Jackie Collins (Xheki Kolins) : DASHNORË DHE KUMARXHINJ / Nga Xheladin A. Çitaku

Jackie Collins (Xheki Kolins):
DASHNORË DHE KUMARXHINJ 

 

 

Xheladin

Nga Xheladin A. Çitaku

 
– Një pamje tjetër e jetës së “Yjeve”, një imazh tjetër, të cilin opinioni nuk e njeh, të cilin auditoriumi i gjërë i fansave nuk e percepton dot, jeta jashtë skenës, ajo nëpër kthinat e hoteleve a nëpër sallonet e festimeve. Këtë jetë e tabloizon Xheki Kolins në romanin “Dashnorë e Kumarxhinj”; këtë jetë e shpëfaqë para lexuesit, duke zbërthyer në imtësi bëmat, sjelljet, ambiciet, veset. Këtu pikturohet shfrenimi me tërë vrazhdësinë, dalldisja në përjetimin e çdo çasti, jashtë konsideratës ndaj rrethit, ndaj aktorëve tjerë, ndaj minimumit të xhentilencës; këtu pikturohet ekstravaganca e një shkalle superlative me pasojat që ajo sjellë në rrjedhën jetësore të një kategorie të caktuar njerëzish të cilësuar si V. I. P. Është, pikërisht, ana tjetër e medaljes, është jeta në prapaskenë, të cilën adhuruesi i performimit të artit nuk e imagjinon dot; është performance private ose mikste e kësaj kategorie. Duke vendosur në qendër të vëmendjes një “superyll” të rokut dhe ndonjë aktor tjetër të të ashtuquajturit “shoubiz…”, Jackie Collins pasqyron në tërësi jetën e një shtrese të shoqërisë anglofone, kryesisht (Britanike dhe Amerikane), një shtrese elitare, e cila duke patur këtë cilësim (elitë) noton në llumin e vesit, që nga prostituimi, bixhozi, shantazhi, mashtrimi, luksi marramendës deri në veprime me nyancime të krimit; noton në sferat e “larta” të qytetërimit, në mbishtresën e maskuar të karakterit njerëzor, të gjitha të kalkuluara në makinacionet biznesore, epshore, të suksesit dhe shfrenimet e oreksit individual. Al King, Dallas, Poli, Melani, Linda, Lju Mergolis, Doris Endërju, janë disa nga defilantët që përfaqësojnë këtë shtresë shoqërore, janë bartësit e ngarkesës së ideotematikës që shtjellohet në roman, janë përjetuesit e jetës së tillë dhe aktorët që përcaktojnë kahjet e kësaj jete. Procesioni i bëmave është radhitur nën simbolikën e famës, arrogancës e paskrupullsisë, caku final i të cilave është kulmi i suksesit dhe deliri individual.
– Në një ambient rrezëllues, mes engjëjve dhe djajve, Jackie Collins trajton motivin dhe karakteret në mënyrë të gjithanshme, bënë prezentimin e natyrës e mendësisë së personazheve në veprim, organizon shfaqjen e rrethanave në funksion të rrëfimit, vendosë e zhvendosë relievin adapt për inskenimin që synon, duke përfshirë një shtrirje të konsiderueshme në aspektin gjeografik, llojshmëri karakteresh, shkallëzime situatash, por edhe diagrame të gjendjes shpirtërore (emocionale), si segmente që përbëjnë tërësinë e konstruktit, rrjedhën kompozicionale dhe koloritin (shumëngjyrësinë) e zhvillimit të ngjarjes. Vërehet njëfar përqëndrimi i autores tek lloji i vet, tek personazhi femër, duke e zbërthyer natyrën e saj reale, me të mirat dhe të këqiat që bartë në vete, me virtytin dhe vesin, cilësitë e përgjithshme të karakterit, si nënë, si profesioniste, si ambicioze, ndjeshmërinë, brishtësinë, mentalitetin. Skenari i prezentimit romanesk kompletohet duke ngjyruar atë me ngjyrat realiste, pa anime, pa glorifikime, pa maskime zbukurruese për njërin a tjetrin lloj.
