Kathryn Stockett: N D I H M A ( Roman) /

Kathryn Stockett:

N D I H M A

( Roman)

 

 

Xheladin

Nga Xheladin A.  Çitaku

 

 

“ Herë i gëzuar e herë të thyen zemrën…Një paraqitje e përkryer. Lexuesit do të mbërthehen nga faqet e këtij libri ” ( Associated Press ).
– Përjetimi i të qenit i diskriminuar në një shoqëri që mëton se rrezaton vlera civilizimi është më tepër se zhgënjim, edhe për faktin se dallimet racore janë të theksuara në treva të caktuara brenda vet shtetit (SH.B.A.), mbi bazën e shprehive të ngulitura, në kohë, të shtresave shoqërore. Kjo ndodhë në Misisipi dhe në trevat e jugut, përgjithësisht. Segregacioni i kategorisë së njerëzve me ngjyrë, pothuajse është i legalizuar edhe përkundër trendit të integracionit në viset tjera, në kohën kur është shkruar romani “Ndihma”. Shtjellimin e kësaj tematike e ka provokuar gjendja dhe raportet shoqërore ndërracore, gjegjësisht diferencimet e nxitura që mbretërojnë në zhvillimet dhe rrjedhat e jetës në qytetin Xhekson, konkretisht pozicioni i punëtoreve shtëpiake (zezake) në familjet “fisnike”. Ndërtimi i relacioneve mes zonjave të bardha dhe shërbëtoreve të tyre, ndjeshmëria e bashkjetesës së domosdoshme, varësia reciproke dhe distance e patjetërsueshme, janë sfondi në të cilin detajizohet tematika, në të cilin shtrihet rrëfimi në gjerësi e thellësi, duke tabloizuar këtë jetë, duke ngjyruar me ngjyrat e realitetit që ndihet e preket në këtë ambient.
– Shtresëzimi i shoqërisë prodhon përpjekjet e të zhvlerësuarëve për ta shpërfaqur dinjitetin e ekzistencës së tyre, në rrethanat e përçmimit që u bëhet nga stadet dhe kategoritë e vetëprivilegjuara, të cilat kapin timonin e orientimit sipas orekseve dhe interesave, që kalojnë nëpër kurrizet e të nënçmuarëve, të cilat në rastin konkret janë punëtoret zezake (përgjithësisht njerëzit me ngjyrë) në Xhekson të Misisipit. Rrjedhimet e tilla të trashëguara derivojnë pasoja të papërshtatshme për përshkrimin e karakterit të një shoqërie dhe të individëve apo shtresave të caktuara brenda saj, duke shpërfaqur të kundërtën e natyrshmërisë së përkatësisë në grupimet e mëdha njerëzore. Ndjenja e supermacisë ndaj të tjerëve (që nuk janë si ne) ushqen egiozmin dhe paragjykimin, duke përshkallëzuar acarimin e relatave. Pikërisht këto ndjenja qëndrojnë në bazamentin e zhvillimit të ngjarjeve në romanin “Ndihma”, përcaktojnë kahjen e përshkrimit dhe shpërfaqin përmbajtjen. Kathryn Stockett qëndron në brendësinë e këtij përjetimi, ndjenë fshikullimat e kësaj ndasie dhe i ravijëzon ato besnikërisht dhe artistikisht, duke ndërtuar e rindërtuar skenat përkatëse që e karakterizojnë këtë lloj jete, duke vënë theksin në pasojat e veprimit segregativ, duke sheshuar anën shpirtërore dhe emotive të aktorëve të inskenimit letrar, duke konkretizuar mbresëlënien në konstruktin romanesk. Rruga e ndjekur i përket traditës krijuese dhe rrëfimit standard prozaik, por ku shquhen specifikat dhe veçoritë e mentalitetit të caktuar në një ambient përkatës; shquhet bota, shpirti, ndijimi, percepcioni dhe konceptimi i jetës nga këndvështrimi i gruas në trekëndëshin autore, shtëpiake (zezake), punëdhënëse (zonja e bardhë), afërsia e imponuar dhe distance e stisur. Këto copëza ndërthuren dhe sajojnë një tërësi kompakte, një tregim tërheqës për lexuesin.
