Alida Hisku dhe rrëfimi i Rita Sami Koçit / Nga Raimonda Moisiu

Alida Hisku dhe rrëfimi i Rita Sami Koçit

 

 

1-raimonda

Nga Raimonda Moisiu

 

 

Teksa lexoja në shtypin shqiptar intervistën e rrëfimeve tronditëse të artistes shqiptare Alida Hiskut, menjëherë në mendje më erdhën: Rrëfimet dhe Kujtimet e Rita Sami Koç-Koka, ish e dënuar për agjitacion e propagandë që në moshën 16-vjeçare. Mes rrëfimeve tronditëse, guximit dhe kurajos të Alidës dhe rrëfimeve, guximit e kurajos të Ritës ka një ngjashmëri shpirtërore dhe njerëzore, thirrjes për drejtësi e shpagim. Unë kam pasur fatin e mrekullueshëm ta njoh e bisedoj me Ritën dhe rrëfimet e kujtimet e saj unë i kam sistemuar dhe një pjesë e tyre janë botuar në shtypin shqiptar para disa viteve. Ndërsa edhe me Alidën kam komunikuar online gjatë viteve në Forumin që unë moderoj PAWN, Pan –Albanian Women Network, (Rrjeti Ndërkombëtar i Grave Shqiptare) dhe mes të tjerave më kujtohet një shprehje e Alidës: “Me mendje të kthjellët e të shëndoshë për të menduar dhe krahë të fortë, për të punuar, gjithçka arrihet në jetë!” Ndërsa te rrëfimet e Rita Sami Koka-Koçi, që në fillim kur lexova shprehjet: “Kujtime të hidhura e të paharruara”, dhe “Nëse një popull nuk arrin të njohë dhimbjen, nuk do të jetë në gjendje të njohë lumturinë!-u drithërova dhe e ndjeva që në fillim emocione të forta shpirtërore, përpija çdo rresht në të lexuar, këto rrëfime sa rrënqethëse, po aq edhe klithëse, por që sillnin të gjallë në kujtesën e kombit të vërtetën e kalvarit të dhimbjeve e sakrificave, tragjedish e idealesh, burgosjesh e torturash, persekutim deri edhe në shfarosje në kampet e burgimit, të klasës qytetare dhe intelektuale shqiptare, persekutim që nuk kurseu edhe femrën shqiptare. Intervista e artistes Alida Hisku është vlerë që të emocionon, është thirrje për drejtësi.

 

 

Rita-Koçi

Rita Koçi

 

