PROZA E SHKURTËR SI XHEST I MATURIMIT TË LETËRSISË / Nga Mark SIMONI

 

PROZA E SHKURTËR SI XHEST I MATURIMIT TË LETËRSISË

 

 

Mark simoni - 1

Nga Mark  SIMONI

 

 

1.

Ata që të dy qenë njerëz të çuditshem. Njëri thirrej Avokat Blinishti dhe tjetri me sa mbaj mend, (kërkoj falje nëse gabohem), quhej Myfit Mushi. I pari më bënte përshtypje nga pamja. Qe me një pardesy të bardhë, i vetmuar dhe me një hutim të turbullt, si dhe me flokët e krehur si spitullaq, (tamam si arketipi i psikologjisë së njerëzve për borgjezët dhe spiunët e të huajve, model që regjisorët tanë të filmave e përdornin pothuajse çdo herë në filmat e tyre). I dyti qe krejt ndryshe. Nuk kishte asgjë të veçantë në pamjen e tij. Por çudia qëndronte tek ajo që thuhej lart e poshtë nëpër qytet pikërisht për të. E patën sjellë në Lezhë, nga një furtunë largimesh nga Tirana, mbasi kishte përkthyer diçka gabim nga fjalim i Enver H. në Moskë, në konfliktin me Hrushovin. Qesh aq fëmijë sa Avokat Blinishtin e mbaj mend fare turbullt, dhe s’di se nga u zhduk prej Lezhe, ndoshta u burgos, apo lëngoi në ndonjë dhomë spitali e pastaj vdiq. Si njeri pa njeri, su mor vesh asgjë për të. Edhe përkthyesin e pata parë fare pak, iku nga Lezha e s’ndenji shumë, dhe s’pata aq mundësi të kisha diëka në përfytyrimin tim për të.

Shume më vonë kam mësuar nga librat, (nga ca studime të Uran Asllanit, nga libri “Tirana” i Spiro Mëhillit, si dhe nga dokumenta arkivi), se Avokat Blinishti kishte qenë ambasadori ynë ne mjaft vende te Europës, madje deri në Montreal. Për Përkthyesin s’degjova e s’mësova më asgjë. Madje dhe për emrin e tij nuk jam akoma krejt i sigurte nëse quhej ashtu apo jo. Dhe kam bërë mirë, sepse ndoshta, duke lexuar për përkthyesin hasja në ndonje fakt që ma deformonte imazhin e krijuar në kokën time. Desha që ai njeri të ishte pikërisht ashtu siç e përfliste qyteti, një njeri që kishte bërë përkthimin gabim të një fjalie, dhe që nga ai çast bisedimet e larta kishin marrë tatpjeten, duke krijuar atë katrahurë diplomatike që e dimë të gjithë.

I përmenda pak gjate këta dy njerëz, krejt të veçante nga njëri-tjetri por që i bashkonte diëka. Të dy këmbenin libra të vjeter me tim atë, Pedagog, Lauruar për Letersi. Kur kam qenë gjimnazist kam gjetur në bibliotekën e madhe të tim eti librin “Prozë fetare” të Engjell Radojes, ku brenda qe shkruar me “penë e mereqep”, me një shkrim të kujdesshëm e kaligrafi të mrekulleshme “Avokat Benedikt Blinishti”. I pati mbetur libri tek ne. Pikërisht ky libër është dhe titulli i pare që dihet deri me sot si libri më i vjetër shqip me tregime të shkurtra. (Botuar në Romë në vitin 1862). Ndërsa Përkthyesi pati lënë per ca kohë tek im atë librin “E puthura” të Mihal Gramenos, botuar ne vitin 1909. Dhe ky ndër librat me të vjetër të tregimit të shkurter shqip.

 

2

 

