Petraq ZOTO….ende dëgjojmë rrëfimin tënd! ( Esse-personazh ) / Nga Raimonda MOISIU

Petraq  ZOTO….ende dëgjojmë rrëfimin tënd!

 ( Esse-personazh ) 

 

 

1-raimonda

Nga Raimonda MOISIU

 

 

Aty ku  ka jetë, ka edhe vdekje. Edhe pse një  sentencë e njohur kjo, ne përsëri  gjejmë forcë e dashuri, të ngushëllojmë veten, duke menduar se jeta dhe drita e trashëgimsë që njeriu  lë pas, vazhdojnë përjetësisht, pas vdekjes. Shumë artistë, poetë, shkrimtarë dhe të  tjerë njerës të vlerësuar nga koha e historia, ne  ende i dëgjojmë rrëfimet e tyre,  sepse ata vazhdojnë të jetojnë  përmes këtyre rrëfimeve, teorive, artit dhe ideve. Ata bëhen të pavdekshëm, se janë magjia e ndjenjës dhe thellësia e mendimit, të sigurtë për vlerën e tyre, ata vazhdojnë  të jenë pjesë e rëndësishme e jetës dhe botës sonë,  pavarësisht se nuk frymojnë apo të jenë fizikisht mes nesh.  Jo se ata sa kanë qenë gjallë kanë kërkuar famën, por ata e kanë arritur atë parakohe me veprat e tyre , ndikimin e thellë të  këtyre veprave në shoqëri, art,   kulturë dhe historinë e një kombi. Shkrimtarët jo vetëm pasqyrojnë dhe rrëfejnë jetën, por  ata i japin frymë asaj dhe formësojnë shoqërinë në të cilën jetojnë dhe marrëdhëniet njerëzore, ndryshojnë mënyrën e të konceptuarit të botës, jetës dhe të situatave sociale dhe historike, që ata i shprehin përmes artit të të shkruarit, ndaj të tashmes së paqëndrueshme, të ardhmes që cfaqet në horizontin e largët   dhe të kaluarës në perëndimin e largët. Para pak ditësh u nda nga jeta një prej shkrimtarëve më të mirënjohur, pionier i letrave shqipe, një  burrë plot virtyte, mik, koleg bashkëshort i devotshëm   dhe një artdashës i cmuar, -shkrimtari korcar, Petraq Zoto. Ajo c’ka e bën edhe më interesante jetën dhe krijimtarinë letrare të shkrimtarit të mirënjohur korcar Petraq Zoto, sepse ai ishte aq i ëmbël në pamje, po aq edhe i ëmbël në penë, dhe mbi të gjitha i përkiste binomit jetësor Njeri & Shkrimtar. Ndjej një emocion të vecantë teksa shkruaj këtë esse, për këtë kitarë të cmuar korcare, që mbeti varur përjetësisht në degën e blertë të blireve të Korcës sonë, jo vetëm sepse rrëfimet e tij i kam lexuar që në fëmijërinë time, si një shkrimtar i letërsisë për fëmijë, por edhe më pas,  erducioni i tij si shkrimtar dhe intelektual ka hedhur dritë në shumë aspekte të krijimtarisë sime, një dritë aq të fuqishme, sa unë më pas u bëra një vëzhguese e krijimtarisë së tij letrare, deri edhe në intervistimin e këtij njeriu të shquar të letrave shqipe. Tregimtar terrifik, midis të mundshmes e të paparashikueshmes, shkrimtari Petraq Zoto  në veprat e tij, zotëronte një  ndjeshmëri mahnitëse në transformimin e një subjekti të vështirë në një subjekt të dritës e shpresës, mjeshtër i rrëfimit dhe fjalës së përkorë. Ai ka shkruar tregime dhe romane, që përhapnin tinguj e aromë lulesh.  Sa shpirt njerëzor ka në veprën e tij! I pëlqente të eksperimentonte  me prozën, i paparashikueshëm në ambicien e tij krijuese, sillte në vazhdimësi vlera të reja artistike. Për këtë  flet shumë krijimtaria e tij disa dekada.