– Tregimi përqëndrohet në turneun muzikor të yllit të rokut Al King, një këngëtar që arrinë majat e suksesit në skenë dhe jo vetëm në të. Një karakter i veçantë që për stimul të formës dhe disponimit përdorë, jo substance narkotike, por marrëdhënie intime, në çdo kohë e çdo vend, duke shfrytëzuar reputacionin e arritur, emrin e famën, por edhe miopërinë, dobësinë karakterologjike a mendjelehtësinë e femrave të caktuara. Kjo e bënë atë injorues të ndjenjës, e bënë konsumues të shërbimit intim, kthyer në rutinë, nganjëherë deri në përçmim, e bënë arrogant në këto raporte, deri në masën e shpërfilljes së qenies njerëzore, herë, herë. Kështu derisa Al King takon Dallasin, një përsosmëri bukurie dhe një simbol i qëndrueshmërisë ndaj mësymjeve të tij; një grua që përshkonë rrugët e vështira të ngjitjes në jetë e në karrierë, që përmes veprimeve komprometuese arrinë në krye të interesimit të opinionit, duke përfituar shumë nga pozicionimet e tilla. Kulminacioni dhe përmbysja arrihet nga fundi i turneut, nga një kidnapim i këngëtarit dhe ekipit shoqërues, nga përmbysja e avionit në xhunglat e Brazilit, mbijetimi i tij dhe një pjese të suites. Kjo mundëson zbritjen e personalitetit në konturat reale të njerëzores, përjetime të theksuara shpirtërore, efekte të larta emotive dhe, natyrisht, rikthimin e ndjenjës në ndijimet që përkufizohen si dashuri e mirëfilltë. Individualitetet e involvuara arrijnë të vendosen “me këmbë në tokë” pas një pësimi të papritur, duke u gjedur në rrethana specifike, fizike e shpirtërore, duke u përballur me mundësinë e mosqenies e zhdukjes së përhershme.
– Dekompozimin letrar, autorja e vendosë në rrugë dramatike, të cilat janë përcaktuese për transformime shpirtërore të personalitetit, tjetësim rrënjësor dhe rikonceptim të përgjithshëm të jetës, mendësisë e relacioneve. Ajo vë në fuksion të kësaj tërë infrastrukturën e duhur; mjeshtrinë e tregimit, parametrat kompozicionale, skenografinë përkatëse, deklamimin e personazheve, duke mos lënë anash as storiet rrënqethëse, të cilat e theksojnë dramatikën e shthurjes. Mënyra e tillë dhe intensiteti i tillë rrëfyes nxitë padurimin e perceptimit te lexuesi, duke gllabëruar çdo insert që rritë efektin e impulsimit emotive. Dinamika e jetës imponon edhe dinamikën e ngjarjeve; “kthesat e forta”, rënjet a ngritjet rapide, zhvendosjen ekstreme, aspirimet drejt të pamundshmes, janë karakteristika veçuese të jetës amerikane, por edhe të letërsisë që e përcjellë këtë jetë, e transponon atë në një krnizim letrar-artistik. Jackie Cillins është në brendinë e kësaj dinamike dhe ia del ta kanalizojë atë në narracionin pasqyrues, t`i kultivojë elementet përcaktuese në një shtrirje shumë mbresëlënëse, në një thellësi gjurmëlënëse për pasionantët e artit letrar.
– Romani i Xheki Kolins-it “Dashnorë e Kumarxhinj” është pasqyra e shoqërisë së lartë (shtresës më të pasur) në Britani, Kanada dhe Sh. B. A. , ku reflektohet tërësia komplekse e kësaj shoqërie, raportet brenda saj, relatat me pjesën tjetër, ndërthurjet dhe ndërveprimet, dakordime a shpërputhje interesash, sfidat intriguese a makinacionet praktike. Të gjitha këto inkorporohen në roman mbi bazamentin e zhvillimit dhe hapërimit permanent të shoqërive të civilizuara. Trajtimi i këtyre aspekteve në ingranazhet letrare derivon një vepër mjaft voluminoze, si sasi, si komponim, si galeri personazhesh, si ndërtim kompleks artistik; është një ofertë sfiduese për kritikën dhe shijen e lexuesit, dhe siguron tërheqjen e vëmendjes së këtyre kategorive, përgjithësisht… Në këtë kontekst, receptuesi ynë s`do kishte kënaqësinë e shijimit pa punën brilante të përkthyesit Admir Nake, që përcolli autenticitetin e vlerës së artit tek lexuesi shqipfolës, për të cilën tërheq konsideratën dhe admirimin e opinionit lexues…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s