Robert Prifti: Ta shkruash Shqipërinë në gjuhë të huaj.

 

robert-prifti-214x300

Robert Prifti: Ta shkruash Shqipërinë në gjuhë të huaj.

http://www.mapo.al/2015/08/robert-prifti-ta-shkruash-shqiperine-ne-gjuhe-te-huaj/comment-page-1

 

 

Në kushtet e diktaturës, Robert Prifti zgjodhi rrugën e shkrimtarit që punon në heshtje. Luftë në shpirt, përmes një gjerdani veprash të shkruara në italisht dhe me pseudonime që ndryshoheshin kohë më kohë, të cilat nuk arritën t’i jepnin as autorit përligjjen dhe as lexuesit, më së paku, një paralajmërim… Krijimtaria letrare e tij nisi të botohej postume, vite më pas ndarjes nga jeta. Bashkë me emrin e autorit do të na mbetet e fshehur edhe dhuntia e tij në përdorimin e pasurisë së shqipes si mjet stilistik letrar. Veç prozës Prifti ka lënë trashëgimi edhe afro 500 poezi, të cilat mbeten ende të panjohura e ku autori shfaq imazhet e vrazhda të diktaturës përmes gjuhës poetike…

 

 

 

Është për t’iu gëzuar, në fund të fundit faktit se, edhe pse i zbuluar mjaft vonë, madje ende i pazbuluar plotësisht, edhe pse jo me qarkullimin dhe me vëmendjen e duhur, siç do i takonte një rasti jo të zakonshëm letrar, prej më se pesë vitesh prurja letrare e shkrimtarit Robert Priftit ka pësuar ndryshime. Kjo për faktin se nga gjendja dorëshkrim, krijimtaria e tij është inventarizuar dhe klasifikuar sipas zhanreve dhe gjuhës së shkrimit. Kjo krijimtari që ka mbërritur te ne në formën e dorëshkrimeve dhe të daktiloshkrimeve, është mbartur në formatin e shkrimit kompjuterik. Një pjesë e kësaj krijimtarie është përkthyer (ndonëse jo e gjitha dhe jo në formë përfundimtare) kur ka qenë e shkruar në gjuhë të huaj, siç është ajo kryesisht. Një pjesë edhe është skanuar për dokumentim, madje disa vëllime të kësaj krijimtarie janë botuar.

 

Pavarësisht formatit, rëndësisë dhe vlerës, të cilat do i kemi sërish përpara për shqyrtim, mund të themi se rasti i Robert Priftit përbën një rast të veçantë, dalje nga rregulli tipik. Arsyeja nuk është vetëm një. Robert Prifti është një autor shqiptar që, edhe pse me banim në Shqipëri, krijimtarinë letrare e ka shkruar në gjuhë të huaj. Tek atipizmi do të përfshinim edhe një shkallë të lartë, por të organizuar censurës me pasojë vetëcensurimin. Janë mijëra faqe krijimtari.

 

Pjesë e punës së nisur mbi krijimtarinë e Robert Priftit, hulumtim nëpër tekstet dorëshkrime e daktiloshkrime të tij, ka qenë edhe dekriptimi i identiteteve letrare, i pseudonimeve apo gjysmë të tillave, që ky autor ka përdorur në dorëshkrimet e tij.

 