Ndoshta jo shumë i lëvruar, por dhe tregimi i shkurtër shqip e ka biografinë e vet dinjitoze. Kam hasur, apo lexuar e shfletuar, apo dhe kam dëgjuar për shumë tituj të kësaj gjinie mjaft te admirueshme për mua. Libra të tillë si “Antologji” e Vissar Dodanit (1898-Bukuresht), “Oxhaku” dhe “Var’ i pagzimit të Mihal Gramenos (1909- Selanik), “Fejesa n’djep” dhe “Shkodra e rrethueme” e Ndoc Nikajt (1913- Shkoder), “Hi dhe shpuze” e Mithat Frasherit (1914-Sofje), “Bukurusha” e Ndoc Nikaj (1918) si dhe “Lulet n’thes” e po këtij autori (1920). Në vitin 1922 botohet në Kajro libri në prozë “Midis dy grashe” e Milo Ducit, dhe pas shtatë vitesh (1929) shtypet në Zadar libri i Ernest Koliqit “Hija e maleve”. Pastaj me radhë “Kur qan e qesh bilbili” e Nonda Bulkes ((1934-botuar në Korcë), “Tregtar flamujsh” Ernest Koliqi (1935- Tirane), “Novelat e qytetit te veriut” Migjeni (1936-Shkodër).  Ne vitin 1938 kemi dy libra të tregimit të shkurtër; “Plagët e kurbetit” e Milto Sotir Gurra dhe botuar në Tiranë, dhe “Net shqiptare” e Mitrush Kutelit, e botuar në Bukuresht. Vedat Kokona vjen ne vitin 1940 me librin “Yje të keputur”, dhe pas një viti botohet e “Diç më thotë nënua plakë” e Musine Kokalarit.  Nga viti 1942 deri ne ’44 kemi dy librat e Mitrush Kutelit “Ago Jakupi e të tjera rrëfime” dhe “Kapllan Aga i Shaban Shpates”, si dhe përmbledhjen në prozë të Musine Kokalarit “Sa u tunt’ jeta”. Më vonë i dimë të gjithë titujt dhe librat që u botuan.

 

3

 

Sa herë që ka inisiativa dhe botime me tregime të shkurtër, unë kam entuziasmin e atij që mbane shpresën se kjo gjini, do te vazhdojë të na sjellë dinjitet letrar.(Mbasi ndoshta është dhe gjinia që shqiptarët shkruajnë më bukur, mbasi kanë natyrë shumë rrefimtare. Ky mendim gjithësesi i diskutueshëm)

Botimi dinjitoz i antologjise së tregimit, i shëepise Botuese OMBRA GVG, kolana me tregime të shkurtra e Shtëpise Botuese “Geid –Margot” (tregimet e humorit të zi, tregimet e detit, tregimet erotike, tregimet i makthit etj) jane xheste të kujdesit dhe sjelljes në vemendje të krijimeve me brilante te autorëve shqiptar të prozës së shkurtër. Tashti se fundi kam patur një vokacion të brendshem për të përshendetur Galaktika Poetike ATUNIS për shpalljen e një konkursi rre th tregimit të shkurter, që do celebrohet me Çmimin “Frang Bardhi”. Edhe Frangu i Bardhe (emër me të cilin disa studiues quajne Frang Bardhin) është nga Lezhes, nga nje fshat pranë që thirret Kallmet.

 

4

 

