Fustani / Tregim nga Gjenovefa Myrtaj

Jenny Vefa

 

Tregim nga Gjenovefa Myrtaj

 

 

Fustani

 

Kur iu afrova shtegut, për t’u ngjitur tek shtëpa e gjyshit, u drithërova. Deri aty, kisha ardhur me makinë. Shtegu i ngushtë, ishte mbuluar nga barishtet e hithrat e të zinte tmerri. Kushedi sa kohë kishte pa shkelur këmbë njeriu. Kushedi sa kohë nuk ishin ndierë këmbët e ndonjë kalimtari. Dikur, atij shtegu, ngjiteshim edhe këmbë zbathur.

Iu afrova shtëpisë dhe pa vetdije trokita tek porta, që pothuajse po binte copa copa . Isha e bindur, që nuk do të gjeja njeri, por trokita në portë sepse  ndoshta ndonjë kafshë  mund të ish fshehur brënda. Patjetër që do të largohej nga prezenca ime apo nga frika që dikush po e shqetësonte.

Hapa portën! Pluhuri dhe merimangat, kishin mbuluar gjithçka. Dritaret, të kalbura dhe pa xhama ku koha kishte bërë punën e vet. Në fund të odës së madhe, që dikur përdorej për pritjen e miqve, ishte një sepete e mbuluar me një stof të vjetër dhe të pluhurosur .

E stepur, në këmbë para sepetes, mendova se ç’do të gjeja brënda saj? Çudi- thashë me vete,-  oda është krejt bosh . Vetëm kjo sepete, një pasqyrë dhe oxhaku i nxirë nga tymi i viteve, kur ndiznin zjarrin në dimër .

Hapa sepeten! Brenda saj, mbështjellë me një çarçaf të zverdhur nga koha, ishte një fustan nusërie, tradicional i zonës së Labërisë. Çarçafi, e kishte “mbrojtur” fustanin nga pluhurat, që ende ruante bukurinë e tij.  Kush e di sa breza e kanë veshur, – mendova menjëherë  me veten time. Ishte gjëja më e shtrenjtë, që gjeta në atë shtëpi të braktisur. Një kujtim i bukur, nga gjyshi im .

Nuk rezistova dot, e vesha fustanin dhe po shikoja veten, në një pasqyrë të vjetër. Edhe kjo pasqyrë qe “prishur” nga koha, por mund të shihesha në të. Më rrinte mirë ai fustan, ngjyra e kuqe dhe qëndizmat prej ari, i jepnin një bukuri të rrallë.

Para asaj pasqyre të vjetër, që mezi dalloja veten time, pashë që mbrapa meje, dikush po më vështronte. U trëmba! Nuk mund t’a dalloja mirë kush ishte. U përqëndrova më shumë dhe pak nga pak, njoha fytyrën e gjyshit me qylafin e tij të bardhë .

-Si është e mundur, – thashë . Fërkova sytë nga dyshimi, apo ndoshta kjo pasqyrë kaq e vjetër, po më shpërfytyron edhe mua?

Por jo, ishte ai. Trupi m’u mbush me mormica, kur dëgjova zërin e tij:

-Je e bukur – më tha, i ngjan nënës tënde.

Mu afrua edhe më shumë. Kisha frikë. Kisha frikë nga prekja e tij. Ishte një njeri, apo një hije, që fliste dhe rrinte mbrapa meje? U ktheva nga ai. Ndoshta, fytyra ime në ato momente, do të ishte zverdhur nga frika. Po përse vallë – mendova, duhet të kem frikë ? Në fund të fundit, ai është gjyshi im. Më preku flokët kaçurrela me dorën e tij të butë dhe më pas, e vendosi mbi supin tim, sikur donte të përkëdhelte fustanin dhe jo mua.

-Ishte i gjyshes – më foli,-  e kanë veshur nëna jote dhe tezet e tua, kur janë martuar.

Në fisin tonë, ky fustan u vesh pothuajse nga të gjitha vajzat ditën që martoheshin, por  gjithmonë e kthenin. E binin në këtë shtëpi dhe kjo sepete ka qënë vëndi i saj. Kur u larguan të gjithë, asnjë nuk guxoi ta merrte sepeten me vete.

-E kisha lënë amanet – vazhdoi gjyshi im,- dhe ja, sot e gjete ti. Merre mos ngurro, vishe ditën e dasmës tënde dhe një ditë do të mbetet trashëgim për fëmijët e tu dhe për brezat që do të vijnë.

Më puthi në ballë dhe u largua. Bëra të flisja, por sa hap e mbyll sytë, ishte zhdukur përtej asaj porte të kalbur, që nga vitet po binte copa copa. Ajo shtëpi po rrënohej, por kishte mbajtur fshehur në një sepete gjënë më të shtrënjtë të fisit tim. Rastësisht e gjeta unë dhe ma fali gjyshi. Gjyshi apo hija e tij? Gjyshi them, se unë atë puthje në ballë e ndieva dhe më duket sikur e ndiej edhe sot.

Zbrita poshtë shtegut nga kisha ardhur deri këtu, duke mbajtur në dorë diçka të vyer. Nuk gjeta të dashurit e mi, por gjeta gjurmët e tyre.

Sa bukur ngjaj, kur vesh atë fustan!

 

15 shtator 2015, Itali

One thought on “Fustani / Tregim nga Gjenovefa Myrtaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s