Fahrije Kllokoqi-Krasniqi
Fahrija u lind në vitin 1968 në fshatin Zhilivodë, komuna e Vushtrrisë. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Vushtrri.
E rritur dhe e edukuar në familjen tradicionale shqiptare, ajo që në moshën e rinisë kish treguar interesim për folklorin e begatë shqiptar
historinë, muzikën dhe letërsinë në përgjithësi.
Për shkak represionit serb dhe gjendjes politiko-ekonomike bashkë me familjen e ngushtë të saj, në vitin 1994,
migroi në Zvicër ku edhe tash jeton me të shoqin Fadilin, djemtë Rexhepin e Vullnetin dhe vajzën Dianën.
Poezitë e Fahrijes rrezatojnë sinqeritet, meditim, mall, dashuri dhe herë-herë edhe revoltë.
Ka botuar këto vëllime poetike :
- Peng i fjalës
- Otage des mots – përkthim në frëngjisht
- Aromë burri,
- Hukamë Shpirti
Cikël poetik :
MOS MA NDALO ËNDRRËN
Mos ma zhvish ëndrrën
e netëve të gjata pa gjumë!…
Mos ma ndalo këngën të thurrur
me aq mall, që nuk e këndova dot kurrë….
Mos ma fik melodinë e zemrës,
dëgjo si buçet shpirti nga dashuria….
Puqi sytë pran syve të mi
shih sa i dalldisur është deti…
Mos pengo hapin e nisur drejt diellit,
eja ngrohu tek buzët e mia,
jepi udhë lumturisë…
Mos ma ndalo ëndrrën,
lëre të lumturohet me pranverën,
kujtimeve mos ua mbyll
derën!…
MË THUAJ
Si mund t’i thuash të verbërit,
sa ditë e bukur është sot?!
Si mund t’i thuash atij që s’ka këmbë,
eja të vallëzojmë?!
Si mund t’i thuash memecit
sa bukur këndoke?!
Si mund t’i thuash fukarait
më jep lekë?!
Si mund t’i thuash, mblidh mendjen,
atij që e ka humbur kaherë?!
Si mund t’i thuash Atdheut, të dua,
kur e ke braktisur dhe harruar?!
Si mund t’i thuash?!
Më thuaj!
MALL
Më është ndryshkur shpirti
si ai parmaku i dyrve të vjetra,
kur mbyllem për herë të fundit
dhe mbetën shkretë…
Në atë verë, qyqja këndoi,
tre ditë e tre netë…
Kujtoj gjyshen time,
që shtrëngonte fort dorezën,
i dhimbte shpirti
për mbesën…
Mall kam për atë tokë të bekuar
për ahishten, kroin, fushën
dhe malet e Qyqavicës….
Për dyert e mëdha të drunjta,
parmakun,
për qyqen…
NATË PA GJUMË
Natë e gjatë pa gjumë
mundohem ta shtyj, me zor,
po nuk shkon e nuk shkon…
Si dita dhe jeta pa një shpresë,
vonë dikur, perëndon…
Bukën e hidhur mundohem,
me ujë ta lag, po nuk po kapërdihet.
kot, thith ajrin e Alpeve
s’ngopen dot mushkëritë!
S’janë si malet tona të bukura
si Korabi, as si Sharri…
jo, jo…
s’po më hjeket malli!…
Atje do më kënaqej zemra
e shpirti do të gjente qetësi,
në tokën time të shejtë,
Shqipëri…
DIKUR
Kam pas njohur një vajzë,
që iku pa u puthur,
jo se nuk deshi, por duhet të ishte
e “pa puthur” për atë…
Kam pas njohur një vajzë,
që iku e virgjër,
jo pse nuk dashuronte njeri
por kishte frikë,
duhet ta ruante për kurban
në natën e tij…
Kam pas njohur një vajzë, pa faj,
që iku e virgjër
dhe u martua
me vdekjen…
KA KOHË…
Ka kohë, që dhimbja,
më gërryen e gërryen ashtin,
si mola-drurin,
si shpirtin-malli…
Ah, sikur ta mposhtja,
ta coptoja copa-copa,
me gurët e mallit!
Po si?
Si mund?
Vetëm aroma e shpirtit tënd,
do më dehte sonte,
do më vinte në gjumë
me ëndrra për ty…
Pastaj,
le të çelte mëngjesi
ty do të t’fshihja në zemër,
do të mbaja në sy!
NUK DI
Ndërsa kjo ditë
Po numëron orët,
Malli sa vjen e m’shtohet.
Nuk di sot tjetër çfarë të bëj,
Pos të të mendoj përsëri e përsëri…
Derisa e nesërmja prapë të vijë!
Nuk di as sonte si do të fle,
Pos të të ëndërroj si përherë
E të të dua sikur dje!
VJEN NJË DITË
Vjen një ditë kur takon sytë
Që gjithmonë ke ëndërruar…
Të duket sikur vetëm ata flasin
Gjuhën e dashurisë
Në një muzg vjeshte.
Dhe ke vetëm një dëshirë;
T’i dëgjosh në heshtje!
DHEMBJE
Vetëm kalldrëmet e këtij qyteti
E kanë kuptuar dhembjen
Që më gërryen në shpirt.
E kush vallë,
I bëhet hallexhiut mik?!
DHE TI FLE
U bëra këmishë e hënës,
Shtrat i ëndrrës,
Rojë nate,
Në këtë qytet të betontë.
Dhe ti s’e prish gjumin…
Ulur jam në prag të agut,
Thyej gishtërinjtë e heshtjes,
Dhe ti s’e prish gjumin…
MON AMOUR
Për ty shkrova
Gjithë fjalët e bukura të dashurisë,
Të gjitha çka gjuha.
Ato
Që nuk ia kisha thënë askujt,
Kurrë!
Ç’të të them tjetër,
Mon amour?