Poezi nga Xhemile Adili

xhemile Adili

Poezi nga Xhemile Adili

 

 

 

DIELLI NË MES NA RRI

 

Gati çdo natë
Kërkoj yllin tim,
Dua ta gjej
E të mbështes kokën
Në gjoksin e tij,
Dikur edhe ai mbështeste kokën
Në krahët e mi,
Tek pushonim në lëndinat e qiejve tanë,
Kur nata i merrte ditës ditë,
Kur dita i merrte natës natë.

Sa mall kemi për njëri-tjetrin!
Ylli im!
As ti nuk e mban të fshehur,
As unë nuk e mbaj të fshehur,
Por rruga është e gjatë
Për t’u takuar,
Nga qielli im,
Në qiellin tënd.

Loti ynë bashkohet poshtë në tokë
Po na lag të dyve
Këtu lart në lëndinën blu,
Dhe nuk di pse loti im sonte
Nuk është një pikë loti,
Po është një rigë me shi,
Që lag mallin tim, mallin tënd,
Të vjetër e të ri.

Mbështes kokën në gjoksin tënd, ylli im!
Ti mbështet kokën në krahët e mi, ylli im!
Unë në një qiell,
Në një tjetër qiell ti,
Dielli në mes na rri.

 

 

 

EJA, SE NUK KEMI JETË TJETËR

 

Eja, se nuk kemi jetë tjetër,
Në kohën sot,
As në kohën e vjetër!
Të mos kesh frikë
Nga vrasësit e buzëve!
Eja!
Të pres në vendin e takimit,
Ku kemi ndërtuam parajsën,
E tani s’ka mbetur gjë tjetër,
Veç kujtimeve,
Që shpirtin gërryejnë
Gurin e dashurisë sonë,
Nga malli dhe gjethet
Kanë filluar të marrin ngjyrë tjetër
Edhe zogjtë rrinë strukur diku larg,
Kur shohin lotin fytyrës rrëke,
Duke të pritur në stolin e boshatisur,
Vjen vjeshta
Dhe gjethet u shtrin mbi tokë
Të bëjnë gjumin e gjatë stinësh,
Vetëm malli im nuk fle,
Nuk ka gjumë,
Është në pritje të ardhjes sate,
E mungesa jote, malli, dhembja
Sa janë përzier keq!
Rëndojnë rëndë
Dhe ne degen e vargut.

 

 

 

KËNGË PËR KËNGËT E VAÇES

 

Milionë ngjyra,
Milionë zëra zogjsh,
Sa milionë vonesash të vargut tim,
Erdhën të fillojë pranverën në çdo stinë,
Është pranvera e Vaçes
Me bukurinë e saj përrallore,
Si këngët e atdheut,
Si këngët rinore,
Me mijëra shtegtarë,
Që nuk i lëshojnë kurrë
As vendet e ftohta,
Në valsin e lumturisë
Rrëke bregut të detit bie
Dhe unë nuk e hap ombrellën,
Si djali në shi
E lemzën më çojnë
Mijëra zanore,
Secila një festival,
Nga një pikë përhapen,
Si dy vijat e germës V,
Deri në pafundësi,
Nga mblidhen prapë në të njëjtën pikë
Dhe secila më pret gërshetin,
Që të lidh vargjet e këngës sime
Për ty, krisma ime në male
Partizania e këngës sime
Krushka ime
Në shiun,
Në erën,
Në lotët e Shqipërisë,
Në mallin e Arbërisë,
Ti dallga ime e shkumëzuar,
Zjarri im i lulëkuqes,
Vaji dhe kënga e vargut tim kitarë!

 

 

 

NË UDHË ME NATËN

 

Kurrkush nuk u dashurua në ty,
Përveç djallit,
Shëmtakja e dreqit,
Po unë me ty rrugëtoj
Zvarritur skutave, greminave,
Unë pengu yt i zi,
Zgjas duart e të shqyej pelerinën e zezë,
Po terrin e zi nuk ta heq,
E në terr të zi,
Këndoj këngë të zeza,
Varr më varr,
Dhe çdo grimcë varri
Bëhet pikë e këngës sime,
Kurse ti nuk ke ndjenja,
As shpirt,
As zemër,
Shëmtakja e dreqit!
Mirë që nuk ke sy
E nuk sheh fytyrën tënde sterrë
Edhe pa pelerinën e zezë,
Kurrkush nuk u dashurua në ty,
Përveç djallit,
Dhe kërkon të udhëtojmë bashkë,
Po unë nuk të ngjaj ty
Ti më mban peng,
Më zvarrit nëpër vite,
Ti verbake e shëmtuar!
Kaq shumë frikë shumëzon me ata sy,
Për të mbajtur perandorinë tënde,
Po kaq lehtë e ke,
Je natë,
Natë e zezë je.