Janë shfaqur tanimë dy nga identitetet e tij të fshehta letrare: “Robert Elin” dhe “Trevor Elin”. Identiteti “Robert Elin” vjen si një pseudonim gjysmë i kriptuar, në të cilin emri i autorit nuk mëton të fshihet. Identiteti “Trevor Elin” sjell sërish një pseudonim të vetëdekriptuar përgjysmë, pasi emri “Trevon” nuk është larg të qenit një anagramë e emrit të autorit – “Robert”, ndërkohë që “pseudombiemri” mbetet po ai. Nën identitetin“Robert Elin”, Robert Prifti kishte menduar të botonte poezitë e tij, ndërsa identiteti “Trevor Elin” shfaqet mbi frontespicin e njërit prej romaneve të daktilografuar. Përveç veprës në prozë së botuar tanimë (romane dhe poezi), Robert Prifti ka lënë edhe rreth 500 poezi si trashëgimi krijimtarie. Njëqind poezitë e para ai vetë i ka kaluar nga versioni dorëshkrim në versionin daktiloshkrim me një makinë “Olivetti”, si një hap më tej drejt “nxjerrjes në dritë”, por ende larg publikimit. Duke ndjekur përzgjedhjen e hartuar prej tij vërehet se vetë autori ka dashur të ndërtojë një gjerdan botimesh sistematike, të ndërtuara sipas kriterit kronologjik, hartuar në disa vëllime poetike me nga në njëqind poezi secili vëllim. Vëllimi i parë, prej nga janë veçuar edhe poezitë që botohen në vijim, mban titullin “Le subcorticali”. Nën “emrin” e autorit gjejmë të shkruar edhe “cento poesie”. Viti i krijimit apo ndonjë e dhënë tjetër në lidhje me kronologjinë nuk shfaqet i shënuar mbi frontespicin e daktiloshkrimit. Por sidoqoftë, të dhëna plotësuese mund të vilen edhe nga versionet dorëshkrime të atyre poezive të shkruara aty ku autori ka mundur. Janë blloqe shënimesh, ditarë, regjistra shkollorë – listë notash të një regjistri ushtarak me sa shihet nga dokumenti, janë fatura, madje edhe në fletë-kërkesë drejtuar Bibliotekës Kombëtare, Tiranë, ku gjenden të hedhura poezi. Njëqind poezitë e tjera të Robert Priftit dalin nën titullin “Epitafi di vita”. Këto janë dy vëllime të përkthyera tanimë nga italishtja në gjuhën shqipe nga i biri i poetit, Edgar Prifti. Më tej puna përzgjedhëse e këtij autori ka vijuar me ndërtimin e librit të tretë poetik. Ky libër, ndryshe nga dy paraardhësit, nuk përmban njëqind poezi, por tetëdhjetë. Titulli që autori i ka dhënë këtij libri është “Divertimento col pianto”. Ky libër nuk është përkthyer ende në shqip.

 

Nuk mund të thuhet hëpërhë nëse poezitë që Robert Prifti i shkroi nëpër blloqe shënimesh a nëpër ditarë janë të përputhura në kohë me indikacionin tipografik të kronologjisë së shtypur mbi materien bartëse. Nëse do të gjurmoheshin të dhënat e lëna mbi to, të tilla si zhvillimi i shkrimit të tij në vite dhe nëse do të vëzhgoheshin me kujdes të dhënat kronologjike të sipërshtypshkruara apo shtypshkrimet anësore që gjenden në blloqet e shënimeve apo në ditarët (herë në shqip dhe herë në gjuhë të huaj) do të mundeshim të krijonim një përfytyrim më të drejtë rreth kohës së krijimit të kësaj krijimtarie, por edhe elementeve të tjera përmbajtësore dhe stilistikore.

 

