Poezi nga Rami Kamberi

rami kamberi

Poezi nga Rami Kamberi

 

 

 

FJALËN, E KA DASHURIA…

 

Sot
Fjalën e ka dashuria, e pritur mes stinësh, të buzëqeshëm unë
Mes portreteve dije, të trembura nga moti
Që jetën e qepën me urrejtje, si djallëzia kur çmendet, netët pa gjumë

Sot
Fjalën e ka dashuria, për t’i ndëshkuar mëkatet, që na mbetën nga ligësia
Ditëve, kur befas na lindi trimëria
Mbi hektarët e tokës, kur këndonim këngën: Sa e madhe është Shqipëria

Sot
Fjalën e ka dashuria, të pushojnë tradhtitë prej syve tonë, të rritemi shqip
Ashtu siç ka thënë Naimi, që moti
Kur toka na përgjakej, nga ushtritë e çmendura, e sytë na kërkonin dritë

Sot, dashuria e ka fjalën, buzëqeshja, le të vallëzon mbi hidhërimet
Lehonitë e reja,të na lulëzojnë nëpër kullat tona,t’i lidhin nyje pikëllimet.

 

 

 

NGA DITARI I KUJTESËS

 

Sikur të ishte dashuri, e goditi kënga, në fillim të marsit
I lotonin sytë, ngjyra pranvere
Libra e fletore iu shndërruan në uniformë, armë, maja e lapsit

Shpresë e bardhë, iu lidh për shikimet, sikur qielli kur soset në tokë
Të dua liri, tha
Mbretëri e kohës, që soset në dashuri, mes shtatëve, plot plagë e lot

Sikur të ishte dashuri, iu duken plumbat, që i ranë tinëzisht, pas shpinës
Duke kënduar këngën, sërish vjen marsi
Sy e shikime, i la mes fushave dhe maleve,t’ia ndryshojnë ngjyrën stinës
Aty ku ndaloj krisma, aty ku filloj lapsi.

 

 

 

NESËR, DO TË NA MALLKOJNË…

 

Mëkatet
Dalë prej historisë së jetëve, që i jetojmë, nesër do të na mallkojnë
Për emrin, nënë që i thamë
Klithjet e lindjeve, më zi se perit e xhindeve, mes ballit do të na shitojnë
Pse kullat, pa plisa mbi kulme i lamë

Me sertin e së keqes, do të na flasin ditët, mëkatet do të na ndjekin pas
Shikimet do të na mbeten të ngrira, sytë trishtim
Edhe kokat plot urtësi, gurë më gurë, loja shejtane, do të na i përplas
Pse nuk patëm urtësi, pse nuk patëm durim

Mëkatet, dalë prej historisë së jetëve, do të na mallkojnë, pse harruam
Ku i ka kufijtë frika e ku guximi, të mbetemi ata,që nënëloket na bekuan.

 

 

 

NGA FJALA E PATHËNË

 

Mes hapësirës së heshtjes, na dridhen buzët, nga fjala e pathënë
Që motin na e mbushi plot ligësi
Të jetojmë qençe, mbi truallin mbushur plot ar, amanet lënë
Nga xhamadanët me nishane, shënjuar me liri

Na dridhen buzët, nga fjala e pa thënë, heshtjes hapësira i shtohet
Na përgjaken shikimet nëpër sy
Kur shikojmë nga dita në ditë se si i vrari,nga vrasësi me vdekje dënohet

Jeta na flet me gjuhën e frikës
Nga jeta në jetë, jeta me ikje pas ikjes, mes ikjeve për ikje, rreshtohet

Mes hapësirës së heshtjes, nga fjala e pathënë,na dridhen buzë e qerpikë
Si thuprat, kur bien mbi gurë
Trishtohemi t’i prekim, djersët e ballit tonë,nga kodoshët e njerëzit e ligë
Thua se shqiptarë, s’kemi qenë kurrë.

 

 

 

KUR BESA MË FTOI…

 

Nuk e di pse
Trualli mi dha dhimbjet, kulla mi dha plagët
Kur besa më ftoi, para se të vdiste valltari i valles, Lulja e Sharrit
Mes gurëve, ku shqiponja ia shuante etjen, me ujin që i pikonte mes ballit

Eca
Mes e përmes varreve të gjalla, shikimet duke i lënë nëpër përmendore
Sytë i lidha për guri, të preknin ballëkuqen e valltarit
Lidhur për plisin e shtatit,që vallja e rreshtonte mes shqiponjave arbërore

Dhimbje e plagë i bashkova
Si dasmori, kur dasmës i prinë, për nusen e fjalës së dhënë, besa-besë
Vallen e mbetur e vazhdova
Si valltari i valles Lulja e Sharrit, që valltari i kësaj valleje, kurrë të mos vdesë.

 

 

 

SOT…

 

Sot
Netët e territ i shohë përtej kohës, deri atje, ku flenë shpresat në sy
Mes jetës e vdekjes
Duke e shtrirë për trualli, fjalën që nuk harrohet, si zemra në dashuri

Mes buzëqeshjeve me ngjyrë malli, heshtjen e trazoj me klithjet, dua
Duke e ndrydh jetën, ta shohin perënditë, pse nuk mbeti liri për mua
Mbi tokën e mbushur plot name ngadhënjimi, ku gjaku rrjedh si krua

Sot
I shoh, si mbushen hektarët e gjerësisë së truallit tim, me ushtri vrastare
Si hajnia e natës
Hynë nëpër zemrat e kullave, me ëndrrat më të bukura, se besa shqiptare

Sot, netët e territ i shohë përtej kohës, deri atje, ku flenë shpresat në sy
Sa armiq e tradhtarë, duan që mbi këtë dhe, të mbetet sa më pak Shqipëri.

 

 

 

KËTIJ MOTI PLOT DJALLËZI

 

Dita e re
Digjet si burrëria, në gjinjtë e të përdalës lakmi
Këtij moti, që rëndon mbi ne
Plotë prostituta djallëzie, dalë nga sytë, me shikimet uri

Na helmohen gojët, prej pelinit derdhur mbi sofrën, me namet e gjata
Na zbardhen rrudhat e përgjakura në ballë, nën plis, thinjat na i sos nata

Sytë na i merr gjumi, me sehiret plot hajmali
Kurrë të mos zgjohemi, nga ngushëllimi, Zot na ndihmo këtij moti
Të mos digjemi si më parë, nga gaca nën hi

Ditë e re, digjet, e flakën nuk ja shohim me sy, as zjarrin që bie mbi ne
Këtij moti plot djallëzi, që na e përkund kohën, mbi truallin mëmëdhe.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s