Poezi nga Nikollë Loka

nikolle loka

Poezi nga Nikollë Loka

 

 

 

Mbreti Gent

 

Kuajt tërheqin zvarrë triumfe
e ai vështron lart si Mbret,
si Perandor.
Roma hijerëndë
nuk e pa fronhumbur,
mbret të shkurorëzuar,
pa kurorë.

Nuk pranoi
të lutej i përgjunjur,
në Romën
me pranga gjithëfarësoj,
të bronxëta për skllevër
dhe të huaj,
të arta për mbretër
dhe heronj.

Sa vite ikën,
sa emra mbretërish u shuan!
E ai prap mbi Mbret
e Perandor.
Te një mauzole i shenjtëruar,
përjetësuar te një lule
që shkëmbin çan me zor.

 

 

 

Rënia e Shkodrës

 

Ajo betejë kurr s’u harrua,
kush ra hero e s’u përmend!
Kodra kala, qiell i egërsuar,
gjyle topash, truaj e nëm.

Gratë luten për shi,
burrat luftojnë të etur.
Kalaja djegur për ujë,
etjen e shuan me zjarr.
Muret janë lyer me shkrum
dhe hije vdekje.
Me mijëra trupa turqish
notojnë përmbi liqen.

Pas muajve në flakë,
kalaja boshatiset.
Poshtë në një farkë
turqit prodhojnë vargonj.
Po arbërit largohen
pa u lidhur,
të lirë dhe heronj.

I pari ndër pushtues
prin një arnaut,
robëruar që fëmijë,
kthyer në “pis milet”.
Arbëria nëpër dhëmbë
nem e truan.
Arbërit drejt Perëndimit
largohen nëpër det.

 

 

 

Martesa e Skënderbeut

 

Tri ditë e netë në prill,
Arbërit kërcyen vallen e shpatave,
e u dehën me këngë,
si t’u kishte ardhur Hyu në dasëm.
E ashtu të dehur u lidhën përdore
pesëqind krushq.
Kur Kastrioti dogji shaminë e beqarit,
Donikës i rrëshqiti një lot.

Në kalanë e Kaninës
u ndez shpirti arbër,
drita reflektoi ndër ullinj,
do të gëzohemi për qejf në këtë dasëm,
e në rast nevoje, do të vdesim që tani.
U betuan të gjithë
mbi shpirtrat e të parëve,
pastaj pinë verë me okë.
I fundit u betua Lekë Dukagjini:
Për qiell e për tokë!

Ajo dasëm u përsërit tre herë,
që të jehonte sa më larg,
gëzimin e përcolli një gërnetë,
madhështinë e solli një lahutë.

Çifti kërceu vallen e fundit,
lahuta e gërneta heshtën,
s’kishte nevojë për muzikë.
Kur vallëzonin arbërit,
si të binte tërmeti.

 

 

 

Pendimi i Moisiut

 

Mpihet troku i kalit,
ferrat nëpër këmbë,
dita fytyrënxirë
shtegun po ta terr,
ti e fsheh tradhëtinë
nën një gjysëmhënë,
gjaku i arbërit rrjedh.
Eh kjo rruga jote
mbyllet pa një shteg,
nëpër Marmara
endet nëpër dallgë.
Vdekja është bekim
or pis arnaut,
tradhëtia është plagë.
Nëntë Malet në zi
nemin shqip:
U shofsh!
U shofsh Moisi
me fis e farë!
Në sytë e Kastriotit
rrjedh një lot,
që e kishte ruajtur
për në varr.
Hyn në Stamboll,
me fytyrë të prishur,
kërkon e nuk gjen
djep dhe varr.
Në vend të dafinave
mban një çallmë të grisur,
dhe nofkën “tradhëtar”.
E mbulon Stambollin
një kllapi e keqe,
diell nuk të ngroh,
veç të nxin.
Rruga është e gjatë
e leqe-leqe
dhe vdekja është shpëtim.
E mbështet kryet
mbi plagët e votrës,
e mbledh në një
djep e varr.
Pyet Kastrioti
ku e kam Moisiun?
Po vjen,
Nëntë Malet i thanë.

 

 

 

Gjurmët e kalit të Skënderbeut

 

Në rrugën nga Nishi në Krujë,
te një lis shekullor pranë rrugës së madhe,
një lahutë e lëshoi zënë.
U ngritën njerëzit
nga vatrat mbuluar me halle,
do të ishte gëzim apo gjëmë!

Një rreze e artë çau qiellin,
rruga me kalldrëm u kthye në ëndërr
e shpresë,
njerëzit thonin po vjen Kastrioti,
korbat vajtonin,
po kalon një i pabesë!

Gjëmonin troke kuajsh mbi kalldrëm,
qiellit po zbardhte para kohe
e nesërmja,
jehoi lajmi nga mali në mal,
ia mbërriti ëndërra dhe shpresa.

Nëmnin korbat:
Me fis e farë u shofsh,
mos të zënë këmba dhé!
Xixa lëshonin mbi kalldrëme patkonjtë,
yje u dogjën, e qielli ish pa re.

E si mund të kalonte Ai,
pa lënë një gjurmë
për historinë tonë të marrë peng,
se korbat do të bërtisnin me zhurmë,
s’ka kaluar kurrë në atë vend.

E për ta treguar se këtej kaloi për në Krujë,
e se forca e tij e tejkalonte çdo masë,
gurgdhendësi arbër në Konaj të Fanit,
ia bëri gjurmën e kalit mbi një rrasë.

S’ishte mit, ishte një veprim njerëzor,
i bërë nga një arbër në kalldrëm,
që kujtesa jonë e vrarë disa herë,
të përjetësohet e pashlyer mbi një shkëmb.

 

One thought on “Poezi nga Nikollë Loka

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s