Shtëpia Botuese “ADA” publikon librin “Ndarë me gjemba bote ” të autorit Ramiz Kuqi.
Titulli: Ndarë me gjemba bote
Autor: Ramiz KUQI
Redaktimi letrar e gjuhësor
Prend BUZHALA
Ballina: Shaban Osmani
Përgatiti për botim: Roland Lushi
Botim i parë, 2015
Tirazhi: 100 kopje
ISBN:978-9928-193-17-2
© Të gjitha të drejtat janë të autorit
Shtëpia Botuese “ADA”
Rr. “Nasi Pavllo” Nr.20
Tiranë, tetor 2015
PARADIGMA E PAKËNAQËSISË DHE UNIVERSI I SË BUKURËS
(Në vend të recensionit)
Prend BUZHALA
Poezia e Ramiz Kuqit ngërthehet nga një lirizëm i mirëfilltë. Dhe pikërisht lirizmi i tillë, përplasjesh të jashtme e të brendshme që i përjeton folësi lirik, sikur jepet në kërkim të qenies së idealizuar, të entitetit të idealizuar, të etnisë së idealizuar. Modeli i tillë i adhurim-idealizimit, kërkon dhe shprehjen adekuate, dhe, së këndejmi, ndodh dhe pëlcitja, sepse modeli shkërmoqet dhe e lind rebelimin e brendshëm:
Zgjuar rri
Vargu im rebel
Maleve fryjnë erëra mesjete
Në Evropën pa kufij
Unë rri pas grilave
Lidhur me pranga
Mes tokës sime
Ndarë me gjemba bote
Nëse paradigma e pakënaqësisë proverbiale shqiptare kundruall botës, e përjashton shqiptarin nga “parajsa e hapësirave pa kufi”, megjithatë folësi lirik i këtij poeti nuk e përjashton nga natyra, si “opozicion”i kësaj pakënaqësie që ta sugjeron edhe titulli i librit “Ndarë me gjemba bote”. Sepse atëherë do ta përjashtonte nga universi i së bukurës e që është qenësia kryesore e artit, të atyre sekreteve për ku e shpie frymëzimi:
më endi nëpër rrugë e fjalë
Të pathëna
E kam mbetur pa fjalë
Ramiz Kuqi ofron prirjen për t’i dhënë poezisë ritin dhe imazhin figurativ, atë shprehjen e dendur të thënies lirike, për ta shquar një detaj, një karakteristikë a një përjetim, që nxiten nga imagjinata krijuese. Ritmi i shpreh veçoritë emocionale dhe refleksive të kësaj poezie. Aty ku ritmi është i përshpejtuar, ndodh emocioni i haresë, herën tjetër ky ritëm i shkurtuat shfaq pauzat e meditimit apo të dramës së brendshme që luhet në skenën Jetës a të historisë. Kurse, aty ku ky ritëm ngadalësohet, ai shquan anën e prekshme, të pikëllueshme apo tragjike, të ekzistimit.
Ndërkaq, strukturat tekstore lirike, thuren me anë të subjektit lirik, nëpërmes Unit intim, i cili shpreh botën e brendshme shpirtërore. Nga një Unë, ky subjekt lirik herë kalon tek një subjekt i diferencuar e herë te një tjetër subjekt i depersonalizuar, apo subjekt i padiferencuar që e spikat qenia e brendshme poetike.
Ramiz Kuqi
Për shkak të shkurtësisë dhe dendurisë së thënies, kjo lirikë, në lexim të aprë, të imponohet si poezi e thjeshtë. Por lexuesi menjëherë ballafaqohet me një mbresë a peizazh shpirtëror, me një përjetim a lëndë tematike refleksive a meditative, me një personalitet, hapësirë, kohë a kujtesë. Së këndejmi, ajo na paraqitet si strukturë e ndërliqshme, ku bashkërendohen elementet e pandashme të realizimit artistik. Lirika këndohet si këngë e lirë (përgjegjësia ndaj fjalës), prandaj dhe larmia tematike shfaqet e pasur. Fjalët bartin një domethënie, ndryshe nga ç’na kumton ajo në realitetin e përditshëm. Kjo tematikë ngërthen situatat tipike të ekzistimit njerëzor e kombëtar, historik e intim, kurse subjekti lirik i rikthehet botës së tij të brendshme. Rikëndohen në shumë variacione temat e amshueshme të lirikës, sikundër janë dashuria dhe vdekja, vetëflijimi për atdhe dhe atdhesia,apo kontakti me karakterin kalimtar të jetës dhe, më në fund, edhe ato thelbe që konsiderohen të shenjta tek njeriu… Ekziston një kohë-hapësirë e poetizuar pakufishëm tek lirikat e Kuqit. deti, qytetet, hapësira, qielli, dita, nata, mëngjesi, dita, sonte, mëngjesi, mbrëmja, koha… ashtu sikundër ekzistojnë dhe postulatet e mëhershme poetike për muzën dhe fjalën.
