Poezi nga Xhemile Adili

 

xhemile Adili

Poezi nga Xhemile Adili

 

 

 

GJETHE DITARI

 

Në cilën stinë të ulem,
Të rrëfej për jetën,
Për peshën e rëndë,
Që me ka ngarkuar jeta?
Në cilën vjeshtë të ulërij si bishë,
Të bëhem degë e thatë,
E të mbledh gjethet,
Që më kanë rënë shekujve!
Në cilin gjeth të gërmoj,
Të gjej blerimin tim?
Në cilën grimcë të acarit,
Të lëroj arën e pranverës sime?
Në cilin det të prashit,
Të nxjerr lotët e mi?
Në cilat rreze të diellit të kërkoj,
Të zgjedh lakun e fytit tim!
Në cilin varr të shtrihem,
Të vjetër a të ri,
Të gjej pak jetë,
Njeri!

 

 

 

KAM GJETUR FAJTORIN

 

Sytë
As nuk i kam të përlotur,
Sytë
As nuk më qajnë
Të përlotur e kam shpirtin
Shpirti kaq kohë më qan
Pa faj
Sytë vetëm më humbin shkëlqimin,
Me faj të shpirtit,
Nga barra e rëndë që çon ai.

 

 

 

SHTEGU I SHPIRTIT TË BARDHË

 

Buzë muzgut,
Në një shteg të braktisur,
Të gjeta, miku im!
Përballë një heshtjeje të thellë,
Dukeshe disi i çuditshëm,
Me një fytyrë të zbehtë,
Buza të dridhej.
Nuk doje kurrkush të të shihte dhimbjen,
Veç detit,
Dhe bregut të shkëmbinjve

Në atë buzëmuzg,
Nuk të lashë peng të errësirës,
Në atë shteg të braktisur,
Mes atyre syve dredharakë,
Të asaj natë sterrë,
Që të përpinte brenda të zezës së saj.

Ah, miku im!
Shpirti i bardhë
Gjithmonë është peng i dhimbjes,
Është shënjestër e të pashpirtëve,
Prandaj mos lejo që djajve t’u qesh fytyra,
Po ec nëpër dorën time të zgjatur!
Ja shtegu nga mund të ndrijë
Shpirti yt i bardhë!

 

 

 

BALADË E RE NË TRENIN E VJETËR

 

Rrugët tona aty u ndanë,
Në trenin e vjetër,
Mbi binarë të ndryshkur,
Me ritmin tram e tram,
Si në trenin e Abetares,
Kur mësuesi na mësonte
Tingujt e kitarës.

U ndamë në një përqafim të fortë
Sypërlotur,
Mikja ime e rinisë,
Aty në trenin e vjetër
Që mori me vete
Një baladë tjetër.

Pas asaj udhe të gjatë,
Nuk u takuam më.
Por udhëtojmë me këtë baladë,
Si me një urë.
Drejt njëra-tjetrës,
Pa u ndarë kurrë.

Sa mall kam për ty,
Për sytë e tu bojë qielli,
Me të cilët matje atë udhë të gjatë
Për atë zë melodi,
Për atë fytyrë engjëllore.
Por edhe për atë qafore,
Stoli nga Prizreni,
Që të tundej në qafë,
Tram e tram si treni.

E di që edhe sot, pas kaq vitesh,
Po atë shkëlqim sysh ke,
Atë zë,
Atë fytyrë,
Atë buzëqeshje,
Të njëjtin shpirt
Dhe tani ke,
Krejt e re,
Nuk je jo tjetër,
Si dikur moti,
Në trenin e vjetër.

 

 

 

ARNOJ PLAGËT ME FIJE DIELLI

 

Do të ec me hapat e së tashmes,
Me hapat e kësaj kohe,
Jo të kohës që lashë pas,
Atë kohë do t’ia lë të djeshmes,
Do t’ia lë harresës,
Do të nisem drejt diellit,
Te arnoj plagët me fije dielli.

Do të ec e buzëqeshur,
Edhe pse mund të paragjykohem
Nga gojët e liga,
Punë e madhe,
Nëse flasin keq,
Ata qeshën edhe dje,
Kur më shihnin mbuluar me lot
Edhe pardje,
Kur nurin kisha të mbuluar me trishtim.

Kam vendosur të ndryshoj,
Plagët do t’i arnoj me fije dielli,
Gjurmët e dhimbjes në shpirt,
Do t’i mbuloj me shpresë,
Do t’i lutem hënës
Të më fal bukurinë e saj,
Nuk kam më nevojë
Nga hëna të kërkoj vetëm ndriçimin ,
Netëve të errëta,
As qiellit nuk kam më nevojë
T’i kërkoj yjet
Për shkëlqim sysh.

S’duroj më të jem rob,
Mbuluar me fyerje mëngjesi e darke,
E gatshme jam të ndryshoj çdo gjë,
Por jo dhe shpirtin,
Se në atë shpirt
Ka shumë thesare,
Vetëm të verbrit s’arritën t’i zbulojnë.

Do të ndryshoj rrënjësisht,
Nuk do të mbetem më skllave e natës,
Do të nisem drejt diellit,
Që të arnoj plagët me fijet e tij.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s