Poezi nga Lumo Kolleshi

lumo

Poezi nga Lumo Kolleshi

 

 

ANTENA ZEMRA NGRE

 

Kujt t’ia hap zemrën e brengosur?
Eshtë bërë flamur melankolie,
Mendimet nga përplasjet s’kanë të sosur
Në brigjet e thikta të kësaj vetmie.
Dhe gurët e zallit të një lumi
E mbajnë pak rërë aty pranë,
Madje dhe gëzhoja e mban plumbin
Para se të ikë për të vrarë.
Shpirti im plagosur rri këtu
Në mistere ëndrrash të papara.
Edhe yti endet gjithashtu
Mes parajsës si përmbi gërmadha.
Sa do zgjatë me ne,jo,nuk e di,
Kjo vetmi që qenka vetëm njerkë,
Mëngjesi vjen zbuluar pa çati
Nën rrebeshe lotësh aq të nxehtë.
Ti nga larg më thua që të fle,
Ti nga larg m’i jep syrit kurajë,
Po për djall antenat zemra nge,
Ec emerre vesh ç’bën pas kësaj.

 

 

 

SOT NUK JAM CHARLIE

 

Pak kohë më parë tek përgjakej në Paris
Dhe unë thirra frëngjisht:”Je suis Charlie Hebdo”,
Sot jam një Kuazimodo me gungë në kurriz,
Vetë Charlie u kthye në një Klod Frolo.

Të tallesh me vdekjen e një fëmije të gjorë,
Se fati i zi e kishte lindur në Siri musliman,
Pak ndryshe do ta lexoja sot Viktor Hygonë:
“Mjerë,o popuj, me këtë racizëm që përbuz e ndan.”

 

 

 

ÇAST PESHKATARI

 

Të kam thënë:mos peshko ngjala,
Do lësh fill e grep në lumë
E pastaj do tallet vala,
Ngjalat ikin,bëhen shkumë.

 

 

 

U PUTH SYRIN

 

Janë ca fjalë në livadhet e kujtesës
Të blerta mbeten e nuk zënë thinjë:
Mësuesi i parë,
Abetare,
Penë,
Kallamare.
Në çdo fillimshtatori zgjohen herët,
Më hedhin guralecë në dritare.
Përulem para tyre,
Syrin u puth këtyre fjalëve.

 

 

 

VJESHTË

 

Nga hiri përtërirë,as vdekja dot s’e tret,
E pashë që sot pa gdhirë,kish ngritur kavalet.

Te pjergulla në shegë po hidhte penelata,
Jeshilja e përzjerë me hire veç të arta.

Shpejtova që t’i nxirrja një gotë raki rrushi,
Tutje te korija i la hapat Vangjushi*.

Nuk di pse luan me mua ky trill kaq i beftë,
Përherë duarartin e takoj në vjeshtë.

 

*Piktori Vangjush Mio.

 

 

 

E ZYMTË

 

Krrokatje korbash e valle sorrash,
Më shumë se kaq ç’mundet të kish,
Një kohë e humbur në xhepa horrash
Ku dhe mallkimi të zë trefish.

Dhe vendi kërmë e plehu rrotull,
Një han i plakur,stallë baktish,
Ujë dhe ajër të dy të ndotur,
Krimba të majmur nën bishtra dhish.

Me zë të mekur në pyll një qyqe
Vëllanë e humbur më kot kërkon,
Shpresë e leckosur bredh nëpër gjyqe…
Qyqe dhe shpresë s’di ç’i bashkon.

Një tren i çmendur, dalë nga binarët,
Na merr me vete.Dihet për ku.
Me qumësht zanash ushqejmë të marrët
Për të na kthyer në gur e dru.

 

 

 

NËNTË CILËSITË PËR T’ U BËRË DEPUTET

 

Te jesh i hurit dhe i litarit,
Te behesh ure per kembet e kryetarit,
Te kesh para sa lumin ta kthesh ne burim,
Parate te mbajne ere hajduterie edhe krim.
Te jesh i armatosur gjer ne dhembe,
Ta shkrehesh armen edhe me kembe.
Me drogen nuk duhet te ndahesh kurre,
Te veshesh fustan e te lehesh si burre.
Te jesh zanatçi per shpifje dhe orgji…
Ne hipoteke duhen hedhur keto cilesi.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s