Poezia si urë malli dhe dashurie drejt njerëzve. ( Rreth përmbledhjeve poetike “Qyteti i arratisur” dhe “Një grua mbi urë të Bosforit” të poetes Ollga Selmani ) / Nga Hyqmet HASKO

Poezia si urë malli dhe dashurie drejt njerëzve.

 

Rreth përmbledhjeve poetike “Qyteti i arratisur” dhe “Një grua mbi urë të Bosforit” të poetes Ollga Selmani

 

 

Hyqmet Hasko

Nga Hyqmet HASKO

 

Kur lexon poezinë e poetes Ollga Selmani, të duket sikur dialogon me historinë dhe përditshmërinë, unin e poetes dhe jashtësitë e tij, ato ngjyra të ndezura që na sillen përqark në trajta nga më të ndryshmet, por që poetja i ka kthyer në akte të mirëfillëta poetike. Të duket sikur tok me vargjet e saj të ndjera poetike, vijnë dashuritë e mbetura në rrugë, humbjet e paralajmëruara, çastet e lagura nën shiun e vjeshtërave të ftohta pa kthim, malli, idili, erotika, ndjesia e mikut, shokut, tungjatjetimi i kohës dhe gjurmëve të mbetura në të.

Bashkëshoqërimi me të cilin pëballet lexuesi dhe kritiku në prcesin e leximit të poezisë është një reflektim që buron nga kujtesa emocionale e poetit dhe sjell një reflektim rreth asaj që në gjuhën e studimeve të mirëfillëta letrare quhet “shqisa e gjashtë e peceptimit dhe gjykimit”. Këto asasacione po bluaja në kokë teksa lexoja librat me poezi të poetes Ollga Selmani, rrugëtimin e saj në botën e përjetimeve, mbresave, gjendjeve, imazheve dhe strukturave poetike përkatëse si një mundësi e shprehësisë estetike.

Ollga është në tokën e saj të ndjesive dhe të mesazheve që burojnë nga leximi i tyre, nga përjetimi i të ndodhurës, si emërues i përbashkët i kuptimeve të drejtpërdrejta dhe të nënkuptuara poetike.

Në procesin e shkrimit të poezisë duket se ajo nuk ka asgjë të sajuar e manipulative, pasi çdo varg e strofë, çdo rimë e ritëm, çdo ndjenjë e kumt vjen e shkrihen natyrshëm në ujëvarën e tërë që rrjedh lirshëm në kohën e saj estetike.

Vëllimi i saj poetik “Një grua mbi urë të Bosforit” bie në sy për vargje të ndjera dhe të shkruara me shije, për ndjeshmërinë e hollë, lirizmin dhe finesën. Në këtë përbledhje, siç thotë me të drejtë poeti i njohur Petraq Risto, “Ollga merr frymë me muskëritë poetike të poezisë, një mbështetje në motive interesnate, të pa konsumuara, hera herës befasuese”. Në këtë libër të saj të parë, autorja shfaq pjekuri poetike, pra duket se rruga e poetes është shumë kohë më parë nga botimi i këtij libri.

Libri i saj ka shumë kolorit, shumë ndjeshmëri dhe pasion dhe poetja në çdo varg e strofë kërkon të zbulojë një botë të panjohur, që buron që nga raportet e unit, qoftë nga gjithçka tjetër që sillet e qarkullon si një limfë e përndezur jashtë këtij uni, në raportet e autores me ngjarje, dukuri, kujtesa, ndodhi etj.

Poezia e Ollgës është e thellë, edhe kur duket e thjeshtë dhe pa kalkulime të shumta stolistike. Kjo thellësi duket në strukturën e ndërtimit të vargut dhe të strofës, që megjithëse ruajnë disi format klasike të vjersërimit, janë të spërkatura me një tis të ndrishëm dhe luksoz moderniteti.

 

Ollga Selmani

Ollga Selmani

 

Poezia e Ollgës është një endje midis një realiteti të konturuar me ngjyra të ndezura e figura të gjalla dhe një dedikimi të brendshëm, modern dhe të beftë, që rikonfiguron idetë dhe mesazhet poetike. Kjo poezi është një sendërtim konkret mbi një lëndë që shtjellet në hullinj të cilët poetja i njeh mirë, me një tematikë të gjërë, të larmishme dhe këndvështrim të thellë, njëherësh vertikal dhe horizontal.

Ndjesia që të zgjon poezia e saj është një gjendje që përftohet nga një lirizëm i ngrohtë, i thellë, spontan, nga korda të brendshme shpirtërore, që luajnë në korin e asosacioneve poetike. Autorja e pret kohën  në dy sipërfaqe: në sipërfaqen reale, të rrudhur e të lëmuar në të njëjtën kohë dhe në sipërfaqen imagjinare, të thyer e me kontrapunte të fuqishëm.

Vizatimet e Ollgës janë vizatime me dorë të lirë dhe të matur në të njëjtën kohë, ku sundojnë rimat, ritmet e brendshëm, asonacat dhe figurat konkrete, imazhiniste dhe mesazhuese.

Koncepti i Ollgës për poezinë është modern, jashtë kontureve folklorike, edhe pse kumtet dhe përcjelljet shpesh marrin shkas nga motivime të shpirtit kolektiv, nga etnopsikika e thellë, foklori dhe bashkëshoqëruesit e tij.

