Poezi nga Vullnet Mato

vullnet

 

Poezi nga Vullnet Mato

 

 

 

KLITHMAT TONA TË KUPTOHEN “SOS!”…

 

Kur i paafti arrin deri në fronin e mbretit,
përkrahur nga miqtë dhe shpura e fisit,
merr në dorë të gjithë frenat e shtetit
për t’i shkruar si do vet, nenet e ligjit;

Kur brezat lindin në agun e mëngjesit
me miliona borxh në barkun e nënës,
kur ardhmëria e pritur gjatë nga njerëzit
dështon qysh në zanafillën e ëndrrës;

Kur gënjeshtra bëhet virtyt që ngjitet lart,
kur nderohet vjedhja dhe imoraliteti,
dashuria dhe sinqeriteti janë e vetmja dhuratë,
që mund t’i falin të ndershmit njeri-tjetrit…

Prandaj o i uritur, i papunë, i dëshpëruar,
o njeri i drejtë, i gjendur befas në hall,
ejani, si vëllezër të shtrëngojmë duart,
me sinqeritet të puthemi fort në ballë!

Përballë të lumturve, me barkun plot,
ejani, së bashku t’i themi vdekjes: Mos!
Ta ngremë zërin mbi vuajtje dhe lot,
aq sa klithmat tona, të kuptohen “Sos!”…

 

 

 

TË KAM NË PËRFYTYRIM

 

Mbete përjetë aty ku ishe,
tek i njëjti horizont i vjetër.
Nuk kish si ndodhte ndryshe
derisa të murosën te një tjetër.

Ne ishim dy dallëndyshe,
në shtegtimin tonë të lirë,
dimri egër që na ndiqte,
na shtyu deri në humbëtirë.

Kur ty humbja të përpiu,
klithma ime i shkoi yllit:
Oh, lotët e mallit kush t’i fshiu?
Shtegun e buzës kush ta mbylli?

Frymën tënde ndjeja nga larg,
kur shi trishtimi derdhje lot,
Ngrije, shkrije akuj në shtrat,
se zemrën tjetrit s’ia falje dot.

Magjinë tënde në shpirt e ndiej,
buzagazi shpërthyes me vezullim,
më ndriçon në sy sa shtatë diej,
kurdoherë e kam në përfytyrim.

Koha e gjatë, që iku e shkoi,
portretin ta ka përpunuar.
Por syri im fotografik fiksoi
imazhin e pa tjetërsuar…

Do mjaftonin dy gisht letër
për të zbrazur pakëz mall.
Por tani ato fjalë të blerta,
gjethojnë te lastarët tanë..

 

 

 

MONOLOGU I NJË EMIGRANTI

 

Më ka shpirti dallgë deti,
më rri mendja te vatani.
Të huajt me gjuhë kurbeti,
më shikojnë me sy kallkani.

Kur dëgjoj flet shqip dikush,
më ngjan se një bilbil gjizar,
që këndon ëmbël në gajush
dhe i jap dorën pa e parë…

Një zakon, një gjellë shqiptare,
më sjell në mendje një kujtim.
Borziloku erëmirë në dritare,
më sjell aromën e vendit tim.

Vjen një valë në elektron
dhe më bën tjetër njeri,
zëri i shqipes që këndon,
më drithëron zemrën në gji.

O, ç’më rri mendja, ç’më rri,
tek vendi që s’e harroj dot;
tek e ndershmja varfëri,
që më bleron kujtime plot.

Kujtoj nuset me dasmorë,
dyert e hapura nëpër fis,
kopshtet me rrush e mollë,
moshën e artë të rinisë…

Shikoj me lot fotografitë,
njerëzit e një gjaku që lash,
po mallin s‘ma heqin nga sytë
letrat e ngjyer me imazh…

Jam tani në mes dy detesh,
me epitetin “emigrant”.
Bëj t’ia shkul nofkën vetes,
të jem prap’shqipo në vatan…

Por, eh, të kishte vendi im,
ca të mira si këtu në kurbet,
më mbinin krahët për fluturim
dhe malli im shuhej përjetë…

 

 

 

MË KE NË GJAK…

 

Sado të mendosh, ndoshta s’më do e s’të dua,
në çdo ëndërr të kam e më ke brenda mua.
Te magneti tërheqës, më ke shumëfish,
te gjunjët që të shtyjnë drejt meje të vish.

Më ke në gjak, që nga flokët, deri në thua,
nuk më heq dot kurrë nga mendimet e tua.
Më ke te ajri që thithin çdo çast mushkëritë,
te rrezet e diellit që të lajnë fytyrën me dritë.

Më ke te sytë, imazh që s’mund të fshihet,
te buzët që pa folur e pa qeshur s’të rrihet.
Më ke në çdo hap, ku shkel këmba jote,
në çdo pikë uji të hedhur brenda çdo gote.

Nga të gjithë zërat që era sjell të dëgjosh,
më ke tingull te veshi, që s’mund ta largosh.
Më ke kudo, ku aromë të këndshme ndjen,
në dridhërimat e çdo kënge që të pëlqen.

Më ke në thërrimet e përtypura të çdo kafshate,
në fijet e holla nervore brenda zemrës sate.
Më ke në gjak, hemoglobinë të tretur,
derisa të na vijë fund-jeta për të vdekur…

 

 

 

TË SHKRIJMË AKULLIN

 

S’jam më njeri i përbërë
nga mishi e kockat,
jam fluger i mbërthyer
te pallati i kthesës.
Sa herë, ti puhiza ime,
vrundullon nga kioskat,
me duart prej ajri më kthen
drejtimin e shigjetës…

Pres të bëhesh fllad
nën diellin e mesditës,
Të vish sërish, të më shfrysh
ngrohtësi prej mushkërisë.
Dua të të kthej
nga zemërimi arratisës,
të ta zbut me buzë, te shtrati
vrullin tënd të stuhisë…

Ti s’mund të kesh
egërsinë e tufanit polar,
që krijon zerogradat,
për arinjtë dhe fokat.
Pendimi më ka bërë
pëllumbin tënd të bardhë,
eja, puhiza ime, të shkrijmë
akullin e ditëve të ftohta!…

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s