 

Origjina, shkollimi dhe fillesa në udhëtimin e gjatë krijues,

 

Petraq Zoto ka lindur në Zicisht të Devollit, një fshat arsimdashës dhe me kulturë të hershme. Karakteristikë e këtij fshati tradicional e historik janë shtëpitë dykatëshe dhe rrugët e bukura të shtruara me kalldrëm. Fshat i njohur ndjeshëm për kitarat e serenatat që në vitet ’30-të, ku bëheshin mbrëmje vallëzimi dhe këndoheshin serenata, dhe një vecori se martesat në përqindjen më të madhe lidheshin nëpërmjet dashurisë. Nga Zicishti kanë dalë vazhdimisht personalitete të spikatura të artit, kulturës, shkencës e historisë, sikundër Evllogjio Kurila, Doktor i shkencave në filologji e histori, që në fillim të shekullit të kaluar,  mitropolit i Korçës në vitet ’30; Kosta Çekrezi, një ndër personalitetet më të shquar shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit XX; nga Ziçishti ishte edhe  Llambi Andrea, i cili solli automobilin e parë në Korçë. As vetë Mjeshtri i rrëfimit, Petraq Zoto nuk e mbante mend se kur qartësisht kishte filluar të shkruante. Në rininë e tij të hershme ka qenë i pranishëm në një takim me një nga shkrimitarët shqiptarë më në zë të shekullit XX-ë, një prej urave lidhëse më të fuqishme mes dy kombësive shqiptare dhe asaj maqedonase, shkrimtari modern që evokoi paqen dhe harmoninë mes kombeve, Sterjo Spasse. Trupmadh me flokë të gjatë e të dredhur përfund, sikundër e përshkruan Petraqi në një intervistë, të cilin e shihte me kërshëri të zbulonte c’gjë të vecantë kishte ai njeri, Sterjo Spasse, që ishte bërë tashmë një shkrimtar i mrënjohur. Gjimnazisti pasionant i letërsisë nga Zicishti,  i mrekulluar dhe dashamirës i krijimtarisë së tij, i afrohet dhe i thotë se ka lexuar një roman të tij dhe gjatë leximit bënte përqasjen e personazheve të romanit me njerëzit që njihte dhe e rrethonin. Sterjo i hedh vështrimin, duke e parë me vëmendje dhe  e inkurajon: “ Lexo sa më shumë, dhe provo të shkruash!” . Shkrimi i parë i Petraq Zotos lindi pikërisht nga mbresat rreth atij takimi me shkrimtarin e shquar, dhe ja dërgoi gazetës “Zëri i Rinisë”, që për fatin e shkrimtarit të ardhshëm,  nuk u botua kurrë.  Por, Zoto nuk u dekurajua, dhe ndërkohë nisi të shkruajë tregime. Tregimet e para ia con shkrimtarit tjetër të mirënjohur  nga fshati i tij, Sotir Andonit, i cili i tregon edhe sekretin se si punohet me tregimin. Pasionin për të shkruar dhe hedhur në letër gjithcka që i shihte syri e mendja, përvojat jetësore, Zoto filloi ta perfeksiononte duke frekuentuar rrethin letrar pranë pallatit të kulturës Korcë, një nga rrethet më aktivë të kohës, ku bëheshin diskutime të shumta krijuese, të krimjimtarisë të Zotos,  të Teodor Lacos dhe të Koci Petritit, shokë e shkrimtarë që i përkasin një gjenerate të artë, duke lexuar krijimet e njëri tjetrit dhe bisedonin për to, por që  ishin një shkollë e vërtetë letrare. Tregimi i parë që iu botua ka qenë një tregim për almanakun te “Korca letrare”, tregim që u përzgjodh nga vetë shkrimtari Andon Mara. Një  tjetër iu botua në gazetën “Pionieri”, pastaj dhe një në faqen letrare të revistës “Ylli” e kështu në vijim. Ky ishte fillimi. Këto botime e inkurajuan dhe Petraq Zoto vazhdoi të shkruante në udhëtimin e gjatë krijues të tij deri në fund të jetës. Botoi librin me tregime për fëmijë, “Tirka”, të cilat i dërgoi në konkursin kombëtar të vitit 1966-ë dhe vlerësohet me Cmimin e tretë. Më pas Petraq Zoto zhvendoset nga fshati në Korcë, ku kalon pjesën më të rëndësishme të jetës së tij. Qyteti i Korcës e bëri për vete djaloshin nga Zicishti, qysh herët, si qyteti që i priu lëvizjes kombëtare dhe kulturës së artit shqiptar. Korça e shkollës së parë shqipe dhe e Liceut Francez me kontribut universiteti, qyteti i  serenatave e i korit pasionant karakteristik dhe i teatrit brilant, sikurse i një aradhe shkrimtarësh e artistësh me emër në mbarë vendin, mes të cilëve shkrimtari Petraq Zoto punoi e krijoi  dhe e afirmuan atë si shkrimtar dhe  si drejtues në sferën e kulturës dhe të artit. Për më se 30 vjet, Zoto ka qenë drejtor i Pallatit të Kulturës, pastaj i Teatrit, kryetar i degës të Lidhjes së shkrimtarëve e të Artistëve me 120 anëtarë. I inspiruar nga patriotët Themistokli Gërmenji, Mihal Grameno,Vani Kosturi, Sevasti Qiriazi e të tjerë në vitin 1981-ë, botoi  një libër me tregime historike. Me një mënyrë tepër ndjesore të këndvështrimit  personal e origjinal të botës e njerëzve që e rrethojnë, ka pasur arritje dhe suksese në karrierën e tij, por dhe i vëmendshëm ndaj kritikës letrare e kërkesave gjithnjë në rritje.