– Romani “Ndihma” konsumon mundësinë e traseizimit të ngjarjes në paralelizma rrëfyes, të cilat identifikohen me emrat e personazheve qëndrore, duke përpjestuar veprimtarinë dhe përjetimet sipas rolit që u cakton autorja, sipas misionit të paracaktuar, sipas rëndesës që bartin në komponimin e tërësishëm. Kështu, pjesët pagëzohen me emrin e individit dhe ndërtohen në bazën e jetëve të veçuara nga njëra tjetra, por që kanë të përbashktën brenda llojit dhe në raport me pjesën e dallueshme. Të gjitha këto ndërlidhen në kompozimin e përgjithshëm të romanit dhe detajizojnë strukturën duke e bërë atë sa më receptive për auditorin, të cilit i dedikohet.
– Defilimet e karaktereve (personazheve) qëndrojnë sinkronikisht me kohën dhe rrethanat. Ndërtimi i tyre bëhet në konformitet me misionin që bartin, duke përfaqësuar veten brenda llojit dhe llojin në sistemin shoqëror: Ajblina, Mini e të tjerë përballen (dhe bashkëjetojnë njëkohësisht) me Hill-in, Elizabetën e të tjera, gjithnjë si balancim i interesave të njërës palë dhe aspiratave të palës tjetër. Megjithkëtë, “taborret” nuk janë strikte të ndara; përbrenda konfliktit qarkullon edhe një puhizë paqëtimi, që përfaqësohet nga arsyetimi realist i mbruajtur në personazhin e zonjushës Skiter, apo moskokëçarja ndaj këtyre relacioneve që reflekton mentaliteti i zonjës Selia Futi. Meqë në epiqendër janë zonjat, personazhi i gjinisë tjetër është fare periferik, hapëron vetëm në funksion të përplotësimit të narracionit, ose në rolin e përgjithësimit të rrjedhave në kontekstin e përpunimit të materies, formësimit apo përkufizimit të episodeve ku dekoron galerinë e pjesëmarrësve dhe kompleton trupën e roleve. Gjithsesi, të gjithë janë produkt i një shkalle të civilizimit në ecjen e tij nëpër kohë, duke ndriçuar rrugët nga ka kaluar, duke vënë në pah konfliktet dhe antagonizmat, përpjekjet, mundin e sakrificën e njeriut (në kuptimin e mirëfilltë) për ngadhnjimin e pozitivitetit. Hapat e vegjël përshkojnë rrugën e duhur për ta kapur cakun; rrezikshmëria për ta arritur këtë nuk e thyen dot vullnetin e njerëzve (personazheve) që e duan këtë. Shkrimtarja ka funksionalizuar tiparet, karakteret dhe shpirtin e secilës kategori për të dhënë portretin shumëngjyrësh të kohës, profilin ekzakt të njeriut të kësaj kohe, por dhe skicën e projektimit të së ardhmes, në të cilën përthyhen dëshirat, mundësitë dhe aspiratat. Figurat autoktone marrin mbi supe këtë detyrë, fillojnë me një libër tregimesh të thjeshta për të vazhduar tutje në ndryshimet e pritshme, sepse perspektiva e jetës shoqërore e njerëzore nuk qëndron në raportet segregacioniste as në pikëpamjet e mendësisë së konsumuar.
– Romani “Ndihma” trajton konstelacionet sociale në dritën e të drejtës civile, përkufizimit të qytetërimit apo takimet e ndryshueshmërive; trajton relievin ku ndeshen koncepte të ndryshme për transformimin e mendësisë dhe relacioneve, menaxhimin e dallimeve dhe inkorporimin e tyre në përbashkësinë civilizuese. Si e tillë kjo vepër letrare arrinë të transponojë realitetin jetësor në një realitet artistik të pëlqyeshëm që lë mbresa dhe ngelet gjatë në kujtesën e lexuesit me ngrohtësinë e tij, me vërtetësinë e tij, duke synuar, kështu, piedestalin e suksesit në letërsinë e përgjithshme…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s