Poezi nga Myrteza Mara

Myrteza Mara

Poezi nga Myrteza Mara

 

 

 

MES DY DASHURIVE

 

Të jem xheloz kam njëmijë arsye,
Ndaj marrosem si gurët e ortekut.
Sa herë në qiell shikojmë vetëm yje
Ti shkon mes tyre dhe më le vetëm!

Se qielli nuk ndriçon dot pa ty,
Yjet s’kanë ku e marin shkëlqimin
Si unë dhe ata, kanë rënë në dashuri
Si unë dhe ata firmosën betimin!

Mes dy dashurive të dashuroj,
Qielli është dashuria jonë e parë.
Të dy dashuritë unë i adhuroj
Të dyja më falin dritë edhe zjarr!

Sa herë kthehesh nga qielli i artë
Shkund copa yjesh mbi supet e mi
Ma djeg xhelozinë nëpër natë
Me puthje qielli më fal lumturi!

Në bukurinë tënde humbas përherë
Humbas unë, edhe yjet humbasin
Me fat jam unë, dhe yjet në qiej
Me ty dhe yjet e kam lidhur fatin!

 

***
Do bëhem i tëri si gurë orteku,
Nëse del hëna dhe të rrëmben
Pa ty dhe yjet më mirë i vdekur….
Të jem xheloz? Përse mos të jem?

 

 

 

NËPËR PUTHJET E POETIT

 

Unë e di ku më ke strukur,
Në një odë të zemrës sate.
Aty ku u dogj një flutur,
Në qiririn e asaj nate.

Unë e di, ti s’e harron
Atë zë që pëshpëriste:
“Jam i yti medaljon,
Dhe të treten njëmijë vite!”

Unë e di, ti ke mall,
Për çdo lule që ke prekur.
Puthja jote pikon zjarr
Dhe e zgjat me shekuj jetën…

Mos shiko se ç’thot pasqyra,
Mos beso retë ziliqare!
Shpirti-diell tek fytyra
Vitet digjen fishekzare.

Eja, shkojmë prap “tek vendi”,
Shohim si përndizen dallgët.
Eja, se zemrat u çmendën,
Nuk kanë gjak të mbyllin plagët!

Nuk do flasim, as do qeshim,
Do shijojmë këngët e detit.
Do rilindim, do rivdesim,
Nëpër puthjet e poetit!

 

 

 

IKA LARG

 

Vendosa të të mos mbaj inat,
kur të pashë me një tjetër,
as ngushëllohem se “ishte fat”,
sipas fabulës së dhelprës.
E binda veten se nuk isha për ty,
as ti për mua, natyrisht,
ti nuk u bëre Perëndi,
as unë për ty s’u bëra Krisht.

Ty të mungonte pranvera,
unë isha i tëri vjeshtë,
ti i ktheje shpinën erës,
unë erën e kam shpresë.
Tani jemi si dy të huaj,
në skajet e një dimri,
Vendosa më të mos vuaj,
nëpër udhën e harrimit.

Ika larg, nëpër qiej,
në gjurmët e një ëndrre,
atje qielli kishte dy diej
dhe një pentagram kënge.
Dhe, oh, u ula në gjunj,
sytë i mbylla për një çast,
u binda, s’isha në gjumë,
sado që jashtë ishte natë.

Një zë më thirri në emër,
muza po më priste mua
dorën vura pëmbi zemër,
mbetur gjysmë i verbuar.
Ikëm dhe nuk di ku ikëm,
larg shikonim vetëm qiell,
nata fir u tret nga dita,
bekuar qofsh, ti, o diell!

Sa të pashë në sy më mbive
dhe unë ty, natyrisht,
Perëndi – ti, shenjta ime
për ty, le të bëhem Krisht!

 

 

 

NË KËTË JETË

 

Kam një jetë nëpër udhët e jetës,
si qen besnik pas më ndjek hija.
Jam pelegrin që kërkoj Mekën
Meka ime është vetëm dashuria.

Kam një jetë mbushur me dekada,
nëpër rreshtat e hapave të hekurt,
por s’dua ta kthej kokën prapa
të shikoj rininë time të heshtur.

Një jetë nuk del për të treguar
gjithë adresat e plagëve të mia,
ato që mbetën pa u mbuluar,
por dhe ato që zbuloi dashuria.

Një jetë që kërkoj gjysmën time,
asnjëherë nuk u ndjeva i plot,
se qiejt firmosnin me bojë vetëtime
atëhere kështu, më keq edhe sot.

Një jetë kemi, vetëm një jetë,
në gjurmët e viteve qirinj të fikur
Kjo jetë, ndoshta s’është e vërtet,
edhe nga tjetra askush s’ka mbërritur.

Askush nuk erdhi të na tregoj
se ç’bëhet në ëndrrën e premtuar.
Në këtë jetë vetëm shpresojmë,
lindim dhe vdesim të dashuruar!

 

 

 

PAGJUMËSI

 

Në këtë orë të natës së vonë
Gjumi ka humbur udhën për tek unë
S’di ku ka shkuar, s’di çfarë kërkon
Ndoshta edhe gjumi po fle gjumë!

Heshtja ndër mure endet e ftohtë
Ëngjëjt e di, janë nisur për aty
Përtoj të ngrihem e mbush një gotë
Gjumi fle gjumë në qejfin e tij!

E nisa edhe një gjysmëëndërr
Tek shtrati yt të afrohet pa zhurmë
Të të puth lehtë tek gusha e ëmbël
Jo dallgë pas shkëmbi, siç bëj unë!

Edhe pak frymë nga fryma jote
Ta kem si gjurmën e nxehtë të puthjes
Atëhere s’do ia prish qejfin një gote
Dhe gjumi të vij do e largoj tutje!

Dhe kur ti të çohesh në mëngjes
Do shohësh gushën në pasqyrë
Atje lodron një si lule e zbehtë
Si djalë çapkën do i shkelësh synë.

Ndoshta atëhere gjumi do trokas
Mbi qepallat e mia të rënda
Endrrat e bukura duan vetëm natë
Ditën ndizet fjala edhe kënga!

 

 

 

DO VIJË NJË DITË

 

Do të vijë një ditë, e dashur, do të vijë
Kur qielli syve do zmadhohet si perëndim.
Prandaj nxito të lundrojmë në dashuri,
Se vitet që ikin nuk njohin kthim!

Do vijë një ditë kur do flasim me yjet,
Dëshmitarët e puthjes tonë të parë.
Zogjtë do këndojnë elegji nëpër pyje
Hëna e shpirtit do çmendet duke qarë.

Do vijnë së shpejti ca mote të tjerë,
Ngarkuar si male vetëm me dimër
Do kenë gjithçka, por jo pranverë,
Loti i mallit do mbys psherëtimën.

Do vijnë kujtimet e urta në radhë,
Veshur si hënë në një natë vjeshte
Do jenë si hiri i ftohtë, pa zjarrë
Ne do i njohim nga gjurmët e jetës.

Do vijë një ditë, e dashur, do vijë,
Siç kanë ardhur për gjithë të tjerët
Por kush jeton këtë jetë me dashuri
E merr me vete edhe pranverën!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s