“Letërsia nuk është një fushë beteje, ku shkrimtarët kacafyten për t’i rrëmbyer trofetë njëri-tjetrit, por një arë e madhe, në të cilën çdonjëri punon një ngastër, e mbjell, e selit me përkushtim dhe vjel frutin e dëshiruar. Pra, secili ka pjesën e vet dhe mund të bëjë të vetën, thënë ndryshe, me çdo libër të tij të ri, të sjellë një vlerë të re letrare”, kjo është thënje brilante, kredoja  e Petraq Zotos!

Në fjalën artistike të Petraq Zotos dëgjohej Mitrush Kuteli në bashkëbisedim me Vangjush Mion. Zoto ishte  një rrëfimtar i talentuar dhe krijonte karaktere realiste  bazuar në përvojën e tij personale, por edhe në eksperiencat jetësore, në vazhdën e paraardhësve të tij, elitën e shquar korçare të letrave shqipe, si Sterjo Spasse, Dritero Agolli, Sotir Andoni,  Vasil Xhacka, Teodor Laco, Vangjush Ziko, Petraq Kolevica, Petraq Samsuri,  e cila vijon më tej, me më të rinjtë Thani Naqo, Andon Andoni, Gjergji Dushku, Skënder Rusi, Ylber Merdani,  Kostaq Duka, etj, etj.

Shkrimtari i mirënjohur korcar Petraq Zoto si një pionier i letrave shqipe, mbetet një rrëfimtar terrifik, zotëronte talentin dhe forcën letrare –artistike në ndërtimin e karaktereve realistikë me një sens të mprehtë; të së mundëshmes e të paparashikueshmes, një vështrim të brendëshëm dhe ndjeshmëri mahnitëse, stil poetik  që synonte subjektin e vështirë, ta transformonte  në një subjekt të dritës e shpresës, arrinte të depërtonte brenda të bukurës e njerëzores.