Me gjithe respektin që kam për autorët e dëgjuar, që e kanë lëvruar tregimin e shkurtër, mua më duhet patjetër që t’i sjell në vëmendje lexuesve shumë emra të tjerë, ndoshta me pak të dëgjuar për arsye rrethanash, por që kanë nxjerrë nga duart e tyre rrëfime e subjekte të jashtëzakonshme, e që i rrinë mirë staturës së tregimit shqip, janë po kaq dinjitoze e të maturuar sa kolegët e vet që thirren nëpër antologji, u hapen faqe të shtypit, kanë më pranë zyrat e jurive. Kam lexuar me qindra faqe prozë të shkurtër shqiptare, të autoreve me emra jo shume të amplifikuar. Janë pikërisht tekstet letrare të këtyre shkrimtarëve që i japin kuptimshmërinë e plotë nocionit “proza e shkurtër shqipe”. Këta tregimtarë i kane dhëne kësaj gjinie, sharm, hijeshi, subjekte interesante, narrativa krejt te vecanta, i kane harlisur gjeografine, i kane dhene modele të papara të stilit të të  menduarit të arealeve të veçanta, e kanë gjallëruar me rrëfenja gjithëfarë lloji,i kanë bërë nder të paparë letërsisë shqipe.  Aleksander Shallvari, Fejzi Murati,  Istref Haxhillari e Prenge Maca kane tregime dinjitoze që i rrinë mirë cdo antologjie. Tekstet e tyre në prozë janë vërtete antologjike.  Erjon Muca i tregimeve me subjekte të ndërlikuar, Natasha Xhelili një prozatore e maturuar që disponon mjetet më të mira të të bërit prozë, Rezart Palluqi – in një letërsie të fortë e me ngarkesa të mëdha ka aftësinë për të përcjellë ndjesitë nga uni letrar për tek lexuesi, Ilir Paja zotërues i situatave narrative, Albana Mëlyshi magjike në gjetjen e subjekteve dhe në mënyrën e trajtimit të tyre, Besian Gjika konceptuali modern i rrëfimit, Vjollca Tiku Pasku impresionuese në narrativitetin  e saj, Skënder Temali tregimtari interesant me përjetime të jashtëzakonshme, Bardha Alimeta tregimtarja fine dhe elegante që i sjell lexuesve subjekte të botës ndjesore e shpirtërore me shumë elegancë e sharm,  Arti Lushi që materien e vogël artistike e kthen në dimension letrar, Mimoza Bici qe zotron në mënyrë shumë të kujdesshme situatat e rrëfimit, raportet mes personazheve dhe ngjarjeve në të cilat janë vendosur, Lumo Kolleshi që i sjell letërsisë detaje artistike interesante nga atmosfera e arealit ku jeton, Valbona Bozgo Musai stiliste e fjales, Lida Lazaj që vesh me një tis elegance dhe arti subjektet e ngjarjeve të përditshme, Ernest Marku që luan në realitetin e përditshëm me mistaken e ndërthurur me situata të tjera trashedentale, Flutra Malo Kuqani sjell rrëfime me një leksik të pasur, Vaso Papaj që sjell volume të tëra të tragjizmit me një finesë e elegance krejt të shkriftë e plot delikatese, Eduard Sulollari i tregimit elegant, Elinda Marku që ndërthur në raporte alkimike realizmin me surealen, Fitim Sula që materjen historike e kthen në artin e metaforave të mëdha nëpërmjet mënyrash shumë modern, Drita Lushi vë në funksion të artit letrar mjetet tradicionale e moderne të harmonizuara në mënyrë shume racionale, Albert Shala toksori dhe realisti që shkruan me mjete gati magjike, Zyba Hysa stilizon e kthen në art edhe detajet më të vogla impresionante, Bardhok Pulaj një vëzhgues jashtëzakonisht skrupuloz që zë në grackën e vëmendjes së tij detaje jetësore krejt të veçanta, Ekleva Reci strukturaliste e prozës së shkurter, Josif Gegprifti liriku i tregimeve të liqenit, Alket Bushi që ndërthur letërsinë moderne dhe kulturen e dijeve, Gjon Necaj i subjekteve sentimentale e jetësore, Bujar Balliu që me mjete psikanalistike përcjell përjetimet tek lexuesi, Daniela Gjopalaj zotëron elegancë stilistikore në mënyrë shumë të aftë. Këta autorë interesantë dhe shumë të maturuar në artin e prozës janë një valence e plotë e shtuar në dinjitetin dhe prestigjin e prozës shqipe. Pa to letërsia e prozës sonë do të ishte shumë e mangët, do të dukeshin vendet bosh në pazellin që formon fytyrën e vet tregimi shqip.

 

5

 

E kam cituar disa herë thënien e Asturiasit se “Proza e shkurtër është më pranë  poezisë se sa prozës”. Pra, asnjëhere kur flitet për prozën e shkurtër, pjesa më e maturuar e poetëve, nuk duhet të ndjehet e përjashtuar. Pavarësisht se sot gjithnjë e më pak po shkruhet poezia me subjekt (poezi që trajton një ngjarje apo gjendje narrative), më entuziasmon fakti që poetë shumë të talentuar i kthehen herë pas here regjistrit të krijimeve poetike të temave te caktuara. Nëpër këto poezi gjen miningjarje, rrëfime, situata, detaje subjektesh, që sjanë gjë tjetër veçse bocetet e tregimeve të shkurtra, makete proze interesante. Herë herë të dukshme, e në rastet e tjera me të kamufluara nëpër poezitë e autorëve më të talentuar vezullon narracioni i ngjarjeve e ndodhive të vogla. Shikoni Reshida Çobën që e mbështet poezinë e saj shpesh mbi një ndodhi, mbi një personazh, mbi një terren. Lexoni Eli Kaninën që megjithëse nuk eshte në natyrën e saj rrëfimi direkt, krijon situatë spontane dhe të ofron mirazhin e ngjarjeve e ndodhive mes njerëzve. Po kështu bie në sy në poezinë e sotme të ditës narrative e liqenit tek Mimoza Rista, rrëfimi i dhimbjes tek Gjelina Xhika, natyra si subjekt tek Migena Arllati. Inisiativa letrare e këtyre autorëve për tiu afruar prozës së shkurter do të jetë një xhest që ka lidhje me maturimin akoma më shumë të kësaj gjinie të mrekullueshme.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s