Poezi nga Giovanni Pistoia
Përktheu : Albana Alia
DHEMBSHURIA
Sa herë kam gjetur strehim te heshtja
sa herë më ka kërkuar të ngrija zërin.
Por dhembshuria ka marrë fund,
po ashtu edhe fjala.
Deri edhe heshtja ka mall për një zë,
për një poezi që të bëhet dritë,
tashmë që njerëzimi
po fundoset,
i zhveshur nga çdo lloj shkëlqimi.
Por dhembshuria ka marrë fund,
madje kurrë nuk ka ekzistuar.
O, ndoshta,
gjendet nëpër humnera,
aty ku deti përkund zgavrat e veta.
HËNË MAGJIKE
Hëna magjike këtë mbrëmje,
është një mrekulli ku përhumbesh. Toka,
e ndriçuar, është ende më e errët dhe e trishtuar.
E MEGJITHATË, JAM
Kaq shumë qiell, kaq shumë yje
dhe hëna lundron mbi det,
e qetë përkundet,
ndërsa dëgjoj tingujt e heshtjes,
aq larg, por aq të pranishëm. Jam
një hiç mes qiellit dhe tokës,
e megjithatë, jam.
VETËM FLLADI
Gurët flenë nëpër rrugica të heshtura
hëna kujdeset për gjumin e tyre,
dielli ruan kujtesën e fashitur. Vetëm
flladi, me pëshpërimë,
vazhdon të kërkojë një zë.
VETMI
Hëna rri vetëm në qiell;
këtë mbrëmje as edhe një yll
nuk po del si zakonisht.
Kurrë, asnjë hënë
nuk i qëndron pranë.
Nuk më jep përshtypjen
që vuan në vetmi të përjetshme;
teksa i bën shoqëri vetmia
gëluese mbi tokë
në mungesë të saj…
Përktheu : Albana Alia