Sa më shumë që lexoja jetën e Alidës, dhe mësoja prej saj, aq më shumë i krahasoja ato me kalvarin e dhimbshëm të vuajtjeve dhe sakrificave që nuk kishin të sosur të Rita Sami Kokës (Koçi), të Musine Kokalarit, të Sabiha Kasimatit, të Diti Biçakut dhe të sopranos të shquar Merita Sokoli, të cilat kanë kaluar përmes torturave të tmerrshme në birucat e hetuesisë. Duke iu referuar gjithmonë shënimeve të Ritës, në vitet ’50 të shekullit të kaluar janë vitet që njihen për valën e arrestimeve, burgosjes, pushkatimeve e internimeve në masë të intelektualëve dhe elitës qytetare shqiptare, që regjimi komunist, inteligjencën dhe kontributin e tyre e shihte si rrezik për pushtetin e tyre. Sabiha Kasimatin bashkëvuajtësen e Ritës, të Musinesë e të Diti Biçakut e pushkatuan, Musine Kokalarin e torturuan, e internuan, në një farë mënyre “i përdhunuan” jetën, derisa vdiq e përçmuar, e përbuzur në apokalips total intelektual, qytetar dhe shpirtëror. Mos harroni se ai regjim pushkatoi edhe gra shtatzëna, ndërsa sopranon e shquar Merita Sokoli, oficerë të sigurimit të shtetit, drejtues të burgut e kanë torturuar fizikisht, verbalisht dhe psikologjikisht dhe masakruar, derisa ajo përfundoj në çmendinë. Mizoria e tyre arriti kulmin kur e futën në një thes që në mes e poshtë me një maçok të gjallë brenda. A nuk ishte përdhunim ky, nga bishat e sigurimit të shteti?! Gjithashtu dua të theksoj një fakt, Rita Koçi-Koka shkruan me shumë dhimbje dhe kujtesë të admirueshme për dy intelektuale të shquara sikundër; për shkrimtaren dhe politikanen e shquar Musine Kokalari,- ku Rita e shpreh se ajo ishte idhulli i saj, dhe për sopranon Merita Sokoli, që unë vërtet do të dëshiroja në rast së dikush di për këtë soprano të shquar të shkruajë për të, sikundër është shkruar edhe për Musine Kokalarin. Pas një viti hetuesie të shoqëruar me tortura dhe izolim të rëndë, Rita Sami Kokën (Koçi) e dënojnë me 10 vjet heqje lirie, me motivacionin: “Organizatore grupesh në shkollat e mesme, agjitacion e propagandë me shkrim e me gojë, kundër pushtetit popullor, komunist e Partisë!” Rita Sami Koka, ka lindur në Firence të Italisë më 1930. Është e bija e ish-kolonelit Sami Koka- zv/kryetar i Shtatmadhorisë mbretërore dhe komandant i përgjithshëm i Rojes mbretërore të Kufirit dhe i Financës. I dënuar edhe ai me 30 vjet burg nga Gjykata Speciale e Marsit 1945-ë. Rita ka ndejtur në burg gati 10 vjet së bashku me të atin e saj, fakt që ajo e rrëfen edhe në shënimet. -Gjithmonë duke iu referuar rrëfimeve të Ritës dhe kontakteve që kam pasur me vëllain e saj, pas lirimit nga burgu Rita u martua me bashkëvuajtësin në burgun e Burrelit, Xhorxhi Koçi, i dënuar politik që në vitin 1946, të cilin ajo e njohu kur ishte në burg. Pas viteve të burgut kaluan edhe disa vite në internim së bashku me familjen, në Kullë të Durrësit. Çifti Koci pati 4 fëmijë, tre vajza e një djalë. Por fatkeqësisht, djali i tyre i vetëm u vra kur ishte ushtar, i cili shërbente në Brigadën e Punës, si ishte atëherë për fëmijët e të dënuarve politikë apo me biografi të keqe. Di një fakt tmerrësisht tronditës që kur i treguan burrit të Ritës, Xhorxh Koçit, për vdekjen apo “vrasjen” e të birit të vetëm (që ka mbetur ende mister vdekja e tij, sepse të nesërmen ai nisej me disa ditë lejë për në familje, por u “vra aksidentalisht në gurore”) – ulërimat e trishtimit e të dhimbjes të atij burri, Xhorxh Kocit, që iu pati bërë ballë torturave dhe jetës në Burgun e Spacit, por nuk mundi të përballonte vdekjen e birit të vetëm, kanë ushtuar e tronditur tërë Durrësin. Marraz e brengë që më pas i kushtoi edhe jetën. Unë po iu jap një pjesë të “Rrëfimet e Ritës”, dhe me aq sa ajo ka shkruar e dërguar mua, ka shumë rreth jetës së saj dhe të bën të besosh të vërtetën e madhe e tronditëse të rrëfimeve të Alidës!

 

***

 

Pjesë nga ditari i Rita Sami Koçit (Koka)

 

Në një qeli me Musine Kokalarin

 

Datë 19 maj 1950, ora 23:00

 