Duke lexuar vëllimin e saj me poezi “Qyteti i arratisur” vërejmë se kemi të bëjmë me një libër sa të thjeshtë aq dhe për t’u admiruar, një libër i ardhur në kohën e pjekurisë së plotë të poetes, me poezi të derdhura në ujëvara poetike ku sundon muzikaliteti dhe lirizmi spontan. Poezia e Selmanit është rrëzëllitëse, luksoze, me kadenca të brendsjme ritmike, me rima, asonanca, metafora të zgjedhura, të vëna në funksion të mesazheve dhe kredos poetike. Në vëllimin e saj të dytë poetesha e re Ollga Selmani paraqitet me një ndjeshmëri më të hollë, me një thellësi mendimi dhe më motive më të menduara, më të thella e më komplekse. Bota e saj poete e paqsyron gjithë spektrin e ngjyrave, të ndezura, të zbehta, në ikje, të fiksuara, porn ë këtë libër mbizoëtron ngjyra gri, si koha që jetojmë. Kjo kohë, me përditshmërinë dhe atë që ka ikur e ka kaluar në histori, e nxit poeteshën të rrëmojë në unin e saj, në vetëdijen e bashkëkohësve, në analet e kohëve që kanë ikur, për të gjetur dhe bashkuar në një jurë poetike kohën e mallit dhe të dashurisë njerëzore.

Dita, kështjella, qyteti, rruga, kafeneja, ora, malli, idili, heshtja, pendimi, dhimbja, trishtimi, mungesa etj janë jo fjalë e stilema në poezinë e saj, por dhe kategori filozofike e estetike që e çojnë poetën në çelsin për të hapur dyert dhe dritaret e shpirtit njerëzor. Për të nxjerrë nga thellësitë e errëta mineralin e ndjenjave më të holla e fine, siç janë dashuria, sakrifica, mirënmjohja, malli etj në sipërfaqen e lexueshme të një komunikimi poetic që bashkëshoqërohet me një reflektim pozitiv dhe ndjesi pozitiviste.

 

Pranvera, sivjet, po nxiton të vijë

Edhe dimri lehtshëm po kalon.

Ndoshta e ka marrë malli për mua

Dhe ngutet, shpejt, të më takoj?!

 

Ollga sjell në poezinë e saj ndjesi malli, trishtimi, dhimbje, mungese, një kohezion shpirtëror dhe një depërtim të thellë në materien poetike. Aho ka një përfytyrim të saj për objektet që merr në shqyrtim, duke i transfiguruar ato në ndjesi në mesazhe të freskëta bashkëkohore dhe gjithëkohore.

Poetja përdor mjetet e saj, mjete origjinale, të cilat në korpusin e vizatimit poetik marrin një fuqi metaforike, simbolike dhe transfiguruese, ku në të njëtën kohë persillen shumë ndjesi, gjendje dhe mesazhe estetike.

Ollga Selmani është poete spontane, e beftë jo për nga tematika e cila përmbledh ritmikën e kohës dhe përditshmërinë e trazuar, gjendjet e unit dhe kujtesën e emocionit, por për nga mjetet që përdor, që nga figurat letrare të gjetura  e funksionale deri tek strukturat e veçanta që vë në përdorim për të krijuar një poezi të thellë dhe me korda të shumta pikëtakimi me emocionin dhe mesazhin njerëzor.

Poezia e saj është me temporitëm lirik, me një muzikalitet të fortë që shkon drejt tingujve magjikë të natyrës, me ritme të brendshme që e konturojnë vargun e saj me një prani të beftë ndjesore dhe emocionale.

Edhe në një lexim të parë, të sipërfaqshëm, pa u thelluar në arealin e të veçantave të saj, mund të kuptosh se Ollga nuk ka pikë sforcimi e shtirje kur merr penën për të shkruar; ajo thjeshtë ndjen ritmin e zemrës së saj, ritmin dhe peshën e çastit në kohën e përditshmërisë.

Ajo që në të vërtetë përbën individualitetin e poetes është freskia e motiveve, marrja e “lëndës së parë” poetike  nga jeta e gjallë njerëzore, raporte njohjesh e kujtimesh në kohë, pjesë e raporteve të unit të saj me kohën dhe bashkëkohësin. Për të janë të huaja skemat libreske, janë të huaja kompleksimet nën hijen e të tjerëve, të cilat tek shumë të tjerë janë një “normalitet”.

E thënë disi ndryshe, poezia e Ollgës vjen nga një njohje e thellë e objektit poetik, nga fuqia e ndjenjës dhe intensiteti i emocionit, që vë në lëvizje turbinën e mendimit për të prodhuar energjinë poetike, që na përcillet me anë të vargjeve të ndjerë e të ngrohtë, plot ritme e temporitme të brendshme.

Kur lexon me një frymë dy përmbledhjet poetike të saj, seç ke një dëshirë t’i kthehesh një leximi të dytë e të tretë, duke zbuluar pas çdo rileximi një vatër të re ngasjeje dhe qasjeje drejt asaj bukuria të praruar e farfuritëse, ku ngjyhet pena e poetes, e cila na përcjell me aq sharm dhe elegancë vetveten të pjesëtuar e të shumëzuar me aq shumë ëndrra dhe impresione…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s