jetën time…, ato që s’ti kam thënë asnjëherë…, dhe që natyrisht, ti s’i di. Heshti një copë herë, u mendua, e filloi të fliste sërish:
– Mbase duhet të t’i kisha treguar më përpara, por më ka ardhur zor, kështu jemi ne, balta e vjetër. Dhe mbasi u mbush me vështirësi me frymë, drejtoi shikimin nga unë, e filloi të tregonte duke iu dridhur zëri, e duke i rënë një ngjyrë e kuqe mbi faqet e zverdhura e të rrudhura, siç bie një dritëz e bukur dielli mbi fytyrën e verdhë të hënës në perëndim. Ashtu, si ma tregoi nëna,e cila fliste ngadalë, e herë pas here e ulte kokën duke i ardhur turp, po e rrëfej dhe unë për Ju.
-Atë mëngjes,tha,- baba im e gjyshi yt, u ngrit më shpejtë nga herët e tjera. Ndoshta nuk e pati zënë gjumi gjithë natën. Unë doja një djalë, e atë paradite do vinte me disa njerëz të vet, për të më kërkuar dorën,siç ishte zakoni. Ai punonte polic në fshatin tonë dhe jetonte në qytet. Më donte shumë, por im atë nuk donte që unë të martohesha me të.
-Është polic,-më tha,-dhe s’di pse i kishte inat policët. A, ndoshta, e pati justifikim, se i kishte dhënë fjalën një miku e stër miku dhe i vinte zor t’i dilte nga fjala? Se di cila qe e vërteta nga këto, por di, që megjithse nuk më kishte thënë për atë ç’ka kishte marë vendim, atë ditë pranvere me diell të bukur e ktheu në një ditë dimri me stuhi e rrufe të pamëshira për jetën time.
Ishte ulur në oborr, para shtëpisë, në hijen e mënit, me një sasi të madhe zhukash përpara,e po bënte një litar.
-Për ç’farë i duhet litari,-mendova e pikëlluar kur e pashë, e nisa të shqetësohesha. Ai litar, anakronik, e i lashtë sa bota, para syve të mi mori formën e një gjarpri, që sa vinte e dilte frikshëm nga vëndi ku ishte fshehur, i gatshëm për t’ju rrotulluar rreth qafës, e mbytur tim atë nga çasti në çast. E urrreva atë litar, që thurej për të varur dashurinë time të brishtë. Por, baba, çuditërisht, vazhdonta ta ledhatonte e fërkonte e ta stiste me duart që i dridheshin të nervozuara, si të ishte e vetmja rrugë e mjet shpëtimi për të e për dashurinë time. Pa menduar kurrë se po bënte një krim. Njerëzit e djalit erdhën e po qëndronin pranë gardhit të lartë me ferra prapa shtëpisë, e ai nuk ua hapte derën, e unë përpëlitesha si një re e shqetësuar midis ëndrrës e dashurisë që po më rrëshkiste para syve duke e vrarë e shuar përgjithmonë.
-Hajde, më thoshte i dashuri, nga përtej gardhit, hajde me ne! Babai yt më vonë do ta kuptoj gabimin që po bën sot, e do jetë i kënaqur kur të shikoj të lumtur më vonë…Hajde, Gjena hajde, më lutej…ndërsa unë vrapoja sa tek baba që thurte litarin e vdekjes së tij, tek djali që më lutej të ikja me të. Pas pak, nga shtëpa e vet që ishte ngjitur me tonën, erdhi dhe xhaxha Bani. Ai ishte në anën time. Dhe ndjeva një lehtësim në shpirt, njëlloj sikur shikon një dritëz dielli të dalë mes reve të pashpirta.
-Ç’farë po bën,Trifon?-i tha xhaxha, babës, kur e pa duke thurur litarin, të shpërfytyruar mes zhukave.
-Nuk më shikon, -i përgjigjet baba, po thurë litarin e vdekjes sime. Nëse ju do vazhdoni të më komplotoni nga prapa shpine, unë do var veten. Po,po, do var veten, e kam vendosur. Kam dhënë fjalën, s’dua të turpërohem. Gjena nuk do martohet kurrë me policin. Ata duhet të ikin sa më parë. Të kthejnë majat e këmbëve nga kanë thembrat, e të nisen! S’kanë pse rrinë më aty, prapa gardhit të shtëpisë sime!
Ndërsa, unë, vazhdoja të rendja sa tek baba, tek i dashuri, i cili më lutej e përgjërohej të shkoja më të, më lutej e lutej. Isha në dilemë të madhe. Në dilemën e vazhdimësisë së jetës sime, të dashurisë sime, ose të ndërprerjes së saj. Dhe kjo për mua, ishte një vetëvrasje, një vdekje së gjalli.
-Baba nuk do e bëj atë që thotë, -vazhdonte të më mbushte mëndjen djali që doja,-s’e le xhaxha Bani, do ia ndryshjnë mendimin, ai e njerëzit e tjerë të shtëpisë…,por ti hajde ,hajde, hape portën dhe dil! Por unë e doja shumë babën, isha vajza e madhe e tij, ndër pesë vajzat. Më kishte rritur si pika duke vuajtur aq shumë, si mund të largohesha, ashtu, vjedhurazi? Po sikur të vdiste baba im, e shkaktarja të isha unë, të ishte dashuria ime…?! S’mund ta bëja dot, atë veprim.
