Baticë dhe zbaticë – Imagjinatë në ecje… / Shkëputur nga libri me tregime ” DASHURIA ÇEL NË PRILL ” i autores Drita Lushi

Baticë dhe zbaticë

 

 –  Imagjinatë në ecje…-

 

 

Drita-Lushi

 

Shkëputur nga libri me tregime ” DASHURIA ÇEL NË PRILL ” i autores Drita Lushi

 

 

Nuk jam puhiza e pranverës, që na pëlqen t’na përkëdhelë mbrëmjeve, ku i gëzohemi vështrimit të fshehur nën këmishën e natës, ndërkohë që imagjinata jonë këndon me zërin e fshehtë të shpirtit, e koha s’kërkon asgjë si shpërblim duke na ruajtur sekretin e ëndrrës.

Nuk jam ditët e bardha, të cilat zvarriten e mbushen me minuta të njëjta, të pandryshuara e të gjata, që koten në të gjitha orët, duke na përçuar përgjumjen shijekeqe.

Nuk jam orët e mbushura me fjalë shumëngjyrëshe komplimentesh pa vlerë, “themethashe” që të thumbojnë veshët, si në ditët zhegnxehta kur gjinkallat plasin, pasi kanë kënduar këngën zhurmuese të tyre.

Nuk jam netët e zakonshme, ku yjet, të pozicionuar qysh kur Galaktika njohu Tokën, na kujtojnë se jeta është një spirale që përsëritet. As orët e gjumit: “vdekje e përkohshme”

Nuk jetoj në dhoma veshur me orendi të shtrenjta, ku s’pipëtin as miza, e ku nuhatja kërkon edhe pluhurin.

Nuk jetoj as në ato shtëpitë me dritat e përhershme që të verbojnë, me tavolinat ku shandanët, pjatat e takëmet prej argjendi të shoqërojnë deri në kafshatën e fundit, ku vera shumëvjeçare është uji i ditës tënde, e mirësjellja është binjakja e hipokrizisë.

 

***

 

Kush jam…

Jam qetësia e mosqetësisë sime dhe mosqetësia e qetësisë.

 

Një krater, e llavë që rrjedh. Më tutje formëzohem në një lëndinë të gjelbër ku aroma e barit, e dheut, më bëjnë të ndihem bijë e Tokës.

Bri saj, një lumë i rrjedhshëm, i pastër, ku unë mundem të shoh dhe gurët pas së cilëve lakohen puthjet e ujit.

 

Bëj një pasqyrë të tejdukshme…

Marr disa gurë nga lumi, të cilët herë-herë më rrëshqasin nga duart prej myshkut shumëvjeçar, e arrij të formoj një hurdhë uji dhe mendimesh:

Shihem: Jam unë!

Pak krater, llavë e nxehtë, e ndonjë fije barblertë mbetur kurmit, kur hapat me trok rilindës, puthnin barin e oazës, të lindur mes llavës.

Në breg të rrjedhës së lumit, ulem e marr frymë me çdo ind.

-Qetësohem e shqetësohem.

Shqetësohem e qetësohem…-

 

II.

 

Një ngjitje…

 

Shkurre, rrëpirë pa rrugë, e lart, xhadeja.

Këpucët të rrënuara e të lodhura, vazhdojnë të mbajnë këmbët e mia që s’epen. Mbahem një çast pas një shkurreje gati të tharë e cila këputet, e unë bie, rrëshqas në atë dhé përvëlues, mbushur me gurishte si zall.

Më mbushen këpuckëmbët e lodhura me dhé.
Ngrihem.

Mbahem në një shkurre tjetër më të fortë dhe “op”- a, arrij të dal deri në… xhadé.
Marr frymë thellë…

 

Dita thyhet nga nata.

Nata thyhet nga dita.

 

Në atë thyerje, një tis skuq horizontin e shpirtit tim ku në kapilarë ndiej t’më vërshojë si lumë gjaku, që mu dha që në embrion nga ime më. Marr këpucët, i shkund nga dheu, shtriq gishtat e këmbës, që me dhëmbin nga rrugëtimi, e shtrihem me fytyrë nga qielli.
Ndoshta kam dremitur pakëz. Tashmë, gishtat jashtë këpuce kanë fytyrën e tyre origjinale e ndihen më të lehtë për të ecur drejt…

Këpucët grisur aty- këtu e shtrembëruar i mbath përsëri e eci.

Një shkreptimë në ag të ditës ma zë diellin.

Nga dueli i reve, bubullimat e zhurmshme lindën shiun.

Por …

Një ylber më vizaton sytë.

Harroj shiun dhe dua ta ledhatoj atë shtatëngjyrëshi të brishtë, që rritet, e forcohet e më bëhet një qiell jete mbi krye.

Eci…eci, eci.

Deti…

Kaloj vështrimin dhe gishtat, në buzët e tij blu e të kripura.

I qetë i ngrohtë, dallgëlehtë.

Ndihem e mikluar brenda tij, aq, sa më duket se rëra murrëtohet nga ky flirtim yni.

Tani s’kam nevojë për këpucë…

Eci zbathur në breg, me rërë e ujëdet e s’ndiej lodhje.

Përtërihem.

Deti tërhiqet.

Zbaticë.

Gjurmët e mia duken qartë mbi rërë edhe në kthim, gjatë bregut ku eci përsëri.

Shoh diellin që puth detin.

Kam kaq dëshirë, të shoh përqafime e dashuri të zjarrta mbi këtë botë pa dashuri…

Përpiqem të gjej përsëri gjurmët qe lashë mbi rërën e lagur…

S’janë.

Baticë…Më ka marrë brenda saj, hapat, ecjen.

Por nesër, do t’i lë përsëri…

Trazim trupi dhe shpirti, lodhje, dihatje e frymëmarrje.

Kështu, ndijimet e mia, hedhin lastarë të rinj rrugës me tatëpjeta e të përpjeta.

Unë s’do të fle mbi shtrat të jetës.

Vazhdoj…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s