 

 

 

FJALË NGA DHJATA IME

 

Jepi, shpirt, shpirtit!
Një ditë bëhet mirë.
Jepu zemër atyre,
Që zemrën s’ta vranë!
Jepu urata atyre që s’të mallkuan!
Bekoji ata që të zgjaten dorën,
E ata që të vranë shpirtin,
Lëri në dorë të Zotit!
E kur të përballësh me njerëz të ligj,
Lëshoju rrugën!
Ata janë mësuar
Të ndjellin prapësi.
Kur të marrin dhunshëm
E të hedhin honeve,
Ti hesht!
Gjithmonë do të ketë
Një dorë që zgjatet drejt teje,
E kur ditën ta kthejnë në natë,
Mos u trishto!
E nesërmja do të vijë gjithë dritë.
E kur të vrasin shkëlqimin e syve,
Mos thuaj asgjë!
Të nesërmen dielli
Do të bëhet dritë e syve.
Atyre që s’njohin mirësinë tuaj,
Mos iu përkul kurrë!
Dhe sa herë të përballësh me rrebeshe, furtuna
Qëndro e fortë
Si kalaja e Rozafës!
Ti je hyjnore
Dhe hyjnorja nuk vdes kurrë.
Do të jetosh sa shekujt,
Në shpirtrat e atyre,
Që të njohën shpirtin,
Derdhur në jetë,
A derdhur në vargje.

 

 

 

MOS GABO, VDEKJE!

 

E si të gjej çelësin tim,
Për çelësin tënd SOL,
Që të gjej lulet më të bukura të pranverës,
Të mbjella në kopshtin e pentagramit tënd
Për t’i dhënë jetë jetës sate,
Anita Bitri!
Mos u nxito!
Mos u gabo!
Të shuhesh,
Lulja e këngës shqipe!
Melodia e dashurisë sime të parë,
E çelur në janar.
Mos gabo, vdekje!
Ti dua të kesh emrin tim!
Unë pi sot monoksidin tënd të karbonit
Si gazin e jetës sate,
Bashkë me lotin tim,
Vlora ime e gjallë!
Ty të lidh diçka e ngushtë me Zotin,
Si me nënën, si me bijën tënde.
Mos gabo, vdekje!
Kot mat vitet me nostalgji!

 

 

 

PANORAMË DETI

 

Buzë muzgut,
Mbi kalanë e Durrësit
Është i vetmi vend në botë,
Ku dielli perëndon mbi det,
E kjo pikturë rri varur në zemër të Shqipërisë
Nga kalaja hy në mushkëri të qytetit,
Ndjej si merr frymë,
Qyteti i mbuluar me drita
Ngjan me kupë të qiellit,
Me shkëlqim yjesh,
E laget nga dallga e ëmbël mbi breg
Ngjanin me simfoninë e Vivaldit,
Ndërsa kudo që shikimin hedh,
Të bëhet muze,
Gjen nuancat e ngjyrave,
Në fillim të shtatorit,
Shtatë orë rrugë
Nga muza ime në vargje
Nga zanorja në zanore
Nëpër udhën e perëndimin e diellit mbi det
Bukuritë e qytetit treten në muzg,
E muza më priste të kthehesha
Te këmbët e natës
E mbi fletët e bardha,
U nisën mijëra shkronja
Të pikturojnë dashurinë time
Me ngjyrat e vargut tim
Me tufa lulesh,
Me cicërima zogjsh
Dhe era i mor me vete,
Të këndojë
Perëndimin e diellit mbi det.

 

 

 

NË KRYENGRITJE ME VDEKJEN

 

Ti shëtit e ftohtë
Nëpër lëkurën time të ftohtë,
Ashtu si je,
E ftohtë dhe e verbër,
Me prekje akull,
Po unë nuk të ndjej,
As nuk të shoh,
Edhe pse të di përmendsh.
Po deshe më merr,
Ti mëkatin nuk e njeh,
S’ke shpirt,
Të dish si i dhemb njeriut.
Ti nuk pyet për moshë,
Ti s’njeh as moshën tënde,
Vjen si e verbër,
E shurdhër vjen,
Nuk të ka parë kush fytyrën kurrë,
Sepse ti vetëm në zemër rri,
Sepse ti vetëm në zemër hyn
Dhe nuk pendohesh,
Se ti nuk ke ndjenja
Ti nuk merr frymë,
Nuk solle në jetë asgjë të bukur,
Vjen vetëm me helm në dorë,
Vjen e këndon vetëm klithma,
Ama unë të ftova të pimë një kafe,
E bëjmë llafe për jetën dhe vdekjen,
Po ti nuk erdhe!
Punë e madhe fort erdhe a s’erdhe!
Punë e madhe fort vdiqe a jetove!
E kuptoj se ti ke frikë nga unë,
Sa herë marr frymë,
Ti numëron minutat e fundit tënd.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s