E pata në varg
Një fjalë të heshtur
Që erdhi
Me drithërimë
Ose:
Shkujdesur e mbaj fjalën
Të mos ma çjerrin nëpër këngë
Ose:
më endi nëpër rrugë e fjalë
Të pathëna
E kam mbetur pa fjalë
Autori i përmbahet kërkesave themelore të lirikës: pa përshkrime dhe pa rrëfime, por krijon frymën e një vargu asociacionesh për ta theksuar motivin kryesor.
Po qe se poeti përzgjedh figurat antropologjike, ai e bën këtë për ta spikatur vetëdijen kuturore-historike (“Do ngrihet një ditë mbi ketë tokë gjaku i Gjergjit flamuri”), kurse me emrat e Fishtës, Naimit apo Migjenit, Isasë, nga njëra anë, dhe të Ilirisë, Arbërisë, Kosovës, Shqipërisë, Iliridës, Çamërisë, flamurit, shqiponjës, etj nga ana tjetër, vetëm sa e thekson këtë vetëdije.
Kund e kund poeti e kundron jetën edhe me anë të një ironie melankolike, e ku ndjeshmëria tragjike, paradoksale apo ajo e absurdit, pleksen me refleksionin dhe me butësinë e lirizmit metaforik.
Nga ana tjetër, poezitë, duke u shoqëruar me datat e krijimit dhe shpesh edhe me vendet ku është shkruar ajo, bartin dhe shenjat e ambientit e të kohës, edhe ato të reagimeve të brendshme ndaj mbresave të jashtme, një si kronikë përtej të përditshmes, ku realiteti dhe jeta e përditshme shpirtëzohen, poetizohen, imazhet e jashtme shndërrohen në imagjinatë krijuese, mbase për të qëndruar MË AFËR REALITETIT. Kurse vetë jeta dhe realiteti, nganjëherë, na duken iluzione të bukura. Përvoja e përditshme përjetohet në shumë forma, kur “shënohet” në vargje, kur rikëndohet. Rezonancat e tilla në mes të përditshmes dhe artit të thënies lirike, përafrohen në gjendje oksimoronike: të situatave jetësore mes të vërtetës dhe mashtrimit, të shëmtuarës dhe të së bukurës, jetës dhe vdekjes, dhe, gjithsesi, edhe reflektimeve lirike të kërkesave të FOLËSIT LIRIK për DYSHIME dhe nevojës për BESIM:
E marr fjalën sonte
E zbres
Vargjeve qetë
Po ëndrrat me trazojnë
Mes dy zjarresh
Më djeg një mall
Një udhë e kërkoj
Deri në paskajore
Mes dy zjarresh
Jam bërë hi
Mes dy zjarresh
Edhe atdheu im?!
Aty na përplasen dhe përvojat e jetës, rinia dhe mosha e shtyrë, dhe, kësisoj, këto situata, përvoja, reflektime e gjendje kontrasteve e diversitetesh, pleksen harmonishëm në strukturat poetike, nëpër të pesë ciklet: “Nata matet”, “Lulja e Sharrit”, “Hamletiane”, “Letër Krishtit
Dhe “Dhe ecën kjo ditë”.
Meqenëse poeti jeton në mërgim, në Norvegji, dhe meqenëse jetesa në vende të tilla i mundëson të shohë shumë vende, të perceptojë hapësira e pamje, atëherë nuk është e habitshme pse edhe botët e largëta afrohen dhe zhvillojnë një dialog ideal poetik, kurse rrugët q të largëta e aq të papritura që t’i dhuron kjo hapësirë përvojash, shndërrohet në kërkim të identitetit personal e kombëtar, në një proces të përhershëm të gjetjes së vetvetes, natyrës së vet, të projektuar sipas qenies së brendshme, vetjake… Duket sikur pamje, njerëz e hapësira të çuditshme e ta pakufishme, lëvizin nga skutat e errëta e të fshehura, drejt dritës lirike:
Ky qiell
I pafund
Shi mban në gji
Flutura ngjyrë hiri (…)
Vjen në dritare
Si pëllumb Anakreonti
T’i ledhaton faqet
Të shpie te malli i këngës
Të end nëpër udhë të panjohura
kurse subjektet lirike, njerëzit, janë një mishërim i formulave ekzistenciale e jetësore, prej simboleve që shënjojnë pasigurinë e deri te ato që shënjojnë rezistencën, qëndresën, shpirtin kryengritës dhe liridashës me plisbardhët, një leksemë lirike, që poetizohet shpesh nëpër vargje. Përvojat, përjetimet, fshehtësitë dhe reflektimet figurative, janë shenja-përcaktimesh të kuptimit të jetës