Kjo do të krijonte gjithashtu një përfytyrim më të mirë ndaj letërsisë së shkruar në kushtet e mungesës së lirisë, “letërsisë së fshehur”, “letërsinë underground”, “letërsisë së sirtarëve”, “letërsisë klandestine”, të një letërsie që mundi të plotësonte vetëm njërin nga kushtet e “letërsisë samizdad”, pasi vetëm u shkrua, por nuk mundi të botohej e të qarkullonte, megjithëse përmbajtja e saj përmbante kritikë dhe përmbajtje politike në kundërshtim jo vetëm me normën standarde të metodës së realizmit socialist, por edhe të ideologjisë. Bëhet domethënës fakti se kjo krijimtari e ka kaluar tanimë gjendjen konservative të qenit e mbyllur, larg dijenisë dhe komunikimit. Tani ajo është një krijimtari në duart e lexuesit, të kritikëve dhe të studiuesve. Ajo ndeshet në raftet e librarive, pra me parakushte të plotësuara për komunikim dhe e gatshme për t’u pasuruar me botime të reja. Kjo e dyta sidomos, parametri i të qenit i botuar, që me gjithë dëshirën dhe përpjekjen, nuk kishte qenë e mundur për autorin as në kohën kur kjo letërsi u krijua (para viteve ’90) dhe as më pas, kur detyrimi për ta mbajtur të fshehtë dhe në anonimat këtë krijimtari ra, na ofron një mundësi për ta parë më e vëmendje këtë krijimtari. Krijimtaria letrare e Robert Priftit filloi të botohej postume, vite më pas ndarjes së tij nga jeta. Skeda bibliografike e veprave të botuara deri më sot nga Robert Prifti përmbledh këto vepra: “Syri i Polifemit” (roman, Omska – 1, 2009), “Dielli i të vdekurve” (tregime, Omska -1, 2010)  “Shenjtori i dhunës” (roman, Omska – 1, 2011), “Lumturia e frikës” (roman, Omska – 1, 2012), “Dy shtretërit e Prokrustës” (roman, Omska – 1, 2013).

 

Megjithëse në të gjenden fakte dhe detaje personale, krijimtaria e trashëguar nga Robert Prifti nuk është autobiografike. Për këto duhet t’i drejtohemi jetëshkrimit të tij. Aty ndeshen fakte që, në një mënyrë a në një tjetër, lanë gjurmë dhe ndikuan në karakterin, formimin human dhe krijimtarinë e tij letrare.

 

Veprat e shkruara asokohe nga Robert Prifti koleksionojnë pakënaqësinë, mbajnë shënim shthurjen e humanes në shoqërinë shqiptare të pas viteve ’50, duke u shtuar atyre viteve edhe një dëshmi të fortë ardhur prej letërsisë.

 

Ai zgjodhi rrugën e shkrimtarit që punon në heshtje, i vetmuar dhe që shprehet përmes asaj që di të bëjë më mirë në ato kushte. Sipas tij kjo sjellje do të ishte më jetëgjatë se sa një aksion vetëvrasës në kushtet e një lirie inekzistente. Kjo formë qëndresë pa revoltë të dukshme, nuk ndikoi që shoqëria të ndryshonte, por mbrojti një shpirt refuzues ndaj aplikimit të dogmave dhe metodës së realizmit socialist.

 

Por më shumë sesa keqardhje për mbylljen e një shpirti njerëzor të pajisur me kulturë dhe dhunti, ndihet pesha e shtrëngesës që e detyroi këtë autor të mos komunikonte në kohë me lexuesin e tij dhe pamundësia për t’ia gjurmuar krijimtarinë në gjuhën amtare. Nuk kemi të bëjmë me një formë standarde të arratisë nga realiteti (jetësor po aq sa edhe linguistik) siç dhe nuk kemi të bëjmë me shmangien e tematikës së fortë për t’iu kushtuar stilistikës së ushtrimit të zejes letrare. Përkundrazi. Robert Prifti vetëm e shkruan në gjuhë të huaj krijimtarinë e tij, por ky transferim gjuhësor nuk ia ndryshon thelbin e asaj që mendon edhe në gjuhën e tij.

 

Luftë në shpirt, përmes një gjerdani veprash të shkruara në italisht dhe me pseudonime që ndryshoheshin kohë më kohë, të cilat nuk arritën t’i jepnin as autorit përligjjen dhe as lexuesit, më së paku, një paralajmërim?

 

Por ka një akt që e tejkalon këtë mbyllje dhe këtë fshehtësi. Kjo lidhet me tetorin e vitit 1987, kohë kur Robert Prifti, që siç dëshmon i biri, Edgari, në kujtimet e tij, pasi mori vizën për t’u takuar me motrën e tij të vetme në Itali, fshehu nën tabanin e çantës së udhëtimit dorëshkrimin e romanit “Syri i Polifemit”. Përmes një aventure jo pak të rrezikshme për kohën, vepra u shpëtoi kontrolleve, e kaloi kufirin politik, por edhe pse me vlerësime të mira kritike, nuk arriti të botohej para viteve ’90…Çfarë do të ndryshonte? Në kësi rastesh nuk hamendësohet.