 

 

petraq zoto

Petraq Ilia Zoto

 

Postscriptum

 

Petraq Ilia Zoto lindi në Ziçisht të Devollit më 20 dhjetor 1937. Ka kryer Institutin Pedagogjik dyvjeçar “Aleksandër Xhuvani” në Tiranë, degën gjuhë-histori, pastaj edhe Universitetin e Shkodrës, degën gjuhë-letërsi.

Afro dhjetë vjet punoi në arsim, mësues në Devoll dhe në Korçë. Në vitin 1969 u emërua drejtor i pallatit të kulturës të Korçës, më pas drejtor i teatrit “A.Z.Çajupi”. Në dhjetor të vitit 1986 u shkarkua nga detyra për një koncert recital që u konsiderua me shfaqje të huaja borgjezo-revizioniste. Ndaj kësaj mase reaguan mjaft shkrimtarë e artistë, së pari Dritëro Agolli, kësisoj u rikthye në detyrë në tetor 1988. Në vitet 1981 – l991 ka qenë edhe kryetar e degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për rrethin e Korçës.

 

Veprat dhe Cmimet e shkrimtarit të mirënjohur korcar Petraq Zoto

 

Vëllime me tregime: -Dritat nuk u shuan,1967,/Taksia u ndal te kthesa,1969,/Kumbimi i një  krisme,1975,/ Bredhi i gjelbër,/1981,/Nesër bëhet vonë,1986,/Enigma e një ftese       2014-ë.

-Libra për fëmijë e të rinj,me tregime:-Mësuesi im i parë, 1966,/Ndërgjegjja                           1967,/ Tregimet e një nxënësi,1968,/Tregime,në greqisht-Tiranë,1968,/Mëngjesi i përflakur,1972/Mësuesi i  parë,/ Prishtinë,1968,/Tregimet e një nxënësi,botim për lexime jashtë klase,Prishtinë,1972,/Tregime të zgjedhura,1975,/ Ndërgjegjja,botim për lexime jashtë klase,Tiranë,1976,/Dy buzëqeshje,1981,/Gjahu i së dielës,1984.

-Romane: Verka ,1971,/ -Për sot dhe për ditët që vijnë,1978, Kali fluturues                  1989,  -Bishti i dhelprës,1997, Burimi i drerit,1999,/ Genta, 2004,/Vetja tjetër,2010-ë.

-Çmime kombëtare: -Tirka, Cmim i III 1966(u botua në dy libra :Mësuesi im i parë 1966 dhe Ndërgjegjja 1967,/Tregimet e një nxënësi, çmim III, 1969,/Mëngjesi i përflakur, çmim II, 1971,/ Sot erdhi dita, çmim III  1978 (u botua me titullin; Për sot dhe për ditët që vijnë,/ Gjahu i së dielës -libri më i mirë për vitin 1984 në prozën shqiptare për fëmijë e të rinj,/Nesër bëhet vonë,  çmim II,1986,/Kali fluturues, çmim III,1989,/Bishti i dhelprës, çmimi “Ezopi” nga shoqata mbarëshqiptare e shkrimtarëve për fëmijë e të rinj dhe ambasada greke në Tiranë, 1998,/Burimi i drerit, “Penda e argjendtë”, viti 2000. Kohët e fundit jetonte në Tiranë dhe punonte  në shtëpinë botuese “Mësonjëtorja”, redaktor i botimeve letrare.

 

Petraq Zoto mbylli sytë përgjithmonë me 6 Shtator 2015, në shtëpinë e tij në Tiranë, pranë bashkëshortes, Tatjana, me vështrimin  nga qyteti i magjishëm i  Korcës nuse e plakë, ku dhe mori jetë   nektari i krijimtarisë së tij letrare. Librat e shkruar prej tij, me krenari mbajnë emrin dhe mbiemrin Petraq Zoto- të njërit prej mjeshtërave të letrave shqipe. Prehu në Paqe, Mjeshtër i Rrëfimit dhe Fjalës së Përkorë!

Amen!

 

 

Raimonda MOISIU

 

Shtator 2015