Një trokitje në derë do na shqetësonte, por do të ndryshonte edhe rrjedhën e jetës sime. Mamaja hapi derën dhe disa oficerë Sigurimi hynë furishëm në dhomën 3×3, ku jetuam për 30 vjet dhe ku përdornim vetëm një WC, 6 familje. Njëri prej tyre pyet se kush është Rita Sami Koka… Unë i them: “Në emër të popullit jeni e arrestuar”. Mamaja u trondit pa masë dhe iu drejtua oficerëve të Sigurimit: “Amani, ku po e çoni çupën time?”. Më arrestuan pa më thënë arsyen. Në atë kohë ndodhte shpesh që oficerë të Sigurimit shkonin nëpër shtëpitë e të përndjekurve, u rrëmbenin çupat, gjoja për t’i arrestuar, i përdhunonin dhe i degdisnin në fshatra të largëta e të humbura të Shqipërisë. Unë e kapa nga supi mamanë dhe me zë të qetë e të vendosur i thashë: “Mos u trondit mama, unë s’kam bërë gjë, prandaj do të kthehem!”. Ata më vënë prangat e bashkë me mua largohen duke lënë mamanë në lot e ngashërim, në gjendje shoku e pikëllimi se njerëzit e tjerë të familjes largoheshin, sikur të ishin me lebër. Qëndrimi im prej krenareje dhe me kokën lart, kuraja që i dhashë mamasë sime do të më përmendej edhe në hetuesi, duke më quajtur “shumë të vendosur në aktivitetin tim kundër pushtetit popullor”. “Sipas jush, – i drejtohem hetuesit në birucat e hetuesisë,- çfarë prisnit, të kapja mamanë në cep të fustanit e të qaja?!”

 

 

Musine-Kokolari

Musine Kokolari

 

Pas një viti hetuesie të tmerrshme, të shoqëruar me tortura dhe izolim të rëndë, dënohem me 10 vjet heqje lirie, nën akuzën “organizatore grupesh në shkollat e mesme, agjitacion propagande me shkrim e me gojë, kundër pushtetit popullor, komunist e Partisë”. Sigurisht unë e prisja një akuzë të tillë, sepse në shtator-tetor të vitit 1949 filloi ‘spastrimi’, dhe nga shkollat e mesme u përjashtuan 16 nxënës nga Teknikja dhe gjimnazi. Ndër ta isha unë dhe vëllai im i vogël, Genci. Përpara se të më lëviznin nga birucat në kampin e të dënuarve, shoqet me të cilat ndaja ditët dhe netët e izolimit, më porositen që të bëja kujdes nga një spiune dhe provokatore e rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit, një ish-pjesëtare e Ballit Kombëtar, e quajtur Nurie Maska, nga Vlora. Kur kishte qenë në kampin e burgut të Vlorës, tre djem vendosën të arratiseshin. Për këtë gjë ata biseduan me Nurien, por ajo i raportoi te drejtori i burgut, xha Metani. Dhe kur ata tentuan të arratiseshin, njëri u vra, duke mbetur në telat me gjemba në përpjekje për t’i kapërcyer, ndërsa dy të tjerët i kapën. Njëri nga të burgosurit kishte qenë mësues dhe i kishim birucat ngjitur. Një ditë, duke kaluar për në banjë, ai më fut një letër poshtë derës, ku më tregonte gjithë historinë e tij, dhe me porosit që t’i thosha N. Koculit (nga Vlora), që të lajmëronte nënën se ai ishte gjallë. Nëna e gjore e dinte të vdekur birin e saj. Kur lëviza nga izolimi në birucë në kampin e burgut, aty më kanë pritur disa të dënuara për politikë, ndër to dhe sopranoja e talentuar, e mrekullueshmja Merita Sokoli, e cila më mori në dhomën e saj të vogël, si i pëlqente Meritës ta quante. Nurie Maskës nuk i dhashë fare të njohur, por nuk kisha as edhe dëshirë ta shihja e të komunikoja me të. Nurien e përbuznin të gjitha, duke e quajtur monstër. Kur drejtor Metani u transferua nga burgu i Vlorës në burgun e Tiranës, Nurien e mori me vete që ajo të vazhdonte misionin e saj të provokatores e spiunes. Ajo i qëndroi aq besnike aktivitetit të saj, sa spiunonte edhe për gjëra fare të thjeshta, që më pas bëheshin çështje të mëdha. Sado që mundohesha ta injoroja Nurien, më duhej të përballesha me shpirtligësinë dhe hipokrizinë e provokatores.