 

Nuk mund ta dimë se çfarë do të kishte ndodhur me Robert Priftin nëse kjo krijimtari do të ishte dekonspiruar, ashtu siç dhe nuk mund ta dimë nëse pseudonimet apo anagramat do të kishin aq fuqi mbrojtëse sa ta shpëtonin nga autorin ajo tematike haptazi shqiptare, që u fsheh, ndonëse jo dhe aq mirë, nën petkun e materies, por jo të kuptimeve të një gjuhe të huaj? Kemi të bëjmë me një akt të vetëdijshëm, me një vetëmbrojtjeje, por ku bulon edhe një farë vetëflijimi. Bashkë me emrin e autorit, do të na mbetet e fshehur edhe dhuntia e tij në përdorimin e pasurisë së shqipes si mjet stilistik letrar. Lënda letrare e krijuar nga Robert Priftit bëhet ndjellëse për studiuesit e letërsisë shqiptare. Kjo krijimtari, që sot po i zbulohet dora-dorës publikut e që nuk provoi as gëzimin që të jep pritja e lexuesit, as ankthin e krijuar nga mendimi i kritikës dhe as kënaqësinë e ndikimit përmes letërsisë, nuk vjen për të shthurur, por për ta pasuruar historishkrimin letrar me dëshmi të reja, domethënëse, atipike për nga forma dhe shfaqja. Për vlerat e saj estetike na duhet të presim ende, së paku derisa ta shohim të botuar të gjithë veprën, që tashmë është e mbyllur dhe e përfunduar si projekt autorial. Ky botim do i vinte në ndihmë krijimit të një panorame më të gjerë mbi veçoritë tematike dhe stilistike të prozodisë së këtij autori, për ta ftuar atë të bëhet pjesë e një diskursi më të gjerë mbi atë çka ai dhe letërsia e tij përfaqëson si dukuri dhe si prani e letrares. Në rolin e ndërmjetësuesit të një krijimtarie letrare ende të papërfshirë në listat dhe në kalendarët kronologjikë, krijimtaria e botuar deri më sot nga Robert Prifti mund të shtrojë pyetje të ndryshme, përfshi këtu edhe ato të natyrës së klasifikimit.

 

Do të përfshihet kjo letërsi tek e ashtuquajtura “letërsi e ndaluar”? Si, mbi ç’kritere dhe mbi ç’baza do të bëhet gjykim-vlerësimi i kësaj letërsie shumëvëllimëshe, narrativa dhe poetika në përgjithësi, e krijimtarisë së botuar deri më sot (romane, prozë e shkurtër) dhe e asaj që është ende jo vetëm e pabotuar, por edhe e patranskriptuar dhe e papërkthyer (poezia)? Do të mbivlerësohet kriteri estetik apo do të vendosen pranë tyre edhe kriteret jashtëletrare, pa të cilat kjo krijimtari nuk e shfaq dot të plotë domethënien? Do të përfshihet kjo krijimtari te “letërsia e sirtarëve”, si krijimtari që nuk mundi të komunikonte në kohë e vet me lexuesin? Do të bëhet pjesë e letërsisë së vetëndëshkuar për shkak të censurës së nëpërmendur, por më fort prej autocensurës? A mund të klasifikohet kjo krijimtari sipas tipologjive, mjeteve apo veçorive që shfaq, pranë ndonjë rryme, drejtimi, prirjeje apo shkolle letrare? Nëse po, kjo rrymë, prirje, drejtim apo shkollë ishte e njëkohshme me simotrat e prirjeve letrare europiane apo letërsia që krijoi Robert Prifti përsërit si rast i fenomenit të vonesës? Cila nga mënyrat e botimit do të ishte më e këshillueshmja për këtë rast përjashtimor: botimi dygjuhësh, me tekst përballë, origjinali përballë përkthimit? A mundemi dhe deri në ç’shkallë do të gjykojmë mbi këtë krijimtari dhe si mund të sprovojmë ta vendosim e t’i gjejmë një vend në rrjedhat e historiografisë së letërsisë (shqipe apo shqiptare) për sa kohë që origjinali na ofrohet në gjuhë të huaj (italisht) dhe ajo me të cilën lexuesi komunikon është tekst i prejardhur, një tekst që vjen me ndërmjetësim e përkthimit? Robert Prifti vdiq papritur në Tiranë, më 22 Tetor të vitit 1993, pa i dëgjuar këto pyetje dhe pa e parë të botuar veprën e tij. Por ka një element përqeshës, sarkastik, plot ironi e ndjenjë të hollë humori në këto tekste me vlerën e një dëshmie dhe që i jep veçanti profilit të tij brenda revistës. Ky element është kaligrafia.

