Poezi nga Skënder Berisha

Skender Berisha

Poezi nga Skënder Berisha

 

 

 

DRITARJA

 

Përthyerje drite e dobët
kanatë e lodhur
cijatet në erë
verë e paraverë

ti andej unë këndej
s’kam ç’të të rrëfej
rrezet të rralla
thika tejpërtej

më shikon me nge
pa be e rrfe
s’ka më të re
shi po bie mbi atdhe

përtej një dorë e ngritur
një përshëndetje e thyer
ende rri e nderë
verë e paraverë?

 

 

 

KTHIMI

 

Një jetë udhë e dashur,
për një përkulje para këmbëve tua.
Çfarë përgjërimi i përmalluar!
Digjet bari i lodhur vape,
Shkumojnë brigjet e lodhura nga puthjet.
Po kthehet zjarri i vjetër,
i pashuar aspak i fshehur.
Ndolli edhe mani i rritur një jetë.
Ndollën kumritë e reja që po gugojnë,
sa pranë po gugojnë.
Sa paskan shkuar heshturazi,pa fjalë!
Këtë zbrazëti në meskohë,
si do ta mbushim,athua…?
A do ta presim shiun tjetër,apo do të kallemi!?
Sa paska vetmuar dritarja,po ajo dritare e botës sime të paskaj!
Nuk e di edhe çka do t’më bëj me vaj!
Në bragun e ngrënë kus paska qarë kaq gjatë?!
Sa paska cijatur kjo derë e rrahur ere,sa!
Kush nuk paska shkelur mbi barin tonë!
Lulet po ato.Era lagshtë e mbledhur e strukur në skutat e oborrit.
Sokaku flet me gjuhën e vet të gurtë.
Po e kuptoj veç gjuhën e trumcakëve.
Heshtjen e thellë po e ndiej,shurdhërinë e çdo guri.
Ngadalë pështetem për muri dhe dëgjoj zërat e njohur,
që më thërrasin,më gjegjen nga thellësia e thellë.
Si të mësohem të marr frymë,të marr,të marr?
Rishtas duhet t’i trazoj Rrezinat,
nga një lule ta marr për varret e reja.
Edhe ty,do të kthehem të të rigjej.

 

 

 

NGJYRIME VJESHTE

 

Qielli i murrmë i mrrolur
prehet në mrroljen e vet
gjatë prehet nuk thehet
anëembanë rri e prehet

virret murmësia deri këtu
këtu ku nxihet krejt bluja
dhe shiu pret shpërthimin
unë dua ta mbaj premtimin

harruarr nuk kam nuk kam
do ta them në çastin e parë
shfaqje midis kësaj murrmësie
lule e mirë në hove pjekurie

kur të nisesh shtegut të lagur
e t’më shfaqesh më e ardhur
rri e gëzoj nënë strehë rrapi
aty ndalesh e të bindet hapi.

 

 

 

DUKE TË VËSHTRUAR

 

Çilet një tjetër kapitull fare i ri
kallen shikimet e kryqëzuara
si takohen rrufetë e nxehta
pastaj shtohet një rend tjetër
pasi të të them diçka
përshembull
tungjatjeta

dhe nisim si prej fillimit një takim
që është shembëllim i atyre tjerëve
po nuk ngjanë me ta
se vlon ndryshe te kraharori
nuk numërojmë asgjë
se palohen puthjet
njëra pas tjetrës

çahet qielli me një fluturim
shqiponjë ishte
dikah shpejtonte me nxitim
tashti dijmë shumë
edhe ti edhe unë

dyzohen shikimet që nuk tretin tjetërkah
më rri e dridhshme përkrah
të them edhe pak veç edhe pak

gjtiçka dihet e trupi mpihet
kur niset sa vonë mbaron
shtrëngimi jonë shtegtim
nëpër ijet e jetës te uji
që ecë e gurgullon

të rrimë them deri natën vonë
ti më kallxon unë të kallxoj
dhe psherëtimat e thella nuk ndihen
praptohemi gjunjas atje te rrënjët e gurrës
që nuk trembet aspak
trokon diçka sikur në sokak

përvidhemi nën krahët e njëri-tjetrit
strehë e erëndshme
nuk dua gjë të pikojë
as mbi vetullat që flasin
as mbi xinxrrat
që me melodi na miklojnë

rrimë sa duam kush s’na shqetëson
ngihemi frymë të shpeshtë
në blerimin e sheshtë
që fëshfërin
si në fillim si në mbarim.

 

 

 

TAKIM I ZAKONSHËM ME BUKURINË

 

Hekura të ndryshkur kohe dhëmbë Luciferi
të parat më vrasin të dytat më therrin
derisa ngritem për andej lart
një frymë e vjetra e re më bart

përkulen therrat e thara sipri
udha e mbetur në gjysmë gëzohet
për hapin e udhëtarit të njohur
që nuk ka dert pse rrëzohet

më vonë e kam më lehtë te majebora
aty murlanin së pari e njoha
dikur e pata më lehtë sa herë mendova

qetësi e paanë diku blertë e diku bardh
me mua të parin nis edhe kuvendon
lum kush vjen me mua e pak derton.

 

 

 

QIELLI I ZËNË

 

U zu qielli me shpejtësi
u ngutën retë e shtyra ere
më mbuluan këmbë e krye
shiu gatitet edhe kësaj here

sa shpejt u futua ajo kaltri
që shtrihej kaltër para syve të mi
nguten edhe zogjtë e trazuar
prej fundesh u trazua edhe Drini

pastaj shiu i paralajmëruar rodhi
hollësisht lagu ç’pati për të lagur
më kaploi një drithërimë e ardhur
në mua diçka e njomë ndodhi

t’ma morën shelgjet njomësinë
tia dhanë rakitave të pëvëluara
nisën vallen peshqit e mërzitur
ra perdja e ditës me të rrëshqitur.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s