-Hajde Gjena!- më lutej polici im, e bashkë me të më luteshin gjithë zërat e padukshëm të pemëve, luleve, zërat e njerëzve të tij, më lutej e ardhmja ime. Por, unë rendja, sa tek baba që debatonte fort me të vëllan, me merakun se ndodhte e keqja, tek gardhi me ferra me sytë plot me lotë, deri sa më në fund vendosa të mos ikja me ata, që kishin kaq kohë që po më luteshin e po më prisnin. S’munda ta kapërceja atë gardh injorance me ferra të pashpirta, që më ndoqën gjithë jetën nga pas, duke më shpuar e gjakosur trupin e shpirtin.
-Më qafë paç veten,-më tha djali që doja, e me sytë e ulur përtokë, i pashpresë, e i ofenduar, u largua me gjithë njerëzit e vet për të mos u parë më kurrë.
-Të nesërmen me dy kuaj që erdhën me natë, u ngarkua paja ime dhe më çuan, atje, ku kishte vendosur baba, -tha, duke u mbushur me vështirësi me frymë, se vuante dhe nga azma, e sytë i ndriçonin nga lotët me një shënjë zëmrimi e revolte brënda tyre. Më martoi me një njeri të vonuar mëndërisht, që ishte duke kryer shërbimin ushtarak, dhe, që e kishin vënë të ruante kafshët e imta të repartit.
-Im atë që më kishte dhënë jetën, atë ditë të zezë për mua, me qëndrimin e mbajtur, vrau dashurinë, vrau jetën time, e cila për aq sa qëndrova atje, ishte një ferr i vërtetë, po për atë se si rodhën ngjarjet atje, do të tregoj më pas,-tha, dhe heshti me dorën e vendosur në faqe e me një shqetësim të dukshëm në gjithë fytyrën.
Ndërsa dëgjoja s’doja ta besoja, që gjyshi im aq i dashur, i cili ishte nga njerëzit më të emancipuar e më të mënçurit e fshatit, që fliste aq bukur e vishej me kostum të bardhë, kollare e kapele republike, në atë kohë kur njerëzit e tjerë në fshatin e tij visheshim me shallvare, të kishte mbajtur një qëndrim të tillë?! Shikoja brënda vetes se si ndryshonte duke u gjymtuar mendimi për gjyshin. Ai më kishte dashur kaq shumë, se isha djali i parë i vajzës së tij të madhe, e ishte i përgjëruar për një djalë, e ndonse kishte birësuar dajë Todin, herë pas here, i qe lutur tim ati, të më merte, e të më rriste si birin e vet, por, im atë nuk kishte pranuar. Tashmë, pas atyre që më tha nëna, gjyshi zvogëlohej e zvogëlohej tek unë dhe më ngjante me një fëmijë të vockël, e unë herë e doja e herë e urreja, kurse nëna ime e deshi gjithë jetën, pa nxjerë kurrë ndonjë fjalë të keqe për të, si më parë dhe tani që po më tregonte këtë ndodhi pikëlluese të saj. Por dhe kur vdiq pasi më rrëfeu këtë sekret, iku me emrin e tij në gojë duke e dashur aq shumë.
-Gjithmonë kohërat do lindin nëna të mira, se nënat janë të mira në të gjitha kohërat, por, si ato nëna që lindën kohërave të shkuara, si nënat tona, do jenë gjithmonë e më të pakta, -më erdhi ndërmënd ,ajo, ç’ka më tha një shoku im një ditë, me të cilin ishim rritur bashkë dhe vinte shpesh në shtëpinë time.
Mes trishtimit që më pushtoj, e putha nënën, pastaj e shtrëngova pas vetes, e ia ledhatova një copë herë flokët e thinjura, e të bukura, fytyrën e ballin plot me rrudha, si për t’i dhënë të kuptonte, që, ai realitet i hidhur si ëndërr e keqe, tashmë i përkiste një të shkuare të largët, e ajo, shtëpinë e kishte plot me djem,vajza,nipër,mbesa e stërnipër. Atë ditë s’e mendova kurrë, që nëna do më ikte shumë shpejt, vetëm pak javë, pas këtij rrëfimi, megjithse ishte e qetë dhe e kthjellët në ç’ka thoshte e bënte, me një kujtesë për ta pasur zili, e lëvizte nëpër shtëpi si një gjethez kujtese e dashurie. E di, ajo si rreze drite e bukur, do më ndjek nga pas duke më ngrohur trupin e shpirtin. E lotët e mi janë e do jenë shirat e pashterura, që do vadisin barin e dashurisë së saj, sa herë ta kujtoj atë, e vuajtjen e një jete tashmë të tretur. Do jemë dhimbja e dashuria e saj e palodhur në jetë të jetëve, duke e dashur, shkruar e shfletuar jetën e saj, si faqet e librit tim më të shtrenjtë, duke e shëndrruar në një faltore të shenjtë. Se nënat gjithmonë dinë t’i ngrenë bukur faltoret brënda nesh.

 

Dt.26.08.2015.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s