 

Bukurshkrimi e i tekstit poetik bën sfidë. Ai rri si një oksimoron mes pamjeve të vrazhda që përshkruan autori nga diktatura dhe stilit të qetë, të bukur, finosh të shkrimit të Robert Priftit…Duke i vështruar jo vetëm si art, por edhe si akte dokumentare, nga këto tekste poetike në dorëshkrim, që po botohen për herë të parë në revistën “Poeteka”, mund të kuptojmë se tronditja, por dhe qëndresa e këtij autori ndodhte larg sipërfaqes, në thellësi.

 

 

*Përgatiti: Silvana Leka/ Revista Poeteka

 

 

 

 

Një jetë mes shkencës dhe letërsisë

 

Robert Ilia Prifti lindi në Korçë më 15 dhjetor të vitit 1925. Ndoqi studimet në Liceun klasik dhe pas çlirimit, pasi përfundoi edhe studimet, punoi në Institutin e kërkimeve shkencore, ku ushtroi profesionin e kimistit. Më vonë ai punoi si arsimtar në shkollat e mesme të kryeqytetit, ku dha mësim në lëndët e shkencave natyrore dhe në gjuhët e huaja. Sipas dëshmive të familjarëve dhe miqve që janë shprehur mbi krijimtarinë e tij, si Amik Kasoruho dhe Visar Zhiti, idetë dhe mendimet e tij u panë jashtë formatit ideologjik dhe u trajtuan si të papërshtatshme për sistemin edukativ që zbatohej në shkollë. Këto qenë arsyet pse Robert Prifti u pezullua nga detyra dhe u dërgua të punojë në shkollën fillore të fshatit Surrel, jo dhe aq pranë Tiranës.

 

Me prirje ndaj gjuhëve të huaja, themelet e të cilave i kishte të qëndrueshme që prej kohës kur studioi në Lice dhe ku mësoi me zell greqishten e vjetër, latinishten, Robert Prifti u vu të mësonte në mënyrë autodidakte disa gjuhë të kulturës europiane, mes të cilave frëngjishten, anglishten, rusishten, italishten, gjermanishten dhe spanjishten. Përveç prirjes për gjuhët e huaja, Robert Prifti zotëronte kulturë të gjerë. Ai njihte shkencat dhe ishte i pajisur me dhunti ndaj arteve vizive, gjë që shfaqe edhe në imazhet që krijon në poezinë e tij. Sistemi politik nën të cilin ai jetoi qe një zhgënjim për idealet dhe një tronditje ndaj besimit ndaj vlerave humane. Ai e kuptoi se regjimi komunist nuk mund të krijonte hapësira lirie dhe zhvillimi etik dhe shpirtëror as për atë vetë dhe as për kombin e tij. Kjo thyerje shpirtërore dhe ndjesia e mungesës së lirisë i krijoi atij vetëizolimin dhe mosshfaqjes e dhuntive letrare.

Mjeti mbrojtës për të u bë letërsia si krijim dhe si lexim. Mund të quhet edhe mbyllje ai përjetim që provoi Robert Prifti e që e vendosi atë në distancë ndaj të tjerëve, qofshin këta familjarë apo kolegë, me të cilët ndau jetën e përditshme, por jo besimin dhe intimitetin e krijimtarisë.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s