 

***

 

Një miku ynë kishte shkruar një novelë shumë të bukur, ku e përshkruante Shqipërinë si një shqiponjë të lidhur në pranga dhe të gjakosur nga gjaku i të vrarëve. Ma pat treguar që ta shihja nga forma letrare (ai ishte 16 vjeç dhe unë 18). Novela më pëlqeu shumë dhe i thashë sikur të kishim mundësi e të shkruanim shumë kopje si kjo dhe t’i shpërndanim. Ai e pëlqeu këtë mendim timin dhe bëri si i thashë unë. Ky trakt u shumëfishua dhe u shpërnda, fillimisht në Shkodër. Në Tiranë e shpërndau Lluka Dindi që ishte 16 vjeç, nxënës në Teknikumin financiar. Në fillim u arrestua Ndoc Larja, pastaj Lluka, Amiku, Petro Konomi dhe unë nja tre-katër muaj më vonë. Kur na nxorën në gjyqin ushtarak si grup, më pyetën nëse i njihja pjesëtarët e tjerë. U thashë: “Jo! As i njoh, as i kam parë ndonjëherë”. Në grup në gjyq qe futur edhe Bardhyl Dindi, kot së koti, që përveç Llukës që kish të bënte me të, asnjëri prej të akuzuarve nuk e njihte dhe as e kishin parë si fytyrë. Bardhyli tha për mua që nuk më njihte veçse si fytyrë, që më kishte parë në gjimnaz. Prokurori, një oficer madhor i komunistëve, më thotë: “Sigurisht që nuk i njeh, kryetari rri gjithmonë i panjohur”. Pasi mbaruan disa seanca, u dhanë dënimet. Në fund, prokurori filloi të na pyeste se çfarë kishim për të thënë për fjalë të fundit. Unë i thashë: “Asgjë!”. “Si?”, më thotë. E quan të drejtë dënimin?”. “Jo! Unë nuk e quaj aspak të drejtë, por fjala ime nuk ndryshon asgjë, ju vendosni vetë, si ju vjen për shtat, dhe për këtë nuk ju kërkoj mëshirë!” Vite më vonë, kur u takova me babanë në burgun e Burrelit, mes të tjerash më tërhoqi veshin me ledhatim dhe duke buzëqeshur më tha: “Mos u trego kokëfortë këtu në Burrel, si në gjyq”. Duke e përqafuar, i thashë: “Nuk jam kokëfortë baba, por padrejtësia më revolton”. Babai më shtrëngoi fort pas gjoksit dhe përsëri mbajti të qarët që po i shpërthente. I pashë vetëm sytë e përlotur.

 

***

 

Arritëm në Milot, autobusi ndaloi për pushimin e parë. Pasagjerët zbritën të pinin cigare. Duke parë ata njerëz të thjeshtë, të lirë fizikisht se moralisht ishim njësoj, duke thithur cigaren më erdhi dëshira që edhe unë ta tymosja një me ta. U thashë rojeve nëse qe e mundur të më linin edhe mua për të tymosur një cigare jashtë. Dola e shoqëruar dhe pa dhënë muhabet, e porositur për këtë qysh më parë. Pashë që sapo kish mbërritur edhe autobusi i Estradës së Shkodrës. Aktorët qeshnin me njëri-tjetrin dhe gjithë humor flisnin me zë të lartë. Dikush u tregoi për mua dhe e qeshura e tyre u pre. Më shikonin me habi dhe diçka bisedonin me njëri-tjetrin me zë shumë të ulët. Më shihnin me habi e dhimbje. Dikush tundte kokën, sikur pyeste veten: “Ç’ndodh kështu?”. Unë nuk u trondita fare, përkundrazi e ndieja veten krenare dhe këtë krenari mundohesha ta tregoja në çdo çast. Më dënonin komunistët, kriminelët, llumi i kombit që kish uzurpuar pushtetin legjitim. Isha krenare dhe me këtë krenari shijoja ato orë të pakta lirie, edhe pse më shoqëronin policët me pushkë automatike. U ndjeva e lirë për pak orë jashtë mureve të qelisë. Kur arritëm në burgun e Burrelit, na priste nëndrejtori. Qe e diel dhe drejtori nuk ishte aty. Në atë kohë në Burrel qe edhe Musine Kokalari. Të nesërmen kur erdhi drejtori i burgut Dino, më pa që isha me Musinen (edhe dy gra të tjera) dhe qëndroi për një çast, u mendua dhe më tha: “Urdhri nga Tirana është që ti të ishe izoluar më vete këtu”. Na mori të katrave për të na treguar qelinë që ishte caktuar për mua. Burgu i Burrelit është i futur në gropë dhe i rrethuar me shkurre. Kishte një lagështi të paimagjinueshme, muret kullonin ujë dhe ishin të zbutura, llaç i gjallë. Klima e vetë qytetit ishte shumë e ftohtë. Unë, e infektuar në qelitë e burgut të Tiranës me zgjebe dhe morra, duhet të pastrohesha. Doktori i burgut, Lush Pogu, i dënuar edhe ai, më dha mjekimet e duhura. Zoti më ruajti që nuk mora plevit, ngaqë isha e detyruar të lahesha përjashta në borë. Hava Golemi dhe Xhemo Ahmeti, mbanin dy çarçafë për të më mbrojtur nga era dhe ngrica, kurse Musineja më hidhte ujë të ngrohtë ndërsa lahesha. Në pranverë Musineja dhe dy gratë e tjera u transferuan për në burgun e Tiranës. Kur u komunikuan transferimin, Musineja u kthye nga unë dhe më tha “Rita, si do të lë ty vetëm në këtë skëterrë? Unë i thashë: “Musine, mendo vetëm nënën tënde të moshuar që ka kaq kohë pa të parë, pse gjer këtu nuk vinte dot, unë do ta kaloj ashtu si e kalove ti”. U ndamë me përqafime e përlotje. Kështu mbeta vetëm.

