Poezi nga Sadbere G.Spahija

sadbere gagica

 

Poezi nga Sadbere G.Spahija

 

 

SONTE

 

Nëpër vargje pa rimë mbledh
Stinët e mia shpërndarë nëpër dhimbje
Plagët e shekujve mbi supe fjalësh
Nëpër akorde të zemrës tingull drithërim
Sikur të kisha krahë dallëndyshe do vija
Aty ball për ballë gishtërinjtë e natës t’i lidhja
Për një agim do fluturoja deri në vendlindjen time
Që më ndjek si hije ngado që shkel këmba ime
Sonte ah sonte sa vrull ka ky shpirt i degdisur
Pranë tryezës të ulem me Ty e dashura POEZI
Ta kaloj një copë det të shfryj dufin e mbledhur në gji!

 

 

 

MALL VJESHTE
Më thuaj a ka rënë sot shi
Dhe gjethe në tokë
E ke ndjerë frymarrjen e fjalës
Rrahjen e zemrës
Kur të përqafoi era udhëve
S’më ndjeve?
Isha unë me shallin e vjetër
Erdha sërish me ëndrra të lodhura
Si pelikan i bardhë
E i rashë liqenit tej e tej
Mbi krahet e valëve
Lava lotin e stinës
E prita deri vonë
Kur dielli përëndoi
Mallin e mora mbi supe
Nëpër udhët e Atdheiut tim
Pashë gurë e shkopinj gome
Dhe e mejtuar ktheva kokën pas
Të kërkova mes turmës së zemruar
O liria ime!
Një pranverë e grish me Ty
Malli im strukur në dashuri njeriu…

 

 

 

MOS IK

 

Sonte kam zjarrmi vetmi që më kall
Ndaj të lutem sonte nga vargu mos më ik
E dëboj terrin që më rrethon si gjembat
Dritën e syrit mos ma mbush me lot
Dritën e qiriut mos ma fik
Një strajcë ëndrrash i bart mbi supe
Kur të vij një ditë të gjitha do t’i falë
Do të pres çmendurisht t’i falë stinët
Të ulem këmbëkryq në prehërin e vargut
Që shpirtin e mërdhirë netëve të vona
Ma ngroh si dielli pranverën e vonuar
Një këngë me aromë dashurie do ta këndoj
Pa lahutë e pa kitarë
Do t’i puth lisat në këmbë e zogun me mall
Sonte kam zjarrmi vetmi që më kall!

 

 

 

DRITARJA IME

 

Me rreze dielli
Flakërimë ëndrrash
E kjo erë vjeshte
Me shpie udhëve të kujtimeve
Fëmijërisht dua të përkdhel
Lagjen time si dikur
Kur mbaja flokë kaçurrela
E dëgjoja ndonjë fjalë
Ah kjo sorkadhja seç na vjen
Duke kënduar
Në xhepa të pantollonave me një stilolaps
Nën duar një roman dashurie
Ec majë gishtërinjve krahëlehtë
Dritarja ime kohë malli në kalim
Rreze dielli në shpërthim!

 

 

 

PO VDES KJO FJALË?

 

Ngadalë kjo stinë
Vjeshta ka hyrë nëpër damarë gjaku
Çdo ditë (S’) jam vetvetja
Dashuroj një varg malli
E kam frikë nga dashuria
Kur nata bie mbi shtrat të butë
Dal në dritare të shpirtit shpërthej
Si fëmijë në vaj lotin
S’ma prek më askush
Zemra si një oqean i fshehur
M’i thith lotët në bebëza
Jam shndërruar në metaforë malli!..

 

 

 

MË DUKËT KJO DITË

 

Si melodi e këputur
Pyes shpesh vetën time
Flas me vargun nëpër këngë
Dhimbjen s’e dua as në vargje
Më duket kjo ditë vjeshtë
Dallëndyshe pa fole
Sa të kam pritur nëpër stinë
Ja që erdhe një natë vere
Kur po qëndisja një këmishë lahor
Lulet në kopsht me dashuri
Një trëndafil si flakadan i lirisë
Të ta falja Ty e bukura POEZI
Më duket kjo ditë a jam në ëndërr?
Nëntori është larg është afër
Frymon në shpirtin tim si dashuri
Të puth atë Flamur sytë tu si shkëndijë zjarri
Ah sa më tremb kjo erë sa më ka marrë malli!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s