 

 

24 dhjetor 1950, Darka e Krishtlindjes

 

Ato që bënin komunistët, anëtarët e PPSH pa përjashtim, nuk janë bërë as në Mathausen apo Buchenwald. Le të tregojnë të dënuarit e Vloçishtit, Jubës, Bedenit, Spaçit, Urrës së Bonos, e sa e sa kampeve të tjera të shfarosjes. Merita Sokoli, një nga sopranot më të talentuara të Shqipërisë, njësoj si Tefta Tashko, u arrestua për politikë dhe u torturua gjatë hetuesisë në mënyrën më çnjerëzore. E lidhur me hekura, duar e këmbë e patën varur në një çengel vetëm sa i takonin majat e gishtave, e lanë ashtu për ditë të tëra. Siç qe e varur, i erdhën menstruacionet. Filloi të qante, duke shtrënguar këmbët. Kur hyri roja, ajo filloi t’i thoshte: “Jo, jo ! Të lutem mos hyr!”. Kur ai hyri, e pa në atë gjendje, qeshi si kafshë. Pse qenë të tillë, qenër! Në burgun e Burrelit ish i dënuar edhe Gjergj Kokoshi, i sëmurë me TBC. E kishin izoluar vetëm. Një ditë, një i burgosur i futi poshtë derës një copë letër për ta përshëndetur e për t’i dhënë kurajë. Dikush e spiunoi dhe e izoluan në një qeli pa dyshek, pa ndërresa dhe e lanë vetëm me bukë thatë dhe ujë. Ishte dimër dhe në Burrel bënte shumë ftohtë (Ai që e pat spiunuar ishte një çam, në mos harroj quhej Dino). Kështu, Gjergji mori plevit dhe në të njëjtën kohë u çmend. Më vonë i çuan rrobat, por ai zhvishej dhe shtrihej në çimento. Gjithë kohën luste Zotin dhe shenjtorët, pastaj shante Enver Hoxhën, që dikur as që e pat përfillur si njeri dhe intelektual. Thërriste nënën e tij. Nuk pushonte së foluri ditë e natë, gjersa i iku zëri dhe jeta bashkë. Unë e kisha afër qelisë sime dhe e dëgjoja, më vinte keq për të, por nuk duroja dot. Vija duart në vesh dhe ashtu rrija me orë të tëra gjersa më zinte gjumi. Kur vdiq, e mora vesh nga rojet. Dhe fillova të qaja si fëmijë, nuk e njihja as nuk e kisha parë ndonjëherë, por e qava si njeri me shpirt, që humbi jetën nën torturën e xhelatëve të PPSH-së. I shkruaj si më vijnë në kujtesë këto kujtime të hidhura e të paharruara!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s